| E shtune, 06.01.2024, 09:00 PM |
SHKOLLA NORMALE ‘’SAMI FRASHËRI’’, PRISHTINË (1941-1944)
Nga
Adil FETAHU
Në
historinë e shkollave normale për përgatitjen e mësuesve shqiptarë, duhet
përmendur një varg shkolla të tilla, në të cilat u përgatitën mësues për
shkollat shqipe, duke filluar nga
Shkolla Normale Arbëreshe-Kroate në
Arbresh të Zarës (1866-1956), shkolla normale (turke, ‘Darulmualim) në
Shkup, Manastir e Prizren deri në vitin
1912), Shkolla Normale Shqipe-Rumune në Bukuresht (1892), Shkolla Normale e
Elbasanit (1909), Shkolla Normale e Beratit (1912), Shkolla Normale e Shkodrës
(1917), Shkolla Normale Femërore e Tiranës (1930, ndërkaq në Kosovë për herë të
parë një shkollë normale për përgatitjen e mësuesve shqiptarë u hap në vitin
shkollor 1941/42, në kohën e okupimit fashist italian.
Me
Dekretin nr.317 të datës 12 nëntor 1941, të nënshkruar nga mëkëmbësi Françesko
Jakomini dhe nga ministri i Arsimit të Shqipërisë, prof.Ernest Koliqi, ishte
vendosur që rrjetit të shkollave të mesme të Shqipërisë t’iu shtohen edhe 14
shkolla të mesme në ‘’territoret e çliruara’’ nga ish-Jugosllavia. Ato shkolla
ishin të profileve të ndryshme: Shkolla
Normale në Prishtinë, 9 shkolla profesionale për profesione të
ndryshme në: Tetovë, Kërçovë, Dibër,
Strugë, Gostivar, Gjilan,
Ferizaj, Prizren dhe Ulqin; dy gjimnaze
(lyce), në Prizren e Tetovë, dy institute teknike, në Pejë dhe Gjakovë.
Vëmendja
kryesore e Ministrisë dhe e ministrit Koliqi iu kushtua hapjes sa më parë dhe mbarëvajtjes së punës të Shkollës Normale, për përgatitjen
e mësuesve aq të nevojshëm për shkollat shqipe që po hapeshin gjithandej në
‘’viset e çliruara’’.
Në
kuadër të Shkollës Normale, të cilës iu vu emri Shkolla Normale ‘’Sami
Frashëri’’, vepronte edhe drejtimi liceal (gjimnazi). Drejtor (apo komesar) i
Normales ishte emëruar dr.Rexhep Krasniqi, më vonë (1944) në atë post u emërua
prof. Ahmet Gashi. Ministria kishte emëruar 12 mësimdhënës për kuadrin arsimor
të Normales. Ishin zgjedhur kuadrot më të përgatitura, të cilët kishin kryer
universitete të jashtme, në Austri, Itali, Rumani, Turqi e gjetkë.
Normalja
filloi punën më 17 dhjetor 1941, por disa nga kuadrot e emëruara nuk erdhën me
kohë, kështu që mësimdhënësit e parë u
ngarkuan me shumë lëndë dhe orë mësimi.
Mësimdhënësit
e emëruar në vitin e parë shkollor (1941/42), kanë qenë: Dr.Rexhep Mitrovica
(drejtor), Reuf Zaimi (zëv.drejtor), Lirak Dodbiba, Filip Ndocaj, Zenel Hekali,
dr.Musa Dizdari, prof. Zeqir Spahiu, prof. Lazër Berisha, prof. Ymer Berisha,
prof. Lorenc Antoni, prof. Fet-hi Dizdari. Në cilësi të bashkëpunëtorëve të
jashtëm ishin angazhuar për të mbajtur orë mësimi edhe prof. Abdurrahman Buza,
Kolë Parubi dhe Adem Bazhdari.
Edhe
në vitin e dytë shkollor (1942/43), që filloi punën më 13 nëntor 1942, ndihej
mungesa e mësimdhënësve. Gjatë atij viti shkollor mësimet i mbajtën: Dr Rexhep
Krasniqi (drejtor), Reuf Zaimi (zëv.drejtor), prof.Lirak Dodbiba, Adem
Bazhdari, Aqif Selfo, prof.Ibrahim Kelmendi, Eftim Deri, dr.Myftar Spahiu,
prof.Ymer Berisha, Kolë Parubi, Fet-hi Dizdari, Zef Shpani, Vasil Toli, Xhevdet
Harbuli, Xhavit Saraçi, Zeqir Bajrami, Eqrem Qano, Vasil Andoni, dr.Zef
Kakarriqi, Niko Qafzezi, Xhelal Mitrovica, Adem Gllavica, Dervish Bejleri, Kolë
Kozmai, Behxhet Jalldashi, Kristaq Fundo
Për
shkak të mungesës së kuadrit arsimor, viti shkollor 1943/44 filloi me vonesë
edhe më të madhe (filloi tek më 10 janar 1944, ndërsa përfundoi më 10 qershor).
