Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Eshref Ymeri: Bota e amazonave në penën e Mira Meksit

| E enjte, 28.12.2023, 07:50 PM |


Bota e amazonave në penën e Mira Meksit

Nga Eshref Ymeri

Shkrimtarja dhe përkthyesja e shquar Mira Meksi, me krijimtarinë e vet artistike ka bërë për vete një masë mjaft të madhe lexuesish. Në panairin e librit që organizohet në Tiranë çdo vit në muajin nëntor, gjithmonë bie në sy rituali i mikritjes së lexuesve nga ana e kësaj shkrimtareje, të cilët, të vendosur në radhë të gjatë, presin të afrohen pranë banakut për të marrë një autograf prej saj për romanin e ri që ka hedhur në qarkullim Shtëpia botuese “Onufri”.

Në panairin e vitit të kaluar (nëntor 2022), Mira Meksi i gëzoi adhuruesit e krijimtarisë së saj me romanin me titull “Puthja e Amazonës”, një titull ky fort joshës për të ndezur fantazinë e lexuesve.

Përgjithësisht, proza e Mira Meksit është shullëri ku lind, ngrohet, rritet dhe hedh shtat afshi i dashurisë, ku shpalosen skenat e flatrimit shpirtëror dhe të rrëzimit të heronjve të saj në humnerat e dëshpërimit prej tradhtisë ogurzezë. Mjafton  t’i kthehemi përmbajtjes së veprave të tilla të kësaj shkrimtareje, si “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”, “Hakmarrja e Kazanovës”, “Kutia e Agatha Christie-s”, romani në fjalë dhe romani më i fundit, që ajo prezantoi në panairin ? librit të këtij viti “Parisi vret”, për të parë se si shpërthejnë tallazet dashurore të heronjve të tyre. Subjektin qendror të këtyre veprave e përbën konflikti dashuror, kurse tema e dashurisë pothuajse përherë shpaloset si  një skenë vuajtjesh.

Le të sjellim në kujtesë gjendjen shpirtërore të heronjve të veprave të lartpërmëndura, të cilët vuajnë nga dashuria: vetëdija e tyre është zënë ngushtë, vëmendja është përqendruar te një njeri i vetëm, mendimet vërtiten rreth të njëjtave situata, duke nxitur kohë pas kohe shpërthime emocionesh të plagosura.

Gjendjen emocionale të Teutës, heroinës së këtij romani, në marrëdhëniet e saj me të dashurin e zemrës, Skerdin (me të cilin pati përfunduar studimet universitare në Paris, ajo për letërsi kurse ai për pikturë), mund ta krahasosh me një flutur që vërtitet rreth flakës dhe që përfundon e djegur në të, e më pas vendin e saj e zë një tjetër flutur po me të njëjtin fat.

Në botën e heronjve të Mira Meksit, dashuria gjithmonë përballet me vuajtjen. Kjo për arsye se vëmendja e të dashuruarit është e përqendruar te objekti i dashurisë që stimulon faktorin stresiv. Pra, për heronjtë e Mira Meksit, të dashurosh do të thotë të vuash. Por edhe të mos dashurosh është e pamundur. Vuajtjet dashurore janë një shpagim i pranueshëm për një fund të lumtur.

Rydiger Dalke (1951), specialist gjerman në fushën e psikoterapisë, thekson se mendimet, emocionet, përjetimet e të dashuruarve ndikojnë në gjendjen e tyre shpirtërore. Sipas tij, ai që i  ka të pazhvilluara pikëmbështetjet e brendshme të qëndresës, që dallohet për paaftësinë e vlerësimit të vetvetes, që është mësuar të gjuajë kënaqësi të atypëratyshme, kalimtare, ka shumë mundësi që të bjerë pre e lëndimeve që i shkakton dashuria. Psikoterapia, thekson ai, është një qasje për trajtimin e çështjeve të shëndetit mendor, për të cilat duhet biseduar me një psikolog. Gjatë psikoterapisë, çdokush që është i interesuar, mëson për çështjet e veta specifike dhe se si mendimet, tronditjet dhe sjelljet ndikojnë në gjendjen e tij emocionale.

