| E merkure, 29.11.2023, 09:06 PM |
LETËRSIA HISPANOAMERIKANE
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Kur flitet për letërsinë
hispanoamerikane duhet pasur parasysh faktin se ajo është zhvilluar në njëzet
shtete të cilët përdorin gjuhën spanjolle; secila prej këtyre shteteve e ka
letërsinë e vet, me specifikat e veta që e dallojnë prej letërsive të tjera.
Për këtë arsye, letërsia hispanoamerikane nuk është aq lehtë të përfshihet dhe
të paraqitet si një tërësi organike.
Për ta kuptuar më mirë dhe për ta
vlerësuar drejtë këtë letërsi, duhet pasur parasysh rrethanat tejet të vështira
në të cilat është zhvilluar ajo. Në radhë të parë këtu kemi të bëjmë me epokën
kolonialiste dhe me varësinë nga letërsia dhe kultura spanjolle. Më vonë
pasojnë luftërat për çlirim, në fillim të shekullit XIX, formimi i shteteve dhe
i kombeve të reja, paqëndrueshmëria politike, prapambetja ekonomike dhe shkalla
e ulët e zhvillimit ekonomik, ndarja e padrejtë e të mirave shoqërore, rendi
gjysmëfeudal, me pronarë të pasur tokash dhe me masën e fshatarësisë së varfër,
shumica indianë, të cilët deri në ditët tona kanë qenë, jo një problem racor
por social. Hapësirat e mëdha pa rrugë qarkullimi, nuk janë zhvilluar në mënyrë
të barabartë: në bregdete janë krijuar qytete të mëdha në të cilat janë
përqendruar çdo gjë – industria, tregtia, arsimi, administrata – ndërsa pjesët
e brendshme apo periferike janë lënë pas dore. Natyra e egër dhe e paprekshme,
me pampa, me pyje të pashkelura dhe me kodra të larta ka mbjellë frikë te
njeriu: para asaj, ai është ndjerë i pafuqishëm. Për këtë arsye, përjetimi dhe
pasqyrimi i peizazheve, i tokës, i fshatit në letërsinë hispanoamerikane ka një
rëndësi të veçantë, qenësisht jetësore dhe jo dekorative. Të gjitha këto
probleme të mëdha dhe të ndërlikuara shoqërore dhe jetësore kanë qenë tepër të
rënda, ndaj shkrimtarët s’kanë mundur t’i anashkalojnë. Prandaj kjo letërsi
gjithmonë ka qenë e lidhur me mjedisin në të cilin është krijuar; Kjo letërsi
ka qenë reflektim i jetës dhe i realitetit. Shpeshherë, rrethanat e vështira
shkrimtarëve ua kanë ngushtuar horizontin dhe ua kanë penguar ngjitjen apo
vrullin. Megjithëkëtë, letërsia hispanoamerikane
apo latinoamerikane ka dhënë poetë dhe prozatorë të jashtëzakonshëm, të cilët
kanë fituar famë botërore, sidomos në shekullin XX.
*
* *
Krijimtaria letrare
para Kolombos – Kur spanjollët shkelën në kontinentin amerikan, u
befasuan tej mase u befasuan me qytetërimet tejet të zhvilluara që hasën aty.
Konkistadori spanjoll Herman Kortes (Hermán Cortés, 1485-1547)
zbarkoi në Meksikë në vitin 1519. Gjeti shtetin shumë të rregulluar të aztekëve,
me qytete, ndërtime, tempuj, me ekonomi dhe me bujqësi të zhvilluar. Në vitin
1531 u befasua edhe konkistadori spanjoll Francisko Pizaro (Francisco
Gonzales Pizarro, 1478-1541) kur filloi ta pushtojë mbretërinë e inkëve
në Peru. Këta popuj, krahas arteve të tjera, si skulptura, piktura, tapiceritë,
qeramikat, punimi i arit, kishin edhe letërsi e cila mbartej kryesisht
nëpërmjet traditës gojore, për arsye se nuk kishin shkrime, me përjashtim të majëve
të cilët përdornin shenja figurative, por që shkenca sot e kësaj dite nuk ka
mundur t’i deshifrojë saktë. Tek aztekët shumica e tyre kanë qenë tekste
ritualesh, lutjesh dhe didaktike, në vargje dhe në prozë, pastaj legjendat dhe
rrëfimi historik. Kanë ekzistuar shkolla të veçanta në të cilat këto tekste
janë mësuar përmendësh, duke u përcjellë kësisoj brez pas brezi. Inkët,
përveç teksteve fetare kanë pasur edhe poezi të pasur dashurie po edhe
një lloj drame. Pjesa më e madhe e këtyre veprave nuk është ruajtur në
gjuhët burimore, por në përkthimet në gjuhën spanjolle. Me të pushtuar Meksikën
dhe Perunë, bashkë me pushtuesit dhe plaçkitësit, si misionarë, aty kanë
mbërritur edhe klerikët spanjollë dhe shumë prej tyre, për ta predikuar
krishterimin, e kanë mësuar gjuhën e indigjenëve apo të popullsisë
vendëse. Disa prej tyre janë interesuar edhe për të kaluarën e tyre dhe për
trashëgiminë kulturore të pasur. Në këtë mënyrë, ata i kanë shënuar dhe kanë
lënë shumë tekste të tyre, herë-herë edhe në gjuhën burimore dhe të përkthyera
në spanjisht. Sot, këto janë të vetmet burime për studimin e trashëgimisë
letrare të aztekëve, të majëve dhe të inkëve.
