| E merkure, 27.12.2023, 08:55 PM |
KUR KRIJUESI BËHET KËSHTJELLË E RESPEKTIT DHE E MADHËSHTISË KOMBËTARE DHE FIGURË E RRALLË KOMPLEKSE, INTELEKTUALE DHE STUDIUESE
(Përkitazi
me librin e shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA “Njeriu ‘pa’
vendlindje”)
Nga
Neki LULAJ
Sa e çuditshme është jeta e njeriut. Sa më shumë
shpeshtohen rrudhat mbi ballë e thinjat si hone mjegullash mbi kokë
thellohet në ditët e pleqërisë e aq edhe më shumë shtohet nostalgjia.
Çuditërisht njeriu sa fortë lidhët nyje me atdheun e kombin, me truallin e
babës, me shtëpinë ku për herë të parë i ka i rënë koka, ku u lind dhe i
mori hapat e parë të jetës! Nga thellësia e shpirtit dhe nga qenia e brendshme,
diçka hyjnore e ushqen një dëshirë e parealizuar, e cila vetvetiu të kthen në
copëzat e jetës së shkuar fëmijërore me vapë, me shi, me lule, me ferra, me
breshër, me suksese, me befasi, me vaj e gëzime, me lojërat e këngët e fëmijëve
me plotë djersë, në oborr, te pusi, te livadhi, te rruga e lagjja.
Është paradoksale thënia proverbiale për
vendlindjen, se sa më larg sysh, aq më larg zemrës, çfarë nuk qëndron,
sepse, vendlindja është qenia më e dashur që kthehet në dashurinë prindërore
dhe kështu malli dhe dashuria e largësisë shndërrohen në dashurinë e çmuar të
një afërsie të pashpjegueshme. Pra, sa peshë ka kur njeriu nuk pranë së
kërkuari rrënjët e veta, djersën e derdhur, bukën e misrit të pjekur nga nëna
me çerep nën saçin e skuqur. Andaj, kjo madhështi, sa është njerëzore aq edhe
humane.
Kështu, miku im asnjëherë nuk pushoi së rënkuari në
kërkim të vendlindjes pa shtëpi(!), si rrënjët më të çmuara të themelit.
Dhe, pikërisht nën prizmin e kësaj kërkese ka sendërtuar bagazhin e ideve
irracionale të mishëruara si kockë me ashtin e idealit human. Pra, gjithnjë
duke kuptuar se jeta rrjedhë si ujërat e përrenjve në kohë shirash nën urën e
jetës duke ngelur vetëm si kujtim...!
* *
*
Autori i
librit „Njeriu ‘pa’ vendlindje”, me mbi 500 faqe, Sejdi Berisha, që është
botuar në vitin 2019 e i shkruar në periudhën kohore 2017, 2018, 2019, ka bërë
një punë kapitale, ku në mes shumë gjerave të bukura që lexuesi gjen brenda
kësaj vepre me vlera të pa kontestueshme kombëtare shkruan:
“Diçka na ndanë
E diçka na bashkon
Dhe njeriu
Ka nevojë për vetveten
Jo për ta hapur
Por për ta mbyllur
Kutinë e Pandorës!”
(Sejdi Berisha)
Edhe këto
vargje reflektojnë se libri “Njeriu ‘pa’ vendlindje” është me vlera të rralla
dhe karakteristike artistike, por edhe me mjaft impresione e sfida
jetësore, ndaj edhe ruan brenda saj të dhënat shpirtërore të latuara me shumë
mjeshtri, mu ashtu si për t`na kujtuar një shkas e arsye për të zbritur
shkallëve në psikologjinë e brendshme të shkrimtarit, por ka edhe një arsye të
madhe dhe domethënëse se si autori ka zgjedhë si temë dhembshurin dhe lumturinë
e tij jetësore si pikë reference.
Ky libër
është një thesar i kulturës dhe letërsisë kombëtare, pra është një portë
kështjelle e hapur e cila na lejon të hedhim një vështrim të thellë në botën
dhe personalitetin që e ka formuar atë. Autori është një pikë e veçantë dhe
ndoshta edhe unike referimi për të gjithë ata që duan ta mësojnë ndrydhjen
shpirtërore nënçmimin, nëpërkëmbjen e familjeve shqiptare nga një e kaluar e
hidhur. Pra, duke u frymëzuar nga leximi i librit, lexuesi detyrimisht futet në
analizën e thellë dhe në shpirtin e autorit dhe kështu të ecën nëpër shkallët e
jetës së tij plotë halle derte e brenga por edhe lumturi...!
