| E hene, 08.01.2024, 10:07 PM |
PARASHIKIMET E ZYMTA DHE TALLJET E BEN BLUSHIT
NË
ROMANIN ‘’KOMPLOTI’’
(Ben
Blushi: ‘’KOMPLOTI’’, botoi ‘’Pegi’’Tiranë, dhe ‘’Dukagjini’’ Prishtinë)
Nga
Adil FETAHU
Në
kontinuitet me romanet e tij të mëparshme: ‘’Hëna e Shqipërisë’’ dhe
‘’Kandidati’’, romani i dhjetë i shkrimtarit Ben Blushi mban titullin
‘’Komploti’’. E themi në kontinuitet me dy romanet e mëparshme, sepse në
romanin ‘’Hana e Shqipërisë’’, poashtu parashihej se pas 100 vjetëve në
Shqipëri gjuhë zyrtare ndoshta nuk do të ishte gjuha shqipe, për shkak të zvogëlimit
të numrit të shqiptarëve dhe shtimit e dominimit të numrit të emigrantëve e
refugjatëve të huaj. Edhe në romanin më të ri ‘’Komploti’’, Blushi parasheh
pakësimin e shqiptarëve dhe shtimin e të huajve në Shqipëri, gjë që të gjithë
po e vërejmë. Ndërkaq, në romanin ‘Kandidati’ Blushi ‘’ka bërë komplot’’, duke
e zgjedhur kryetar bashkie një të vdekur, sikur tash në romanin ‘’Komploti’’
duke zgjedhur një afgan, së pari kryetar bashkie të Shëngjinit e më pastaj
ministër të mbrojtjes së Shqipërisë.
Ben
Blushi ka një intuitë, imagjinatë dhe stil të veçantë në thurjen e romaneve të
tij, duke lidhur personazhet dhe ngjarjet e kaluara, madje edhe ato historike,
me të tashmën dhe të ardhmën.
Fabula
e romanit ‘’Komploti’’
Numri
i popullsisë shqiptare në Shqipëri po zvogëlohet në mënyrë rapide, për shkak të
lindjeve të pakta dhe emigrimeve të shumta të shqiptarëve. Në vitin 1990
Shqipëria kishte cca 4 milionë banorë, sot ka rreth 2 milion, e sipas këtij
trendi dhe parashikimeve të Blushit, pas 20 vjetëve do të ketë 1 milion ose më
pak. Ndërkaq, nga vala e migrantëve dhe refugjatëve që vijnë nga Lindja e mesme
dhe nga Afrika në Europë, një numër i madh i avganëve, sirianëve, iranianëve,
egjiptasve dhe ndoshta edhe afrikanëve, po vijnë e do vijnë në Shqipëri dhe
kështu do të ndryshojë pasqyra etnike e demografisë së Shqipërisë. Të ardhurit
do të inkuadrohen në ekonomi, shoqëri
civile, arsim, politikë dhe në administratën shtetërore dhe do ta kenë rolin e
tyre në këto fusha.
Analiza
e romanit
Për
ilustrim të këtij trendi Blushi e merr qytetin e vogël bregdetar të Shëngjinit,
ku janë vendosur një numër i konsiderueshëm
afganësh, fëmijët e të cilëve ndjekin mësimet në shkollën e qytetit. Autori i
romanit pret ardhje të emigrantëve e refugjatëve tjerë, afganë dhe të tjerë
(dhe kjo do të ndodhë, sipas Marrëveshjes së nënshkruar midis kryeministrit të
Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministres së Italisë Giorgia Meloni, v.j.).
Në
thurjen e romanit ‘Komploti’, autori imagjinon se në vitin 2040 të huajt
(afganët) janë bërë shumicë në Shëngjin dhe në zgjedhjet e zhvilluara një kanoist
afgan (Mohamed Durrani) zgjedhet kryetar i Bashkisë së Shëngjinit, duke e
mundur kundërkandidatin shqiptar me 12 vota diferencë. Ky afgan është martuar
me vajzën e përgjegjësit të Portit të
Shëngjinit (Serafin Pagjinit). Vajza e Serafinit, tash gruaja e Durranit,
ndonëse e besimit katolik, për dëshirën e bashkëshortit dhe të nënës së tij
vënë shaminë, si shumë gra e vajza të cilat i kanë dhënë Tiranës pamjen e
Riadit të Arabisë Saudite. (fq.170).
Për
shkak të ndryshimeve të shpeshta në qeverinë e Shqipërisë, mandatari për
qeverinë e re ishte Raul Fico (nip i ish-diplomatit të njohur real, Rauf Ficos).
Serafin Pagjini ia kishte propozuar dhëndërrin e tij, afganin Mohamed Durrani, të zgjedhet ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë.