*
* *
Letërsia
hispanoamerikane (latinoamerikane) përbëhet prej letërsisë gojore dhe të
shkruar të Amerikës Latine në disa gjuhë, posaçërisht në gjuhën spanjolle,
portugeze dhe në gjuhët autoktone të Amerikës, si dhe prej letërsisë së
Shteteve të Bashkuara në gjuhën spanjolle. Në shkallë globale është bërë e
njohur sidomos gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, kryesisht në saje të
suksesit ndërkombëtar të stilit të njohur si realizëm magjik.
Si e tillë, letërsia rajonale shpesh është e ndërlidhur vetëm me këtë stil, me
lëvizjen letrare të shekullit XX të njohur si bum latino amerikan
dhe me eksponentin më të njohur të saj, Gabriel Garsia Markezin (Gabriel
José de la Concordia García Márquez, 1927-2014). Letërsia latino-amerikane ka
një traditë të pasur dhe të ndërlikuar të krijimtarisë letrare që daton shumë
shekuj pas.
Historia e letërsisë
latinoamerikane fillon
me letërsinë parakolumbiane. Format kryesore të kësaj letërsie
ishin: romani, poezia, drama, tregimi dhe novela. Zhanre të kësaj letërsie
ishin: komedia, drama, epi, krijimet erotike, lirika, krijimtaria kalorësiake,
satira, tragjedia, tragjikomedia dhe romanca.
Kulturat parakolumbiane kryesisht kanë qenë krijime
gojore, ndonëse astekët dhe majët kanë prodhuar kodekse të
ndërlikuara. Ngandonjëherë janë parë edhe shënime gojore për besimet
mitologjike dhe fetare pas ardhjes së kolonizuesve evropianë, siç ka qenë rasti
me Popol Vuh. Duhet shtuar se tradita e të rrëfyerit gojor ka
mbijetuar deri në ditët tona, për shembull në radhët e popullsisë keçuane të
Perusë dhe popullsisë kiçe (K’iche’) të Guatemalës.
* * *
Letërsia e epokës
koloniale – Me t’u formuar
kolonitë e para spanjolle në kontinentin amerikan, bashkë me pushtuesit,
mbërritën atje edhe klerikët (françeskanët, augustinët, dominikanët) të cilët
ngritën kisha dhe manastire, por edhe shkolla. Puna e këtyre misionarëve ka
qenë aq e ngjeshur dhe e suksesshme saqë në Santo Domingo, qysh në vitin 1540 u
hap universiteti, ndërsa një vit më vonë edhe në Limë dhe në Meksikë. Në vitet
1540-1580 në të gjitha qendrat e mëdha u hapën shtypshkronja, më vonë pasuan
teatrot si dhe institucionet e tjera kulturore-arsimore. Në rrethana të tilla, filloi
edhe krijimtaria letrare në gjuhën spanjolle.
Veprat e para të shkruara në Amerikë në gjuhën
spanjolle apo të shkruara në Spanjë për Amerikën, kanë qenë kronikat dhe
raportet e konkuistadorëve dhe të klerikëve të cilët kanë udhëtuar me
ta. Vepra të tilla, diku rreth pesëdhjetë, janë shkruar gjatë shekullit XVI. Të
gjithë autorët janë spanjollë.
I pari prej këtyre raportuesve ka qenë detari i
madh dhe i guximshëm, me prejardhje nga Gjenova - Kristof Kolombo (Cristóbal
Colón, 1451-1506) me ditarin dhe me letrat e tij të dërguara mbretërve katolikë
(Ferdinadit dhe Izabelës). Mjeku i Kolombos, fizikani spanjoll Diego Alvarez
(Diego Álvarez Chanca, 1463-1515) është i pari që e përshkroi florën në
Antile, ndërsa frati me prejardhje katalonase Ramon Pane (Ramón Pané, ?
– vdiq në vitin 1571), me urdhrin e admiralëve përshkroi religjionin dhe
ritualet fetare.
Shumë letra ka shkruar edhe konkuistadori spanjoll Hernan Kortes (Hermán Cortés,
1485-1547). Ky njihet si pushtues i pamëshirshëm i Meksikës. Në letrat e tij ka
një mori të dhënash dhe konstatimesh të çmueshme.
Të parën “Histori të përgjithshme
dhe natyrore të indeve” (Historia gjeneral y natyral de las Indias) e
shkroi Gonzalo Fernadez de Ovideo (1478-1557), vëllimi i parë i së cilës
doli në vitin 1527. Përpos ngjarjeve, ky ka përshkruar edhe vendin, natyrën,
florën dhe faunën.