Deri në prill 1944, drejtor i Normales ishte Reuf Zaimi, ndërsa prej 25 prill u
emërua prof.Ahmet Gashi, i cili e drejtoi Normalen deri në mbylljen e saj, në
nëntor të vitit 1944, për shkak të shpërthimit të luftës. Kuadri arsimor gjatë
vitit shkollor 1943/44, ishin: Ahmet Gashi (drejtor), Reuf Zaimi, zëv.drejtor,
Ibrahim Kelmendi, Zeqir Bajrami, Reshit Kashari, Ymer Berisha, Luigj Frano,
Idriz Ajeti, Zef Shpani, Kolë Parubi, Ferudin Beli, Xhevdet Harbuli, Peter
Elezi, Vasil Toli, Eftim Deri, Xhavit Saraçi, Fet-hi Dizdari, Liko Todhe,
Xhemil Et-hemi, Adem Gllavica, Luan Gashi, Zef Kakarriqi. Ishin edhe tri femra
italiane të angazhuara në procesin mësimor: Concenttina Rocco, që mbante
mësimin e gjuhës italiane; Vittore Lulichi dhe Cornellina Fedosco, mbanin
mësimin e punëdores.
Numri
i nxënësve të regjistruar në Normale sa vinte e rritej. Këshhtu në vitin e parë
shkollor (1941/42) ishin regjistruar afro 350, në vitin e dytë ky numër u
kalua, ndërsa në vitin shkollor 1943/44 ishin regjistruar 446 nxënës.
Normalja
punonte në lokalet e Gjimnazit, ndërsa me adaptimin e një pjese të Gjimnazit
për konvikt, dhe me rritjen e numrit të nxënsëve e kursistëve, u muar me qëra
edhe shtëpia Ilaz Agushit.
Plani
mësimor i shtetit shqiptar për shkollat normale përmbante këto lëndë mësimore: Gjuhë shqip, gjuhë latine,
gjuhë e huaj I, gjuhë e huaj II, Histori, Gjeografi, Pedagogji, Praktikë
pedagogjike, Matematikë, Fizikë, Shkenca natyrore, Kimi, Higjenë, Vizatim,
Muzikë-këngë, Muzikë instrumentale, Edukatë fizike, Edukatë morale, Bujqësi,
Bukurshkrim, Punë dore (veçmas për djem e për vajza), Punë dore për vajza, Ekonomi
shtëpiake (për vajza).
Kurset
pedagogjike
Me
Dekret të Ministrisë së Arsimit (28.02.1942), u hapen dy kurse pedagogjike
gjashtëmujore, për kualifikimin e mësuesve; njeni në Elbasan e tjetri në
Prishtinë (pranë shkollave normale). Ishin përcaktuar kushtet që duhet t’i
plotësonin kandidatët të cilët do pranoheshin në ato kurse: ata që kanë kryer
ndonjë shkollë të mesme (përpos normales); ta kenë të kryer shkollën
tetëvjeçare, semimaturën, apo t’i kenë kryer katër klasë të medreseve të
njohura të Shkupit; t’i kenë kryer dy klasë të ndonjë shkolle të mesme, me
ndonjë kurs specializimi, dhe profile
tjera, si dhe të kishin moshën prej 18 deri në 30 vjeçe. Disa prej tyre tashmë
punonin si mësues të pakualifikuar.
Për
shkak të nevojave të mëdha për mësues në ‘’viset e çliruara’’, me ndryshimin e
dekretit, u caktua që kursi pedagogjik në Prishtinë të jetë tremujor. Shteti u
paguante kursistëve bursën mujore, nga
200 franka shqiptare, aq sa ishte rroga e mësuesit, derisa mësimdhënësit e tyre kishin rrogën 300 franka
shqiptare. Numri i kandidatëve që pranoheshin në kurs ishte i kufizuar, në 100
vetë.
Plani
mësimor për kurset ishte:
Gjuhë
shqipe 3+6 orë në javë,
Histori
dhe gjeografi e Shqipërisë, 4 orë
Këngë,
2 orë
Psikologji,
4 orë
Didaktikë
dhe metodikë, 5 orë
Ushtrime
praktike, 12 orë.
Në
kurs punohej në dy ndërrime ditore: para dhe pas dreke. Mësimet i mbanin
profesorët e Normales. Në fund të kursit mbaheshin provimet kualifikuese para 4
komisioneve të cilat i kishte caktuar Ministria e Arsimit.
Kursi
i parë u mbajt prej 8 korrik deri më 5 tetor 1942, të cilin e kryen me sukses
74 kursistë.
Kursi
i dytë u hap prej 1 korrik deri më 30 shtator 1943, të cilin e vijuan 94
kandidatë. Për kandidatët e kursit të dytë ishte ngritur niveli i moshës deri
në 40 vjeçë. Kursin e dytë e kryen me sukses 90 kandidat.
