Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hazir Mehmeti: I huaji

| E marte, 19.12.2023, 08:55 PM |


HAZIR MEHEMTI

(dy poezi)

I huaji

Erdha në tokën e re, i huaj përgjithmonë

rrugë e gjatë me trastën plot vuajtje

rrudha robërie, tjetër  s‘mbeti gjë

shpresë varur në ngrohtësi tiranie

Ti nuk e mban mend, ishe i vogël, im bir

Atdhe tjetër kishim, ara e dardha Dardanie

Unë jam fajtor dhe ferri më thërret

Ashtu siç ty Dardania të pret

Im bir i përlotur në këndin e vaporit

Përkundej në ëndrrat e tij nga valët e natës

Fundoseshim në det apo në tokën e panjohur,

Ishte njëjtë - purgator i vjetër.

Odiseu nuk vdes në tokën e huaj

Itaka e pret me Penelopën në vegjë

Është zjarr atdheu që kaq shumë shpirtin djeg

Ktheju bungut të moteve ku rrënja thërret.

B A C

Bac, vetëm një fjalë

një fjalë e besë për gurin

në shpellë vlojnë gjarpërinjtë e gjakut

Një fjalë lidh e tjerr Penelopa

Odiseja lundron i etur mes detit

një fjalë e ruajtur për nipin,

ëndërr e vjetër, ëndërr nusërie

Bac,  me hapin e përgjakur

njëzet e tetë pranvera

në kacafytje me Ciklopin

shpellë e kamp në Goli Otok

Adami shkëput zinxhirët, vigan,

hap porta dhëndërie në Itakë

në Dardaninë e mbytur në lot

Terri vriste hijeve të zeza

zemërimi flakë në shtizë përtej ferrit

kënga e ndaluar gufon pranverave

partiturë që dridh themele robërie

O, Prizren, Prizreni ynë,

dheu e qielli të kujton brezave.