| E shtune, 06.01.2024, 08:55 PM |
Karola
Nga
Edison Ypi
I
kam rënë Shqipërisë kryqetërthor disa herë. Një 20 vjeçar ose 20 vjeçare që të
mos jetë në Fejsbuk meazallah se po e gjej.
Në
Fushë Krujë një 20 vjeçare surrat nëpërkë krrusur mbi kompjuter, më tha se një
moshataren e saj që nuk është në Fejsbuk mund ta gjej vetëm në planetin Mars.
Një
djalosh Gramshk më tha; Nuk thua shyqyr që të gjitha 20 vjeçaret janë në
Fejsbuk ku i zemë kollaj dashnore.
Një
myzeqare bullafiqe më tha se në një vend ku të gjithë janë në Fejsbuk të
kërkosh dikend që nuk është në Fejsbuk, është njësoj si të kërkosh një të
vdekur. Shko gjeje në vorreza 20 vjeçaren që nuk është në Fejsbuk.
Ore
ti s'qënke në vete, më tha një mallakastriot i moshuar kock e lëkurë. Ne në
Fejsbuk jemi sepse Fejsbuku na nxjerr mallin e Kooperativës. Kalamajtë tanë
futen në Fejsbuk pare se të futen në klasë të parë. Së shpejti do fusim në
Fejsbuk gjith' gjën' e gjallë, bagëtinë, derrat, dhitë, lopët, kuajt, gomerët,
pulat, gjelat, patat, rosat.
Te
një Internet Kafe në Këlcyrë një djalë që kishte qënë ca kohë në burg për
trafik hashashi dhe që shkonte rregullisht në Teqenë e Alipostivanit, mu betua
"Për Hasan Dede' " se nga Ura
e Leklit deri në Çershovë mund të gjeja edhe italianë dhe grekë të vdekur në
luftën italo-greke që janë në Fejsbuk, por asnjë 20 vjeçar të gjallë që të mos
jetë.
Megjithatë
nuk u ndala. Bëra edhe shumë përpjekje të tjera. S'lashë vend pa vajtur për të
gjetur një 20 vjeçar që të mos jetë në Fejsbuk; Në Martanesh, në Pukë, në
Kukës, në Dibër, në Mirditë, në Devoll, në Divjakë. Zero rezultat.
Derisa
më thanë se atje ku më së paku e prisja, në Tiranë, ekziston Karola.
Karola
është 20 vjeç.
Karola
nuk është në Fejsbuk.
Karola
është studente për Informatikë Ekonomike.
Karola
nuk është kock e lëkurë si mallakastrioti, as bullafiqe si myzeqarja.
Karola
është e bukur si drita, e menduar si Hëna, delikate si mjegulla.
Karola
nuk ka asnjë problem me veten, nuk vuan nga asnjë krizë identitare.
Karola
s'ka kohë të jetë në Fejsbuk.
Karola
jo më pak se 6 orë në ditë rri mbi libra.
Karola
mëson dhe nuk merret me Fejsbuk sepse mësimet janë të thella, interesante, të
vlefshme, ndërsa Fejsbuku është i cekët, i kollajtë, aspak interesant, aspak i
vlefshëm.
Karola
kohën e lirë e përdor për të lexuar libra artistikë, poezi, romane, letërsi
serioze.
Karola
sa herë ndodhet para ndonjë sfide, për shembull para ndonjë provimi të
vështirë, për tu mbushur me energji, gjithmonë i vërsulet një libri artistik.
Dy
gjëra e frymëzojnë dhe e trimërojnë më tepër Karolën; Leximet prej të cilave
mëson përvojat e suksesëshme të të mëdhenjve, dhe Fëmijëria brenda vegimeve të
së cilës si brenda një sfere kristali sheh të gjithë jetën.
Thotë
Karola;
Më
pëlqejnë jetët e njerëzve të shquar, atyre që kanë bërë Historinë e botës;
dijetarët, shkencëtarët, shkrimtarët, mbretërit, perandorët. Nuk marr shembull
nga të shumtit e vegjël dhe të harruar, por nga të pakëtit e mëdhenj dhe të
pavdekshëm. Më pëlqen veçanërisht jeta e Ajnshtainit. Ndoshta ngaqë është marrë
më kohën, relativitetin e kohës, efikasitetin e të menduarit, ka tallur budallenjtë,
ata që duke bërë gjithmonë të njëjtën gjë presin rezultate të ndryshme,
domethënë sorollopët e fejsbukistave të sotëm. Po të ishte gjallë kushedi
ç'mrekullira do dëgjonim prej Ajnshtaint për parajsën e budallallëkut,
Fejsbukun. Ah sikur të ishin gjallë Homeri, Dante, Leonardo Da Vinci, Fan Noli,
Lasgushi, t'i dëgjonim çfarë do thoshin si do talleshin me Fejsbukun. Shumë
shpejt do lexoj krejt letërsinë klasike në gjuhët përkatëse, të gjitha
tragjeditë e Shekspirit, do mësoj përmendësh 100 poezitë më të bukura që janë
shkruar deri më sot në planetin tonë, do shoh të gjitha muzeumet e Firences,
Londrës, Parisit, do udhëtoj në Azi, Afrikë, Amerikën latine, do udhëtoj më
këmbë nëpër të gjitha katundet e Shqipërisë. Do ti bëj patjetër të gjitha këto
dhe shumë e shumë të tjera.
Mos
u ndal Karola. Bota nuk është e fejsbukistave që u merren mentë pasi shkruajnë
një rrjesht e gjysëm. Bota është e sfidantëve, e iniciatorëve, e trimave, e të
diturve, e inteligjentëve, e të papërtuarve. Bota është e jotja.