Udhëheqës
i të dy kurseve pedagogjike në Prishtinë ishte Kolë Margjini, që ishte edhe
mësimdhënës i Normales. Pasi që mësimi mbahej në dy turne ditore, shumica e
kursistëve ishin të vendosur në Konviktin e Normales.
Konvikti
i Normales
Shkolla
Normale e kishte konviktin, në të cilin
banonin shumica e nxënësve, disa nga personeli mësimor dhe personeli i
konviktit. Profesorët që banonin në konvikt ishin angazhuar në rolin e
edukatorëve dhe udhëheqjes së mësimit-studimit të obligueshëm. Për konvikt
ishin adaptuar disa hapësira të Gjimnazit, por me rritjen e numrit të nxënësve,
u muar me qëra edhe një shtëpi private (e Mustafa Agushit, për 30 konviktorë).
Vitin e parë në konvikt ishin vendosur 200 konviktorë, prej të cilëve 160 ishin
me bursa të shtetit, ndërsa 40 me pagesë. Në vitin shkollor 1942/43 në konvikt
kishte 300 konviktorë. Mbahej kujdes që në konvikt të pranohen nxënësit të
cilët kishin ardhur na viset jashtë kufijve të shtetit, të cilat ishin në pushtimin
gjerman: Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë, Preshevë, Shkup, Kumanovë, etj. Ngrohja
dhe ushqimi në konvikt ishte i mirë, por kishte probleme për ujin. Në menzën e
konviktit ushqeheshin edhe disa bursistë, të cilët banonin jashtë konviktit. Në
vitin shkollor 1943/44 ishin edhe 38 vajza bursiste, të cilat u vendosën në
konviktin e përgatitur për to, në objektin e shkollës së Hallijave, në
Prishtinë. Në konviktin mashkullor organizoheshin disa aktivitete sportive:
futboll, volejboll, basketboll, hendboll, etj.
Rektori
(drejtori) i parë i Konviktit të Normales ishte emëruar prof.Vasil Andoni, nga
Elbasani, ndërsa prof.Ibrahim Kelmendi ishte emëruar zëvendës-rektori. Rektori
që nga fillimi organizoi dhe u kujdes maksimalisht për punën e mbarë dhe
kushtet në konvikt. Ishte aq i dashur për nxënësit konviktorë, sa që ata e
quanin ‘’Baba’’. Po ky fitoi simpati edhe në mesin e qytetarëve të Prishtinës,
të cilët e quanin ‘’Efendi Veseli’’. Është rast karakteristik, që ky si i
krishterë ortodoks, për respektin ndaj qytetarëve të Prishtinës, e kishte
agjëruar Ramazanin e vitit 1943!
Gjatë
tri viteve shkollore, në Konviktin e Normales së Prishtinës punuen ky personel:
Vasil Andoni, rektor i Konviktit, prof..Ibrahim Kelmendi, zëv.rektori, Isa
Omeragiq, ekonom, Hevzi Shemsiu, institutor,
dhe edukatorët: Abdullah Osmani, Filip Pena, Thimio Deda, Ali Agushi, Emil Miloti
(edukator në konvikt dhe seretar i shkollës), Kiço Kasapi, Abdulla Moteçi, Petrit
Voshtina, Luan Gashi, Lutfije Zejnullahu, Androniqi Koça, Hysnije Ymer Ahmeti,
Mensur Kodra, Shefik Dehallisi, Ymer Ahmeti, Skender Gostivari, Skender Shehu.
Mbyllja
e Shkollës Normale ‘’Sami Frashëri’’
Edhepse
Italia fashite kapitulloi në shtator të vitit 1943, dhe ‘’viset e çliruara’’ u
vunë nën okupimin e Gjermanisë, ushtria gjermane nuk i mbylli shkollat. Ato
vazhduan, bile tash më shlirshëm edhe në
viset e zonës së okupacionit gjerman që ka qenë
e ndarë nga zona e okupacionit italian.
Por
me shpërthimin e luftës partizane kundër ushtrisë gjermane edhe në këto vise,
Shkolla Normale Shqipe ‘’Sami Frashëri’’ e Prishtinës ndërpreu punën e saj
trivjeçare mjaft të suksesshme, falë ministrit Ernest Koliqi, personelit
arsimor-edukativ të zgjedhur e të përkushtuar dhe enthusiazmit të popullit të
etur për arsimim.
Pas
mbarimit të luftës (1945), në vitin shkollor 1946/67 u çel Shkolla Normale në
Gjakovë, e cila pas shtatë vjet pune atje, u transferua në Prishtinë në vitin
shkollor 1953/54, ku punoi e veproi si shkollë normale deri në vitin 1974,
pastaj u shndërrua në Akademi Pedagogjike, për t’u shndërrua më vonë në Shkollë
të Lartë Pedagogjike.