| E enjte, 28.12.2023, 08:58 PM |
Vrasja e Marie Shllakut dhe katër priftërinjve shkodranë
Fragment
nga romani "Muri i heshtjes"
Nga
Gani Mehmetaj
-Kopilat
e kjoftëlargut,- u thoshte Zoja e Lleshit, kur ndonjë turmë e të rinjve
serbo-malazezë parakalonte rrugicës me pankarta ndër duar duke brohoritur
serbisht: -Tito është yni, ne jemi të Titos!
Burrin
e Zojës, Lleshin, ia kishin vrarë partizanët e Titos. Lleshi nuk u dorëzua, ra
vet i shtati në Bjeshkët e Thata. Varri nuk i dihej. Ajo e kujtonte ditën kur
ra, i ndizte qira në shtëpi e në kishë. Te varri nuk shkonte, sepse nuk e dinte
ku e ka.
Gjyshja
me Zojën e Lleshit gjithnjë kishin biseda interesante. E fillonin për
rejat-nuset e djemve, që nuk janë si ato dikur, e vazhdonin me djemtë e tyre që
kur u martuan e humben burrninë, ndërsa e përfundonin me ofshame e pikëllim për
ditët që nuk ktheheshin më.
Ditën
tjetër flisnin për gjëra të tjera.
-Sonte
asht Nata e Shënkollit,- tregonte Zoja e Lleshit. Ndërsa kur niste ta kujtonte
Natën e Shënkollit, niste e rrëfente për një vrasje që dikur e kishte tronditur
qytetin.
Dy
plakat flisnin dhe e plotësonin njëra-tjetrën për katër priftërinjtë shqiptarë
dhe Marie Shllakun që pushteti popullor i pushkatoi pas luftës, Natën e
Shënkollit.
Rrëfimi
për Marie Shllakun ishte ndër rrëfimet më tronditëse. Maria e re erdhi nga
Shkodra të organizonte rezistencën kundër ushtrisë jugosllave që e pushtoi
vendin. Por e zunë me dredhi dhe e futën në burg. E torturuan çnjerëzisht, e
gjymtuan, por nuk i nxorën asnjë fjalë, nuk e tregoi asnjërin nga
bashkëpunëtorët e rezistencës. Një natë u fut njësia speciale në burg me
qeleshe të bardha e shqiponjë në qeleshe. Njësiti e liroi Marie Shllakun dhe u
zhduk në terrin e natës. Në krye të grupit komando ishte një UDB-ash shqiptar i
qytetit, ndërsa paraqitej kinse është nga grupi i rezistencës nacionaliste. Pas
disa javësh vajza e rezistencës, e fshehur dhe e plagosur, nisi ta besonte spiunin,
e dërgoi në famullinë e qytetit që të vinte kontakte me priftërinjtë. Atë
Bernard Llupi, famullitari i qytetit dyshonte në vajtje-ardhjet e spiunit që
shtihej si i Ballit Kombëtar, por kur ai solli zinxhirin e artë të vajzës së re
me porosinë e fshehtë, ai e besoi. Dhe ra në grackë.
-E
vranë Marinë shtalb të re, e zunë me pabesi. I vranë edhe priftat, he Zoti i
vraftë, -tregonte e mallkonte Zoja e Lleshit.
Gjini
bëhej sy e vesh. Do të donte të rrinte me orë në bisedat e tyre. Ishin biseda
margaritarë, që kurrë nuk i kishte dëgjuar më parë. Dinin aq shumë për njerëzit
dhe kohën, flisnin me aq afsh për atë që ishte dikur.
Zoja
ishte shoqja e vetme e gjyshes, me te pajtoheshin për çdo gjë. E përtypnin
politikën në mënyrën e tyre.
Djaloshit
i dukeshin interesante këto biseda, sepse në shkollë nuk u thoshin asnjë fjalë
për Marie Shllakun, nuk flisnin as për priftërinjtë e pushkatuar.
Këto
biseda aty nisnin dhe aty mbylleshin, nuk duhej të kalonin muret. Mësuesi i
historisë nuk ua shpjegonte këto ngjarje, madje nuk i përmendte fare. Por edhe
Gjini e dinte se s’duhej t’i hapte temat e tilla para mësuesit apo para
nxënësve.