| E merkure, 27.12.2023, 08:55 PM |
Vit
i humbur për Kosovën
Nga
Anton Marku
Si ndodhi që qeveria aktuale ta vendosë Kosovën në gjendje lufte me
Serbinë, konflikt të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë dhe kacafytje në
baza ditore me opozitën. Rrëfimi për një tregim të papërfunduar, i cili synon
që përmes shkaktimit të kaosit të ofrojë zgjidhje ‘‘kreative’’. Pasojat e
eksperimenteve të tilla janë të dukshme për të gjithë pos për ata që po i
shkaktojnë. Mbase ata janë të përjetshëm, por vetëm në përkohshmërinë e tyre.
Fundi i vitit
zakonisht shërben për të bërë bilanc lidhur me të arriturat dhe dështimet
përgjatë dymbëdhjetë muajve. Kosova, si shtet i ri, kaloi vitin më sfidues që
nga shpallja e Pavarësisë, vit ky i mbushur me ngjarje të cilat, në një masë të
madhe, mund të përcaktojnë kahet e zhvillimit të saj në dhjetë vitet e
ardhshme. Për fat të keq ka pasur shumë pak ngjarje të cilat kanë merituar
duartrokitje.
Asnjë nga tri
Me gjithë
angazhimet tejet intensive të strukturave të larta shtetërore, të prira nga
Kryetarja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti, e të pasuar nga anëtarët e
kabinetit qeveritar, medieve të afërta me ta dhe telalëve të tyre nga ‘‘Radio
Mulliri’’ të kamufluar si analistë televizivë, asnjëra nga tri kërkesat e
Kosovës nuk u përmbush: As nuk iu hoqën masat ndëshkuese Kosovës, as nuk iu
vunë sanksionet Serbisë dhe as krye-negociatorët Josep Borrel e Miroslav Laiçak
nuk u larguan nga pozitat e tyre, për më tepër, atyre iu konfirmua edhe një
herë mbështetja e pa-rezerve nga BE dhe SHBA. Në këtë mënyrë, pa ndjekur ndonjë
strategji të qartë, u investua dhe konsumua shumë energji në drejtim të gabuar.
Veriu
Sot me veriun e
vendit nuk qeverisë Republika por frika. Ajo është emërtuesi i përbashkët i
veprimeve të pamatura dhe të pakoordinuara, të cilat kanë bërë që ato të
përkthehen lehtë edhe si shtetrrethim dhe imponim i një administrate të
dhunshme, e cila nuk pranohet nga banorët vendas. Është e pakuptueshme se si
kanë pranuar kryetarët shqiptarë të katër komunave në veri të vendit, të
populluar me shumicë absolute nga serbët lokalë, të pranojnë të shndërrohen në
kukulla në një cirk ku nuk qesh askush.
Qeveria e Kosovës
e ka kuptuar shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e shtetit si
disiplinim të qytetarëve të saj duke i vënë në karantinë, duke demonstruar
dhunë dhe duke mos bërë as përpjekjen më të vogël që të nis një proces dialogu
me ta në mënyrë që të arrihet deri te një komunikim normal, qofte ai,
fillimisht, edhe sipërfaqësor.
Punët e brendshme
Me taktizimet e
tij joproduktive, Kryeministrit Albin Kurti çdo ditë e më tepër po i ngjan
figurës së Fan Nolit, që morri pushtetin si reformator, por në këtë përpjekje
për zgjim kombëtar ose populli nuk arriti ta kuptonte atë ose ai nuk ia doli ta
kuptonte popullin.
Me gjithë disa
tentativa për përmirësim, sot arsimi dhe shëndetësia në Kosovë nuk janë fare më
mirë se sa para tri viteve, për të mos thënë se janë më keq. Në anën tjetër
presionet dhe goditjet e ulëta në adresë të gjyqësorit nuk i bëjnë nder kësaj
garniture të pushtetit, edhe pse ky sektor nuk është se ka shkëlqyer
ndonjëherë.
Bota
Duke mos ia dalë
të sigurojë asnjë njohje përgjatë tri viteve të kësaj qeverie, asnjë anëtarësim
në ndonjë organizatë të rëndësishme multinacionale, në arenën ndërkombëtare
Kosova ka shënuar, nëse jo regres, së paku vendnumërim, duke zbehur besimin e
miqve në nivel global dhe duke shtuar dyshimet në kredibilitetin e
institucioneve të saj. Edhe në këtë aspekt ky vit është për t’u harruar.
Kosovës i mbetet
edhe mjaft për të bërë në mënyrë që një ditë të bëhet pjesë e shteteve dhe
shoqërive në të cilat heronj te vitit janë pedagogët, shkencëtarët dhe artistët
e jo policët. Liberalizimi i vizave është vetëm hapi i parë.
Qoftë viti që po
vjen një vit më i mbarë!
Vjenë, 26 dhjetor 2023