Kur shkrimtarja i përshkruan pranë e pranë Teutën dhe Skerdin, këta janë të pushtuar aq shumë nga afshi i dashurisë, saqë janë gati ta përpijnë njëri-tjetrin. Secili është nën pushtetin e ndjenjave të fuqishme. Por, siç u theksua më lart, dashuria në penën e Mira Meksit është e shoqëruar përherë me vuajtje. Pikërisht atëherë kur Teuta priste ta kishte Skerdin pranë, për t’ia lehtësuar peshën e rëndë që ndiente në zemër për shkak të kancerit të gjirit që do ta operonte në spital, ai e braktisi aq pabesisht. Prandaj, shpërthen shkrimtarja,“në vend të ngrohtësisë së dashurisë dhe vrundujve të shpirtit, ndjeu zemërthyerjen dhe një braktisje njerëzore absurde më të rëndë se vdekja”.

Mendimtari i lashtë romak, Plauti, qetësinë shpirtërore e vlerësonte si lehtësimin më të mirë gjatë një vuajtjeje dashurore. Pikërisht gjatë vuajtjeve të tilla është shumë i rëndësishëm drejtpeshimi shpirtëror, të cilin ai e vlerësonte si një tipar të rëndësishëm të karakterit të njeriut.

Ndarja e dhimbshme e Teutës nga Skerdi nuk ishte aq shkak për rëndimin e sëmundjes së saj, sesa ndjesi e tmerrshme e përballjes me vetveten, vetëm për vetëm. Megjithatë, njeriu, për nga natyra e vet, është i vetëmjaftueshëm, i vetëplotësuar. Por në qoftë se në  shpirtin e tij, për shkak të një tradhtie dashurore, krijohet një humnerë e frikshme, atëherë duhet menduar se ka mundësi që ai jo gjithçka është në gjendje ta vlerësojë brenda vetvetes, se ndien  boshllëqe në personalitetin e vet, të cilat mundohet t'i shmangë përmes dikujt tjetër. Prandaj prishja e marrëdhënieve, tradhtia në dashuri sigurisht që përbëjnë një shqetësim të madh, krijojnë një situatë kritike, por duhet pasur parasysh se energjia që çlirohet me këtë rast, në varësi të forcës së karakterit të njeriut, mund të sjellë si pasojë ose vetëshkatërrimin ose vetëpërsosjen e personalitetit të tij.

Kur në faqet e romanit, lexuesi njihet me qëndrimin aq të pabesë të Skerdit ndaj dashurisë së Teutës, i cili i shmanget jo vetëm takimit me të, por edhe tingujve të zilkës së telefonit, ai, domosdo, do të shtrojë pyetjen?

Si duhet vepruar që dashuria të çojë drejt lumturisë së çiftit dhe të shmangen vuajtjet?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, është e domosdoshme të dihet se cilët janë ata gurë të nënujshëm që shkaktojnë dhembje, të cilët njerëzit i hasin më shpesh në rrugën drejt ngritjes së strehës së shëndetshme të dashurisë që është në gjendje të përballojë çdolloj stuhie?

Ngatërrimi i nocionit dashuri me nocionin pasion dashuror përbën çorientimin më karakteristik, pre e të cilit bien jo vetëm të rinjtë, por edhe të rriturit. Shpeshherë flitet për mendime të çoroditura, për shqetësime nervore, për pagjumësi dhe mungesë oreksi, për budallallëqe krejtësisht absurde që vihen re në prani të personit që përjeton tronditje dashurore.

Në këtë koleksion përjetimesh të çuditshme dhe “argëtuese”, mund të përfshihen ndjenja të një euforie të papritur, të prirjes për t'u bërë me krahë, shpërthime të frymëzimit dhe dëshira për të përmbysur male.

