| E premte, 01.12.2023, 08:46 PM |
Ngritja për herë të parë Flamurit të Gjergj Kastriotit në Bratile të Deçiqit (6 Prill 1911) dhe ringritja e tij 20 muaj më vonë gjatë Shpalljes së Pavarsisë më 28 Nandor 1912
“Historia,
asht mësuese e madhe, njerzit janë nxanës të kqinj”
– Bismark
Nga
Klajd Kapinova
Sa herë që shqiptarët
brenda dhe jashtë trojeve etnike përkujtojnë Pavarësin e Shqipnis, harrojn me
ose pa dashje të ritheksojn se Flamuri i Ringritur në Vlorë, është po ai
flamur shqiptar që asht ngrit për herë të parë nga fatosat e lirisë së
Malcis të prim nga plaku i urtë e trim Ded Gjon Luli më 6 prill 1911, pra 20
muaj më përpara se po ai flamur, që u Ringrit në Vlonë.
Pse
perdoren dje dhe sot dy standarte historiografie tuj anashkalue ngritjen për
hërë të parë të Flamurit dhe mbivleresue Ringritjen po të njejtit Flamur
shqiptar për herë të dyte në Vlone!?
Kryengritja në
fjalë, i dha nji mësim shumë të mirë pushtuesit turk “tue provue
në gjuhën e plumbave se kishte perendue tashma koha e ekspeditave ndërshkimore
dhe e reprezaljeve, të udhëhequna nga gjeneral shum të zot dhe të sprovuem në
mizori, si Shefqet Turgut Pasha me shokë”.
Historiani erudit at
Marin Sirdani (1885-1962), duke vlerësue kontributin e elementit
katolik shqiptar në drejtim të atdhedashunisë, mbi lëvizjet shtypse të
xhonturqve të rij kundër nacioneve (që kërkonin liri), cek ngjarjen e
randsishme të historisë me 6 Prill 1911, kur shkruan: “Barbarit, mandej të
kryesum prej Xhavit Pashës e Shefqet Turgut Pashës për të shtyp shqyptart çuen
pesh zemrat e shumkuj, e Leket e Malcis qi nuk ishin ken msue me u ba rajë e
askuj, tue provue se vetem arma muejte me u sigurue gjan, mallin, nderen e të
drejtat qi kishin pas gzue per qindra vjet edhe nen Turki nisen me levis.”
Me 6 prill 1911, Malësia, nxorri nga katakombet otomane
në dritën e diellit europian, Flamurin Kombëtar të Gjergj Kastriotit…
Në këtë ditë të paharruar nga mali i
Deçiq u valvitë flamuri jonë kombëtar i larë me lot e gjak për 432 vite
rrjesht. Ky “oxhak” i shqiptarisë nuk u fik kurrë edhe pse mbi të u derdhën
papushim; rrebeshe, stuhi, gjakë, lotë e mundime. Tash mbi një shekull në
trojet tona bëhet be; pasha njatë flamur që u ngrit në Deçiq…
Në betejën e hatashme luftarake asokohe u vranë trimnisht
kelmendas, hotjan, shkrelas, koplikas, kastratas e shkodran, të cilët ishin të
ndihmuem shpirtënisht dhe moralisht nga ajka e ndritur e prelatëve dhe klerit
katolik shqiptar.
Pikërisht, për hir të
së vërtetës së dokumentuem në shtypin e kohës, për llogari të ekspeditave
famkeqe ndëshkimore të Turgut Pashës e Portës së Nalt, brënda ushtrisë
pushtuese ishin të veshun me rroba e pagueshin rregullisht (mercenarë) disa
trathtarë shkodranë, të cilët i shërbenin me besnikëri baba dovletit,
tuj iu kundërvue me armë në dorë drejtpërdrejt fatosave malsorë të Ded Gjon
Lulit, të cilët pa iu tremb syni e dridh pushka mbanin me krenari dhe
vendosmeni njeni mbas tjetrit në maj të kodrës së Deçiqit Flamurin Nacional të
Gjergj Gjon Kastriotit.