Në dyshimet e Ficos për afganin, Pagjini i kishte thënë: ‘’shqiptarët po ikin,
afganët po vijnë: afganët janë optimistë, ne jemi të dëshpruar: afganët
mendojnë për nesër, ne mendojmë për dje: kush duhet ta drejtojë vendin: ata që
largohen, apo ata që qëndrojnë këtu’’ (fq.29-30)?
Pas
zgjedhjes në postin e ministrit të
mbrojtjes, Mohamed Durrani kishte bërë një fluturim-vizite Kosovës me aeroplan
F-16, dhe kur hyn në hapësirën e Veriut të Kosovës, që ishte pushtuar nga
Serbia në vitin 2025, pas pushtimit rus të Ukrainës, Moldavisë e Gjeorgjisë, ndiqet
nga një aeroplan Mig-29 i ushtrisë serbe. Kryeministri Fico e qorton për
incidentin e krijuar. Por, Durrani është i vendosur ta çlirojë Kosovën dhe t’ia
bashkangjesë Shqipërisë. Për këtë qëllim
organizon regjistrimin e vullnetarëve për luftë, ku regjistrohen më se 5000
afganë dhe asnjë shqiptarë, ‘’sepse shqiptarët nuk duan luftë, ata ikin nga
lufta dhe nga vendi i tyre. Afganët të gatshëm për luftë, këndonin himnin
shqiptar dhe thërrisnin: ‘’Kosova është e jona’’ (fq.159). Në të njëjtën kohë
mbahej mbledhja e Këshillit të Urtëve Afganë, me në krye Abdul Xhabar, që
angazhohej për ruajtën e Shqipërisë sepse ‘’shqiptarët nuk e donin më as
Shqipërinë as Kosovën (222)...Shqiptarët ikin nga Shqipëria pasi nuk e durojnë
njeni-tjetrin. Ata janë tradhtarë dhe ne nuk duhet t’ua lëmë tradhtarëve këtë
vend të mrekullueshëm (224). Të dashur vëllezër afganë, ne nuk mund ta lëmë Shqipërinë
në dorë të shqiptarëve. Ata nuk e meritojnë këtë vend të mrekullueshëm, ata e shajnë vendin e tyre, e mallkojnë dhe e
shkatërrojnë (226). Problemi i Shqipërisë janë vetë shqiptarët’’ (227). Ky ishte komploti i parë i organizuar në
Shëngjin.
Komploti
tjetër ndodhë në Kavajë, ku ushtarët afganë shkojnë për ta rrëzuar dhe marrë
pushtetin e atyshëm, prej nga do shkonin edhe në Tiranë për të bërë grushtshtet
e marrë qeverinë e Shqipërisë, e për ta bërë Shqipërinë një Afganistan të vogël
në Europë. Mirëpo falë tre çifutëve, me pikëpamje të ndryshme ndaj Amerikës,
Rusisë, Shqipërisë dhe Izraelit, ata organizojnë sabotim, me bllokimin total të
furnizimit me naftë, ashtu që në Shqipëri nuk
lëvizë asnjë makinë dhe afganët nuk mund të shkojnë në Tiranë dhe kjo
bënë që qeveria të shpëtojë nga grushtshteti dhe nga lufta me Serbinë.
Ata
tre çifutë ishin: Lavi Elton, Leonid Trocki dhe Simon Shuteri. Të gjithë këta
pasardhës të figurave reale: Lavi Elton, pasardhës i Leo Eltonit, i cili në
vitin 1935 kishte thënë që Izraeli të vendoset në Shqipëri, sepse ’’aty ka shumë diell dhe shumë injorantë’’ (fq.58).
Tre
çifutët e përmendur kishin organizuar një Kongres Botëror të Çifutëve, që u
mbajt në Selanik, qytet ky popullsinë e të cilit para 100 vjetëve e përbenin 60%
çifutët. Në Kongres marrin pjesë 600
hebrenj nga e gjithë bota, ku u shfaq mendimi se formimi i shtetit izraelit në
Palestinë ishte një gabim: ‘’Pse na duhej një shtet i vogël midis arabëve që na
urrejnë, kur kemi mundur të komandonim të gjitha shtetet e mëdha’’ (53).
Gjyshi
i Shuterit i kishte thënë këtij se tre komunistët më të shquar të botës kanë
qenë që të tre hebrenj: i pari ishte Jezu Krishti, i dyti Karl Marksi dhe i
treti Leon Trocki (118), dhe nuk kishte asnjë krim që të krishterët nuk e kanë
kryer në mënyrën më të pamëshirshme (121).