Të gjitha këto janë momente të bukura, të cilat, me të vërtetë, do të thonë shumë në jetë, por megjithatë ato nuk janë tregues të dashurisë. Ato, realisht, janë vetëm tregues të pasionit dashuror, i cili bazohet në të tjera reaksione kimike në trurin e njeriut. Dhe një situatë e tillë mund të mos përbënte asnjë shqetësim, por, fatkeqësisht, pasioni dashuror nuk vazhdon gjatë.  Kjo për arsye se, së pari, organizmi nuk mund ta ndiejë veten  normal në kushtet e një deficiti të përhershëm gjumi dhe ushqimi dhe, së dyti, është e pamundur të ruhet për një kohë të gjatë niveli i domosdoshëm i hormoneve.

Në kushte të tilla, pasioni dashuror vjen e shuhet gradualisht dhe me kalimin e një kohe të caktuar, zhduket përfundimisht.

Pikërisht jo dashuria, por pasioni dashuror ishte ai që zbuloi pabesinë flagrante të Skerdit ndaj dashurisë së pastër të Teutës, të cilën e braktisi atëherë kur ajo nuk e priste kurrë. Sëmundja e Teutës shërbeu si “letër lakmusi” për dashurinë e rreme të Skerdit.

Me pabesinë e Skerdit në qëndrimin ndaj dashurisë së çiltër të Teutës, Mira Meksi ka stigmatizuar të tillë meshkuj pa karakter, për të cilët Fransua Tryfo (François Roland Truffaut - 1932-1984), regjisor, skenarist, producent, aktor francez, kritik filmash, thotë:

“Në dashuri femrat janë profesioniste, kurse meshkujt janë amatorë”.

Gjatë përjetimit prej dikujt të pasionit dashuror shfaqen nostalgjia, keqardhja, dhembja dhe akuza e vetvetes për të gjitha mëkatet. Por a mund të mendohet që ai ka pasë kaluar nëpër shtigjet e një ndjenje të pastër dashurie, si në rastin e Skerdit? Sigurisht që jo, sepse ndjenjat e tij kanë çarë jo shtigjet e dashurisë, por shtigjet e pasionit dashuror, i cili s’është gjë tjetër, veçse një vrundull ere në një fushë të hapur, që ndërron drejtim aty për aty.

Pra, që marrëdhëniet e një çifti të çojnë drejt lumturisë së tyre, duhet bërë dallimi prerazi mes dashurisë dhe pasionit fluturak.

Teuta, si heroinë e romanit, mbart me vete çelësin, me të cilin shkrimtarja Mira Meksi hap portën e mistereve të amazonave. Gjatë një skene romantike, Skerdi, i përhumbur nga afshi dashuror, kur po zbulonte magjinë e gjinjve të Teutës, vëren  një tatuazh në zverk apo në prapaqafën e saj. Kërshëria e nxiti për të mësuar nga Teuta “historikun e gdhendjes” së atij tatuazhi. Para se të niste rrëfimin, Teuta i tregoi varësen që e kishte vendosur mbi komodinë. Pikërisht ajo varëse lidhej me tatuazhin.

Gjatë viteve studentore, së bashku me një shoqen e saj spanjolle, Teuta kishte shkuar në Spanjë, nga e cila ruante mbresa të pashlyeshme për Toledon, një qytet i vogël ky që shtrihet në pjesën qendrore të vendit, i njohur si kryeqytet i provincës Toledo dhe i bashkësisë autonome Kastila-La-Mança (Castilla-La Mancha).

Në njërën nga ato ditë të qëndrimit në Toledo, Teuta, tek po ecte pa e ditur as vetë se për ku, fare rastësisht u ndodh ballë për ballë me një të panjohur, i cili. iu prezantua me emrin Jorgos Theotokopoulos, me prejardhje greke, i cili mbante mbiemrin e piktorit, skulptorit dhe arkitektit po me prejardhje greke El Greko (El Greco  1541-1614), njërit nga mjeshtërit më të mëdhenj të Rilindjes së vonë spanjolle. Prej vitit 1567 deri në vitin 1577, ky personalitet i shquar i artit dhe i arkitekturës punoi në Venecia dhe në Romë. Paskëtaj ai u shpërngul në Toledo, ku punoi për 37 vjet, deri sa ndërroi jetë.

