Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Në vend të një urimi për ditëlindje
E merkure, 20.12.2023, 07:59 PM
NË
VEND TË NJË URIMI PËR DITËLINDJE
Visjan
Ukcenaj, ti që guxove më shumë se munde dhe po shpërblehesh me çfarë mëkon me
mish e me shpirt
Nga
Albert Vataj
Privilegji
të të kem nip, më ka stepur të shkruaj për ty kohë më parë, për të të
mbështetur dhe inkurajuar, për të qen me ty në nevojë për të mos u ndjer vetëm.
Kam hezituar në përpjekje për të mos shkelur në parimet e profesionit.
Gjithsesi, sot në ditëlindjen tënde kam legjitimitetin të guxoj, dhe
fatmirësisht kam diçka të them, siç mund të isha i nderuar të shprehesha edhe
nëse ju do të zgjidhnit tjetër rrugë, larg vëmendjes së njerëzve dhe fokusit
publik. Dhe kjo nuk ka lidhje se të kam përkundur në të njëjtin shtrat ku u
rritëm unë dhe nëna jote, por për kurajën që pate për të besuar në përmbushjen
e ëndrrës tënde. Patjetër edhe për guximin për të guxuar t’i përkasësh një bote
sa të magjishme, të andshme, të bukur, ledhatare për sedrën, lakmitare për
ambicien, po aq edhe të përbindshme dhe të pamëshirshme për integritetin.
Nipi
im, të kam ndjekur që kur ëndrra jote e skenës sapo kishte nisur të hidhte
hapat e parë. Të kam përcjellë me vlerësim dhe kritika në sfidat tuaja
fillimore. Kemi biseduar dhe kemi bashkëndarë mendime për artin dhe aktrimin,
për të themeltën e ngulmët, që duhet kërkuar për të qenë një identitet unik në
një botë sfidash dhe kulmimesh të ethshme të përfaqësimit. Të kam përcjellë në
daljet tuaja publike, ndoshta nuk jam dakordësuar me disa nga qëndrimet dhe
mendimet tuaja, por kam vlerësuar guximin që ju keni shpërfaqur për të
përfaqësuar veten, për të qenë i tillë në çdo prizëm të përthyerjes së
reflektimit. Kam qeshur me lojën tënde në Apartamenti 2XL. DUPLEX dhe
Klanifornia, siç të ndjek me adhurim dhe konstatoj një rritje të cilësishme të
manifestimit të vlerave tuaja interpretuese në Portokalli.
Ti
po rritesh në vite dhe në pretendimin, për të konturuar më qartë dhe më
ngulmët; tipat dhe karakteret, personazhet dhe personalitetet, identitetet dhe
integritete që zgjedh t’i mishërosh përmes lojës tënde, pasionit dhe shpirtjes
që e shndërron aktrimin në një përfaqësim dhe përgjegjësi.
Rrugëtimi
yt në këtë ngjitje shpresoj të jetë i gjatë, sepse edhe këmbëngulja, vendosmëri
dhe sakrifica që të është dashur të blatosh në themelet e kësaj ëndrre janë jo
të pakta. Sepse janë disa gjëra që ndodhen përtej asaj që për ne është e
mundshme.
Visjan,
të mbërrish deri këtu ku ndodhesh, jam i sigurt se të është dashur shumë punë
dhe shumë mund, shumë përpjekje dhe pafund sakrifica. Nuk ka qenë e lehtë të
bëhesh pjesë e një bote, të cilën deri dje e ke kundruar si diçka eterne dhe
ëndërrtare. Dhe sot që je pjesë e saj, e kuptoj, më shumë se ti mund të thuash,
se të është dashur dhjetëfish më shumë përpjekje, shumëfish më shumë besim dhe
vendosmëri, punë dhe rraskapitje.
Sa
e sa si ti, kanë patur ëndrrën tënde në sirtarin që kurrë nuk kanë patur fatin
që ta hapin dhe janë pikërisht ata që shohin veten e tyre të shëmbëlluar te ty,
të ajo që ti ke arritur dhe ajo që do të të duhet të bësh për ta çuar më tej
ambicien tënde dhe për ta ngjitur më lart yllin tënd të famës.
Rruga
jote qoftë e gjatë dhe shkallaret e karrierës shkofshin sa më lart. Unë besoj
te ty, te personaliteti yt, te karakteri yt, te vendosmëria për të arritur
gjithçka me shumë punë dhe mund, me pasion dhe dashuri të lartësuar në qëllim.
Gëzuar
ditëlindjen me më të shtrenjtit tuaj, me ata që kanë besuar te ty, ata që të
kanë dritën e syve dhe shohin përmes teje dhe arritjeve tuaja ç’farë kanë
dashur me gjithë zemër dhe dëshiruar me gjithë shpirt.