| E marte, 05.12.2023, 08:56 PM |
SILIKOZA, PAVIONI SHQIPTAR I “KANCEROZËVE”
NGA
NDUE DEDAJ
Shohim
të tubohen herë pas here minatorët para godinave qeveritare të kërkojnë
miratimin e statusit të minatorit. Mos u habisni që ata janë një dorë njerëz
dhe mos i nënvlerësoni për këtë shkak, dmth që janë pak. Por, mundësisht, i
dëgjoni. Që ata janë pak ka një arsye madhore, të heshtur... Nëntoka me vdekjet
aksidentale dhe sëmundjet profesionale! Sëmundja që u mori jetën shumë
minatorëve ka një emër të ftohtë “metalor”, silikozë, që vjen nga pluhurat e
silicit. Është shkruar jo pak për ta, edhe letërsi, megjithatë s’rresht kujtesa
për njerëzit që ranë nga silikoza në minierat e Mirditës, veçanërisht në
Kurbnesh. Mohikanët e fundit janë ende janë gjallë. Quajeni si të doni. Kronikë
e qindra vdekjve të paralajmëruara. Luftë pa pushkë, që të merr jetën. Ferr nën
tokë e ferr mbi tokë. Pavioni shqiptar i “kancerozëve”. E ç’rëndësi kanë të
gjitha këto.
Kemi
njohur shumë nga ata, i kishim miq e shokë, komshinj e dashamirë. Sot ishin,
nesër nuk ishin. Sëmundja i merrte në këmbë. Gjok Llesh Gjikolën në Selitë e
takuam dy javë para se të ndërronte jetë në shtëpinë e tij, në moshën 64 -
vjeçare, aty nën Gurin Gjon. Na e poqi kafen sipas zakonit me dorën e vet. Nuk
ka si kafja e Selitës. Tash kur dal ndonjëherë te Kisha e Shna Ndoit, mes
pishave, i “bëzaj” në heshje. “A je, Gjok miku?” Sa herë kalojmë udhës për te
Kroi i Bardhë e Lurë, ti je gjithnjë aty, duke bërë ritualin e mirëseardhjes me
kafen e Selitës. Por dhe në rreshtat e ndonjë eseje së mbesës gjimaziste,
Gloria.
Rasti
e kishte sjellë që në minierën e Kurbneshi të hyja kur isha 14 vjeç. Ishte viti
1971 dhe në krye të detyrës kishte rënë minatori Frrok Kol Kaçorri, emrin e të
cilit do të merrte më vonë miniera. Atëherë, një autobus me nxënës shkolle nga
Rrësheni, na çuan për vizitë në minierën ku ai kishte punuar, ku përshkuam
vetëm hyrjen e galerisë kryesore, në ballë të së cilës ishin fotot e anëtarëve
të Byrosë Politike, që një Zot e dinte se pse i kishin futur aq thellë. Në Rrëshen
ishte mbajtur dhe një takim kushtuar aktit të Frrokut, kurse poeti Llazar
Siliqi kishte shkruar dhe një poemë për heroin e minierës. Të rënët e minierës
nga aksidentet në galeri vetëm sa kishin filluar. Në minierën e Kaçinarit do të
binin dy e nga dy minatorët Ndue Përçuni nga Arrëzi e Pjetër Gjon Marku nga
Shtufi, Llesh Nikoll Deda nga Kuzhneni e Nikoll Ded Prenga nga Shpërdhaza. Një
kronikë vrastare e nëntokës, që kulmoi në Bulqizën e pas 90-ës, me aq shumë
vdekje në minierë.
Me
minierën ishim të lidhur dhe ne që nuk kishim qenë minatorë. Mund të ketë qenë
fundi i vitit 1976 apo fillimi i vitit 1977, kur sonda jonë do të futej për 15
ditë poshtë dishenterisë së zonës së parë të minierës Kaçinar për të bërë një
shpim. Ndërsa sonda jonë e vogël XJ 100 shponte në shkëmbin e nëndheshëm, nga
gryka e pusit plasi uji si shatërvan. U krijua një gjendje ankthi, pasi mund të
përmbytej galeria. Erdhi me shpejtësi inxhinieri i minierës Devi Radhima, që
ishte nga Vlora, për të gjetur një mënyrë që uji të ndalej. Ai urdhëroi që pusi
të taposej me një trup ahu, nga ata që përdoreshin për shtylla miniere, por
frika ishte se mund të ndalej aty e nga presioni i nëntokës të shpërthente diku
tjetër, çka nuk ndodhi. Si shpërblim të sakrificës në minierë inxhinier Devin e
arrestuan pak muaj më vonë për sabotim në ekonomi, akuzë që nuk u vërtetua,
duke ia kthyer në agjitacion e propagandë, ku u dënua 7 - 8 vjet, vetëm ngaqë
ishte mospërfillës i Partisë në rreth.
