| E enjte, 28.12.2023, 09:00 PM |
Fotografia
e fundit e Liridonë Ademaj
LIRIDONË
HYJNORE, MILIONA ZEMRA LËNDOVE!
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Pak histori për
origjinën e nënës Zyrafete të Liridonës:
Origjina
familjare e Zyrafete Ademaj, nëna e Liridonës, vjen nga familja Meshi nga
Kusuri i Hasit, e arratisur nga Shqipëria në Kosovë, në vitet `50-a. Kjo
familje, fillimisht, u vendos në Podujevë dhe që andej u bart në fshatin
Lubozhdë, për t`u vendosur, më vonë, në Banjë të Istogut, Ganiu me familjen e
ngushtë, njëri nga djemtë e plakut Hysen Meshi dhe tre djemtë të tjerë në
vendbanimet përrreth. Familje e shkolluar, u punësuan, kryesisht, në arsim,
përfshirë edhe vajzat.
Kryefamiljari
i Meshëve, me gjithë dyshimin se po ndahej përjetësisht nga vajza e tij e
fejuar, në natën e ikjes nga Shqipëria diktatoriale, nuk deshi ta linte -fjalën
peng- dhe lëndimin e miqëve. Vajzën e dërgon, fshehurazi, në familjen e të
fejuarit. "Përhajr të qoftë çika jeme, mik i nderuar", dhe lotët i rrëshqitën faqeve, nga kjo ndarje
e trishtë!
Dhe,
vetëm pas 45 vitesh, vëllezërit do të takoheshin me motrën, por, jo edhe babai,
tashmë, i amëshuar! Ndërkohë që, UDB-a dhe Sigurimi kriminal shqiptar,
pavarësisht zënkave në mediat eterike, bashkëpunimi i tyre ka qenë i përhershëm
dhe gjithmonë në dëm të shqiptarëve, në të dy anët e kufirit, që therte si
heshtë zemrat e shqiptarëve.
Familja
Meshi e mbetur në Shqipëri, me dajallarët e tyre të fisit Paci, u goditën rëndë
nga regjimi fashizoid-stalinist i Enver Hoxhës. Një i ekzekutuar me plumb
zyrtar, një i varur dhe 150 vjetë burg politik të vuajtura. Në vitet `70-a dhe
`80-a kemi vuajtur burgun e Burrelit, me njërin nga anëtarët e familjes të
martirizuar Meshi.
Në
Luftën e Kosovës, dy djemtë e familjes Meshi, Bashkimi dhe Afrimi, në Lubozhdë
të Istogut, në përleshje ballore me policinë serbe, ranë dëshmorë. Ende -pa
dhënë shpirt- ata, vëllai i tyre, Kujtimi, fyta-fytas, i rrëmben armën policit
dhe i vret dy policët. Një hakmarrje dhe shpagim i përflakshëm, pa një rast të
dytë në Kosovë! Ai me dy kunatat e veja, i rritën, edukuan dhe shkolluan të 6
(gjashtë) fëmijtë bonjakë, të dëshmorëve të lirisë.
Nisur
nga kjo lidhje e tërthortë, sapo mësova për monstrumët vrasës të Liridonës,
shkrova se trupi i pajetë i Liridonës të zhvendoset nga varrezat e Cërmjanit,
për t`u rivarrosur në fshatin lindak Rracaj. Jo pse fshatrat kishin 25 km.,
distancë, por nuk kishte asnjë kuptim që Liridona të prehej atje, së bashku me
jetëmarrësit e saj kriminelë brutalë.
Komunikimi ngushëllues
me familjen e Liridonës
Ndërkohë,
në Facebook, ngushëllova familjen e Liridonës, tashmë, vetëm Ademaj, siç lëshoi
porosinë xhentile emërtuese, juristja e diplomuar Doarsa Kica-Xhelili, duke
shënuar edhe numrin e telefonit tim. Në mbremjen e asaj dite, me telefonoi
Leonardi, vëllai i Liridonës: "Kemi kërkuar nga Prokuroria zhvarrimin e
Liridonës në varrezat tona",- më tha ai. Ishim të një mendje që vendin e
hakmarrjes, ta zejë drejtësia, me besimin e një trajtimi korrekt ligjor.
Çështja
e dy fëmijëve të Liridonës, një brengë që brenë, për gjyshërit Ademaj. Pasja e
tyre në përkujdesje, lehtëson dhimbjen, sikur ta kenë gjysmë Liridone në
familjen e tyre. "Vëllai me familje jeton në Gjermani, tri motrat në
Zvicër dhe një në Kosovë. Unë jam i fejuar, prindërit e moshuar nuk mund t`i
lëmë të vetmuar. Aktualisht, fëmijtë janë te gjyshërit Murseli, sepse në
familjen tonë gjendja është tmerruese, gjithë lot e vajë dhe fëmijtë do ta
kuptojnë tragjedinë e nënës së tyre. Zgjidhja e pranueshme e tashme, do të
ishte përkujdesja shtetërore suedeze", - sqaroi Leonardi, përmes dhimbjes
të skajshme.
