| E marte, 26.12.2023, 08:55 PM |
1990/Letra që i dënuari Haxhi Baçinozi i dërgoi Nexhmije Hoxhës: Krimet tuaja s’ka sociolog dhe shkrimtar në botë që t’i përshkruajë
Haxhiu në hetuesi pas revoltës së Qafë Barit në
vitin 1984 dhe letra e vitit 1990 dërguar Nexhmije Hoxhës
Nga
Kastriot Dervishi
Haxhi
Shefqet Baçinozi, lindur më 2.7.1957 në Fier, banues në Radostimë të Rrethit
Fier, u nda dje nga jeta. Plumbat i morën jetën një prej të dënuarve politikë
më qëndrestarë e më të papërkulur ndaj regjimit komunist. Në këtë çast të
dhimbshëm për familjen e tij, kam dëshirë të kujtoj burgosjet dhe letrën e
jashtëzakonshme drejtuar bashkëshortes së diktatorit komunist të Shqipërisë.
Haxhiu
ishte efektiv i repartit ushtarak nr.4832, Poshnjë Berat, kur u arrestua më
11.8.1981. Me vendimin nr.7, datë 30.1.1982 në Kolegjit Ushtarak të
Gjykatës së Rrethit Tiranë, u deklarua fajtor kryesisht në bazë të nenit 55 të
Kodit Penal dhe u dënua me 10 burgim. Së bashku me të u dënuan edhe Agim
Sula nga Tirana dhe Dashamir Lufta nga Elbasani. Gjatë vuajtjes së dënimit, për
pjesëmarrje në revoltën e Qafë Barit, me vendimin nr.3, datë 3.6.1984 të
Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, u dënua me 20 vjet burgim.
Më
18.2.1990 ai i dërgon një letër Nexhmije Hoxhës, asokohe drejtore e Institutit
të Studimeve Marksiste-Leniniste dhe kryetare e Frontit Demokratik të
Shqipërisë, në të cilët shkruan për krimet e regjimit ndaj shqiptarëve në
përgjithësi dhe atyre të Kosovës në veçanti. Nexhmija nuk lë shënim në letër,
por Leka Shkurti, ia përcjell më 5.3.1990 zëvendësministrit të Punëve të
Brendshme, Zylyftar Ramizit. Ky i fundit kërkon të dhëna prej zëvendëskryetarit
të Degës së 8-të (që mbulonte kampet dhe burgjet) të Drejtorisë së Parë të
Sigurimit të Shtetit në MPB, Nazmi Domi. Në përgjigjen e datës 12.3.1990, Domi
shkruan se qysh prej datës 17.6.1984, Baçinozi vuante dënimin në Burgun e
Burrelit ku mbante “qëndrim shumë negativ”. Në fillim të vitit ishte takuar me
të prokurori i përgjithshëm në burg, por edhe para tij kishte mbajtur “qëndrim
të keq”. Më 23.2.1990 kishte qenë njëri prej 32 të burgosurve që shpallën
grevën e urisë.
U
lirua nga burgimi me dekretin nr.7471, datë 12.3.1991 të Presidiumit të
Kuvendit Popullor (nr.149 i listës), kur i kishin ngelur edhe 3 vjet nga
dënimet e dhëna. Vuajti gjithsej 9 vjet, 7 muaj e 18 ditë. Mbeti gjithnjë i
kthjellët si antikomunist.
***
Letra
drejtuar Nexhmije Hoxhës
Znj. kryetare!
Një
kosovar i dënuar në Shqipëri me burg të përjetshëm kërkon përgjigje. Quhem
Haxhi Baçinozi, pinjoll i një familje luftëtarësh që qëndruan në malet e
Kosovës 15 vjet me radhë me armë në dorë, më hollësisht shih Enciklopedinë
Shqiptare! Jam arrestuar në radhët e ushtrisë në vitin 1981 krimi agjitacion e
propagandë, paragrafi nr.55 i Kodit Penal dhe duke vuajtur dënimin në burgun
skëterrë të Qaf Barit. Në maj 1984 arrestohem përsëri, por kësaj radhe si
pjesëtar i organizatës kundërrevolucionare, fantazia e bandës kriminale të
Sigurimit të Shtetit nuk njeh kufi, imagjino organizatë kundërrevolucionare e
krijuar brenda telave me gjemba e grykës së mitralozave dhe me këtë mora një
dënim të përjetshëm e gjendem në burgun mesjetar të Burrelit, natyrisht mbas
një torturimi fizik dhe psikik dhe një gjyqi me dyer të mbyllura dhe në mbarim
të gjyqit më merret akt-akuza me dhunë nga inkuizitorët e mi, e të
dhjetëra-mijëra të pafajshmëve si unë, këto ishin një e qindta e atyre që unë
kam heq, e po heq aktualisht në burgun tuaj shfarosës të Burrelit.