Polemika më të mëdha shkaktoi
dominikani Bartolome de las Kasas (Bartolome de las Casas, 1474-1566).
Ky erdhi në ishullin Dominikan në vitin 1506. Në shkrimin e vet “Raport i
shkurtër për zhdukjen e indianëve” (Brevisíma relació n de la destruyción de
las Indias, 1552) shkaktoi indinjatë sidomos në Evropë. Në këtë
shkrim është krijuar “legjenda e zezë” për Spanjën dhe për
veprimet e saj në vendet që sapo i kishte pushtuar. Sipas këtij autori, spanjollët
janë mishërim i së keqes dhe i padrejtësive, ndërsa indianët janë plot
mirësi dhe fisnikëri.
Një prej shkrimeve më të rëndësishme
dhe të shkruara më së miri është “Historia e vërtetë e pushtimit të
Meksikës” (Verdadera historia de los sucesos de la conqiusta de la Nueva
Espana) të botuar në vitin 1632. Autor është Bernal Diaz del Kastillo (Bernal
Diaz dell Castillo, 1492-1581). Ky shkrimtar ka qenë ushtar i konkuistadorit
spanjoll Hernan Kortes (Hermán Cortés, 1485-1547).
Pason vepra tejet interesante dhe e
dobishme “Historia e ngjarjeve në Meksikë” (Historia de las cosas de Nueva
Espana) e Fray Bernardino de Sahagun (1499-1590) i cili pjesën më të
madhe të jetës së vet ia kushtoi sistemit shkollor në Meksikë dhe arsimimit të aztekëve.
Libri i sipërthënë sot e kësaj dite është vepër monumentale unike për njohjen e
kulturës së vjetër të aztekëve e cila dalëngadalë zhdukej nga faqja e
dheut. Është ndër të parët i cili nxori në dritë shumë tekste të aztekëve.
Ishte i pari sociolog, linguist dhe antropolog amerikan.
Françeskani dhe misionari Jeronimo
de Medina (1525-1604), pas një pune të gjatë dhe përvoje të madhe, në vitin
1596 e përfundoi librin “Historia e kishës indiane” (Historia eclesiástica
indiana). Në këtë vepër, përpos çështjeve kishtare, pasqyroi edhe shumë
probleme të tjera. Ai i lëvdon institucionet politike para ardhjes së
spanjollëve dhe shpreh keqardhje që pushtuesit kishin shkatërruar një jetë të
rregulluar dhe idile. Dënon veprimet e administratorëve spanjollë dhe ngre
zërin e protestës kundër shfrytëzimit mizor të indianëve nëpër miniera. Këto
çështje do të shfaqen si akuza edhe në luftërat për pavarësi në fillim të
shekullit XIX.
Regjistrues i shquar i ngjarjeve në
Peru ka qenë Pedro Cieza de Leon (1518-1560). Ky mbërriti atje në moshën
13-vjeçare. Shkruante me ngulm dhe u emërua kronist i nënmbretërisë në Limë.
Shumë prej kronistëve të angazhuar
nga administratorët spanjollë të cilit kishin dhuntinë e observimit dhe ndjenjë
e drejtësisë, kanë lënë një numër të madh dëshmish tronditëse dhe të vërteta
për njerëzit dhe ngjarjet.
Kronistë të shquar ishin edhe
amerikanët, qofshin indianë të pastër apo të përzier, të cilët e kishin mësuar
gjuhën spanjolle dhe alfabetin latin. Këta shkruanin kryesisht në gjuhën
spanjolle, por edhe në gjuhët vendase, me alfabetin latin. Pikëpamjet e
tyre mbi çështjet dallohen dukshëm prej pikëpamjeve të spanjollëve. Midis tyre
shquhen Fernando de Alba Ixtlilxochitl (shekulli XVI) me librin “Historia
e çiçimekëve”, Diego Munoz Camargo, autor i librit “Historia e
Tlaksalit”, shkrimtari peruan Felipe Guánan Poma de Ayala (1535-1615)
me librin “Kronikë e re” të shkruar në vitin 1584, por që është gjetur
në Kopenhagë jo më parë se në fillim të shekullit XX.
Këta kronistë dhe shkrues të tjerë
kanë regjistrua një numër të madh tekstesh të ndryshme si dhe shumë këngë
popullore të indigjenëve apo të popullsisë vendase të cilët i këndojnë
shkatërrimit të mbretërisë së tyre.
Duhet përmendur edhe Huan de
Santa Kruz Paçakuti (Juan de Santa Cruz Pachacuti) i cili në shekullin XVII
shkroi librin “Raport për lashtësitë e Mbretërisë peruane”.
Më i rëndësishmi nga të gjithë këta
shkrimtarë ka qenë kronisti peruan Inka Garsilaso de la Vega (Inca
Garcilaso de la Vega, i njohur me nofkën El Inka / El Inca; emri i vërtetë
Gómez Suárez de Figueroa; lindi në Cuzco, Peru, 1539 – vdiq në Kordobë, Spanjë,
1616). Ishte bir i konkuistadorit spanjoll të një fisi të shquar dhe i një
princeshe nga dera mbretërore e inkëve. Nënën e kishte indiane.
