| E diele, 10.12.2023, 08:59 PM |
PISA 2022
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Hulumtimi PISA 2022 është cikli i tetë i
hulumtimit PISA në të cilin marrin pjesë 81 vende. Lëmi kryesor i testimit
është njohuria matematikore, ndërsa njohuritë në fushën e shkencave të natyrës
dhe të leximit janë lëmenj dytësor të testimit. Në këtë cikël të hulumtimit
testohet edhe lëmi inovativ: të menduarit kreativ i nxënësve. Me njohuritë në
lëmin e leximit nënkuptohet interpretimi
i një teksti të rëndomtë.
Me vendim të
përbashkët të OECD-së dhe të vendeve pjesëmarrëse, hulumtimi kryesor i PISA
2021 u shty për një vit për shkak të pandemisë Covid-19. Për këtë arsye cikli i
tetë i hulumtimit u emërtua si “PISA 2022”.
* * *
PISA (Programme
for International Student Assessment), përkatësisht Programi ndërkombëtar për
testimin e njohurive dhe të zgjuarsive të nxënësve, është hulumtim
arsimor botëror më i madh që e zbaton prej vitit 2000 Organizata për
Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) në vendet anëtare të OECD-së dhe në
vendet partnere me qëllim të grumbullimit të të dhënave për krahasim
ndërkombëtar për cilësinë, efektivitetin dhe drejtësinë e sistemeve arsimore.
* * *
Sipas të dhënave të
testit PISA për vitin 2022 të shpallura më 5 dhjetor 2023, shumica e nxënësve
të shteteve të Ballkanit Perëndimor, në njohuritë e matematikës, të leximit dhe
të shkencave të natyrës janë nën mesataren e
vendeve të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).
Testimi PISA zbatohet
çdo tre vjet që nga viti 2000. Ky testim e bën vlerësimin e sistemeve arsimore
duke matur efektin shkollor të nxënësve të moshës 15-vjeçare në lëmin e
matematikës, të shkencave të natyrës dhe të leximit. Në këtë hulumtim
ndërkombëtar në fushën e arsimit për vitin 2022 kanë marrë pjesë rreth 690.000
pesëmbëdhjetëvjeçarë nga 81 vende të botës.
Kroacia e ka zënë vendin e 36-të.
Në testimin nga matematika është e
para ndër vendet e rajonit. Serbia
ndodhet në vendin e 42-të. Në matematikë
Mali i Zi ndodhet në vendin e 54-të.
Ndër Malin e Zi renditen Maqedonia e
Veriut, Shqipëria (e 67-ta) dhe Kosova
(e 74-ta).
Maqedonia
e Veriut në matematikë renditet e
61-ta, në lexim e 71-ta, ndërsa në shkencat e natyrës e 68-ta. Deri tani
ajo ka marrë pjesë në ciklet e matjes në vitin 2000, 2015 dhe 2018. Në muajt
prill dhe maj të viti 2022 u përfshinë 6610 nxënës të 111 shkollave të mesme.
Realizuese e testimit është Qendra Shtetërore e Provimeve.
* * *
Nxënësit
e Bosnjës dhe Hercegovinës nuk kanë
marrë pjesë në testim. Në një seancë të Kryesisë së BH-së të mbajtur në korrik
të vitit 2020, pjesëmarrjen e këtij vendi në testim Millorad Dodiku e
parandaloi me veto. Për herë të parë BH-ja mori pjesë në testim në vitin 2018
me ç’rast prej 79 vendeve të testuara u rendit e 62-ta.
* * *
Rezultatet
e testimit PISA 2022 në vendet e Ballkanit Perëndimor:
matematikë
lexim shkencat e natyrës
Mesatarja
e pikëve në vendet e OECD-së 472 476 485
-
Kroacia 463 475 483
-
Serbia 440 440 447
- Mali
i Zi 406 405 403
- Maqedonia
e Veriut 389 359 380
- Shqipëria 368 358 376
-
Kosova 355 342 357
* * *
Përpos
për njohuritë dhe për zgjuarsitë e nxënësve, PISA grumbullon të dhëna edhe për
faktorët individualë, shkollorë dhe sistemorë që ndikojnë në arritjet e
nxënësve dhe i ofron treguesit për zhvillimin e politikës arsimore.