Të
përshkruhen krimet e gjenocidit që ushtrohet mbi popullin shqiptar nga regjimi
juaj rreth një gjysëm shekulli me radhë, duhen penat e sociologëve e
shkrimtarëve të të gjithë botës dhe zor se do të ishin në gjendje me e
portretizuar realitetin tragjik të këtij populli të martirizuar. Por desha t’ju
pyes ju çfarë i kam bërë unë shtetit konkretisht dhe kush jam unë? Një njeri
krejt i thjeshtë me arsim fillor, pra kuptohet edhe aftësia ime për t’ju
rrezikuar juve pushtetin.
Për
të tilla “krime” asnjë lloj regjimi diktatorial as që do të merrte mundimin me
më pyetur dhe jo më të më merrte rininë dhe krejt jetën time, përveçse regjimi
juaj gjakatar.
Ku
keni ju gojë të flitni për humanizëm apo për të drejtat e njeriut, kur ju keni
46 vjet që torturoni një popull 3 milionësh që Shqipërinë e keni kthyer në burg
28 mijë km2. Mbasi nuk njeh historia që një vend të quhet shtet e të jetë i
rrethuar me tela me gjemba. Ju arritët t’i shpërfytyroni shqiptarët duke i
shkaktuar dëme shqiptarëve, si mund të flitni në mbrojtje të kosovarëve kur me
qindra kosovarë që erdhën në Shqipërinë e pas luftës vdiqën ose u gjymtuan
përjetë në kampet e burgjet shfarosëse të çifligut të burrit tuaj. Kalaja e
Gjirokastrës, Maliqi, Tërbufi, Thumana, Bedeni i Kavajas, Zadrima, Bulqiza,
Spaçi, Batra dhe maja e ajsbergut të krimeve, Burreli, do të kujtohen brez pas
brezi si varrezat e mijëra shqiptarëve të pafajshëm në këto vende pellgje gjaku
kufomash e gjymtimesh. Ka arritur të hajë të vjellat e shokut i burgosuri juaj,
atëherë me ç’të drejtë flet për kosovarët kur sot e kësaj dite dergjen prej 3
dekadash me dhjetëra kosovarë, një përqindje e vogël e atyre që janë shfarosur
nga banda kriminale e sigurimit të shtetit, me sloganin e njohur “agjentë të
UDB-së” jugosllave. E atëherë si mund të flitni për kosovarët që jetojnë në
Jugosllavi, kur ju s’keni lanë krim as poshtërsi pa ju bërë e që me dhjetëra si
unë na mbani hala në burg, kur në Jugosllavi asht demokracia amerikane nëse
mund të bëhet krahasim me terrorin që ekziston në burgun tuaj 3 milionësh. Ju,
me paturpësi arritët me i bë telegram Nelson Mandelës, duke e ngushëlluar për
“vuajtjet” në burgjet raciste, kur ai bën burg me çokollata dhe është politikan
i deklaruar dhe kur në burg takon gazetarë e personalitete nga e gjithë bota
dhe në rast sëmundje, kurohet në klinika private. Kurse mua, e qindra si unë,
njerëz të zakonshëm, nuk lejohet as shokë, as miq as farë e fis, vetëm familja
në takim dhe ky takim vetëm 10 minuta në muaj nëpërmjet një sporteli të
blinduar ku nënat tona nuk na shohin vetëm 1/3 e fytyrës. Po kufizimi i
ushqimit në 2 kg në muaj. A ka krim më çnjerëzor se një trajtim I tillë dhe
kundër kujt pa? kundër njerëzve të pafajshëm, a mendon se nënat e motrat
shqiptare këtu në Kosovë i ke veshë në të zeza, sa gra i ke lanë të veja dhe sa
mijë jetimë. Për këto gjana nuk do të ketë as sociolog, as shkrimtar në glob
t’i përshkruajë apo portretizojë realisht një gjenocide të tillë, që nuk njeh
asnjë periudhë e historisë njerëzore. Ju kujtoj një thënie shqiptare se “met
nana pa djalë, se nuk met gjak pa marrë”!
Jua
drejtoj këtë letër me qëllim përgjigje dhe përgjigjja juaj do të jetë
ekzekutimi im. Por jam krenar t’i jap fund këtij poshtërimi dhe asgjësimi të
ngadalshëm.
S’kam
frikë nga vdekja, se jam pjellë e atyre që veç pushka i ka marrë dhe vdekjen e
kanë përbuzë. Natyrisht që ju nuk do të keni kurajo me mekzekutu direkt, por me
metoda të stërholluara siç keni bat tash e 46 vjet, por dije se gjithë
shqiptarët nuk do t’i shfarosësh.
I
dënuari politik, Haxhi Baçinozi
18
shkurt 1990
Gazeta 55, 17 Mars 2019