| E diele, 17.12.2023, 08:50 PM |
ANTON
ÇETA, BACË, NUK U KRYE!...
NGA
NDUE DEDAJ
Asgjë
nuk është më e pabesueshme, kur flitet për krimin në familje. Familjarët
kriminelë përdorin mënyrat më të djallëzuara e shnjerëzore për të vrarë të
vetët. Gruaja e re me emrin Liridona, nënë e dy fëmijëve, në Kosovë, nuk e
gëzoi dot as lirinë e as jetën, pasi ia mori i shoqi, gjatë një krimi të
inskenuar, sikur makina e tyre familjare ishte grabitur dhe kishte e mbetur e
vrarë gruaja e tij. Në krim u përfshinë dhe dy të tjerë. Me lehtësinë më të
madhe u bënë bashkë tre burra për të hequr qaf e një grua, vrasësi me pagesë,
që i ishin premtuar 30 mijë euro dhe nipi i burrit vrasës. Çdo javë, për të mos
thënë çdo ditë, lajmërohen krime të tilla të shëmtuara, ku më së shumti
protagonistë të tyre janë burrat e dhunshëm. Nuk ka mbetur zonë e Shqiprisë pa
u përgjakur nga krimi në familje. Krimi në familje ndër shqiptarë vret dhe në
Europë, ku vetëm në Itali kohët e fundit janë kryer disa vrasje grash shqiptare
nga bashkëshortët. Bëhet fjalë për dhjetëra e qindra gra të vrara nga “lufta”
më e pakuptimtë dhe më mizore mbi dhé. Lufta që ka vrarë më parë dashurinë...
Anton
Çeta e kreu misionin e tij më 1990, në pajtimin e gjaqeve dhe hasmërive mes
familjeve të ndryshme në Kosovë, por plasën vrasjet brenda familjes. Vrasja
hyri në shtëpi, si në kohët e lashta, në tragjeditë antike - burri vret gruan,
ati vret të bijën, vëllai vret të vëllanë etj. Dhe shteti modern nuk e ndalon
dot “masakrën” familjare, as në Shqipëri e as në Kosovë. Ndaj, Bacë, nuk u krye
pajtimi!... Pajtimin tënd të madh e morën peng vrasësit e familjes, ata që
derdhin gjak dhe lënë jetim fëmijët e tyre. Kjo është tragjedi, Bacë, tragjedi
e pashembullt e kohës moderne, që nxiton të bëjë gjera të mëdha, shqiptarët të
hyjnë në familjen europiane, europianët të globalizohen. Por nuk ka familje
europiane për shqiptarët pa mbajtur gjallë, shëndosh e të pavrarë familjen e
vogël të cecilit nga ne. Sa tubime paqeje janë mbajtur, sa fjalë janë thënë për
ta mbrojtur jetën në përgjithësi e atë të grave në veçanti, por asgjë nuk ka
ngjitur. E mira është aq larg! Mjerisht, nesër, pasnesër, do të njoftohen të
tjera krime të llahtarshme. Kanë rënë të gjitha fjalët e urta, filozofitë dhe
kauzat e mbrojtjes së familjes. Ajo nuk është më e shenjtë për vetë familjarët
vrasës. Shtetit i rrofshin ligjet, policia, gjykatat! Shoqërisë civile,
thirrjet, manifestimet nepër salla e rrugë. Në të tjerëve, shkrimet e librat me
anë të të cilave synojmë të ndikojmë te njeriu, shoqëria...
Ndue Dedaj
02/12/23