El Grekoja i ri i propozoi Teutës t’i bënte një tatuazh, ndërkohë që i mbetën sytë të varësja që ajo mbante në qafë. Pasi e këqyri mirë e mirë me syrin e një piktori të talentuar, Teutës iu shpreh i mahnitur për vlerat e jashtëzakonshme të asaj varëseje, e cila duhej të ishte mbi dymijëvjeçare. Domosdo që Teuta mbeti e shtangur aty për aty nga ato fjalë, sepse nuk dinte kurrgjë për lashtësinë e asaj varëseje. Mandej piktori e këqyri varësen me monokël dhe gati mbeti pa mend nga personazhet e gdhendura në të, për të cilat Teuta nuk dinte asgjë. Dy personazhet e gdhendura ishin Pentesilea dhe Akili, - e sqaroi piktori. Atëherë Teuta i ra në të: ajo varëse ishte e trashëguar brez pas brezi që nga stërgjyshi deri te ëma e saj dhe fjala ishte për mbretëreshën e amazonave dhe heroin e lashtësisë greke.

Po kush ishin ato amazona dhe cila ishte e kaluara e tyre plot mistere dhe të panjohura?

Në historinë e kulturës botërore, amazonat njihen si  një bashkësi e lashtë mitike, e përbërë nga gra-luftëtare. Ato hasen në mitologjinë e shumë popujve, përfshi grekët, romakët, skandinavët dhe popuj të tjerë të periudhës së lashtësisë.

Që në fillim lind pyetja: si është krijuar fjala “amazonë”? Mendohet se kjo fjalë e ka prejardhjen nga iranishtja “ha-mazan” që do të thotë “luftëtare”. Në qoftë se në shprehjen e greqishtes “a mazos” pjesëzën “a” do ta quajmë përforcuese, atëherë ajo, afërsisht, përkthehet “gjinjplotë”. Por është i përhapur edhe një variant tjetër, sipas të cilit shprehja “a mazos”, me pjesëzën mohuese “a”, do të thotë “pa gjoks”. Ka pasur mendime se amazonat e prisnin me thikë gjirin e djathtë, në mënyrë që ta përdornin më me lehtësi harkun për lëshimin e shigjetave. Në pikturat antike amazonat paraqiteshin gjithmonë me dy gjinj, herë-herë njëri gji ishte i mbuluar nga veshja.

Ekzistojnë edhe variante të tjera të prejardhjes së fjalës “amazonë”. Në gjuhët e Kaukazit Verior është ruajtur fjala “maza”, që do të thotë “hënë”, çka mund të shërbejë si jehonë e asaj kohe të lashtë, kur banorët e atij rajoni e himnizonin Hënën si perëndi të gjuetisë, e cila në Greqinë e lashtë quhej Artemida.

Në nderim të këtyre luftëtareve të mitologjisë kështu është quajtur njëri nga lumenjtë më të mëdhenj të botës në Amerikën Latine - Amazona, Dhe kjo nuk është e rastësishme. Lumin Amazona e pati zbuluar konkuistadori (conquistador - në spanjisht dhe në portugalisht do të thotë pushtues në shek. XV-XVI të territoreve të Botës së Re në epokën e kolonizimit të Amerikës) spanjoll Françesko de Oreliani (Francisco de Orellana - 1505-1546), i cili, i pari nga evropianët, e pati përshkuar në krejt gjatësinë e tij. Në verën e vitit 1542, grupi shoqërues i tij, si kalimtarë të parë, gjoja pati vënë re amazonat legjendare, me të cilat hyri në luftim. Sot mendohet se ato kanë qenë ose femra indiane të Amerikës së jugut, që luftonin përkrah meshkujve, ose thjesht indianë me flokë të gjatë, të cilët spanjollëve iu dukën si femra. Françesko de Oreliani, fillimisht, deshi ta quante lumin me emrin e vet, por pas asaj përplasjeje, ai vendosi që lumin ta quante Amazona.

