| E marte, 12.12.2023, 08:58 PM |
Për Ambasadoren Shqiptare Luela Hajdaraga
Nga
Armela Hysi Keliraqi
Nën
ndriçimin e dritave festive dhe përqafimit të rrethit të gjerë të
bashkatdhetarëve që përshëndeteshin duke uruar të qeshur e plot respekt
Ambasadoren e Jashtëzakonshme e Fuqiplotë të akredituar në Athinë, znj. Luela
Hajdaraga Gila, gjetëm dhe ne një korridor mes sallës së mbushur anë e kënd, të
afroheshim familjarisht e të falënderonim për ftesën e asaj mbrëmjeje, që
nderon çdo shqiptar të gjendet prezent. Edhe sivjet, kjo pritje madhështore për
të gjithë bashkëpatriotët nuk qe aktiviteti i vetëm i festimit të përvitshëm;
nën drejtimin e ambasadores Hajdaraga, Ambasada Shqiptare në Athinë ka
ndërthurur festimin me bashkimin e emigrantëve pranë Trupit Diplomatik duke
krijuar e vënë në jetë një varg aktivitetesh të shumëllojshme nën siglën
kupolë: “Nëntori Shqiptar” për të cilin kam shkruar edhe vite të tjera, por që
duhet thënë se vjen përherë e më i plotë dhe më i përkushtuar.
Përgjatë
gjithë këtij viti, shqiptarët e emigruar morën pjesë dhe shijuan një numër të
madh aktivitetesh, më të shumtët që janë zhvilluar ndonjëherë radhazi, gjatë
këtyre tre dekada e ca emigracion, dhe si fund i vitit që është, mund edhe të
mburremi me këtë bilanc emocionsjellës arritjesh, pasi përveç se na përkojnë të
gjithëve, vënë në pah me dashuri se si është kryer plotësisht tanimë ai nocion
që kemi dashur përherë të arrijmë, të festimit të shumllojshëm të gëzimit
kombëtar, trajtimit dashamirë të secilit prej emigrantëve si pjesë e pandarë e
tokës mëmë dhe vetë e vëmendjes së atdheut për të tërë të larguarit e
përmalluar, si dhe gjithashtu bashkëpunimit të ngushtë të emigrantëve,
organizmave e shoqatave të tyre me ambasadën, ku kanë gjetur një strehë të
dashur dhe partnerin më të denjë të mundshëm për aktivitetin e tyre e idetë që
vënë në jetë për të mbajtur gjallë frymën kombëtare, gjuhën, identitetin,
bukurinë natyrale të përbashkimit të folklorit dhe kulturës si trashëgimi unike
e pasuri vlerëmadhe. Padyshim edhe promovimit të shumëanshëm të punës së tyre,
organizimit të vyer me çdo përpjekje, të komunitetit në përgjithësi dhe secilit
anëtar të tij në veçanti.
“Për
çfarë t’ju përgëzojmë dhe komplimentojmë më parë?” – e pyeta me humor dhe
sinqeritet gjatë përshëndetjes zonjën ambasadore, teksa ajo buzëqeshi me
modesti, duke pasur fjalën për praninë e saj përherë tërë sharm e ngrohtësi
kurdoherë dhe me secilin person që takohet, porse kryesisht e veçanërisht për
të gjithë korrektësinë frytdhënëse të shërbimit të zonjës Hajdaraga Gila në
detyrën plot vështirësi, si Shefe kaq e suksesshme e timonit të këtij posti të
rëndësishëm, ku duhet ta kemi parasysh: nga më të komplikuarit në tërësinë e
stafit ndërkombëtar diplomatik. Pasi të gjithë e dimë që në marrëdhëniet sa të
ngushta, aq edhe delikate me politikën e tendosur, dhe injektimet e thjeshta
incidentale që ekzistojnë mes dy vendeve tona, që është njëkohësisht dhe operimi
politik i ruajtjes së harmonisë mes aleatësh dhe fqinjësh, i vetë trajektores
shqiptare me kurs të drejtë përherë e më pranë qëllimit, ëndrrës dhe përbërjes
evropiane, përkujdesja profesionale nevojitet maksimale dhe vëmendja e
vazhdueshme. Sigurisht të gjithë njohim peshën e madhe që ka ambasada duke
theksuar praninë e një komuniteti kaq të madh emigrantësh (më të madhin e të
shumëllojshmin në të gjithë diasporën shqiptare, me mjaft halle dhe prore i
acaruar, si dhe shpesh i vendosur peng, për tekat e pjesës makiaveliste të
politikës, veçanërisht vendase, trajtim që shpesh detyrojnë individët e tij të