Gjuhë amtare e kishte gjuhën keçuane. Njihet si një prozator
i mirë. Vepra e tij është një burim i pashtershëm të dhënash për mbretërinë e inkëve,
për të gjitha degët e jetës së tyre, e traditave, e ligjeve, e rregullimit të
brendshëm, e moralit dhe e çdo gjëje tjetër. Në moshën 20-vjeçare u vendos në
Spanjë. Përktheu nga italishtja librin “Biseda për dashurinë” (Dialoghi
d’amore) të shkrimtarit hebraik nga Portugalia Leone Ebreo (Juda
Leone Abravanel, Lisbonë, Portugali, 1464 – / vdiq në Itali). Libri u shfaq në
vitin 1535, ndërsa u botua për së pari në vitin 1607. Në kohën e Rilindjes, ky
libër ka qenë shumë i popullarizuar. Vepra më e rëndësishme e Inka
Garsilasos është “Komente mbretërore” (Comentarios reales, Lisbonë,
1609; 1617). Vepra ka mbi 1000 faqe të formatit të madh. Ka një simpati
të madhe për racën e së ëmës, e cila ka qenë e shtypur në mënyrë të
pamëshirshme. Inka Garsilaso kishte kuptim të madh për detajet, për koloritin
dhe për shprehje figurative. Në saje të kësaj, Garsilaso më tepër është
shkrimtar, krijues sesa historian dhe kronist. Vepra e tij, që në shekullin
XVII u përkthye në frëngjisht dhe në anglisht, duke përjetuar një sërë
ribotimesh në këto dy gjuhë. Me rastin e një rebelimi në Peru në vitin 1782,
libri “Komente mbretërore” i Garcilasos u ndalua me arsyetimin se “indigjenët
prej atij libri kanë mësuar shumë gjëra të dëmshme”.
Poezia – Shenjat e para për krijimtarinë poetike dhe për poezinë
në përgjithësi në kontinentin amerikan, pas ardhjes së spanjollëve, i hasim te
kronistët e lartpërmendur. Ushtarët në raste të caktuara kanë recituar apo kanë
kënduar pjesë këngësh popullore spanjolle (romances). Edhe poetët e parë
amerikanë në Meksikë dhe në Peru kanë përdorur vargun tetërrokësh të romancës
popullore. Midis tyre Mateo Rosas de Oquendo (1559-1621) dhe Fernan
Gonzalez de Eslava (1534-1601), i cili u bë i njohur si një prej petrarkistëve
të parë amerikan.
Poeti i parë që meriton vëmendje ka
qenë meksikani Fransisko de Terazas (Francisco de Terrazas; Meksiko,
1525/1540? – Nueva, Spanjë, 1600?), bir i një konkuistadori, i lindur në
Meksikë. Në vitin 1584, këtë e përmend dhe e lëvdon edhe shkrimtari spanjoll Miguel
de Servantes (Miguel de Cervantes Saavedra, 1547-1616).
Vend të rëndësishëm zë poeti spanjoll
Alonso de Ercilla (1533-1594), i lindur në Madrid, i edukuar në oborrin
mbretëror, diplomat. Në vitin 1554 erdhi në Peru dhe si kapiten mbretëror mori
pjesë në pushtimin e Kilit, posaçërisht në pushtimin e Araukanisë. Pjesën e
parë të eposit “Araukana” (Araucana) e botoi në Madrid në vitin 1569.
Aty u këndon luftërave me araukanët. Për model pati poetin italian Ludoviko
Ariosto (Ludovico Ariosto, 1474-1533).
Poet me vlerë i kësaj periudhe është
amerikani Pedro de Ona (1570-1643) i lindur në Kili, autor i eposit “Araukani
i nënshtruar” (Arauco domado, 1596) në të cilin e ngre lartë
nën-mbretin e Perusë Garsia de Mendoza (García Hurtado de Mendoza;
Cuenca, Spanjë, 1535 – Madrid, 1609), i cili ishte kryekomandant i luftërave që
i përshkruan poeti Alonso de Ercilla. Për indigjenët, amerikani i lindur Pedro
de Ona për njeriun araukan shkruante me përbuzje, e konsideronte të egër
dhe bishë, ndërsa poeti spanjoll Ercilla kishte për ta mendim dhe qëndrim krejt
tjetër. Duhet shtuar se oktava e Pedro de Onas është e kompozuar ndryshe nga
oktava italiane dhe e Ercillas, me rimat ABBABACC. Te Pedro de Ona hasim edhe
elemente baroku.
Në fillim të shekullit XVII në
poezinë amerikane, nën ndikimin e letërsisë spanjolle, vërehen edhe shenjat e barokut,
por edhe të së kundërtës së tij, kulteranizmit. Në modë ishin
poeti spanjoll Luis de Gongora y Argote (Luis de Góngora y Argote,
1561-1627), shkrimtari spanjoll Fransisko de Kevedo y Vilegas (Francisco
de Quevedo y Villegas, 1580-1645),
dramaturgu dhe poeti spanjoll Pedro Kalderon de la Barka (Pedro
Calderón de la Barka, 1600-1681) dhe poetë të tjerë.
