Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mihal Gjergji: Zëra baladash

| E diele, 10.12.2023, 11:59 AM |


Mihal Gjergji

ZËRA BALADASH

Shekull nëpër shekull, rendi brinjë më brinjë

Një nuse si drita, me dy djem jetimë

Ç’nënë e paska pjellë, Viton që thotë kënga

Vjen e më prish gjumin, më futet në ëndrra

Një tjetër kam njohur, quhej Vito xhani

Njërin sy te burri, tjetrin te jarani…

Trokas në balada, paskan peshë të rëndë

Zgjohen mijëra zëra, edhe bëhen këngë

Që të pjellë Viton, duhet një Ajkunë

Një, në njëmijë djepe, brof e bën furtune

Duhet Hanko xhindi, për Ali Pashanë

S’ngjallen kardhiqotët, të tregojnë ç’panë

Për Çelo Picarin duhet Xhiko Zonja

Ndryshe vdes legjenda, s’mbrin’ në ditët tona

Duhet një golëme për Hodo Alinë

Njëqind krushq të bardhë, përmbi kuaj vijnë

Njëqind këngë ngrihen, tunden mal e brigje

Del një zë nga dheu, po nuk merr përgjigje

Kthehem prapë te djepi, i gdhendur nga lisi

U dashka sojlliu, që të lindet fisi!

Jam në dhe të huaj, mbledh zërat e natës

Mbeta vetmitar, te port’ e baladës!

Paris, Tetor 2016.