Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elida Jorgoni: 153 vite më parë lindi në Korçë Rilindasi Mihal Ilo Grameno

| E shtune, 13.01.2024, 07:50 PM |


Elida Jorgoni:

153 vite më parë, më 13 janar 1871 lindi në Korçë, Rilindasi Mihal Ilo Grameno.

U kujtofsh dhe u nderofsh brez pas brezi, o luftëtar që luftove me pushkë e penë për Mëmëdhenë!

Uratë për liri

Nga: Mihal Grameno

Merr uratën, bir, prej meje

edhe armët i gatit,

se erdh dita e shënuar

dolli ylli e na ndrit.

Është Ylli i Lirisë

me të tjetër nuku ngjet;

Shqipëria kaqë shumë

këtë yll që po e pret.

Djemt' e saj le ta dëftejnë

kush mban emër shqipëtar

që s'ka kurrë me duruar

ta urdhëronjë një barbar.

Vdekje, djema, të kërkoni

për të shenjtënë liri,

se rrojtjen përse e doni

nënë zgjedh' e robëri?

Rrojtja pa nder është vdekje,

po një vdekje e pambuluar,

e kur vdes për mëmëdhenë

je i gjall', i paharruar.

Të gëzuar atëherë,

kur për juve do të mësojnë

që për mëmëdhen' u vratë

me këngë do t'u mbulojnë.

E do shkruajnë mbi varr

që ju vdiqët për lirinë,

pranë Flamurit Kuq e Zi

e nderuat Shqipërinë.

A të kthyerë nga lufta

burrërisht ose plagosur,

nënat tuaj' me gaz shumë

u kanë për të qafosur.

E kurora trëndafilta

përmi krye do t'u ngjeshin,

edhe emrat do t'u rrojnë,

kurrë, kurrë të mos vdesin.

Andaj, bir, pa ndarë dua

përmbi armët të betosh

që i vdekur a i gjallë

kthehesh ti të më nderosh.

Si i dha uratën djali,

mori armët e betoi:

"Për lirin' e Shqipëris',

tha, do vdes", e fluturoi.