Peruani Huan de Espinosa Medrano (Juan
de Espinosa Medrano, 1630-1688) i mbiquajtur “Pikaloshi” (El Lunarejo), poet,
prozator dhe autor pjesësh teatrore, ithtar i barokut, në vitin 1662
botoi librin “Apologji në nder të Gongorës” (Apologia en favor de Góngora).
Dy qendra kryesore të krijimtarisë poetike janë Meksika dhe Peruja.
Një prej poetëve të mirë të fillimit
të shekullit XVII ka qenë spanjolli Bernardo de Balbuena (1568-1627).
Ishte nga Mança (Mancha). Ka qëndruar në Meksikë, në Xhamajkë dhe si ipeshkëv
në Porto-Rikë. Ka qenë poet epik. Vepra e parë e tij është “Madhësia e
Meksikës” (Grandeza mexicana, 1604) në tercine. Në këtë vepër
i këndon shkëlqimit dhe bukurisë së qytetit të Meksikos, jetës intelektuale dhe
mondane të qytetit dhe natyrës së bukur. Në epin e madh “Bernardo ose
fitorja në Roncesvalles” (Bernardo o la victoria de Roncesvalles, 1624)
i këndon fitores së Spanjës ndaj Francës.
Më e mira poete hispanoamerikane,
mbase e vetmja e mirëfiltë e epokës kolonialiste ka qenë Sor Huana Ines de
la Kruz (Sor Juana Inés de la Cruz, emri i vërtetë Juana Inés de Asbaje,
1651-1695) e lindur në Meksikë si fëmijë jashtëmartesor nga babai bask
dhe nga nëna kreole. Në moshën trevjeçare lexonte dhe shkruante,
vetë e mësoi latinishten. Për arsimimin dhe bukurinë që kishte, e morën për
damë oborri. E dëshpëruar, në moshën 18-vjeçare vajti në manastir ku iu
përkushtua shkencës dhe letërsisë. Këtu erdhi në konflikt me eprorët. E shiti
bibliotekën e saj të pasur, ndërsa paratë ua ndau të varfërve. Vdiq nga murtaja
duke u kujdesur për të sëmurët. Shkroi pjesë teatrale dhe poezi, me të cilat
zuri një vend të respektueshëm në letërsinë në gjuhën spanjolle të kohës së
vet. Në njëfarë dore, pas vdekjes së dramaturgut dhe poetit Pedro Kalderon
de la Barka, ajo shënon vazhdimin e kohës së artë spanjolle.
Përvojat letrare i ndërtoi duke u bazuar në poezinë spanjolle, në radhë të parë
duke pasur për model poetin Luis de Gongora y Argote. Mjeshtërisht i
përdorte të gjitha format poetike dhe strofat, që nga tingëllima (soneti) dhe
romanca deri te redondilla, decima dhe forma e dramës. Vepra poetike më
pretencioze e saj është poema “Ëndrra” (Sueno). E ka shkruar rreth vitit
1685 nën ndikimin e “Vetmisë” të Gongorës. Ka shkruar një numër të
konsiderueshëm tingëllimash (sonetesh) në të cilat i ka shprehur vuajtjet e
veta dhe dëshirat e ngulfatura.
Meriton të përmendet edhe meksikani Huan
del Vale y Kaviedes (Juan del Valle y Caviedes, 1652-1692). ishte bir i një
tregtari. Tuhaf dhe pijanec, i cili nën ndikimin e shkrimtarit spanjoll Fransisko
de Kevedo y Vilegas shkroi satira tejet të ashpra dhe spiritualë, sidomos
kundër mjekëve dhe burrave. Ka qenë tejet i popullarizuar. Satira e tij “Dhëmbi
i Parnasit” (Diente del Parnaso) dhe përmbledhja “Poezi të ndryshme”
(Poesias Varias) u botuan më vonë.
* * *
Në këtë periudhë u shkruan dhe u
botuan edhe pjesë teatrale si dhe prozë.
* * *
Që nga çasti kur evropianët kanë rënë në
kontakt me Botën e re, hulumtuesit e hershëm dhe konkuistadorët kanë
shkruar raporte dhe kronika mbi përvojat e veta. Këtu mund të përmenden letrat
e eksploruesit italian Kolombos (Christopher Columbus, 1451-1506) ose
përshkrimet e pushtimit të Meksikës të konkuistadorit spanjoll Bernal Diaz
del Kastilo (Bernal Díaz del Castillo, ? - ). Ndonjëherë praktikat
koloniale kanë nxitur debate të ashpra mbi etikën e kolonizimit dhe statusin e
popujve autoktonë, që shihet në shkrimin “Raport i shkurtër për zhdukjen e
indëve” të spanjollit Bartolome de Las Kasa (Bartolomé de Las Casa,
1474/1484-1566). Në krijimin e letërsisë koloniale ka kontribuar edhe popullata
vendase. Autorët siç janë kronisti spanjoll Inka Garsilaso de la Vega (Inca
Garcilaso de la Vega, 1539-1615) dhe Guaman Pom (Felipe Guaman Pom de
Ayala, 1534-1615) ka shkruar raporte për pushtimin spanjoll që flasin për
perspektivën e cila shpesh është në kundërshti me raportet e kolonizuesve.
