| E enjte, 04.01.2024, 08:54 PM |
JEHU I KRISMAVE TË LIRISË
Qazim
H. Berisha: ''PUSHKA E MOTRËS'', roman, botoi ''Lena Graphic Desing'' -
Prishtinë, 2023
Nga
Xheladin MJEKU
Qazim Berisha, do të mbahet mend përveç
botimit të shumë librave me poezi, prozë, krijimtari letrare për fëmijë, edhe për
realizimin e dy monografive nga më të veçantat: ,,Ushtarët shqiptarë të vrarë në Armatën jugosllave (1951-1993)” dhe
,,Arsimtarët dëshmorë dhe martirë të rënë
në Luftën e Kosovës (1998-1999)”.
Një përpjekje të vazhdueshme të
sjelljes sa më të argumentuar të këtyre ngjarjeve, pasqyrimin e heroizmit të
bijëve e bijave tona, që në situata të ndryshme u përballën me armikun në
realizimin e idealeve të tyre për lirinë e atdheut, në krijimtarinë e Qazimit
do ta takojmë edhe tash në librin e shtatëmbëdhjetë, në romanin ,,Pushka e motrës”, që mund të konsiderohet si vazhdimësi e
trajtimit të këtyre ngjarjeve, tashmë me personazhe të përveçëm.
Sprovat e jetës dhe ndërgjegjësimi kolektiv
Subjekti i romanit me strukturë narrative tradicionale, për tematikë të trajtimit ka luftën, ndërtimi i të cilit realizohet në ndërlidhje të
vazhdueshme të ngjarjeve që shtjellohen këtu, me kryeprotagonistë real, vëlla e
motër, Enver dhe Mervete Maksutaj, të cilët do të futen në përjetësi në përballje
të drejtëpërdrejtë nga i njëjti armik, por në situata dhe rrethana të ndryshme
nga njëri-tjetri. Kronologjia e zhvillimit të ngjarjeve pasqyron veprimtarinë
patriotike të këtyre luftëtarëve, duke u dhënë vendin meritor në historinë e
lavdishme për heroizmin e dëshmuar për lirinë e atdheut.
Kompozicioni tematik zhvillohet në dy
rrafshe të njëpasnjëshme kohore, ku pasqyrohet rruga jetësore e Enverit (Enos, në teksin e
mëtejmë), i cili gjithnjë e më shumë po e kuptonte se atdheu ndodhej në gjendje
okupimi, por i vendosur të vazhdoj tutje në rrugëtimin e tij me prioritete të
veçanta, shkollimin dhe familjen, për të cilën interesohej pareshtur, duke u ndihmuar në punët e shtëpisë, meqë
ishte djali i madh në familje. Ai tashmë e kishte arritur moshën e pjekurisë
dhe duhej të vazhdonte edhe shkollimin e lartë. Eno, i paepur dhe entuziast,
nuk do të thyhet as atëherë kur përballet me barrikadat më të frikshme në
rrugëtimin e tij shtigjeve të reja me shumë të panjohura. Vendimi i prerë i
referentit, kur po aplikonte për regjistrim në fakultetin juridik, ishte
paralajmërimi se po fillon një periudhë e re në jetën e tij: ,,Më vjen keq, Enver Maksutaj, se nuk mund të
regjistrohesh pa e kryer shërbimin ushtarak!” (po aty, fq. 32). I pa
sprovuar me situata të këtilla, ai konsultohet me shokë e miq të shumtë, të
cilët i sugjerojnë pothuajse për të njëjtin veprim, që të vendos vetë në ecjen
tutje nëpër sfidat e reja të jetës. Pas një kohe, kur pason edhe ftesa e dytë
për shkuarjen në shërbimin ushtarak, merr vendimin e prerë të përballet edhe me
këtë situatë, me qëllimin e ruajtjes së familjes nga nënshtrimi i dhunës nga
pushteti.
,,Por
mbase është më mirë të shkoj dhe të bëj përvojë ushtarake, se të tillët na i
duhen Kosovës, në një të afërme jo të largët” (po aty, fq. 39), do t’i
sqarohet familjes, duke lënë të kuptohet
se ai kishte vizion të gjërë dhe guxim të pashembullt në përballje me situatat.
Eno e kishte të qartë se shpejt do të ndryshojnë gjërat dhe arti i luftës
ishte domosdoshëmri kohore, meqë
ndodhemi në çastet para shpërthimit të një lufte për liri të të gjithë popujve
që jetojnë nën okupimin serbo-sllav.