Këtu,
autori na ka sjellë imazhe tejet mahnitëse, rrëqethëse dhe tejet shtrënguese,
por gjithmonë i lidhur për madhështinë dhe fjalën e prindërve të vetë si
stoik pedant dhe i dashur, andaj po thuaj se kjo vepër është libër
autobiografik.
Andaj,
autori sikur është një, i pari dhe i veçantë i cili përfshinë historikun e
vuajtjeve ekstreme dhe cilësinë magjike që di të na diktojë jeta me dhembjen
dhe lumturinë e saj. Ky, përmes punës së tij dinamike dhe optimizmit bindës, pa
hamendje se ka ndërtuar “Kështjellën e respektit dhe të besimit” të të tjerëve.
Këtë madhështi krijuese dhe jo vetëm krijuese, e ka arritur me punën dhe
aftësitë e tij si figurë e rrallë dhe komplekse intelektuale dhe krijuese.
Kolonizimi qyqar dhe
jeta prej çipçiut...
Pushtuesi i
egër gjithmonë i kishte qëllimet gllabëruese dhe me metodat e tij primitive ta
poshtërojë njeriun tonë të pa thyeshëm me mënyrat dhe metodat e tyre më
satanike. Babai i autorit të librit “Njeriu ‘pa’ vendlindje”, si krye
personazh, është kryefamiljari i dëbuar bashkë me familje nga shtëpia trualli
dhe vendlindja të cilit i duhet detyrimisht ta bëjë jetën e çipçiut për
mosbindje.
Ngjarjet e
rënda dhe shumë të hidhura datojnë atëherë kur filloi kolonizimi i tokave
shqiptare me serbë dhe malazezë dhe kur shteti hegjemonist i atëhershëm
jugosllav në tokat dhe shtëpitë e shqiptarëve “atdheson” kolonistë zuzarë
duke i dëbuar shqiptarët, e në këtë rast kur dihet se Bajram Berisha (Babai i
autori), është lindur në fshatin Prapaqan, në shtëpinë dhe tokën e vetë, duhet
detyrohet ta lë shtëpinë dhe fshatin e vetë...
Peripecitë
e kësaj drame zënë fillet që nga lindja e autorit në shtëpinë e dajës në
fshatin Lëbushë të Deçanit. Ardhja në jetë e djalit të Bajramit pas katër
vajzash ishte gëzimi i pa përshkruar në familjen Berisha e për prindërit ishte
drita vezulluese, e cila për kundër gjendjes së rëndë dhe skamjes së madhe,
tani familjes i shtohet gëzimi, jeta dikton gëlon dhe frymon ndryshe me
impulse të reja shpresëdhënëse. Gjatë leximit të këtij libri, disa herë vetës i
kam bërë pyetje duke me shkuar mendja tek ajo thënia e vjetër “Toka njeriun e
pathyeshëm e kalitë, e rreshkë dhe e bën stoik“. Befasohem për të mirë se si ka
mundur autori të gjitha ato ngjarje të rrugëtimit jetësor t’i mbajë në mendje.
Duke parë
se në personalitetin e Sejdiut është çimentuar fëmijëria, rinia dhe burrëria si
dhe hallkat e tjera të jetës, të cilat kujdesshëm me një mjeshtri të rrallë i
ka përjetësuar në faqet e librit. Dhe shih. Plagë e pashëruar e shpirtit për
autorin është fshati Shaptej, ku dikur kanë jetuar si çipçi dhe ku i vdes edhe
motra dhe sot e kësaj dite autori shkon atje ku pranë një lisi-bungu i pushon
trupi i pajetë i së motrës dyvjeçare.