Por
të kthehemi të pavioni “kanceroz” i nëntokës. Për të sëmurët me silikozë ka
pasur një repart të posaçëm, në spitalin numër 1 Tiranë, që e pata vizituar në
vitet ’80, kur shkova për të takuar
kushëririn tim Mark Zef Marku nga Shëngjergji. Për ta kujdesej mjeku i
sëmundjeve profesionale Niko Pecani, kurse në Rrëshen të sëmurët nga silikoza
ndiqeshin nga mjeku Kol Doda etj. Historitë me sëmundjen e pluhurave minerale
në mushkëri janë secila më e trishtë se tjetra, thuajse të pashkruara. Mjekët
që kuronin, në Milano, Dod Melyshin, për pluhurat në mushkëri, habiteshin disi
se si ai ishte i rrethuar nga aq shumë njerëz të vetët që kujdeseshin për të.
Ju me siguri që keni arsye t’i rrini mbi krye njeriut tuaj. Apo jo? Me këto
mushkëri të shkatërruara në minierat e Rusisë, kushedi se ç’pasuri ju ka lënë!
Çfarë po thoni doktor? Ne jemi shqiptarë dhe babai ynë nuk është i pasur,
mushkëritë ashtu cop - copë ia kanë grirë pluhurat e kuarcit të galerive të
Kurbneshit. Doktori e kishte marrë Dodën për ndonjë miliardier rus, që duhej të
kishte krijuar prona me punën e tij nëntokë. Mushkëritë e tij ishin bërë gur
dhe atyre iu desh shumë mund që t’i ç’gurësonin, duke ia shpëlarë me ilaçe e
lehtësuar frymëmarrjen. Në Kurbnesh fati i keq e solli që të bëheshin
“minatorë” dhe fëmijët e disa prej antarëve të Byrosë Politike të goditur nga
kreu i regjimit, në luftën për pushtet. Edhe ata i përshkuan pluhurat e
nëntokës si të tjerët. Kurbneshi kishte një mijë punëtorë, të cilët ishin
vendas - selitas, përfshi dhe nga Gjoçajt e Lami i Madh, si dhe të ardhur nga
Rubiku, Rrësheni, Perlati, Lura dhe fshtarat e Matit.
Në
fillim të viteve ’90 pata shkuar në shtëpinë e Gegë Kaçorrit në Rrëshen. Ishte
një burrë i fisëm. Kishte qenë deputet në Kuvendin Popullor. Vuante nga
silikoza dhe u nda nga jeta 54 vjeç. Shtëpia e tij asokohe qe shndërruar në një
kartotekë gtë çuditshme, ku ishtë shënuar gjithçka që kishte të bënte më
minatorët e sëmurë nga silikoza. Mbase më vonë ato skeda, regjistra, fotografi
janë mbartur në Muzeun e Rrëshenit. Silikoza pati prekur jo vetëm minatorët,
por dhe nga personali inxhiniero-teknik. Inxhinier Gjon Bazhella e mori shpejt
silikozën, të cilit ia përshpejtoi vdekjen në moshën 70 - vjeçare një tjetër
“kancer”, Covid 19, që shoi mijëra jetë njerëzish në krejt rruzullin. Ai pati
shkruar dhe një libër për minierat dhe minatorët e Mirditës. Kujtimet e veta
nga jeta në minierë i ka shkruar dhe minatori Ndue Gjikola.
Tash
që minierat nuk janë më kanë mbetur imazhet e hershme të dokumentarëve të
Kinostudios “Shqipëria e re” dhe të Televizionit Shqiptar. Përmes një
telereportazhi të vitit 1967 njihesh me Kurbneshin që “pjesën më të mirë të tij
e fsheh nëntokë”, “barinjtë e djeshëm që u bënë minatorë”, kryeinxhinierin
shkodran Franko Krroqi, drejtorin lurian Bajram Cuku dhe plot njerëz të
minierës të asaj kohe. Atje qe xhiruar pak vite më pas dhe filmi artistik
“Plagë të vjetra”. Shumë nga ata minatorë me vitet do të binin pre e silikozës.
Por
nuk është vetëm e kaluara e bakrit, kromit etj. Ka dhe sot njerëz vullnetmirë
që nuk ia kthejnë shpinën nëntokës. Mark Pepkola, inxhinier gjeolog nga Kthella
e Epërme, që kryeson shoqatën e specialistëve të mineraleve të Shqipërisë,
krahas sensibilizimit për statusin e minatorit, kërkesës drejtuar qeverisë
lidhur me kërkim - zbulimin e rezervave të reja minerare nga gjeologët
shqiptarë, mban njëherësh gjallë bashkëbisedimin e njerëzve të gjeologjisë dhe
minierave në të gjithë vendin.
Gurët
e tokës ishin kuptimi i jetës sonë. Me gurë shihnim të ndërtoheshin shtëpitë
nga ustallarët. Në fëmijët luanim pesëgurthsh. Burrat me gurgac, unur e një
copë eshkë ndiznin cigaret. Gjeologët me një çekiç me bisht të gjatë “çukisnin”
shkëmbinjtë dhe copat e gurëve që shkëputeshin i këqyrnin më vërejtje, disa
sosh i fusnin në çantat që mbanin në shpinë, ku kishin dhe hartat gjeologjike.
Ishte ai çekiç që trokiste mbi nëntokë, duke hapur shtigjet për në zagafellat e
saj, ku ishin mineralet dhe vdekja. Faruk Mustafa, Lirim Hoxha, Marie Koçi,
Dedë Kolndreu, Dodë Shtjefanaku ishin disa nga gjeologët që patëm njohur në
Mirditë duke filluar nga vitet ’70, me të cilët jemi në kontakt dhe sot.