Që kur po nisej në shërbimin ushtarak kishin
filluar ta përcjellin peripeti të njëpasnjëshme gjatë udhëtimit, si: mosnjohja
e gjuhës, takimi me dy burra që po dërgonin një fëmi për shërim në një spital
pediatrik jashtë vendit, njohja me Suzanën gjatë udhëtimit me tren, vështirësitë
e komunikimit me te, dhe lutjen që t’i tërheq parat që ia dhuroi ajo, meqë ai
po shkonte ushtar, e ,,ata mund të më kontrollonin, me ç’rast po të
m’i gjenin monedhat e huaja, mund të më maltretonin” (po aty, fq.
48), etj. Eno do t’i gëzohet kontakteve të para me disa ushtarë shqiptarë, me të
cilët fillon komunikimet dhe bisedat menjëherë, gjithnjë i kujdesshëm që mos të
hetohej nga ushtarë dhe eprorë tjerë, të cilët si bisha të çartura përcillnin
çdo lëvizje të tyre. Sidomos, ishte ndier mirë kur ia del ta dërgonte letrën e
parë në familje, ku përveç tjerash, arrinë t’i njoftojë për udhëtimin dhe
fillimin e ditëve të para në kazermën ushtarake. Por, për befasinë e tij, që
ditën e parë përballet me probleme, të cilat do ta sfidojnë vazhdimisht. Ai,
derisa po flinte, dikush ia kishte hequr yllin pesërrembësh nga kapela. Ky
veprim nuk kaloi pa u vërejtur menjëherë që në rrjeshtimin e parë për
gjimnastikën e mëngjesit, për çka pason çortimi nga eprori kujdestar i ditës, para
të gjithë ushtarëve tjerë.
Eno nuk ndihej i qetë pa mos e njoftuar
për zhvillimet gjatë ditëve të para sa ishte në shërbim edhe shoqen e shkollës,
njërën nga personazhet më të besueshme, Norën, me të cilën ishin marrë vesh
paraprakisht që asgjë mos t’iu tregonte motrave të tij, pavarësisht që ata do të
komunikonin me letra gjatë kohës së qëndrimit në shërbimin ushtarak.
,,Gjithkund po flitej se një ngrehinë artificiale së shpejti
do të rrënohet, ngase ndërtimi i saj ishte bërë me gënjeshtra dhe me mashtrime” (po aty, fq. 80). Këto
informacione që qarkullonin gjithandej në vendlindjen e tij, ishin të njohura
që heret edhe për Enon. Poaq të njohura ishin tashmë edhe për shokët, me të
cilët po kryente shërbimin ushtarak, prandaj e sfidonin të vazhdonte shërbimin,
meqë besonte se do ta fitonte një përvojë të mirë në artin e luftës. Ende ndodhej
në kryerjen e shërbimit ushtarak, kur edhe Kroacia do të përfshihet në një luftë
të përgjakshme, me të njëjtin armik, që ishte edhe në vendlindjen e tij. Ky me
shumë shokë të tjerë shqiptarë u bashkohen forcave çlirimtare të vendit, për ta
mposhtur armikun, që tashmë e konsideronin të përbashkët, të gjithë sa ishin në
frontet e luftës. Për veprimet e Enos kishte mësuar edhe familja, e cila,
edhepse e shqetësuar për fatin e tij, në asnjë mënyrë nuk dëshironin ta
kujtonin mundësinë e vrasjes në luftën që po zhvillohej,
por gjithnjë e shikonin si veprim të një luftëtari që do të triumfoj atje dhe
do t’i kthehet atdhut me përvojën e mjaftueshme ushtarake. Gjatë një bisede me
vajzën e tij, babai Salihu do t’ia sqaronte qëndrimin e Enverit në luftë, për
ta bindur se trimat nuk dezertojnë me asnjë çmim:
,, - Eno i ynë e paska kuptuar shumë mirë! A po e sheh se ku i ka shkuar
mendja, se një ditë edhe Kosova do të përgjaket me Serbinë? Ai për atë arsye
është ndalur dhe ka kaluar në anën e Gardës Kombëtare Kroate. Ai do që të
fitojë përvojë në luftë, në mënyrë që kur të shpërthejë edhe në Kosovë, ai të
bëhet ushtar i Kosovës dhe të luftojë për lirinë e saj” (po aty, fq. 90).
Ndërgjegjësimi kolektiv gjithnjë e më
shumë po shprehte efektet e tij, ku pothuajse të gjitha moshat e kishin kuptuar
se shtimi i vazhdueshëm i forcave policore dhe presionet e vazhdueshme në çdo
segment të jetës, edhe në raporte ditore, nuk ishin asgjë tjetër, veçse presione
të vazhdueshme të provokimeve ordinere për një
eskalim të situatës, deri në shpërthimin e luftës edhe në këto troje. Ndjekjet
sistematike të të rinjëve për t’i detyruar me çdo kusht t’i përgjigjen ftesave
për shërbimin ushtarak, pengimi i sistemit arsimor, ngushtimi gjithnjë e më
shumë i veprimeve normale të aktiviteteve jetike të popullit, kishin rritur në
shkallë të lartë shqetësimet, por edhe mobilizimin e përgjithshëm për një përballje
të domosdoshme me këtë armik shekullor, që tashmë kishte shpërfaqur urrejtjen
deri në gjakderdhje.