Kjo do të
thotë se prindërit bashkë me fëmijët e tyre kanë bërë jetë nomadesh që kur u
dëbuan nga Prapaqani në Lëbushë dhe pastaj për jetuar në fshatin Shaptej dhe në
fshatin Carrabreg, ku ky krijues atëherë rritët për shkollë dhe
regjistrohet në klasën e parë shkollën fillore. Mësues të parë e kishte
Ali Sutaj, më vonë një krijues i dalluar dhe themelues i shumë gazetave e
revistave. Nga ky intelektual i veçantë,
i merr mësimet e para, e që për Sejdiun ai ishte një personalitet i rrallë nga
i cili mësoi shumë dhe nga i cili vjeli frytet më të çmueshme të jetës. Në
shkollën fillore ishte nxënës i dalluar me një talent të rrallë në mësime
dhe sjellje çka jep për të kuptuar se ishte i aftë që ta kryente me sukses çdo
shkollë ku do të regjistrohej.
Valët e jetës që
dhembshëm u ngjajnë stinëve të vitit...!
Nga fshati
Carrabreg, babai i autorit me familje bën prapë një lëvizje tektonike (apo bën
tronditje shpirti) duke u shpërngulur dhe vendosur në Pejë, kuptohet si çirak,
por kjo lëvizje ishte mirë e menduar dhe me shkas që autori i librit më
vonë të regjistrohet në shkollën e mesme, kurse babai i shkrimtarit si punëtor
krahu ta sigurojë ekzistencën familjare.
Sejdiu
dallohet në gjimnaz si nxënës me një talent të rrallë (sidomos në lëndët e
gjuhësh dhe letërsisë shqipe, në biologji dhe gjeografi) dhe me sjellje
shembullore. Jeta në qytet me bashkëmoshatarët e shkollës ishin krejt ndryshe
nga jeta që kishte bërë më parë kur ishte i vogël në fshat. I riu është herë si
furtuna herë si breshëri e herë si shiu, në vitin e katërtë të gjimnazit pak me
dreqërit e elanit rinor në korridorin e shkollës (me ose pa dashje) i përplaset
për dysheme busti i një figure të madhe
politike i cili behët copë-copë...
Atë botë
drejtoria e shkollës merr vendimin rigoroz duke e përjashtuar menjëherë nga
procesi arsimor, pra nga shkolla. Përjashtimi nga gjimnazi, krijuesin e rëndon
tej mase, në një anë duke e mbajtur fshehtë “gabimin” e bërë nga prindërit, e
ne anën tjetër, duke e ndier vetën fajtor për një gjë që tani me kishte
ndodhur.
Mbajtja
fshehtë para prindërve për këtë ngjarje dhe dalja e tij ne mëngjes herët
nga shtëpia kinse se po shkonte në shkollë dhe qëndrimi i tij në qytet deri në
kohën kur përfundonte mësimi nuk zgjati shumë dhe takimi me babanë e tij në
qytet dhe fjalët e prindit të tij: “Sejdi, a je duke shkruar në shkollë... ...A
apo të kanë përjashtuar?!”...
Ishin
shokuese për autorin, i cili aty për aty i betohet babait se përnjëherë me
gjeneratën e klasës do ta kryente gjimnazin...
Nëpër
vegëzat e jetës gjithmonë ka hallka dhe fat ardhje, kështu autorit të librit i
mundësohet që me provime private ta kryente atë klasë dhe të përfundonte
gjimnazin bashkë me moshatarët e vetë, duke u diplomua në gjimnaz me sukses të
shkëlqyeshëm për t’u regjistruar pastaj në Fakultetin Filozofik, dega Gjuhë dhe
letërsi shqipe në Prishtinë.
Duke i
përballur me kushte të rënda ekonomike e sociale, autori i këtij libri në atë
kohë pa e përfunduar fakultetin punësohet në Radiotelevizionin e Prishtinës si
gazetar. Pastaj, ka punuar edhe në shumë mjete të informimit ku tani dallohet
si intelektual i brumosur si një krijues me taban kombëtar.
Jeta me
dallgët e saja si tufani e ka përplasur nëpër “Purgatorin e Dantes“, andaj edhe
e ka kalitur djersa dhe mundi e babait duke e bërë njeri të urtë, të dashur, të
afërt, mikpritës dhe me famë edhe si autor i mbi dyzetë e tri veprave, që për
artin dhe kulturën S. Berisha është thesari më i çmueshëm i Dardanisë
tonë...!
