Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fran Gjoka: Tre libra me epigrame bashkëkohore të Viron Konës

| E enjte, 28.12.2023, 07:53 PM |


Tre libra me epigrame bashkëkohore të Viron Konës

-Vështrimi i studiuesit-

Nga Fran GJOKA

“Zgjidh rrugën tënde!” është libri i tretë me epigrame i shkrimtarit të njohur Viron Kona. Ky libër vjen pas dy librave të pëlqyer nga lexuesi “I zemëruari” dhe “Zot i fatit tim!” Libri përmban 101 epigrame, një numër ky i parapëlqyer i autorit, si të dojë të na tregojë se edhe në të ardhmen do të vijojë të shkruaj në këtë lloj letrar tepër tërheqës për lexuesit. Janë të kërkuara epigramet për disa arsye, midis të cilave po përmend shkurtësinë e tyre. Me pak vargje, autori shpreh mendime të mençura, që herë për njërin lexues e herë për tjetrin shërbejnë edhe si mësime për jetën. Duket që shkrimtari Kona me jetën interesante që ka bërë, me vështirësitë që ai ka kaluar, por edhe me talentin dhe kulturën e lartë të të shkruarit, arrin që të krijojë epigrame të atilla, që të mbeten në mendje dhe, krahas entuziazmit që shkaktojnë gjatë leximit ato admirohen nga lexuesi për bukurinë e vargut dhe mesazhet mbresëlënëse që përcjellin.

Siç shkrova në fillim, janë tre libra të tillë. Do të dëshiroja të qëndroja shkurtimisht pak radhë te secili prej tyre.

Mesazhe dobiprurëse

“I zemëruari”, të cilin nuk e gjejmë në tregun libror, përcjellë mesazhe për përditshmërinë e jetës, duke vënë theksin në ato probleme jetësore që na shqetësojnë më shumë. Kanë të bëjnë ato me probleme social ekonomike, kulturore – artistike apo aty - këtu edhe politike, ndërkohë që na duket sikur autori na merr për dore dhe na rrëfen herën njërën “bimë” të kopshtit të tij krijues dhe herë tjetrën. Janë përmbajtje që na shkaktojnë entuziazëm me mënyrën se si e përcjellin mesazhin, teksa na vënë edhe në mendime për çështjet e ndërlikuara që ndeshim në rrugën tonë të jetës apo që na pengojnë të ecin përpara, ashtu siç pengojnë njeriun kurthet dhe mentalitetet e dëmshme, konceptet e gabuara apo padituria dhe  injoranca. Nga libri “I zemëruari”, te shumë lexues kanë mbetur të fiksuar fort në mendje epigrami: ”Shqipëria - ëndrra dhe shpresa,/vendlindja e bukurive të Dheut, /këtu ndihem i lirë si shqiponja,/ këtu ndihem i fortë si Anteu.”(Shqipëri);”Vargjet pa mendim:/trena,/që bosh venë e vijnë”(Vargjet pa mendim);”Si qentë, /nga larg të përgjojnë,/heshtazi të ndjekin pas,/çastin presin të të kafshojnë”. (Spiunët);Ai e do popullin me një trup dhe me një fytyrë,/mundësisht me një kokë dhe me një gojë,/do që ta përdor si një makinë me kurdisje,/do që ta ndezë dhe ta fikë sa herë të dojë.(Diktatori);” Mos bëj veprime të nxituara,/kur pendohesh është vonë,/Këtë, më shumë se të tjerëve,/duhet t`ia themi vetes sonë”(Këshillë)... Kështu me ritëm dhe ide vijojnë dhjetëra epigrame si “Xhelati”, ”Mjafton një kockë”, ”Diploma e kryetarit”, ”Kur nisi beteja”, ”E keqja”, ”I ngjitur”, ”Një kovë”, ”Miqësia në provë”, ”Mos e tepro!”, ”Njeri, je apo s`je?”, ”Gjashtë profesorë”, “Forca e kohës”, ”Ca princër, ca argatë” etj. etj.

Epigramet e këtij vëllimi shprehin opinionin se “Epigrami ka në themel, edhe formën tërheqëse, po aq edhe vet mendimin  e mençur që përcjellë te lexuesi ide, motive dhe mesazhe dobiprurëse”.

