| E marte, 19.12.2023, 09:54 PM |
Enciklopedia poetike e Nebih Bunjakut:
YJE
NË PANTEON
(Përmbledhje
me 101 poezi, botoi ‘’Muza’’, Prishtinë,
2023)
Nga
Adil FETAHU
Kohë më parë, poeti e
shkrimtari Nebih Bunjaku, botoi librin e tij të 11, që është një përmbledhje
neciklopedike me 101 poezi, kushtuar 101 personaliteteve dhe ngjarjeve
imagjinare e reale, nga kohëra e breza të ndryshme, por që janë të lidhur me
trungun pellazgo-iliro-arbëroro-shqiptar, që nga lashtësia deri në ditët e
sotme. Nuk di sipas çfarë kriteri i ka zgjedhur autori subjektet që i ka futur
në këtë ‘leksikon’’, por një gjë vërehet qartë, se të gjithë i venë në tabanin
kombëtar, pa marrë parasysh aspektin e cilësive artistike të veprave të tyre,
ndonëse është përpjekur t’i zgjedh ata më reprezentativët, që nuk do të thotë
se ia ka arritur. Sepse nuk janë përfshirë edhe disa ‘’yje më të mëdhenj e më
shëndritshëm’’, sesa disa ‘’meteorë të vegjël’’ që kanë zënë vend në këtë
përmbledhjeje. Por, kjo është çështje e kriterit subjektiv të autorit.
Ka në këtë galeri
personalitetesh komandantë legjendarë, mbretër, qeveritarë, diplomatë, prelatë
fetarë, shkencëtarë, shkrimtarë, artistë, këngëtarë, arkitektë, heronjë,
dëshmorë, martirë, etj.
Vargut të poezive iu prinë
me poezinë për figurën legjendare (Doruntina;
Rozafa; Kali i Trojës), vazhdon me komandantë legjendarë të pushtimeve
(Aleksandri i Madh), mbretër (Teuta e Ilirisë), Skenderbeu, po ka personalitete
tjera të njohur nga fusha të ndryshme, si Lekë Dukagjini, Marin Barleti, Gjon
Buzuku, Karl Gega, Hasan Tahsini, De Rada, Pashko Vasa, Sef Kosharja, Elena
Gjika, K.Kristoforidhi, Abdyl, Naim e Sami Frashëri, Mic Sokoli, Dedë Gjo Luli, Ismail Qemali, Zef
Serembe, Filip Shiroka, Bajram Curri, A.Z.Çajupi, Gjergj Fishta, Hasan Prishtina, Shaban Polluzha, Shtjefen
Gjeçovi, Faik Konica, Luigj Gurakuqi, Aleksandër Mojsiu, Fan Noli, Ali Asllani,
Lotë Vaku, Mulla Idriz Gjilani, Avni Rrustemi, Shote Galica, Lasgush
Poradeci, Mitrush Kuteli, Migjeni, Eqrem Çabej, Mehmet Gjevori, Nënë Tereza, Esat e Hasan Mekuli, Anton Çetta, Sandër
Prosi, Dritëro Agolli, Bilall Xhaferri, Bekim Fehmiu, Irena Papas, Aristidh
Kola, për të ardhur deri te heronjtë, dëshmorët dhe martirët e UÇK-s në krye me
Adem Jasharin, dhe disa të tjerë nga galeria e enciklopedisë poetike të këtij
autori të vyeshëm.
Përmbledhjes i paraprinë
Parathënja (fq.5-12) të cilën e ka
shkruar Avni Dehari, i cili e ka pasqyruar mjaft mirë dhe gjerësisht
përmbajtjen e librit. Prandaj, unë këtu do të përpiqem të mos i përsëris ato
segmente dhe ato vlerësime të cilat i ka paraqitur zotëri Dehari, por do të
theksoj disa veçori tjera të kësaj përmbledhje poetike.
Autori Nebih Bunjaku, ka
treguar njohuri të thella dhe ka dhënë informacione të sakta për të gjitha ato
subjekte dhe ato ngjarje të cilat i ka radhitur në librin e tij, dhe pothuajse
për secilin i ka ilustruar me portrete a fotografi, duke evidentuar nën
fotoportret datëlindjen dhe datën e vitin e vdekjes së atyre të cilët kanë
shkuar në amshim.
Teknika
poetike e përdorur
Nën secilin portret, a
titull të poezisë, ka dhënë, me germa shkrimi (aq të imta sa mezi lexohen) nga
një sentencë, një urti, një thënie, një
porosi apo amanet të subjektit të cilit ia ka kushtuar poezinë. Diku ka dhënë
ndonjë strofë nga vepra e subjektit të caktuar, apo ndonjë strofë nga këngët
popullore. Për shembëll, nën porteretin e Sami Frashërit shkruan:
‘’Çdo ditë
e jetës sate është një faqe e biografisë sate; kujdesu ta shkruash mirë, sepse
një faqe e keqe e ndyrë gjithë librin’’.
Nën portretin e Gjergj
Fishtës, ka futur një strofë nga poezia e Fishtës Shqypnia:
Edhe hana
le ta dijë,
Edhe
dielli do t’ketë pa,
Se përqark
ksaj rrokullije,
Si
Shqypnija ‘i vend nuk ka.
Nën portretin e Hasan
Prishtinës, autori ka futur këtë thënie të Hasanit: ‘Në vend të një kolltuku me turp në
Stamboll, preferova kryengritjen ndër malet e Kosovës’’.