Publiçisti dhe
patrioti i mirënjohur Risto Siliqi, në librin e parë: “Pasqyra e ditëve
të përgjakshme në të pestin shekull Shqypnis të robnueme”, Trieste, korrik
1912, shkruan: “Me 26 të marsit, ndër ta rob u xu dhe Abas Bekteshi, njaj
trathtar qi në kohë të aksionit reformator ju pat kundershtue si shqyptar
Shefqet Turgut Pashës, dhe pasi e patën burgosun e dy herësh, në të pamë të
gjith popullit t‘Shkodres, e patne shtrue n’dajak, e ky i poshtri u çue me i
ndihmue anmikut të vet e me u vra me vllazën. Kët ditë dhe prej Jusuf
Gjokajve të frigsuem prej plumbave të shqyptarëve ikën në Podgoric 70 vetë të
turkut.”
Mbi kryengritjen në
Malci, prof. Abaz Ermenji (1910-2003), në veprën e vet historike:
“Albania - Vendi që zë Skenderbeu në historin e Shqipërisë”, nënvizon: “Valiu
i Shkodrës Bedri Pasha, u gjet ngushtë se s’kishte forca të mjaftueshme për
t’iu bërë ballë kryengritësve. Prandaj, u vu të shfrytëzonte fanatizmin fetar
të myslimanëve duke iu thënë se “Dini” ishte në rrezik dhe duke i
gënjyer se gjoja të krishterët donin të sillnin në Shkodër Malin e Zi. Me këto
intriga mujti të mblidhte një turmë shqiptarësh myslimanë prej Shkodre dhe t’i
dergonte për të luftuar kundër vëllezërve të tyre katolikë. Por këta “mbrojtës”
të “dinit” u shpartalluan shpejt; disa u bashkuan me kryengritësit. Për fat të
mirë, ky dram i shemtuar vëllavrasjeje nuk u përsërit më në Shqipërinë e Veriut.”
Historia
e historiani, vetëm tuj ken të sakt e kritik, krijojn dhe rrisin vetdijën
nacionle e historike
Diktatura e
proletariatit, lufta ruso-kineze e klasave dhe koncepti i prolekulturës, ishin
instrumente e mbules e mjaftueshme, që atje të bahen krime ndaj njerëzve dhe të
asgjësohen dokumente, të falcifikohen epoka e ngjarje të historisë, të
likuidohen përsonalitete e momente të kulturës.
Në librin e historisë
hartue për nxansit e shkollave të mesme (me disa ribotime formale, ka ndryshue
vetëm paraqitja, por jo përmbajtja, shënimi im K.K.), harta historike e
ngjarjeve të kohës, e hartue për t’u njohur nga brezat e sotëm, përsëri ka
shumë pasaktsina, ç’ka të krijon përshtypjen, se kemi të bajmë me nji
kryengrije spontane.
Për fat të mir, jehona
e ngjarjes shqiptare gjeti pasqyrim në shtypin e atëhershëm shqiptar dhe të
huaj. (Shih koleksionet: “Hylli i dritës” “Leka” (Shkoder), “Corriere d’Italia”
(Itali), “Liri e Shqypnis” (Sofje), “The Times” (London), “Ora e Maleve”,
“Cirka”, “Shqypnia e re”, “Ora e Shqypnis”, fletoret e qytetit të Shkodres,
dorshkrimet (e pabotueme të klerikve katolik, të cilat sot kan mund të
mbijetojn, Arkivi i Vatikanit, Austris, Britanis Madhe, Hungaris, Italis, Malit
të Zi, AQSH, fondi 270, Gjush Sheldija “Historija e Shkodres” (dorshkrim i
vjetit 1945).
Urretja, që kishin
malësorët kundër regjimit xhonturk, bani që revolta në këtë pjesë të filloj
ashtu siç e kishin mendue vet krent patriot malsor.
Në Muzeun Nacional të
Kuvendit Françeskan në Shkodër, klerikët, me dashuni prindore ruajtën për shumë
vite në gji simbolin e liris shqiptare.
Për këte dëshmojn
etnit françeskanë: at Leon Kabashi o.f.m., at Viktor Volaj o.f.m., at Daniel
Gjeçaj o.fm. e at Zef Pllumi o.f.m., të cilët për nji kohë janë marrë me
mbarshtrimin e institucionit.
Sikur të mos ishte
ngrit Flamuri dhe sikur të mos kishte ekzistue ai Flamur, do të kishin pas
guxim etnit françeskan me sajue nji gja të tillë? Patriotizmi e ndërshmnia
në pasqyrimin e ngjarjeve nacionale, kanë kenë ndër shenjat dalluese të françeskanëve
shqiptarë, prandaj edhe nuk mund të vihet në dyshim vërtetësia e ngjarjes.