Freski, dinamizëm dhe energji

Mund të them që vijim i librit të parë, janë edhe epigramet e vëllimit të dytë të titulluar “Zot i fatit tim”, ku autori sikur i bën thirrje lexuesit që ta marrë vet në dorë fatin e vetë, t’i bëj vet punët dhe detyrat që ka në jetë, të mos pres që ato t`i marrë të gatshme. Përkundrazi nëse i lë ato në rrjedhën spontane dhe nuk tregohet aktiv, atëherë vështirësitë e jetës së tij janë edhe më të mëdha e më të ndërlikuara. Mesazhi artistik shfaqet mbresëlënës  sidomos tek epigrami: ”Ca grurë e ca egjër” ku autori shkruan: “I dija se ishin të gjithë engjëj,/vija për ta dorën në zjarr e në zemër,/por, kur nisën të ndaheshin pronat,/ca dolën grurë e ca dolën egjër.”; Xixëllonjë”: ”Respektoje një xixëllonjë,/jetën ajo nuk e çon dëm,/kur natën fluturon,/një dritëz e bën.”; ”Ato që dua vetë”: ”Vite të tëra bëra ato që më thanë,/me mendjet e të tjerëve eca në jetë,/por, tani, ju lutem, mjaft më,/do të bëj ato që dua vetë!”;”Kur”: ”Kur për interesat e  tua vetjake,/tradhton shokët dhe vendin tënd,/të gjithë do të të zbojnë me neveri,/si një akrep që u lëvrin nën këmbë!”;”Mos u brengos miku im!”:”Rrugën s`ta ka zënë askush,/ka vend plot, për ty, për mua,/ec, mos ngurro, tregoje veten,/mos u tërhiq, kështu të dua!” Mesazhe mbresëlënëse shfaqen edhe tek epigrami ”Ke para, s`ke para”, ku autori shkruan: ”Ke para, je dijetar,/ke para, gjithnjë fiton,/ke para të drejta ke,/ke para, botën sundon”. “S`ke para, je budalla,/s`ke para, asgjë ti s`di,/s`ke para, kot ekziston,/s`ke para, s`ta var njeri!”. Se çfarë vlerësimi bën autori për fëmijët, që janë edhe personazhet e tij më të dashur te librat e tij për fëmijë, këtë e kuptojmë edhe tek epigrami: ”Engjëjt”. Autori shkruan: “Nëse ekzistojnë engjëjt,/me siguri ata janë fëmijët./ Nëse nuk ekzistojnë engjëjt,/engjëj kemi fëmijët,/Nëse duhet t`i krijojmë engjëjt,/ata përsëri do të jenë fëmijët!” Mesazhe po aq të fuqishme duken edhe tek epigramet: ”Mirënjohës e mosmirënjohës”, “Harrojmë veten tonë!”, ”Zot i fatit tim”, ”Me njëri-tjetrin”, ”Lojë”, ”Zhgënjimi”, ”Ironi”, ”Ti vet cili je?”, ”Vendin e minjve”, “Mendja jote si llamba”, etj. etj. Pajtohem plotësisht me njërin nga recensentët e këtij vëllimi e konkretisht z. Bujar Agalliu, i cili duke analizuar e vlerësuar epigramet e Viron Konës, mes të tjerash shkruan: “Në epigramet e vëllimit “Zot i  fatit tim”, bie në sy tematika e gjerë, por edhe fjalë dhe shprehje të figurshme, e sidomos metaforat, që janë karakteristikë e krijimtarisë së këtij autori, ashtu dhe figura të tjera letrare si metonimia, simbolet, epitetet, krahasimet, por edhe ironia e sarkazma, të cilat i japin më shumë fuqi, freski, dinamizëm dhe energji epigrameve të këtij vëllimi”.

Epigrame transparente dhe të drejtpërdrejta

Kurse tek epigramet e librit “Zgjidh rrugën tënde!” Viron Kona që në titull na  përcjell mendimin se “ti vet e ke në dorë rrugën tënde për të ecur në jetë”, ndërkohë që ai bën objekt të epigrameve edhe tema të mprehta të ditës si korrupsioni, zhvatja, shpërdorimi e vjedhja e pasurisë së popullit, padrejtësia, tjetërsimi i njeriut, ashtu dhe makinacionet për të mbuluar gjurmët e krimeve dhe të këqijave të tjera që ndodhin. Tek epigrami “Si urdhëron zotëri!, autori godet servilizmin, përuljen ndaj zyrtarëve të lartë e të korruptuar, të cilët vjedhin e pasurohen në kurriz të popullit, por kur ata zbulohen, përgjegjësinë ua lënë vartësve të përulur, që më mirë se çdo gjë tjetër përsëritin togfjalëshin “Si urdhëron zotëri!” Autori shkruan: ”Kur vjedhja dhe korrupsioni dalin në skenë,/të mëdhenjtë e shfaqin veten viktima e pa përgjegjësi,/veprojnë si gjarpërinjtë që ecin e fshijnë gjurmët me bisht,/fajet mbeten te vartësit e përulur që thonë: “Si urdhëron, zotëri!”. Kjo temë shfaqet edhe tek epigrami “Oktapod dhe kriminel”, ku autori i krahason mafiozët dhe kriminelët e rrezikshëm me oktapodin, këtë grabitqarë të njohur të deteve,  që maskohet mjeshtërisht kur ndien rrezikun: “Oktapodi tetëkëmbësh grabitqar i njohur,/sapo ndien rrezikun lëshon bojën në det,/ashtu bëjnë edhe mafiozët e kriminelët,/kur duan të fshehin krimin e vetë”. Kur shkruan për grabitësit, Kona ka parasysh jo vetëm grabitësit e pronës shtetërore apo individuale, por edhe grabitësit e punës intelektualëve të njerëzve të ditur, të cilët të përfshirë në punën e tyre ideore, shkencore, pedagogjike,  artistike e letrare harrojnë se përreth mund të kenë nga ata që ua përvetësojnë apo tjetërsojnë idetë dhe mendimet. Shkrimtari i krahason këta lloje grabitësish me minjtë e drithit në hambar. Ja se si shkruan autori tek epigrami “Grabitësit”: Punën dhe arritjet e njerëzve të ditur,/mundin e tyre intelektualë shumëvjeçar,/e grabitin dinakët që u vijnë rrotull,/si minjtë e drithit në një hambar!” Këtë ide, Kona e shfaq edhe tek epigrami “Miu”, duke fshikulluar fort ata gjoja “artistë” që përvetësojnë punën artistike të të tjerëve: “Rrëmbe këtu dhe rrëmbe atje,/një metaforë dhe një metonimi,/ i shton në librin tënd me vargje,/n ‘botë s`gjen tjetër “poet” si ty!/Bëhesh si miu që çdo gjë lëpin,/ushqim me aromë kudo kërkon,/por edhe nëse çarku ka defekt,/diku te qoshja macja përgjon.”