Në njërin nga lundrimet e veta, Kristofor Kolombin (1451-1506) e patën njoftuar disa indianë për disa ishuj, në të cilët banonin vetëm gra. Ai pati dëshirë të kapte disa prej tyre, për t’ia çuar mbretëreshës spanjolle, por s’doli gjë: kur marinarët e Kolombit u munduan të zbrisnin në breg, ata i priti një turmë grash të tërbuara, të zbukuruara me pupla dhe të armatosura me harqe. Marinarët u tërhoqën dhe Kolombi vendosi që ata ishuj t’i quajë ishujt Virxhinia, domethënë “ishujt e virgjëreshave”.

Mbi bazën e miteve dhe legjendave, këto gra-luftëtare qenë kthyer në simbol të pavarësisë, të forcës dhe të trimërisë. Ato kanë pasë tërhequr vëmendjen e breznive me aftësitë e veta fizike dhe luftarake, si edhe kanë pasë personifikuar lirinë dhe barazinë. Shquheshin për përdorimin e harkut, të heshtës dhe të parzmores. Amazonat vazhdojnë të mbeten figura të tilla, të cilat ngallin interesimin e njerëzve dhe nxisin fantazinë e tyre. Kësisoj ato vlerësohen si një nga elementet e rëndësishme të kulturës dhe të historisë botërore.

Sipas mitologjisë greke, amazonat banonin nëpër pyje të virgjëra, në brigjet e lumit Termodont. Grekët e lashtë besonin se amazonat ishin pasardhëse të Aresit, perëndisë së luftës dhe të nimfës Harmonia. Mënyra e tyre e jetesës ishte e pazakontë: ato nuk vareshin nga meshkujt dhe jetonin në bashkësi femërore. Sipas një legjende, amazonat patën marrë pjesë në një betejë kundër heronjve të Akilit dhe te Herakliut. Tezeu, heroi i Athinës, pati rënë në dashuri me amazonën me emrin Hipolita.

Romakët i përshkruanin amazonat si luftëtare të egra dhe të panënshtrueshme, të cilat luftonin me trupin lakuriq. Disa historianë janë të mendimit se amazonat ishin  një bashkësi që jetonte në brigjet veriore të Detit të Zi dhe ndërmerrnin operacione luftarake kundër legjioneve romake.

Në veprën me titull “Historia”, Herodoti (484-425 p.e.r.) thotë se kryeqyteti i amazonave ishte Themiskira, që ndodhej në jug të Detit të Zi (Turqia e sotme). Sipas një të dhëne tjetër, amazonat patën ardhur në Greqi nga Deti Azov. Prej andej ato patën nisur marshime ushtarake në gjithë hapësirat e Azisë së Vogël, duke arritur deri në Siri dhe Egjipt. Sipas legjendave, ato patën themeluar qytetet Efes, Smirna (Izmir), Sinop dhe Pathos. Diodor Siciliani (90-30 p.e.r.) ishte i mendimit se amazonat patën jetuar në brigjet e lumit Tanais (Doni i sotëm).

Sipas të gjitha legjendave, në bashkësinë e amazonave nuk kishte vend për meshkujt. Gjeografi i famshëm, Straboni (64 p.e.r.-24 e.r.), shkruante se amazonat, një herë në vit, ndërmerrnin sulme kundër pararendësve të kaukazianëve çeçenë me një qëllim tepër specifik; të hynin në kontakte seksuale me ta për të mbetur shtatzana. Djemtë e lindur nga ky kontakt, në rastin më të mirë, ua kthenin etërve, në rastin më të keq - i vrisnin, kurse vajzat i mësonin të punonin në fushë, të merrëshin me gjueti dhe të luftonin.