Betimi – motivim për heroizmin triumfues
Janë të panumërta ngjarjet që do ta
përcjellin vazhdimisht Enon, për ta përmbushur rrugëtimin e tij deri në
përjetësimin heroik. Kumti për rënjen heroike në përballje me armikun, bëri
jehonë të madhe në vend. Nga të gjitha viset kishin zbarkuar njerëz të shumtë
dhe po prisnin arkivolin e luftëtarit për t’i dhënë lamtumirën e fundit në
vendlindjen e tij, ku u rrit dhe u burrërua aq shpejtë, për ta kuptuar klimën
okupuese të atdheut. Në ceremonin e varrimit, motra e tij trembëdhjetë vjeçare,
Mervetja, i jep besën para arkivolit të vëllaut:
,, - O vëlla i motrës, po të betohem në gjakun e dëshmorëve, se motra jote
nuk do të vdesë, as nuk do t’i qesë fat vetes! Betohem se PUSHKA E MOTRËS do të
marrë hak për ty!” (po aty, fq. 109).
Nora Lumi,
që zë vend të veçantë në roman, pothuajse çdoherë ishte urë lidhëse mes Enos
dhe familjes, duke ruajtur gjithmonë sekretet sipas marrëveshtjes që kishin, do të përballet me shumë ngjarje, dhimbje, shpresa e deri
te betimi pothuajse i një baraspeshe me të motrën, Merveten, e cila e shpalos
në letrën lamtumirëse gjatë ceremonisë së varrimit. Në fakt, aty sikur ndodh
betimi i të gjithë pjesëmarrësve, duke e potencuar veçanërisht: ,,Mos harro, se unë, si motra Mervete do ta
mbaj betimin! Me shokë do të marrim hak!” (po aty, fq. 112).
Vitet po
iknin, por Mervetja asnjëherë nuk do ta harronte besën e dhënë të të vëllait,
për marrjen hak nga armiku. Ajo po vijonte
mësimet në shkollë të mesme, kur një ditë okupatori do t’ua mbyll shkollën dhe
të gjithë nxënësit detyrohen të mësojnë në shtëpi-shkolla, për të nxënë dijen,
pavarësisht situatave të krijuara nga pushteti okupues që operonte në çdo cep
të atdheut, me makinerinë e tij policore dhe politike, njëkohësisht.
Në një rast kur policia i ishte afruar
shtëpisë-shkollë ku po mësonte Mervetja, xha Meta, një burrë fisnik i atij
fshati, që e kishte lëshuar shtëpinë e tij për shkollë përpiqej t’iu jap
kurajo, se: ,,Edhe në kohën, kur isha në
moshën tuaj, ky armik nuk na i hapte shkollat shqipe, por vetëm ato serbe. Kohët
po u përsëritkan! Këta mizorë, dalshin fare! - mallkoi xha Meta” (po aty,
fq. 120).
Romani pasurohet nga ana
përmbajtësore dhe strukturore me shumë ngjarje që zhvillohen përmes pasqyrimit të situatave, dialogjeve, e shpeshherë edhe me rrëfime të
shumta në vetën e parë (monologje), të sajuara nga imagjinata e autorit, si një
përmbyllje mendimesh a bashkëveprimesh, qofshin ato realitete të kohës, apo
veprime të trilluara. Këtu gjejmë të pasqyruara edhe figura dytësore, të
imagjinuara, apo figura të atëhershme politike, që përbëjnë ngjarje episodike,
por që krijojnë situata të tensionuara, njerëz të shitur, që nuk kursejnë
asgjë, deri edhe shpirtngushtësinë për të qëndruar në pozicionet që ua kishte
siguruar okupatori i paskrupullt shekullor. Këto pamje krijojnë strukturën e minirrëfimeve brenda rrëfimit bazë në roman, ku
ndërtohet një ngjarje e plotë e një historie të vërtetë.
,, - Unë, baba kam vendosur të jem pjesëtare e UÇK-së. Këtë
ditë, qe sa vite e kam pritur!...”, vendim,
të cilin pa hezituar ia tumirë babai, duke uruar:
,, -
Sido që të jetë, me fat ma qoftë e dalshim faqebardhë!” (po aty, fq. 140).
