| E merkure, 27.12.2023, 08:52 PM |
Duke lexuar poezitë e Engjëllushe Cane Paja
Mesazhimet
poetike të përjetimit dhe kujtesës
Nga
Dukagjin Hata
Kur
mora në dorë poezitë e poetes
Engjëllushe Cane Paja, falë përkujdesjes dhe rekomandimit të mikut tim
të çmuar me banim në SHBA, Qatip Mara, më bëri përshtypje
"rregjistri" i saj poetik, mbresat, impresionet, gjendjet nëpër të
cilat ajo është endur, në kërkim të vetvetes autentike, të atyre që e kanë rrethuar
dhe e rrethojnë në të kaluarën dhe përditshmërinë e saj.
Poezia
është magji, por dhe jetë, përjetim, gjendje, emocion, mrekulli e fjalës, e
cila buron nga shpirti fisnik, që lyp gjithëherë plotërimin dhe përsosmërinë.
Poezia
është delikate dhe e brishtë, ndaj janë të rrallë poetët në kuptimin autentik
të kësaj fjale dhe jo aq të shumtë lexuesit e shijuesit e poezisë.
Krahas
talentit, duket se Engjëllushen e ka bërë poete largësia me vendlindjen,
kujtimi dhe malli, që e kanë shoqëruar atë në rrugëtimin e saj të jetës.
Duke
u distancuar nga mjedisi ku është rritur dhe ka përjetuar çaste e kohë nga më
emocionalet, ajo e rivlerëson dhe e rikonfiguron kujtesën, në vargje, strofa e
poezi që të bëjnë përshtypje për çiltërsinë dhe freskinë e tyre.
E
larguar nga vendlindja në kërkim të një jete tjetër, ajo, tani pas kaq kohësh
vetmimi, duket se po mbledh grimcat e kujtesës për t'i përcjellë tek lexuesi si
mesazhime poetike.
Akti
i saj estetik është i natyrshëm, nuk klith dhe nuk merr poza, ndaj poetja duket e besueshme, plotësisht e
besueshme, në ato që thotë dhe komunikon me lexuesin.
Engjëllushja
"shqyrton" grimca të vogla jete, çaste dhe stinë, kohë dhe ëndrra, të
cilat i nxjerr nga "Kutia e Pandorës" dhe i bënë "pronë" e
atyre që duan të jenë bashkëudhëtare të saj në shtigjet e vargut dhe emocionit.
Në
këtë kuptim, poetja nuk kërkon eldorada kozmike dhe transhendente, por na
përcjell kujtesa, imazhe dhe gjendje që janë krejt të sajat, sa fluide aq dhe
të prekshme e konkrete.
Familajrët
e saj, nëna, vëllai, fëmijët, nipërit, mbesat, miqtë me të cilët e lidh jeta e
vështirë në emigracion, janë disa nga motivet kryesore të poezive të
Engjëllushes.
Ditëlindjet,
ndarjet, ikjet, kthimet, fshati i saj, atdheu, përjetimi nga larg i gjithçkaje
që ndodh në "Itakën" e saj, janë disa nga qendrat e gravitetit
emocional, ku vërtiten poezitë e Engjëllushes.
Në
poezitë e saj ka lirizëm, ngrohtësi, thjeshtësi, temporitëm; janë poezi të
shkruara, si të thuash, me lëkurë, janë akuarele me ngjyra të ndezura malli dhe
mungese, ku uni poetik kërkon ekuivalencat emocionale dhe shpirtërore. Poezitë
e Engjëllushe Cane Paja janë vizatime të kujtesës në kohë, gjendje dhe emocione
jetësore, që siç duket e trazojnë autoren dhe e shtyjnë atë drejt relizatës
poetike.
Në
vargjet e poetes ka gëzim, trishtim e dhimbje, pezm e dashuri, trill e vetmi,
të cilat shpërfaqen me një gjuhë të thjeshtë dhe mjaft komunikuese, e cila na
mundëson shpalimin e botës së trazuar të poetes, në këtë kohë aq të ngarkuar që po përjetojmë
të gjithë.
Duke
lexuar poezinë e saj, të duket sikur përballesh me efektet e çlirimi nga barra
e kujtesës, si në një kurë "teraupike", pas një mpirje të gjatë e
ankthi dhe ky është efekti i poezisë së zemrës, që shkruhet për të qenë mirë me
veten dhe me të tjerët. ajo na ofron një mundësi për ta parë ndryshe botën, për
ta modeluar atë sipas shijeve tona më të mira.
Mendoj,
se përveç tematikës jetësore, që lidhet me aspekte të unit të saj të trazuar,
është mënyra e të shkruarit, thjeshtësia dhe natyrshmëria e depërtimit në
"lëndën e parë" të rrëfimeve të saj, fuqia e figurës dhe e mendimit
poetik, ato që i bëjnë poezitë e saj të lexohen me një frymë dhe të
pas-shoqërohet me rëflketim rreth të ndodhurës së bërë objekt pasqyrimi
estetik.