Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gëzim Loka: Çdo çast me ju për mua është bekim

| E shtune, 16.12.2023, 03:47 PM |


Çdo çast me ju për mua është bekim

-Dedikuar familjes time-

Nga Gëzim LOKA

Sot po shkruaj për familjen time 

Më e çmuara nga gjithçka që më rrethon

Një jetë plot sfida ndër rrugëtime

Rubini dhe në errësirë ndriçon. 

Po shkruaj për Fatmiren, bashkëshorten time

Një jetë me mua në të mira e vështirësi  

Jetë e bekuar ndër vorbulla intime 

Më ke falur shpresë dhe shumë dashuri. 

S'të kam futur në asnjë strofë e varg 

Por të çmoj fort, për mua je thesar

Rrjedhat, me baticë nuk na mposhtën dot 

Për mirësi, ndër ne, ti je e parë. 

Drini, im bir, është i yni  bekim

Inxhinier i zoti, i përkushtuar

Të dua pa fund, të kam shpirt, biri im

Ti je gjithçka që në jetë kam kërkuar. 

Emiranda, vajza e madhe është brilante

E mban babanë dhe mamanë me pekule 

Jeta rrjedh në shtretër të vështirë 

Ti kurrë në rrugëtim nuk u përule. 

Rea dhe Ajna, dy mbesat yje 

Stoli e vatrës sonë familjare 

Kur i merr për dore, sa të ka hije

Të duam pa masë, vajza jonë e madhe.    

Matilda është vajza ime e vogël 

Krenare më ka bërë në çdo hap 

Gjithçka që prek me dorë e bën këngë 

Me punë e përkushtim hap çdo prag.

Livi, vajza e saj dhjetëmuajshe

Është një engjëll, mrekulli bote

Gjyshi e përkëdhel me gjuhë miturishte

Oh, gjuhë e vjetër, sa moshë e kësaj toke...

 

Fëmijë të mi, mbesa plot shkëlqim 

Ju jeni perla, jeni vetë bota  

Çdo çast me ju për mua është bekim

Do ecim së bashku çdo stinë, ndër epoka...