Si dhe në librat e mëparshëm  me epigrame, “I zemëruari” dhe “Zot i fatit tim!”, edhe në këtë libër të ri, Viron Kona është transparent dhe i drejtpërdrejtë në ato çfarë shkruan. Ai dallohet për stilin e zhdërvjelltë, për çiltërsinë dhe sinqeritetin e  plotë, për botën e tij të pasur letrare e  artistike, për ndjeshmërinë ndaj jetës dhe dukurive më të qenësishme të saj. Janë disa epigrame që fokusojnë problemet që ka drejtësia shqiptare, probleme këto që kanë shqetësuar jo vetëm popullin shqiptar, por edhe Evropën dhe botën e përparuar. Autori ndalet veçanërisht tek veset e disa prej gjyqtarëve të korruptuar, por  edhe te zvarritjet e mëdha të çështjeve të drejtësisë. Janë një sërë epigramesh që pasqyrojnë  këtë dukuri, e midis tyre po përmendim epigramet: “Pa fund”, ”Nga i ri bëhesh plak” etj. Qëndrim demaskues mban autori edhe ndaj disa të rinjve, të cilët të përfshirë në botën e krimit, bëjnë allishverishe me kriminelë për të kryer vrasje me pagesë, sepse këtë ua kërkojnë “punëdhënësit”. Në epigramin “Profesion” autori shkruan: “Si në filmat me horror,/vrasja u bë profesion,/dy veta bien në ujdi,/njëri vret, tjetri paguan.” Autori i kujton me gjuhe artistike lexuesit të jetë  sa më realist dhe i vërtetë në jetë, të mos përulet as nga vet hyjnizimi i disa njerëzve  që veshin petkun e gjoja të paprekshmëve dhe  të pandëshkueshmëve: “Mos hyjnizo askënd në këtë botë,/mos u gjunjëzo para tyre, o njeri,/ata i thurin vetvetes kurora e lavdi,/s`janë perëndi!”

Epigrame që shprehen përmes hidhësisë së sarkazmave

Viron Kona, si një shkrimtar me ndjenja të thella kombëtare fshikullon gjendjen e rënduar dhe pasigurinë sociale-ekonomike të vendit, që i detyron njerëzit, herë si individë dhe herë  familjarisht të marrin arratinë dhe ta “braktisin” Shqipërinë për një jetë më të mirë ekonomike. Tek epigrami “Dhimbje poetike!” autori shpreh dhimbjen e tij, duke përdorur një ironi të hidhur, sarkazëm: “Tani bota s`ka më porta,/mbathjani e mos ngurroni,/s`janë kurrkush para nesh,/Magelani dhe Kolombi...!” Autori e mbyll librin me një epigram që ai e konsideron edhe “epilog” të librit. Është epigrami “Lekë të vjetra apo lekë të reja?”, që autori ua kushton pensionisteve, të keqtrajtuar nga shteti me pensione krejt të pamundura për përballimin e jetës. Ja dy strofa nga ky epigram: “-Të kërkoj falje, o bijë, ti ke shumë t ‘drejtë,/ ne me ato lekë të vjetra  merremi mirë vesh,/s`ke pulën, do hash sorrën, - thotë populli!,/ ne, na e dhanë sorrën, na e bën peshqesh!”

E uroj shkrimtarin e palodhur Viron Kona për kënaqësinë që na dhuron me këto tre vëllime me epigrame, të cilat na emocionojnë dhe na shërbejnë si mësime dhe mesazhe të dobishme për jetën!