| E shtune, 02.12.2023, 09:00 PM |
DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
(Në përvjetorin e lindjes)
“Nuk
kishte avokat më të mirë që të shpjegonte hallet e Kombit shqiptar dhe të
drejtat e tij”, Presidenti Bill Clinton
Nga
Frank Shkreli
Shpesh
ndodh në historinë e kombeve – të mëdha e të vogla – që në rrethana e situata
të caktuara, nga gjiri i një kombi dalin individë të cilët, me idetë e tyre,
ringjallin dhe ndryshojnë jetën dhe historinë e kombit të vet. Unë besoj se i
tillë ishte Dr Ibrahim Rugova, për shqiptarët.
A thua është e rastit a po një mister hyjnor që çerek fundin e shekullit
të kaluar, Dr. Rugova u bë zëdhënsi i të drejtave të shqiptarëve të Kosovës dhe
i mbarë Kombit shqiptar në periudhën post-komuniste. Individë të një kombi si Ibrahim Rugova,
shpeshëherë dënohen prej fatit për të pësuar nga vet bashkatdhetarët e tyre,
keqkuptim, kritika, vuajtje dhe në përgjithësi, mos-mirënjohje për kontributin
e dhënë për të mirën e përbashkët. Në
histsorinë e shqiptarëve, për fat të keq, mos njohja e meritave për njerëz të
caktuar të historisë, nuk është gjë e re. Thuhet se as Gjergj Kastriotin
-Skenderbe nuk e kuptuan aq mirë bashkohasit e tij.
Kam
drojë se ky fat po ndjekë edhe Presidentin historik të Dardanisë, Dr Ibrahim
Rugovën edhe pas kalimit të tij në amshim, megjithë kontributet e tija të
shumta në historinë e re të Republikës së Kosovës dhe të Kombit shqiptar në
përgjithësi, sidomos, në ndërkombëtarizimin e “çeshtjes së Kosovës” dhe
mundësive që ai krijoi për lirinë dhe pavarësinë, që gëzon sot Republika e
Kosovës, duke bërë miqë për shqiptarët anë e mbanë botës, por veçanërisht
Shtetet e bashskuara dhe demokracitë perëndimore..
Po
e kujtoj sot Dr Ibrahim Rugovën, në ditëlindjen e tij, jo për të thënë ndonjë
gjë të re për Presidentin historik të Dardanisë, pasi gjatë viteve kam shkruar
dyzina artikujsh për veprimtarinë e Dr. Rugovës dhe për lidhjet e tija të
veçanta me Shtetet e Bashkuara, por thjesht, po e kujtoj, shkurtimisht, për të
mos e harruar!
Po
kujtoj vizitën e parë të Dr. Rugovës në Shtetet e Bashkuara në vjeshtë të vitit
1989, një vizitë që sipas disave, ndryshoi jetën e tij personale dhe historinë
e Kosovës. Ishte një vizitë, që sipas
vërejtësve të ngjarjeve të asaj kohe,
hapi rrugën për vizita të shumta që ai bëri më vonë në Washington, me
qëllim për të mbajtur në qendër të vëmendjes amerikane çështjen e Kosovës, pasi
ishte i vetëdijshëm se në qoftë se Kosova do të zhdukej nga vëmendja politike
dhe diplomatike e Shteteve të Bashkuara, siç ishte deri në atë kohë, vaj medet
për popullin shqiptar të Kosovës. Nga këndvështrimi i sotëm, mund të thuhet se
Dr. Ibrahim Rugova u kthye në Kosovë nga vizita e tij e parë në Shtetet e
Bashkuara Tetorin e vitit 1989, me një frymëzim dhe me një ndjenjë dhe pse jo
me një angazhim personal dhe patriotik për të kontribuar në ndërkombëtarizimin
e çështjes së Kosovës, në cilindo nivel që ta hidhte fati. Pak pas kthimit të tij në Kosovë nga vizita
në Washington ai zgjidhet kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në këtë
detyrë ai siguroi një platformë legjitime nga e cila do të shpjegonte situatën
ashtu siç ishte në Kosovë dhe nga pikëpamja historike shqiptare. Do të fliste
dhe do të mbronte të drejtat e shqiptarëve në mënyrën e tij të qetë, por
bindëse, me bashkëbiseduesit e tij në nivelet më të larta politike dhe
diplomatike kombëtare dhe ndërkombëtare. Sidomos nga miqtë e kombit shqiptar,
Dr. Rugova shikohej si një zëdhënës i denjë dhe mbrojtës i besueshëm i
interesave të shqiptarëve. Zëri i tij dëgjohej dhe respektohej. Me këdo
takohej, bënte miq për veten dhe për kauzën e të drejtave të shqiptarëve. Ai
nuk kishte një personalitet kërcënues dhe i shpjegonte gjërat me fakte.