I
bashkohem opinionit gjithëshqiptar se vrasja e nusës-nënë, Liridonë Ademaj,
është përjetuar dhimbshëm e përvajshëm. Akti i shëmtuar vrastar, i planifikuar
ngeshëm dhe me gjakftohtësi sadiste, është shokues dhe unik. Edhe pse krim
familjar, përmasa e krimit është e jashtëzakonshme, me veçantinë dalluese,
ngaqë skenari është i bashkëshortit, duke paguar dorasin. Asnjë ndjesi për dy
fëmijtë e mitur, tashmë, të mbetur bonjakë, pa nënën e tyre të dashur dhe fort
përkushtuese në rritjen e tyre.
Rivarrimi i Liridonës -
një lamtumirë mortore unike
Si
dëshmitar okular, së bashku me familjarët e mi, në rivarrimin e Liridonë
Ademaj, shumëçka ishte origjinale në këtë ceremoni mortore, ndoshta, e
papërsëritshme, sidomos dhimbja e thellë, e heshtur kolektive, e shprehur me
lot e dënesje të përmbajtura, të menaxhuara dinjitetshëm, nga prindërit,
motrat, vëllezërit dhe njerëzit e afërt dhe të largët, nga Kosova dhe
Shqipëria. Fotografitë e shumëta të Liridonës, një fotogjene me natyrshmëri
proverbiale, të cilat rrezatonin mirësi, bukuri, fisnikëri dhe dashuri të
pakufishme, me shikimin maxheps, kryqëzoheshin me mijëra sytë e pjesëmarrësve
në ceremoninë madhore mortore.
Shumësia
masive e njerëzve, në shprehjen e ngushëllimeve, për disa orë radhazi; sjellja
e trupit të pajetë të Liridonës, e shoqëruar nga zyrtarët prokurorë dhe
policorë; përcjellja e arkëmortit ke varrezat; përgaditja e përkryer e
ceremonisë mortore; nxënësit me bluzat uniformë, me fotografinë e ëngjellores
Liridonë në gjoks dhe shkrimin -Drejtësi për Liridonën- në shpinë, flisnin më
shumë se mijëra fjalë.
Mësuesja Teutë me fjalë
prekëse për nxënësen Liridonë
Drejtoresha
e nderuar e shkollës së fshatit Rracaj, Teutë Haxhiu, shpalosi kujtimet dhe
cilësimet epërore, për nxënësen e saj të shumëdashur - Liridonë:
"U
tmerrova për vrasjen e Liridonës. Ende jemi të trishtuar nga vdekja mizore e
saj kaq e hershme, e porositur nga njeriu i kthyer në përbindësh, nga një
frikacak dhe i pa burrë. Ka qenë vajzë shumë e hareshme dhe shumë e zgjuar. Ka
reflektuar gjithmonë pozitivitet. Asnjëherë nuk do të largohet prej mendjes
time. Nuk e harroj momentin kur Naimi me ftohtësi, vendosi tre gishta në ballin
e saj dhe nuk e përqafoi. Nuk nxori një lot. U thashë kolegëve, si është e
mundur që bashkëshorti nuk e përqafon nusen, në këtë ditë, kur ai nuk do ta
shohë më?!
Nuk
do e largoj kurrë prej mendjes time. Zëri i motrave që e thirrnin:
"Liridonë, çohu se ka ardhë mësuesja Teutë!"
Liridonë
e dashur, sot në këto momente të rënda, për gjithë ne, kur jemi të detyruar të
themi lamtumirën e fundit, krahas dhimbjes së madhe, që na gërryen, e gërryen
edhe gurin", - tha, në mes tjerash, mësuesja e Liridonë Ademaj, Teuta
Haxhiu.
Femrat, krijuese të
njerëzimit, i përgjakë drejtësia e dështuar
Trajtimi
kriminal i grave, deri në vrasjen e tyre, padyshim, është shqetësues, në
shoqërinë shqiptare, në përgjithësi, dhe në Kosovë, në veçanti. Trajtimi i
grave si -pronë private-, ngujimi i tyre në shtëpi dhe bredhja e shfrenuar e
burrave, pa dhënë llogari askujt, madje as bashkëshorteve të tyre, ndaj të
cilave, me rastin e kurorëzimit kanë marrë obligime, madje me nënshkrim, kur
bëjnë atë deklaratën e famëshme, të përbotshme, për besnikëri dhe përkujdesje
reciproke, para personit zyrtar dhe, të paktën, në prani të dy dëshmitarëve.