Qëndrimi i klerit
ndaj Kryengritjes së Malësisë, ka qenë dashamir e mbështetës pa rezerva, për
trimat e prijsin e dashun Ded Gjon Luli.
Midis tyne ishte
famullitari i Kastratit at Mati Prenushi o.f.m. Pas disa viteve, në
kohën, kur atij i bahej gjyqi komunist, i pyetun nga hetuesia, që zhvilloi
gjyqin, pikërisht aty, ku kishte qenë redaksia e revistës kulturore Hylli i
Dritës, ndër të tjera pohoi: “Përveç muzikës me sakrifica të mëdha, kam
përshkue nga antikuari i bibliotekës edhe të gjitha veprat qi flitshin për
Gjergj Kastriotin nga populli shqiptar. Të gjith këto vepra janë këtu edhe sot
në bibliotekën françeskane. Kur u ktheva në Shqipni, kam shkue famullitar nepër
male. Kam marr pjes aktive në kryengritje bashkë me malcort e prim prej Ded
Gjo’ Lulit në vjetin 1911, e kam ndej disa koh me popullin i strehum në Mal të
Zi”.
Pra, sikurse
shikjohet, kleri u përfshi pa ngurrim si shërbestar i grigjës së vet edhe
atëherë, kur cënoheshin interesat e nalta nacionale, dhe jo sikurse ka shkrue
me fantazi bashkqytetari shkodran prof. dr. Gazmend Shpuza e disa
profesor të tjerë Akademisë së ‘shkencave’ me nji urretje patetike, se: “Me
veprimtarinë e vet përçarëse, kleri vështirësoi bashkimin e popullit shqiptar
në luftë për liri. Pavarësisht se nuk ia arriti, ai u përpoç të fuste
shqiptarët në një luftë vllavrasëse.
Meqë
pushtuesit osmanë nuk mundën të shtypnin kryengritjen, kleri veproi me të
gjitha forcat për t’i mashtruar kryengritësit, që të hiqnin dorë nga kërkesat e
tyre kombëtare, ose për të mbajtur larg nga kryengritja popullsinë e krahinave të tjera të vendi.
Reaksioni
klerikal katolik me demagogji vazhdimisht që të spekullojë mbi luftën e
pareshtuar të popullsisë katolike të vendit tonë kundër pushtuesve osmanë, për të maskuar sadopak qëndrimin e vet
reaksionar e bile antikombëtar.
Prandaj
jo më kot shtypi klerikal, veçanërisht me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së
Pavarësisë, i është referuar luftës së malësorëve të Mirditës dhe të
Mbishkodres.
Por,
kleri katolik, duke qenë në shërbim të papatit e të Perandorisë Austriake,
ishte i detyruar për hir të interesave të padronëve të vet që të vihej edhe në
shërbim të autoriteteve osmane.
Dihen
përpjekjet dhe roli që luajtën klerikët reaksionarë me në krye arqipeshkvin e
Shkodrës Jak Serreqin dhe Abatin e Mirditës Preng Doçin në ndihmë të Shefqet
Turgut Pashës me 1910 dhe më 1911, për t’i mashtruar e detyruar masat e
malësorëve që të ulin armët dhe të heqin dorë nga kërkesat kombëtare të
Memorandumit të Gërçës.
Pra,
lufta e malësorëve të udhëhequr nga Dedë Gjo Luli, nuk ka asnjë të përbashkët
me qëndrimin reaksionar klerikal”
Shkrimtari,
folkloristi at Donat Kurti o.f.m. (1903-1983) (që do të
zbulohej gjatë komunizmit të zi, i braktisun e i vdekun
fatkeqsisht në nji kasolle të zbuluem e pa kulm në rrugicat e vjetra të
Shkodres së shkret, mes borës e acarit të dimnit, shënimi im K.K.),
në përkujtim të 50-vjetorit të shkollës së njohun françeskane thotë: “N’at
dit Shqyptari njimend mushi mushknit me frymët’liris e brittë n’zemer t’vet:
“Rrnoft Shqypnja’ tuj ba jeh në ket mnyrë Flamurit t’Shqypnis të ngrehun me
guxim e trimni, po n’at vjet me 6 Prill 1911 prej Ded Gjo’Lulit në Bratile
t’Deçiqit”.