Testimi
PISA rëndom mbahet në muajin prill në shkollat e mesme. Nxënësit 15-vjeçar
testohen me njohuritë që i kanë marrë gjatë arsimimit
fillor. Me fjalë të tjerra, këtu s’kemi të bëjmë me njohuritë që i merr
nxënësi në arsimin e mesëm. Në shtetet dyetnike
duhet parë se çfarë rezultati kanë korrur nxënësit sipas bashkësive etnike.
Organi që merret me punën e testimit PISA, për shembull Qendra Shtetërore e
Provimeve, rezultatet i publikon në shkallë shteti dhe jo sipas bashkësive
etnike. Mbase më mirë që veprohet kështu. Ndryshe, për ndonjërën prej
bashkësive etnike rezultatet do të kishin qenë akoma më zhgënjyese dhe më
dëshpëruese.
* * *
Rezultatet e testimit PISA të zbatuar në
vitin 2022 në vendet e OECD-së u shpallën në Paris më 5 dhjetor 2023. Ka shtete të cilat rezultatet e
pakënaqshme në testim i ndërlidhin me ndikimin e pandemisë Covid-19 në procesin
arsimor. Por 31 vende, përkundër pandemisë, kanë arritur rezultate të njëjta si
në vitin 2018. Madje ka shtete që kanë dalë më mirë se në testimin paraprak.
Midis tyre janë Australia, Japonia,
Koreja e Jugut, Singapori dhe Zvicra.
Rezultatet e tyre janë mbi mesataren e OECD-së dhe lëvizin prej 487 derë në
575, në krahasim me 472 sa është mesatarja e vendeve të OECD-s.
Testi PISA është Program ndërkombëtar i
vlerësimit të arritjeve arsimore të nxënësve. Në test vlerësohen njohuritë nga matematika,
nga leximi
dhe nga shkencat e natyrës. Testi përmban edhe një pyetësor për
gjendjen familjare, për pozitën socio-kulturore të nxënësit si dhe për
perceptimin e shkollës nga ana e tyre. Testimi mbahet çdo tre vjet, duke
filluar nga viti 1997. Ka shtete që nuk marrin pjesë në testim për shkaqe
financiare. Testimi është anonim. Testi PISA fare nuk i ngjan
testimit tradicional apo klasik që realizohet apo që zbatohet nëpër shkolla. Në
testimin PISA nuk kemi të bëjmë me formula matematikore. Në lexim nuk flitet për gramatikë apo për
letërsi. Ky testim ka të bëjë me logjikën
e nxënësit dhe me kreativitetin e
tij. Ky testim kërkon të dijë sa është i aftë nxënësi 15-vjeçar logjikojë dhe
të gjykojë me kokën e vet. Nxënësit që do t’i nënshtrohen testimit caktohen nga
institucionet e arsimit, si për shembull nga Qendra Shtetërore e Provimeve.
Zgjedhja e nxënësve bëhet në mënyrë të rastësishme
apo në mënyrë kompjuterike. Kompjuteri mund t’i zgjedhë më të mirët, mesatarët
apo më të dobëtit. Kjo s’dihet. Sipas ligjit të gjasës, prej çdo kategorie nga
pak. Testimit nuk i nënshtrohen të gjithë nxënësit.
Sistemi i arsimit i një vendi është i lidhur
ngushtë me shkallën e zhvillimit ekonomik të atij vendi. Aty ku s’ka rend,
rregull dhe disiplinë s’mund të flitet për arsim cilësor. Në shtetin me shkallë
të lartë korrupsioni s’mund të ketë arsim cilësor.
A është testimi PISA tregues absolut i
cilësisë së arsimit të një vendi të caktuar, apo kjo duhet të merret si relative?
* * *
Në
shumë vende janë bërë dhe janë duke u bërë reforma në arsim. Shihet
qartë se reformat e shumta në arsim nuk kanë dhënë rezultate. Arsimi nuk duron
eksperimente, s’duron dot improvizime. Kushtet për arsim në një vend të caktuar
dallohen prej kushteve në një vend tjetër. Kopjimi i metodave të një vendi të
zhvilluar në një vend jo mjaft të zhvilluar nuk do të thotë se mund të sjellë
sukses.