Mulla Idriz Gjilani ishte
një klerik mysliman, atdhetar që luftoi me penë e me pushkë kundër armikut
(çetnikëve e komunistave serbë), prej të cilëve në funt u ekzekutua me torturat
më mizore. Nën portretin e tij, autori ka radhitë në vargje thënien lapidare të
cilën Mulla Idrizi e përsëriste në ndeja e në predikime:
‘’Kemi një fe, një atdhe,
një gjak, një gjuhë, një diell e një Zot; detyrë mbi detyra kemi bashkimin dhe
mbrojtjen e atdheut’’.
Nën potretin e Dritëro
Agollit, ka futur këto vargje nga poezia e Dritëroit:
Po kur të
jesh mërzitur shumë,
Në raft të
librave kërkomë,
Atje do
jam i fshehur unë,
Në ndonjë
varg e ndonjë shkronjë.
Dhe kështu me radhë, te të
gjitha portretet e subjekteve të përfshira në këtë përmbledhje, Bunjaku ua
gjenë ndonje mbiemër për t’i cilësuar vetitë më karakteristike dhe futë ca
vargje nga opusi i tyre krijues.
Edhe në strofat e
poezive të kësaj përmbledhje, autori
përdorë një teknikë të veçantë ndërtimit
të strofave dhe rimës, duke futur ndër vargjet e veta edhe ndonjë varg, si
referencë nga veprat e subjektit të cilit ia ka kushtuar poezinë. Kështu, bie
fjala, në poezinë të cilën ia kushton
Gjergj Fishtës, në strofën e tretë, dy rreshtat e fundit i merr nga Lahut e
Malcisë:
Me zë
n’altar kishe
Magjishëm
predikon,
Larmia e
feve tona
Vetëm na
bashkon.
Në poezinë kushtuar Dritëro
Agollit, për rreshtin e parë të strofës së tretë merr titullin e veprës së
Agollit: Komesari Memo dhe kështu ndërton rimën:
Komisari
Memo, Mato Gruda
Çdo armik
me top godet,
Mos të
shkelet cep atdheu,
Që nga
Alpet – në bregdet.
Kështu ka
marrë vargje a tituj veprash edhe në pozitë kushtuar Gjeçovit, Konicës,
Poradecit, Kutelit, Migjenit, Prosit, Agollit, Xhaferrit, Londos etj.
Poezia ndërtohet në strofa e
strofat ndërtohen prej vargjesh. Strofa me tërësinë e saj ritmike është formë e
poezisë. Strofat mund të jenë njëvarg
(monostih), dyvargu (distih), trevargu,
katër vargu e deri në 14 a 15 vargje. Bunjaku më të shumtën e ka përdorur
katërvargun, por ka edhe nja 15 poezi dyvargëshe, duke filluar nga poezia
kushtuar Barletit, Buzukut,Çajupit,
Ismail Qemalit, Nolit, Shote Galicës, Metush Krasniqit, Rifat Kukajt,
etj.
Poezia më e gjatë në këtë
përmbldhje (26 strofa katërvargjesh) është ajo që i kushtohet trimit kaçak Lotë
Vakut.
Në poezitë e tij kushtuar
Bajram Currit, Hasan Prishtinës, Luigj Gurakuqi e Lotë Vakut, për shkak të dyshimeve të rolit të Zogut në
jetën apo vdekjen e personaliteteve të përmendura, autori Bunjaku shprehë një
urrejtje ndaj Mbretit Zog, duke e quajtur: mbret i vetshpallur; satrap: Zogu
i Zi: mbret gogol.
Përmes poezisë së tij, që është një sintaksë poetike e ekuilibruar
dhe që rrjedh si lum, kushtuar
personaliteteve të përfshira në këtë përmbledhje, Bunjaku i vë ata në panteonin
kombëtar, duke u dhënë kontakt jetës dhe përjetësisë së tyre dhe duke bashkuar
epokat dhe brezat.
Autori dëshmon dije të
admirueshme për jetën dhe veprat e personaliteteve dhe të ngjarjeve të
përfshira në librin e tij. Tërë graviteti i poezive të Bunjakut, duke mbëltuar
një pemë gjenealogjike me personalitete e ngjarje të shquara, lidhet me atdheun, lirinë, kombin. Pa një
dije dhe kulturë të gjërë të autorit, nuk do të mund të krijohej kjo enciklopedi
poetike.
Në Biblë thuhet: Kush
zotëron dituri – ka dhimbje, ndërsa
Platoni ka thënë: ‘’Poetit i
dhemb edhe zemra e djathtë, që të tjerët nuk e kanë’’. Me gjasë, Bunjjaku ‘’e ka edhe zemrën e
djathtë’’, sepse ka dhembje për fatin e shumë prej subjketeve të përfshira në
poezitë e tij, të cilat kanë funksion fisnik; kujton e vlerëson personalitetet,
veprat, të bërat, ngjarjet, sakrificat.
Enciklopedia poetike e Nebih
Bunjakut ‘’Yje në Panteon’’, me stilin e tij të veçantë të
arkitekturës poetike, e ka pasuruar fondin e krijimtarisë letrare shqiptare.
Gjuha e pastër dhe e
rrjedhshme që përdorë autori, e bënë të lehtë dhe të këndshëm leximin e veprës.