Sipas një legjende, amazonat patën marrë pjesë në luftën e Trojës, në anën e trojanëve. Aty rrëfehet se si njëherë, gjatë gjuetisë, Ipolita, udhëheqësja e amazonave, qe vrarë rastësisht nga e motra, Penfesilea. E torturuar nga pendesa, udhëheqësja e re, pra, Penfesilea, vendosi të ndahej nga jeta ashtu siç i takonte një amazone të vërtetë, domethënë në luftim e sipër. Sulmi që ndërmori ajo kundër grekëve, në fillim qe i suksesshëm, por në luftim u fut Akili, i cili e rrëzoi Penfesilean nga kali dhe e shpoi me heshtë.

Temës së amazonave i kanë kushtuar veprat e veta shumë autorë të lashtësisë, si Hipokrati (470-356 p.e.r.), Lysiasi (459-380 p.e.r.), Palefati (shek. 3 p.e.r.), Straboni (68 p.e.r.-20 e.r.), Diodor Siciliani (90-30 p.e.r.), Pompei Trog (shek. I p.e.r.), Plutarku (50-125 e.r.) dhe të tjerë.

Rrëfenjat për amazonat kanë zënë vend si në letërsi, ashtu edhe në artet figurative. Vepra më e shquar që u kushtohet amazonave është eposi “Iliada” e Homerit. Në këtë vepër rrëfehet për betejën e grekëve me amazonat, të cilat i patën ardhur në ndihmë Trojës.

Amazonat patën frymëzuar shumë shkrimtarë dhe piktorë edhe të periudhave shumë të vona Ndër ta mund të përmendim Herbert Xhorxh Uellsin (Herbert George Wells - 1866-1946), shkrimtar dhe publicist  anglez.

Tepër prekëse janë skenat që Mira Meksi përshkruan për tronditjen e thellë që po përjetonte kryeheroina e amazonave, Glaukia, tek po ndiqte me ankth skenën e dyluftimit të nënës së saj, Pentesileas, me Akilin. Pas vrasjes së Pentesileas, mbretëreshës së amazonave, Glaukia zuri këmbën e saj.

Ashtu si amazonat e Strabonit, edhe amazonat e Mira Meksit vazhdonin traditën e bujtëseve të dashurisë te bashkësia mashkullore që ndodhej në Kolkidë (në latinisht Colchis), një krahine historike kjo në bregun lindor të Detit të Zi).

Amazonat e moshës së re kishin shumë dëshirë të shkonin të shikonin kolkidasit. Por, sipas një rregulli kanonik, ato nuk mund të shikonin meshkuj para se të ndesheshin me ta në një betejë të vërtetë. Por mbretëresha e tyre, Glaukia, vendosi që të niseshin për në Kolkidë.

Pas një udhëtimi të gjatë, ato, të fshehura prapa  një brezi pemësh, arritën t’i dallonin së largu kolkidasit, të cilët demonstronin forcën e muskujve dhe mundeshin me njëri-tjetrin. Udhëtimin e amazonave të reja, me Glaukian në krye, soditjen e skenave të dashurisë së kolkidasve me amazonat e tyre, shkrimtarja i përshkruan me tërë forcën e magjisë së fjalës artistike, me një figuracion mahnitës që të lë pa frymë me bukurin e stili të saj.

Si gjithmonë, Mira Meksi nuk ndahet dot nga magjia e dashurisë së heronjve të veprave të veta. Glaukia, gjatë kohës që bashkë me amazonat e reja po sodisnin kolkidasit së largu, mendjen ia pati tërbuar njëri prej tyre, Amorgesi, biri i vetëm i prijësit të tyre.

Në vlugun e përpëlitjeve të zemrës së saj për Amorgesin, Glaukia vendosi t’i hapej nimfës Cirena, sepse kishte humbur mendjen, kishte humbur tërësisht pushtetin mbi vetveten për dashurinë që ushqente ndaj tij. Nga Cirena Glaukia mëson se dashuria është zjarr pëvëlimtar, ndaj e këshillon që ta djegë fitilin  që po ia pëvëlon zemrën për Amorgesin.