Ish-presidenti amerikan Bill Klinton, protagonisti kryesor i fushatës për të
siguruar mbështetjen ndërkombëtare për shpëtimin e shqiptarëve të Kosovës nga
terrori i Serbisë, ka pohuar se, “Si askush tjetër, Dr. Ibrahim Rugova e
shpjegonte çështjen shqiptare nga pikëpamja historike dhe njerëzore”. “Nuk
kishte avokat më të mirë që të shpjegonte hallet e kombit shqiptar dhe të
drejtat e tij”, ka thënë Presidenti Klinton. Ndërsa, Presidenti George W. Bush
e ka kujtuar Presidentin Rugova me rastin e vdekjes, duke thënë se “Shtetet e
Bashkuara humbën një mik me të vërtetë të madh, i cili siguroi gjithashtu edhe
respektin e të gjithë botës për qëndrimet e tij kundër dhunës”.
Për
më tepër, Dr. Ibrahim Rugova, si askush më parë ose më vonë, fitoi besimin dhe
mbështetjen e pa kushte të komunitetit shqiptaro-amerikan. Pothuaj pa dallim feje krahinash dhe pa marrë
parasysh bindjet politike. Si rrjedhim mobilizoi shqiptaro-amerikanët që të
shëndërroheshin në një lëvizje lobuese të fortë e historike – e pa parë deri
atëherë – në përpjekjet ushtarake dhe diplomatike për çlirimin dhe pavarësinë e
Kosovës. Një lëvizje kjo e papërsëritëshme deri më sot dhe nuk besoj se do
përsëritet më, në historinë e këtij komuniteti – të pakën siç duken punët sot.
Kjo
lëvizje e fuqishme lobuese është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së
Presidentit Rugova që e ka zanafillën në atë vizitë të vitit 1989, i ftuar në
Amerikë nga Kisha Katolike Shqiptare në Nju Jork, së bashku me akademikë të
shquar shqiptarë nga trojet shqiptare, për të marrë pjesë në seminarin për
Imzot Pjetër Bogdanin.
Dr.
Rugova ishte i bindur se për Kombin shqiptar nuk kishte rrugë tjetër, përveç
radhitjes së tij, ndershmërisht, me të drejta dhe me përgjegjësi të plota,
përkrah kombeve të përparuara të Perëndimit dhe përfundimisht, si pjesë e
pandarë e organizmave Euro-Atlantike.
Për të arritur këtë objektiv, ai ishte i bindur se shqiptarët kishin
nevojë për të bërë miq dhe mbështetës të tyre në nivel ndërkombëtar. Ai siguroi
përkrahjen e Perëndimit, e sidomos të Shteteve te Bashkuara të Amerikës, për në
rrugën e bashkimit dhe të integrimit të Kombit shqiptar në organizmat
euroatlantike me vendet perëndimore. Ai e kishte bërë të qartë prej fillimit se
ku do të mbështetej më shumë, duke thekësuar shpeshëherë “miqësinë e përhershme
midis popullit shqiptar dhe popullit amerikan”.
Ndryshe
nga klasa politike post-komuniste shqiptare, Presidenti Ibrahim Rugova ishte i
vetëdijshëm për dëmet që regjimi komunist i kishte sjellë gjatë dekadave
imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në radhët e miqve të vjetër të Kombit
shqipta, si Shtetet e Bashkuara. Dhe për
të siguruar mbështetjen e miqve të Kombit shqiptar si Shtetet e Bashkuara, ai
besonte se me shembjen e komunizmit, Kombi shqiptar duhej të ndërtonte baza të
reja dhe të forta të ekzistencës së tij në shekullin XXI, mbi vlerat dhe në
themelet e trashëgimisë shpirtërore, historike dhe patriotike të rilindësve të
vërtetë shqiptarëve.
Ishin
këto karakteristike, cilësi, parime por edhe kultura e tij njerëzore plotë
urtësi e modesti, të gërshetuara me vlerat më të mira të Kombit shqiptar, ato
vlera që më në fund, e ndihmuan Dr Rugovën që të bënte miq për Kombin shqiptar
dhe të sensibilizonte botën në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në
përgjithësi në trojet autoktone në Ballkanin Perëndimor, ku kanë jetuar me
shekuj.
Në
këtë përvjetor të lindjes, Dr Ibrahim Rugova duhet të kujtohet gjithashtu, jo
vetëm për miqtë e shumtë që i bëri Kosovës dhe shqiptarëve, anë e mbanë botës,
por edhe për shembullin e tij si njeri dhe si udhëheqës shqiptar i kohërave
moderne, i cili mbi të gjitha, besonte se dashuria për Kombin dhe mbrojtja e
interesave kombëtare dëshmohet para botës,
duhet të jenë në përputhje me ruajtjen e nderit personal dhe emrit të
mirë shqiptar, në botë.
Takim
i Presidentit historik të Dardanisë, Dr Ibrahim Rugova me Pesidentin e Shteteve
të Bashkuara të Amerikës, Z. Bill
Clinton
Autori
me Dr. Ibrahim Rugovën dhe Dr. Elez Biberaj në shtëpinë e Elezit në Virginia,
jo larg Washingtonit
Dr.
Ibrahim Rugova, Frank Shkreli dhe Dr. Engjëll Sedaj në Kongresin e Shteteve të
Bashkuara në Washington, Tetor 1989. Ishte kjo vizita e parë dhe takimi
im i parë me Presidentin e ardhëshëm të Republikës së Kosovës në Washington,
por jo e fundit. (Foto ekskluzive e autorit nga vizita e parë e Dr. Ibrahim
Rugovës në Washington.