Krimet
ndaj grave, femrave, krijuese të njerëzimit, gjinisë së bukur e hyjnore, të
shprehura në shifra, në Kosovën tonë, të memëzi pame të lirë, janë jo vetëm
shqetësuese, por edhe tmerruese. Rasti kulmor tragjik, siç është vrasja sadiste
e Liridonës, shton dozën e krimit, sepse përfshihen njerëz nga politika dhe me
uniformën zyrtare, të cilët janë të thirrur për mbrojtjen e qytetarëve dhe të
Atdheut-Kosovë!
Dështimi
i drejtësisë në mbrojtjen e femrës-nënë, madje edhe atëherë kur është denoncuar
dhe kërkuar mbrojtja nga organet përkatëse, krimi ka ndodhur. Për çudë, edhe
pse krimet ndaj grave janë përsëritur, nuk janë marrë në përgjegjësi organet e
thirrura, për mbrojtjen e tyre, nga partnerët kriminelë!
Amnestimi i kriminelëve,
inkriminon shoqërinë kosovare!
Pyetja
e shtruar nëse besojmë në veprimin dhe gjykimin e drejtë, ndaj kryersve të
vrasjes të Liridonë Ademaj, pavarësisht lidhjes së tyre politike, duhet pritur
rrjedhën e mëtejme të procesit në hetim e sipër. Fillimi i këtij procesi
hetimor e zbulues, është premtues, falë veprimeve amatoreske në kryerjen e
krimit dhe të fshehjes së tij. Për rastin në fjalë, drejtësia është vënë nën
llupën e opinionit të gjerë. Por, përvoja e hidhur në bërjen e drejtësisë, të
pas çlirimit të Kosovës, nuk na liron nga skepticizmi dhe zhgënjimi i mundshëm.
Në
Kosovë, sikur nuk mjaftuan krimet masive të pushtuesit serbo-sllavë, me vrasjet
dhe masakrat numerike. Lufta për pushtet dhe para, e disa "biçim
komandantëve", të instruktuar nga oficerët-mbeturina të regjimit stalinist
të Enver Hoxhës, hapi një front të dytë, luftimin e egër të kundërshtarëve
politikë shqiptarë. Me përkrahjen logjistike e njerëzore të Tiranës zyrtare
social-komuniste, përndoqen, burgosen, dhe maltretuan, deri në vrasje, në
burgjet rurale, në Shqipëri dhe Kosovë, luftë-berësit e FARK-ut dhe veprimtarët
atdhetarë, kundërshtarë politikë të komandantëve vrastarë.
Për
të pamundësuar ndalimin dhe ndeshkimin e krimeve, komandantët të thirrur në
luftën e pabërë, rrënuan sistemin e drejtësisë në Kosovë. Shumë mijëra dosje të
krimeve faktike, u arkivuan pa i trajtuar fare, në pritje për t`u parashkruar
dhe skaduar afati, sepse pjesë e krimeve serike, ishin edhe komandantët, të
cilët, me dajak e plumb, rrëmbyen pushtetin e përgjakur në Kosovë.
Kosova
është rast unik në botë, që shifra e vrasjeve politike ndërshqiptare, gjatë dhe
pas luftës, tejkalon atë të dëshmorëve, të rënë në mbrojtjen e Atdheut.
Drejtësia e pas luftës dështoi në luftimin e krimit dhe të kriminelëve. Dhe,
amnestimi i kriminelëve, vazhdon ta inkriminojë shoqërinë kosovare. Bojkotimi,
deri në bllokim, të -Vettingut -, nga rrënuesit e Sistemit të Drejtësisë në
Kosovë, është kambanë alarmi: "Que vadis Kosovë?!" Sllogani fushator:
"Kriminelët dhe hajnat në burg", u harrua, pa u lëndëzuar fare! E
dhimbshme dhe, skajshëm, zhgënjyese!
Andaj,
pavarësisht pritjes shpresuese, për jetësimin e drejtësisë, në rastin e
Liridonës tonë, tashmë, pjesë dhimbjes kombëtare, zhgënjimi është i mundshëm,
siç ka ndodhur me shuarjen e dhunshme të jetëve të shumë -liridonave- tjera,
simotra të saj dhe të mijëra krimeve të pandeshkuara, përgjatë 23 viteve të
shkuara.
Megjithatë,
shpresa vdes e fundit, na ngushëllon urtësia.