Miku i
librit, intelektuali dhe lexuesi i pasionuar cili e ka në dorë ose do ta ketë
librin “Njeriu ‘pa’ vendlindje” dhe e lexon me përkushtim e vëmendje, do ta
gjejë mes faqeve të saja lotin e tharë, ofshamën shpirtërore, qëndrimin
burrëror prej një autori intelektuali dhe një të dashurie të madhe prindërore,
i cili pëson një termet personal me rastin e vdekjes të shtyllës së
familjes-babit, e me vonë edhe me amshimin e nënës. Këto dy shtylla të
përjetshme, si në prozë por edhe në poezi, autori i ka si balada shpirti dhe
plagë të pashëruara.
Dardania,
pa dashje rrëshqiste mbi akullin famëkeq të hienave të Karpateve, kështu u
krijua një gjendje e rëndë tanimë nën okupim, duke përjetuar largimin masovik
të shqiptarëve nga vendet e punës si teprica teknologjike dhe duke i
zëvendësuar me ata që vinin nga pjesët e ndryshme të Serbisë. Dhe në vazhdimësi
duke pamundësuar jetën e shqiptarëve në trojet e veta deri në shpërthimin e
luftës, duke angazhuar grupet kriminale e paramilitare e policore, të
cilët plaçkitnin, vrisnin djem, pleq, gra e fëmijë, dhunonin e digjnin çdo gjë
që ishte shqiptare. Kjo katrahurë në vazhdim dëboi padrejtësisht po thuaj të
gjithë shqiptaret nga atdheu i tyre. Katrahurën e dëbimin e shqiptarëve me
dhunë e përjetoi edhe autori i librit, Sejdi Berisha, të cilin vala e lumit e
përplasi në një burg në Gjermani duke qëndruar aty ca ditë, pastaj qëndrimi i
tij i përkohshëm në Austri dhe Zvicër, janë edhe një pjesë e odisejadës
së tij shpirtërore.
Kthimi i
tij në Pejën e dashur dhe gjetjen e shtëpisë së djegur bashkë me shumë libra e
literaturë e gjera të vlefshme që i kishte tubuar nëpër vite si „këmba qelbin“,
ishin një ofshamë shpirti e dhimbje si edhe shtëpia e plaçkitur, e djegur e
shkatërruar.
Është tejet
interesant se autori i këtij libri fjeti disa net në oborrin e shtëpisë së
djegur nën qiellin e hapur, duke ndier një lumturi shpirtërore se Dardania
tanimë frymon lirshëm dhe është e çliruar duke ikur armiqtë shekullor me bisht
nën shalë.
Libri i tij
“Njeriu ‘pa’ vendlindje” nuk është trill as fantazi e shtirur, por është një e
vërtetë e përjetuar nëpër shkallët e jetës që nga lindja e deri në botim,
ngjarjet e të cilit burojnë nga shpirti i çiltër dhe i dëlirë me një mbamendje
të rrallë e që kjo pasuri e rrallë kombëtare gjithmonë do të na hyjë në punë si
sot, por edhe në të ardhmen si temë e veçantë për studim..!
Autori, me
një fjalë përveç dëshirës dhe motivimit vetjak ka gjetur dhe mbledhë forcën e
arsyes duke folur matur mbi një të vërtetë të përjetuar me shpirt dhe ndjenja!
Po kush
është Sejdi Berisha?! Ai është një nga shumë njerëzit dhe “Njeriu ‘pa’
vendlindje”, është urtaku mendjendritur, intelektuali i zgjuar, i afërt, i
dashur, fisnik e bamirës, kombëtar dhe i vendosur me gjithë peshën e
viteve që mbanë mbi supe, është burrë që me një gatishmëri të rrallë di
t’u dalë në ndihmë dhe t’u ofroi krijuesve të ri, duke iu dhënë këshilla
dhe duke iu hapë horizontet e shtegtimeve letrare. Ai është model i veçantë,
unikat çfarë nuk e ndeshim të shkrimtarët e tjerë me zë. Ai disponon me një
aftësi të rrallë, duke hyrë në thellësinë e vargjeve dhe temave kur bën
analiza.
Andaj,
krejt në fund. Autorit të librit “Njeriu ‘pa’ vendlindje”, Sejdi Berisha, i
uroj jetë të gjatë shëndet rehati e begati në art dhe familje!