Në njërën nga skenat e gjuetisë së amazonave, Glaukia takon Amorgesin. Pas atij takimi, shkrimtarja e magjeps lexuesin me skenat e dashurisë së tyre, të cilat i ka skalitur aq mjeshtërisht, saqë lexuesi mbetet pa mend.

Glaukian shkrimtarja e vendos para një mëdyshjeje shpirtsfilitëse: të braktisë gjithçka dhe të martohet me Amorgesin, apo, mendjembledhur, të respektojë me vendsmëri “kushtetutën amazoniane”: të mos shkelë betimin e amazonave, duke mbetur mbretëreshë e tyre.

Në kulmin e epsheve dashurore, të cilat kishin arritur në një gjendje “inkandeshente”, “ia behu” tragjedia: Glaukia i preu fytin Amorgesit me  një thikë dytehëshe, duke mbetur besnike e kanonit amazonian - ritualit të heqjes së gjirit të djathtë në bregun tjetër të Thermodonit.

Kur e mbarova leximin e këtij romani, më erdhi ndër mend Kenet Berku (Kenneth Burke - 1897-1993), shkrimtar, gazetar, filozof amerikan, studiues i letërsisë, teoricien i komunikimit, i cili thotë:

“Ngjarjet jetësore na përgtitin për jetën në një botë reale, duke na njohur me të tjerë njerëz, por, më kryesorja, për të na njohur me vetveten”.

Shkrimtarja Mira Meksi e edukon, e mëson lexesin se si ta stërvitë veten me armën e mbijetesës dhe të optimizmit edhe në çastet e aksidenteve dashurore. Ajo krijon metafora për natyrën e njeriut, për ata njerëz që në letërsi quhen heronj. Ajo studion mjeshtërisht psikologjinë e personazheve të veta dhe nxjerr në spikamë dëshirat, pikësynimet dhe pasionet e tyre, të mbrujtura me apo pa vetëdije, të cilat i nxisin për të vepruar. Me shtegtimet e veta në botën e personazheve, dëshirat e tyre përvëluese ajo i flak në prushin e konflikteve të papritura. Skenat zëvendësojnë njëra-tjetrën, stili rrëfimtar i shkrimtares i përcjell lexuesit veprimet dhe reagimet e personazheve ndaj njëri-tjetrit, të cilat ndërthuren, pleksen në pika kthese kur dialogu mes tyre shoqërohet me shpërthime ndjenjash të harbuara.

Dashuria në penën e Mira Meksit është një e tillë ndjenjë e fuqishme që nuk kërkon asgjë në shkëmbim, që ekziston përkundër gjithçkaje tjetër, që është në gjendje të krijojë mrekullira dhe të dhurojë shpresë. Por duhet pasur parasysh edhe diçka tjetër që nënvizon Frojdi (Sigmund Freud - 1856-1939):

“Ne nuk jemi kurrë aq të dobët, sa kur dashurojmë, dhe kurrë aq të palumtur e pa shpresë, sesa kur humbasim objektin e dashurisë”.

Në këtë roman, Mira Meksi përmend një mori emrash të vendeve, të maleve, të lumenjve, të perëndive apo të personazheve legjendarë, çka lexuesit mund t’i interesojë etimologjia e tyre.

Hulumtuesi i njohur i arkivave franceze, Aurenc  Bebja, ka zbuluar veprën me titull Une race oubliée; les Pélasges et leurs descendants (Një racë e harruar; Pellazgët dhe pasardhësit e tyre”) të autorit francez Edouard Schneider (1880-1960), në të cilën theksohet se emrat e zotave, e perëndive, e heronjve shpjegohen  vetëm me gjuhën shqipe. Këtë informacion shkencor ai e ka botuar në internet, me titullin Kur Edouard Schneider i dedikonte vajzës së tij librin Pellazgët”:  Mos harro kurrë gjakun tënd shqiptar”. Faqja e internetit e gazetës Dita”. 14 janar 2018. Po këtë informacion e ka botuar edhe Sefedin Krasniqi (Emra perëndish greke që shpjegohen  vetëm në shqip, ja pse”. Faqja e internetit “Albspirit”. 16 maj 2016).

