| E enjte, 21.12.2023, 09:50 PM |
Ti
grua...!
Nga
Albert Vataj
Ti,
ti je reale?!
Mundesh
të jesh e mundshme në mundim dhe sfilitje, në ëndje dhe dalldi, në hir dhe
hyjnim, apo vetëm trill torturues i imagjinatës, poetike deri në hyjnim dhe
prozaike deri në metamorfozë?!
Je
çfarë unë dua, e lartësuar në solemnitetin e dëshirimeve dhe adhurimeve, apo
çfarë ti mundesh të jesh, në zakonshmërinë e qenies?!
Je
ajo pjesë e vetvetes sime që del dhe hyn përmes trokitjeve të shpejtuara të
zemrës dhe frymëmarrjes së ndaluar, ai ceremonialitet ëndjeje që shpërfaqë
gjithë spektaklin e ngjyrave dhe kungon aromat e dehjeve harrimtare, apo përtej
ku fjala ime mbërrin dhe ëndrrat e mia fluturojnë?!
Ti
je bekim dhe mallkim në botën që shenjtëron djallin, je aty ku gjithçka bëhet
ëndërrtare dhe zhbëhet në një prekje, je dritë që gjithçkasheh dhe terratis që
ngulet thellë në kurmin natës, apo zgjedh të jesh çfarë ti je dhe unë nuk
mundem ta rroku me mendim dhe përjetim?!
Ti
je gjithçka, ajo që dua deri në vetmohim, po, dhe ajo që urrej për vdekje, je
vetvetja e shprehshme përmes çdo forme dhe gjendjeje të lëngët dhe tejdukshme,
ku unë shihem me ty dhe me veten në një pamshmëri që i druhem, apo, po kështu
don të jesh?
Ti
grua, zgjedh ti se çfarë don të jesh, realitet apo imagjinatë, ajo brinja e
shkulur në Eden dhe që më ngulet në padurimin tim për të të zotëruar deri në
azgjesim?!
Gjithsesi,
ti je grua, ajo që i ka mëkuar jetës qenien dhe magjinë e epshit, ajo që jep
kuptim gjithçkaje prej zëfilljes deri në harrim.
Grua
ti je ajo që qielli ka shkruar në çdo qeliz tënden dhe e lexon në çdo gjendje
të frytshme që i jep trajtë ekzistencës.
Ti
që shëmbëllen çdo bukuri dhe vetë hiret e jetës i mëkon me gjirin dhe mishin
tënd... ti ëndje e çdo dëshire dhe epje e çdo dashurie, ti e përulura e çdo
adhurimi dhe kreshta e çdo kapërthimi besimi, ti... jep çfarë i merr mrekullimi
krijimit, jep jetën tënde në çdo thërrmijë që vetë Zoti gjen një shkas krijimi
si mundësi e shtytjes tej caqet e pafundësisë.
Ti
grua, shpengimi i çdo frymëzimi dhe epshi i çdo afshi që prek me hukam drite e
duhmë shpërthimi çdo çast që kërkon prehjen dhe prekjen tende.
Ti,
e hirshmja dhe hyjshmja grua, ti që shemb muret e territ dhe ngre altare në çdo
frymëmarrje e prekje buze që platit në çdo plagë, je e bukur, je vetë
shëmbëllimi i atij përkushtimi shpërblyes që meriton përkushtim dhe mirënjohje.
Nuk
ka tjetër bukuri, veç teje, bukuri e cila shkëlqe prej fjalëve ledhatuese,
rritet në sytë adhurues dhe ëndjen tonë të harlisura ndër përfytyrime e
magjepsje. Qëndisur përplot pasion me vargje, melodi, ngjyra dhe legjenda, për
të mbetur rrezatuese dhe më i mahnitmi krijim që ka endur dëshira e një zjarri
dritues. Për të mbetur përgjithmonë një miklim i natyrës, një përkujdesje
delikate që i jepet solemnisht dëshirave dhe pasioneve.
Çdo
bukurie përthyhet në kristalin e hireve të tua.
Çdo
ëndje, qëndisma yjesh i blaton bukurisë tënde.
Çdo
dritë derdhet mbi ty si mbi një dëshirim joshës.
Çdo
ëndërr, krahë i jep fluturimit në qiellin e kësaj dalldie që merr shkas prej
dehjes që mëkon ti.
Ti
shpreh në gjithçka atë çfarë të mrekullon.
Ti
je një bukuri, së cilës çdo gjunjëzim e lartëson, çdo zjarr e bën të shkëlqejë
si një diell.
Ti
je, vetanake në të drejtën për të qenë një dhuratë, për të qenë gjithçka që të
shenjtëron, bij, grua, nënë.
Të
je më e larta dëshirë dhe më e ethshmja dhimbje, së cilës i jepem, si vullnetit
dhe përulësisë së besimit.
Përulem
Zot para Teje dhe vullnetit Tënd krijues dhe atij përkushtimi shpërblyes që
meriton veç mirënjohje!
Amen!