Shkuarja
e Merevtes në radhët e UÇK-së do ta vulos përfundimisht realizimin e fjalës së
dhënë. Që nga ditët e para në radhët e luftëtarëve të lirisë, ajo shquhet në
shumë aksione, duke i shkaktuar armikut humbje në njerëz e arsenal ushtarak.
Kështu, në një aksion që ndërmerr Mervetja me dy shokët (Xhevdetin dhe Nezirin)
ku do ta çojnë në ajër stacionin policor, e konsideron si
marrjen e hakut për vëllaun, duke e çuar në vend përfundimisht besën e dhënë. Lajmi
për veprimin heroik të bijës së tyre do ta gëzonte pamasë edhe familjen.
Krah betimit të Mervetes, edhe shoqja e Enos, Nora kishte
dhënë betimin e saj që do të marrë hak, dhe ashtu ndodh në kohë shumë të
shkurtër. Gjatë një aksioni që do ta ndërmarrin katër shokët e organizuar në
grupin gueril, ku vriten disa policë, bie heroikisht edhe Nora. Kjo ngjarje do
ta shqetëson paskajshmërisht Merveten:
,,Lajmi
i trishtë për rënjen heroike të ushatres së lirisë, Nora Lumi, më këputi
shpirtin dhe më la pa frymë. E pata si motër. Shumë ka vuajtur edhe ajo, si unë
për vrasjen e vëllait tim, Enos. Ishte një vajzë e çiltërt, e fjalës dhe besës.
Kur u takuam këtu në male, më tha: ,,Aksionin e bëre pa mua, ashtu siç ishim
marrë vesh.”. Më përgëzoi për aksion mua dhe shokët e mi” (po aty, fq.
153). Ngjarjet rrjedhin njëra pas tjetrës në vazhdimësi. Plagosja e një
luftëtari (Naim Lushi), do ta përkeqëson situatën, sepse ai rrëmbehet nga
forcat armike dhe dërgohet në spital, prej nga vendosin ta nxjerrin
bashkëluftëtarët. Në këtë aksion angazhohen Mervetja dhe Besnik Shala, të cilët
në përballje me armikun do të vrasin tre policë, për të rënë në altarin e
lirisë edhe Mervetja.
,,Rënja
heroike e luftëtares së lirisë, Mirvete Salih Maksuatj ishte një rënie e madhe,
një rënie historike.
Ajo sot i mbylli ëndërrat e veta. La histori trimërie pas
vetes. Ajo do të përkujtohet brez pas brezi si trimëreshë e Dukagjinit, që
nxori hakun për vëllaun e saj dhe për dhjetëra vëllezër tjerë të gjakut”, (po aty, fq. 162).
Betimi ishte motivim i të dyja
luftëtareve, të cilat i realizuan me shumë saktësi aksionet e tyre dhe u bënë
edhe vetë pjesë e përjetshme e heroizmit.
Këto veprime madhore për liri dhe shpagimi i gjakut të bijëve të atdheut, mbesin
motivim i përhershëm edhe për luftëtarët që vazhduan luftën çlirimtare deri në
fitoren e plotë të lirisë.
Epilogu, apo përcaktori i dashurisë së përjetshme
Gërshetimi
i ngjarjeve, realiteteve historike, pasqyrimeve epizodike dhe sekuencave imagjinare,
në bashkëveprim ndërtojnë romanin historiko-biografik ,,Pushka e motrës”.
Komunikimi
përmbajtësor dhe domethënës në shtjellimin e ngjarjeve përmes gjuhës së personazheve dhe dialogjeve midis
tyre, që kushtimisht interpretohen edhe frazeologjizma të arealit gjeografik prej
nga është ndërtuar ngjarja, autori përpiqet në mënyrë të besueshme t’i
transponojë përmes komunikimit real gjuhësor brenda komuniteteve të caktuara,
siç janë: bashkëfshatarët, shokët, familjet, luftëtarët nga treva të ndryshme
që do t’i bashkohen organizimit në formacione ushtarake të UÇK-së, etj.
Këtu,
zhvillimi i ngjarjeve dhe ecuritë e realizimit të kompozicionit, si tërësi
organike në roman kanë një përcaktor: dashurinë e përjetëshme të motrës për
vëllaun dhe përmbushjen e besës së dhënë, si institucion i lashtë fisnik.
Një
përmbyllje të saktë do ta përkufizonte mendimi i autorit
në pasthënjen e tij, derisa po sqarohej rreth ecurive të ndërtimit të romanit
,,Pushka e motrës”, se: ,,ndjeva një obligim, që të paktën t’ua
ngrehja një monument letrar, këtyre dy dëshmorëve të atdheut” (po aty, fq.
172).
Mbase, edhe ata me gjakun dhe jetën e tyre, ia ngritën një monument të përjetshëm atdheut, duke i vënë kurorën e lirisë së shumëpritur.