Gjatë periudhës koloniale, kultura e shkruar shpesh
ka qenë në duart e kishës, kontekst në të cilën poetja meksikane Huana Ines
de la Kruz (Juana Inés de la Cruz, 1648-1695) ka shkruar poezi me vlerë dhe ese filozofike. Para
fundit të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX u shfaq tradita letrare
kriole. duke përfshirë romanet e para siç është “Papagalli i
zgjebosur” (1816) i botuesit e autorit meksikan Hose Hoakin Fernandez de
Lizardiev (José Joaqíun Fernández de Lizardi, 1776-1827). Edhe vetë
“liberatorët” shpesh kanë qenë shkrimtarë me renome, siç janë liberatori
latino-amerikan Simon Bolivari (Simón Bolivar, 1783-1830) dhe humanisti,
diplomati, poeti, filozofi venezulian-kilian Andres Belo (Andrés Bello,
1781-1865).
Letërsia e shekullit
nëntëmbëdhjetë – Sipas fjalëve të
kritikut dhe studiueses amerikane Doris Somer (1947-), shekulli
nëntëmbëdhjetë ka qenë periudhë “e fiksionit fundamental” të romanit në
traditën romantike dhe natyraliste që janë përpjekur të ngjallin ndjenjën e
identitetit kombëtar dhe që shpesh janë fokusuar në rolin dhe në të drejtat e
popullatës vendase si dhe në dikotominë “e qytetërimit dhe të barbarisë”,
të cilën në Amerikën Latine e ka ngritur poeti argjentinas Esteban Eçeveria (Esteban
Echeverría, 1805-1851), i cili ka qenë nën ndikimin e romantikëve të Parisit
derisa jetoi atje në vitet 1825-1830. Në atë kohë me romantizmin janë marrë
edhe personalitete letrare të tjera të shquara, siç është shkrimtari
argjentinas Domingo Sarmient (Domingo Faustino Sarmiento, 1811-1888),
autor i veprës “Fakundo” (1845). Këtu mund të përmendim edhe veprën “Martin
Rivas” (1862) të shkrimtari
kilian, themelues i romanit kilian, Alberto Blest Gana (1830-1920).
Vepra e lartpërmendur e tij njihet si roman i parë kilian Është një histori dashurie plot pasion dhe ep
kombëtar për revolucionin. Ndër krijime të tjera të asaj periudhe janë
edhe romani “Maria” (1867) i shkrimtarit kolumbian Horhe Isaks (Jorge
Isaacs Ferrer, 1837-1895), romani “Kumanda” (1879) i shkrimtarit
ekuadorian Huan Leon Mera (Juan León Mera, 1832-1894) dhe “Os Sertoes” (1902) i
zhurnalistit dhe sociologut brazilian Euklid da Kunh (Euclides da Cunha,
1866-1909). Veprat e tilla sot e kësaj dite paraqesin bazë të kanuneve
kombëtare dhe rëndom janë elemente të detyrueshme të programeve të shkollave të
mesme.
Vepra të tjera të rëndësishme të letërsisë
latino-amerikane të shekullit XIX përfshijnë klasikët rajonalë, siç është poema
epike “Martín Fiero” (1872) të poetit argjentinas Hoze Hernandez
(José Hernández, i lindur si José Rafael Hernández y Pueyrredon, 1834-1886).
Rrëfimi për gauçin e varfër të rekrutuar për luftë në betejën kufitare
kundër indianëve. “Martin Fiero” është shembull i “gauçizmit”,
zhanrit argjentinas të poezisë të vendosur në jetën e gauçëve.
Romantizmi.
realizmi, natyralizmi dhe tendencat letrare të reja – Luftërat latino-amerikane për pavarësi që u zhvilluan në fillim të
shekullit nëntëmbëdhjetë në Amerikën Latine, sollën temat letrare të
identitetit, të qëndresës dhe të të drejtave të njeriut. Shkrimtarët shpesh i
ndoqën dhe i modernizuan lëvizjet letrare moderne (krahas romantizmit,
realizmit dhe natyralizmit), por shumë prej tyre hulumtuan edhe idetë siç janë
nacionalizmi dhe pavarësia. Në atë kohë, në Amerikën Latine u përhap pavarësia
kulturore, ndërsa shkrimtarët në veprat e veta pasqyronin tema dhe mjedise
latino-amerikane. Edhe pse literatura e cila vuri në dyshim rendin kolonial
mund të shfaqej në Amerikën Latine gjatë shekullit XVII, popullariteti në
formën e qëndresës kundër Spanjës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe
kombeve të tjera imperialiste u shtua jo më parë se në shekullin XIX.