Leonid
Trocki ishte nip i komunistit Leon Trockit i cili bashkë me Leninin e udhëhoqën
revolucionin në Rusi (1917). Në romanin ‘’Komploti’’, për Trockin e vërtetë, Blushi
thurë imagjinatën se kur kishte qenë korrespodent i një gazete ukrainase në
Luftën Ballanike, në Gostivar kishte dhunuar një vajzë shqiptare, e cila kishte
lindur një djalë memec, e gruaja e atij memeci kishte lindur një djalë, të
cilit ia kishin vu emrin Hasan, sipas emrit të gjyshit të tij Hasan Dosti. Pasi Hasani kishte marrë vesh se ishte nip i
Leon Trockit, kishte dalë në Pogradec, ku kishte marrë shtetësinë shqiptare dhe
kishte ndërruar emrin prej Hasan Dosti, në Leonid Trocki, dhe ky përpiqej që në
Shqipëri ta kthejë komunizmin. Sepse ‘’kapitalizmi në Shqipëri i ka dhënë një
pakice gjithçka, dhe i ka marrë shumicës të gjitha’’. Leonid Trocki ishte
njohur dhe bashkëjetonte me një spiune ruse e cila kishte ardhur në Shqipëri (realisht në vitin 2021 dhe
kishte vuajtur dënimin,v.j.). Ajo kishte marrë emrin Frida Trocki.
Çifti
Trocki kishin vendosur të organizojnë një referendum për bashkimin e Shqipërisë
me Rusinë, sepse Amerika po e popullon këtë vend me emigrantë e refugjatë,
ashtu që Shqipëria për 30 vjet, për shkak të lindjeve të pakta dhe emigrimeve
të shumta, do të ketë më shumë afganë se shqiptarë (fq.190).
Trocki
me Simon Shuterin i cili ishte prodhuesi më i madh i pesimizmit në Shqipëri, kishin organizuar në Pogradec një fushatë për
legalizimin e eutanazisë, për shkak se në atë qytet kishte shumë të moshuar mbi
80 vjeç, pa përkujdesje, ndërsa si shembull
ekzemplar për të arsyetuar eutanazinë, e
kishin marrë një profesor të letërsisë (Vaso Tason), i paralizuar dhe pa
përkujdesje, dhe pas legalizimit të eutanazisë ky person ishte pacienti i parë
i ‘’vdekur ëmbël’’.
Për
ta penguar referendumin e Trockit për bashkimin e Shqipërisë me Rusinë,
kryeministri Raul Fico kishte propozuar se është shumë më mirë që referendumi
të mbahej për përcaktimin mes Amerikës dhe Rusisë, dhe ky do bënte çmos që
referendumi të mos kishte asnjë fitues (266). Dhe ashtu ndodhi. Nga 700 mijë
votues, kishin votuar vetëm 44 veta dhe rezultati i referendumit, për bashkimin
me Rusinë ose Amerikën ishte i barabartë, nga 22 vota.
Edhepse
referendumi dështoi dhe Shqipëria nuk u bashkua me asnjënën fuqi, Trocki ishte
fituesi moral i referendumit, sepse arriti ta zhvillojë garën e dashurisë së
shqiptarëve ndaj Rusisë dhe Amerikës. Kështu, Shuteri (alias Blushi) arritën qëllimin
e talljes me shqiptarët, me afganët, me rusët dhe me amerikanët.
Në
romanin ‘’Komploti’’ defilojnë rreth 30 personazhe, por në qendër të romanit
janë afganët dhe çifutët. Romani i vendosë ngjarjet në vitet 2043 – 2044, me
projeksione të vogëlimit të numrit të popullsisë shqiptare dhe rritje të numrit të emigrantëve dhe të tjerëve.
Sado
që prognozat e zgjerimit të luftës nga Ukraina deri në Kosovë janë të zymta,
romani është një fiksion i imagjinatës dhe stilit letrar të autorit dhe si i
tillë është i lezetshëm për lexim. Ka në të dhe
analiza letrare stilistike politike e sociale, po edhe dhe metafora e humor. Dhe ndonëse
romani është një fikcion letrar, përmban në vete mjaft elemente reale të
Shqipërisë dhe të botës së sotme: lufta në Ukrainë, rreziku i përhapjes më
gjërë; lufta e Izraelit në Palestinë; problemi i refugjatëve dhe migrimeve;
emigrimi i shqiptarëve jashtë vendit dhe pasojat negative të këtij trendi.
Blushi
ka një energji të admirueshme për tallje e humor dhe i ‘’përzien’’ mirë faktet
me fikcionet, duke krijuar ‘’viruse epidemiologjike’’ të leximit të veprave të
tij. Ka prirje dhe sens për zbavitje
intelektuale, me shumë elegancë.
Romani
më i ri i Ben Blushit, ‘’Komploti’,’
ishte në qendër të vëmendjes së vizitorëve dhe libri më i shitur në Panairin
e Librit në Tiranë (nëntor 2023), dhe është në qendër të vëmendjes së lexuesve
andej dhe këndej Drinit.