gjejnë veten ngushtë, duke u ndjerë – ca herë, me të drejtë e ca me mani fikse
të imponuar – si viktima të këtij emigrimi); teksa pa dyshim vështirësia e
madhe e asaj që do të quhej rëndësia primare për përrethësinë përgjithësuese të
këtij autoriteti bazë të politikës së jashtme të një vendi, siç është
përfaqësia shtetërore e diplomatike, si hallkë eventuale edhe sublime e
gjendjes së globalizmit, që sot ka marrë ngjyrime edhe më të vaçanta. Ndërkaq
të gjitha vështirësitë shtohen sipas shtimit të faktorëve veçues, si për
shembull të krizës së tejzgjatur ekonomike të vendit të akredituar, përfshirë
edhe atë humanitare në tërë rajonin e afërm, apo sfondin e dy luftërave
gjakderdhëse dhe tërë spektrin ndjesor e praktik të politikës dhe veprimtarisë
së nderë që zhvillohet krejt pranë kufijve të dy vendeve, të gjitha vetëm pak
kohë pas një përvoje të paparë më parë siç qe pandemia botërore. Kështu ruajtja
e balancave, e nervave të hekurta dhe sigurisht edhe tërë arritjeve të
deritanishme, që kanë të bëjnë me të
gjitha komponentët e ingranuar të sipërpërmendur, dhe e kërkesës së vazhdueshme
të përftimeve të reja, të gjitha këto, pra, kërkojnë vërtet zotësi që gërshetojnë
vullnet dhe prirje të veçanta, dashuri e pasion për detyrën, përgjegjësi e
vëmendje të sprovuar dhe ndërgjegje me vlera që s’mund të mos i admirojë
gjithsekush vëzhgues i mprehtë, a jo, mjafton të posedojë dëshirën dhe synimin
e mirë.
Në
pothuajse tridhjetë vite në kryeqytetin helen dhe si bashkëpunëtore e ngushtë
dhe e përhershme e shtypit shqiptar të botuar në Greqi, që prej fillimeve të
tij, më ka rënë rasti të shkruaj shpesh mbi problemet e emigrantëve, mbi
trajtimin e tyre nga politika e secilit vend, për pritshmërinë apo vërejtjet që
kemi prej ambasadës apo përfaqësuesve të shtetit tonë, dhe besimin e kërkesat
për mbarëvajtje përherë e më obliguese, por edhe për aspekte inkurajuese, për
krijimin e kushteve përherë e më të përshtatshme që kemi hasur në këtë udhëtim
të përbashkët të jetesës dhe kushteve specifike, ndaj s’e fsheh gëzimin e
përligjshëm që më ndjej kur këto shkrime përshkruajnë arritje e veprime me kah
pozitiv, angazhime që sjellin përmirësim, mirënjohje dhe privilegjin e ndjesisë
si e të qenit mik dhe i shtëpisë në institucionin më të lartë e më të vyer të
shqiptarëve jashtë atdheut të tyre, ambasadës së tyre.
Nuk
gënjehem, as i bëj qejfin vetes, roli i ambasadës është i shenjtë dhe
përcaktues në marrëdhëniet ndërkombëtare, jo të krijojë psikologji të mirë tek
emigrantët, por kur ky rol sublim shoqërohet me këtë mirëbesim dhe mirëvlerësim
rigoroz që kemi të gjithë për përkushtimin që ka treguar ambasadorja jonë dhe
tërë stafi i saj, lejimi ta quajmë njeriun tonë, pothuajse të kemi rastin e
afrimitetin ta thërrasim me emrin e saj, pa tërë titujt e merituar këtë zonjë
të nderuar, nuk mund të mos quhet privilegj dhe karakteri i hekurt, i guximshëm
e i sinqertë që gjej unë tek ky trajtim që është një vlerësim më vete për këdo
që di të vlerësojë këto virtyte.
Në
këtë mandat të parë, e mjaft të suksesshëm, të ambasadores Hajdaraga, që
personalisht përveç se do të doja shumë të ndiqet dhe nga i mëpasshëm pranë
selisë së Athinës, nuk kam dëgjuar dikë
të mos e ketë shprehur këtë dëshirë, pasi lirshmëria dhe gatishmëria që ka
pasur përgjatë tërë kohës së shërbimit të saj, ka fituar sa e sa zemra, kështu
që reportazhi i përvitshëm për festimin kuq e zi të komunitetit tonë sot i
kushtohet përshkrimit të punës e rolit të saj me mirënjohje e respekt.
Armela Hysi Keliraqi