Shkrimtarët latino-amerikanë kërkonin identitetin latino-amerikan, ndërsa më
vonë kjo do të ndërlidhet ngushtë me lëvizjen letrare Modernismo.
Në letërsinë koloniale mbizotëronin kryesisht
autorët meshkuj, me përjashtim të gjigantëve letrarë siç ishte poetja meksikane
Huana Ines de la Kruz ((Juana Inés de la Cruz, 1648-1695). Por, në shekullin XIX filloi ndryshimi që bëri të
mundur shfaqjen e disa autorëve femra. Rritja e arsimimit të femrave solli në
plan të parë disa autorë femra, duke përfshirë: romantiken kubane, autoren Gertrudis
Gómez de
Avellaneda (1814-1873 ) me romanin “Sab” (1841), roman
romantik që ofron një kritikë subtile të robërisë dhe të trajtimit të femrës në
Kubë; autoren natyraliste peruane Klorinda Mato de Turner (Clorinda
Matto de Turner, 1852-1909) e cila në shekullin XIX shkroi atë që konsiderohet
si një prej romaneve më të rëndësishme “të indigjenizmit” – “Aves sin
nido” (1889); dhe shkrimtaren romantike argjentinase Huana Manuel Goriti
(Juana Manuela Gorriti, 1816-1892), e cila shkroi disa romane dhe tregime,
siç është “La hija del mashorquero” (1860) dhe udhëhiqte qerthullin
letrar në Peru. Pionierja natyraliste peruane Mercedes Kabelo de Karbonera (Mercedes
Cabello Carbonera, 1845-1909) shkroi veprën “Blanka Sol” (1888) si
kritikë të mungesës së mundësive praktike të punësimit për femrat në shoqërinë
e saj. Shkrimtaret e shekullit XIX shpesh kanë shkruar për pabarazitë në
Amerikën Latine që janë mbetje të kolonializmit, siç është margjinalizimi dhe
shtypja e popujve indigjenë, e robërve dhe e femrave. Shumë vepra të femrave në
këtë periudhë i kanë kritikuar shoqëritë latino-amerikane patriarkale. Këto
shkrimtare prestigjioze kanë debatuar për dyfytyrësinë e klasës dhe të
institucioneve dominuese që kanë ekzistuar në kombet e tyre të sapoformuara si
dhe për korrupsion e qeverisë. Disa prej shembujve kryesorë të veprave të tilla
duke përfshirë punimet “Indol”, “Herensia” dhe “El Conspirador: autobiografia de un hombre publico“ të shkrimtares peruane Klorinda Mato de Turnero (Clorinda Matto de
Turner, 1852-1909).
Prekursorët e
modernizmit – Nga fundi i
shekullit XIX u paraqit modernizmi, lëvizje poetike teksti
themelues i së cilës ishte eseja “Azul“ (1888) i autorit nikaraguan Ruben
Dario (Rubén Dario, 1867-1916). Kjo
ishte e para lëvizje poetike latino-amerikane që ndikoi në kulturën letrare
jashtë rajonit, duke qenë njëherazi edhe e para letërsi latino-amerikane e
mirëfilltë, për arsye se dallimet kombëtare tanimë nuk ishin ndonjë problem aq
i madh kështu që autorët synonin vendosjen e lidhjeve latino-amerikane. Për
shembull, Hoze Marti (José Martí, 1853-1895) edhe pse një atdhetar kuban,
jetoi edhe në Meksikë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shkruante për
revistat në Argjentinë dhe gjetkë. Në vitin 1900, uruguajani Hoze Enrike
Rodo (José Enrique Rodó, 1871-1917) shkroi esenë „Ariel“ që u pranua
si manifest i zgjimit kulturor të rajonit. Poetja uruguajane Delmira
Agustini (1886-1914), një prej figurave femër të modernizmit, shkroi
poezi me imazhe tipike moderniste (siç janë mjellmat) duke ua përshtatur
mesazheve feministe dhe temave erotike, siç i përshkruan shkrimtarja dhe
kritikja argjentinase e cila studioi në Sorbonë të Parisit - Silvia Moloj (Sylvia
Molloy, 1983-2022).
Edhe pse vetë modernizmi shpesh
përjetohet si koncept estetik dhe antipolitik, disa poetë dhe
eseistë, midis tyre edhe kubani Hose Marti (José Martí,
1853-1895), si dhe peruanët Manuel Gonzales Prada (Manuel Gonzáles
Prada, 1844-1918) dhe Hose Karlos Mariategui (José Carlos Mariátegui,
1894-1930), kanë kritikuar bindshëm rendin shoqëror bashkëkohor, e posaçërisht
vuajtjet e popujve indigjenë të Amerikës Latine. Në këtë mënyrë, në fillim të
shekullit XX ra në sy edhe rritja e indihenizmit, tendencë kjo të cilën
më parë e popullarizoi shkrimtarja peruane Klorinda Mato de Turner (Clorinda Matto de Turner, 1852-1909), e që i kushtohej prezantimit të
kulturës indigjene dhe padrejtësive që kishin pësuar bashkësitë e tilla, si për
shembull me peruanin Hose Maria Arguedas (José María Arguedas,
1911-1969) dhe me poeten meksikane Rosario Kastellanos (Rosario
Castellanos, 1925-1974).