Të njëjtin informacion ka dhënë edhe një tjetër autor francez - Luis Benloew (1818-1900), dekan i fakultetit te letrave ne Paris. Në vitin 1877 ai pati botuar veprën me titull “La Grèce avant les Grecs” (Greqia përpara ardhjes së grekëve), ku shkruan:

“Shumë emra të vendeve, të maleve, të lumenjve, të personazheve legjendarë nuk mund të shpjegohen me etimologjinë greke. Vetëm një gjuhë ka qenë në gjendje të hedhë dritë mbi emrat e këtyre vendeve, e kjo gjuhë është shqipja”.

Nuk mund të lihen pa përmendur vlerat e jashtëzakonshme të pasurisë leksikore të këtij romani. Përgjithësisht, proza artistike e Mira Meksit është një thesar i  vërtetë, është një “minierë ari” për pasurimin e leksikut të gjuhës shqipe. Me këtë rast, dëshiroj të nëvizoj si më poshtë:

Së përi, shkrimtarja ka krijuar mjaft fjalë të reja, ndër të cilat mund të përmendim: arturinë, çukërmoj, djegurishtë, ëmbëlan, hënëzim, festare, hollërinë, i dielltë, i gurëzuar, leximtar, lëbardhë, ndërmendazi, përcikje, prushëtoj, riak (riake), rozak, vajzuke.

Së dyti, duke “i çiftuar” fjalët, ajo krijon kompozita fort të qëlluara: dritëvakët, dhomëgjumë, fatgremisur, fatpërgjues, fundbark, gurërëndë, guximdhënës, mespërmeskafka, pasdashuri, pasfurtunë, perëndimdiell, pllakëvarr, qepenmbyllur, tymtrashë, zemërthyerje, vrasjendërgjegje.

Së treti, mjeshtërinë e shkrimësisë e ka pasuruar me mjaft metafora dhe figuracione artistike:  dritat ulëritëse të reklamave përloteshin të verbuara, dergjej në një lëmsh kohe, e kishte varur shpirtin në buzën e tij, greminat e kohës, mendja iu robëruar, kishin rrjedhur shumë ujëra kohe, i mend zjarrin, nuk i ka frerët e vetes në dorë, zgjedha e dashurisë, i zi si vdekja, rrëke që thernin tokën, hëna kishte hedhur grushte me dritë melankolike, një shigjetë zjarri theri qiellin, për të mos u rrëzuar greminave të frikës, si lulja e potisur nga vlaga e dashurisë, muzgu po vinte hapvogël, bisha e dashurisë, lëngata e dashurisë, greminat e kënaqësisë, mademet e çmuara të trupit, rrjeta ogurzezë e dashurisë, i potisur me ujë petalesh trëndafili, ra përnjëherë në krahët e Morfeut, u krodh dëndësive të gjumit si në një det paqeje, ngjante si një perëndi e dashurisë, e ndjeu veten robinë të ndjenjës, dielli ngjitej me përtesë të madhe kupës qiellore, pushimet çlodhëse të pasdashurisë, ankthet e liga i kafshuan zemrën, shtiza e zjarrtë e vrasjendërgjegjes, kur dashuria nuk vdes, vret; porta e buzëve të burbuqta.

Së katërti, përveç sinonimeve leksikore, autorja  ka përdorur edhe një tjetër lloj sinonimi - sinonimin metaforik. Kështu, gjatë përshkrimit të skenave dashurore përvëluese të Teutës me Skerdin, në vend të fjalës gjinj ajo përdor sinonimin mjaft të goditur “porta e dashurisë”.

Krijimtaria artistike e Mira Meksit zë një vend të nderuar në kulturën tonë mbarëkombëtare. Veprat e saj janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Edhe në Panairin e këtij viti ajo u nderua si shkrimtarja më e mirë për romanin me titull “Parisi vret”.

Kaliforni, 17 dhjetor 2023