Qëndresa ndaj kolonializmit, tendenca që u shfaq më
herët në shekullin XIX, po ashtu ka qenë tejet e rëndësishme në modernizëm.
Këtë letërsi të qëndresës e promovuan modernistët e shquar, duke përfshirë edhe
kubanin Hose Marti (José
Martí, 1853-1895) dhe shkrimtarin nikaraguan Ruben Dario (Rubén Dario,
1867-1916). Hose Marti i paralajmëroi lexuesit për tendencat
imperialiste të Shteteve të Bashkuara dhe shkroi sesi Amerika Latine nuk duhet
t’u lejojë Shteteve të Bashkuara të përzihen në punët e saj. Shembulli parësor
i këtij lloj mesazhi ndodhet në punimin “Amerika jonë” të botuar në
vitin 1892, të Hose Martit. Edhe Ruben Dario shkroi dhe theksoi
kanosjet që vijnë nga imperializmi amerikan, që mund të shihet në poemën
e tij “Për Ruzvelltin” si dhe në veprat e tjera “Cake-Walk: El Bailè
de Moda”. Shumë vepra të tij u botuan në “La Revista
Moderna de Mexico”, magazinë moderniste e asaj kohe.
* * *
Letësia bashkëkohore
latino-amerika – Thuhet se “dashuria
dhe lufta janë ato që latino-amerikanët i dinë më së miri, për arsye se as
njëra as tjetra nuk mund të ekzistojë pa pasion të sinqertë”. Pikërisht
këtë luftë, këtë dashuri dhe pasion, popujt e Amerikës Qendrore dhe të Amerikës
Jugore e kanë bartur në art, sidomos në lëmin e artit letrar. “Bumi letrar”
latino-amerikan gjithnjë më tepër po e pushton Evropën dhe bashkë me Spanjën
përbën një hartë krejt të re “të hapësirës letrare pa kufij”.
Letërsia që nxori nga gjiri i saj realizmin
magjik dhe emrat e njohur si G. Mir, H. M. Ruiz, shkrimtari dhe
eseisti spanjoll Ramon Hose Sender (Ramón José Sender, 1901-1982), shkrimtari
argjentinas Horhe Luis Borhes (Jorge Luis Borges, 1899-1986), shkrimtari
kolumbian Gabriel Garsia Markez (Gabriel García Márquez, 1927-2014), shkrimtari
dhe eseisti meksikan Karlos Fuentes (Carlos Fuentes, 1928-2012),
poeti meksikan Oktavio Paz (Octavio Paz, 1914-1998), shkrimtarja
kiliane Isabel Alende (1942- ) dhe të tjerë, veçantinë, autenticitetin
dhe forcën e pakapshme të fjalës sot e kësaj dite e afirmon, duke e përtërirë
me sukses në zërat e guximshëm dhe autentikë të brezave të rinj shkrimtarësh.
Duke ndjekur zërat bashkëkohorë të
letërsisë spanjolle dhe latino-amerikane lexuesi ka mundësi të ketë para vetes
një spektër të gjerë të prozës cilësore dhe të pakapërcyeshme me të cilën, pa më
të voglin dyshim, kultura spanjolle dhe latino-amerikane, si dhe pasuria
gjuhësore e rrallë e këtyre popujve, secilit që lëshohet në aventurën e hedonizmit
letrar do t’i sjellë zbulime të papritura, për arsye se para rrëfimit të
tyre nuk mund të rimë indiferentë apo të dalim prej saj ashtu siç kemi qenë më
parë.
Për vepra vlerash të larta artistike,
midis të tjerëve sot shquhen: shkrimtarja
argjentinase, në veprën e së cilës përjetohet zbulimi i të pazbuluarës -
Luisa Valensuela (Luisa Valenzuela Levinson, 1938- ); shkrimtarja
braziliane e cila shkruan në gjuhë portugeze Klaris Lispektor (Clarice
Lispector, 1920-1977) e mbiquajtur “Kafka i Brazilit” i kohës
sonë; shkrimtarja argjentinase, e njohur për prozën fantastike, e
vlerësuar me një numër të madh çmimesh prestigjioze - Samanta Shveblin (Samanta
Schweblin, 1978- ); shkrimtari argjentinas Isidoro Blaisten (1933-2004)
i njohur për prozën e absurdit, i cili dëshmon se Argjentina
gjithmonë ka qenë djep i tregimtarëve të shquar.
Të kësaj kohe janë: romani i njohur “Dora
e zjarrit” e A. R. Sançez në të cilin pasqyrohet realiteti
dhe fiksioni, zhanret letrare midis erotikës dhe aktit të dashurisë;
vepra me vlerë “Kënga e Halibutit” (Canto de Halibut) (Epopeya
atávica) e poetit, kritikut, eseistit dhe narratorit të madh meksikan Alfons
Rejes (Alfonso Reyes, 1889-1959).
Pasojnë krijimet e shkrimtarit
argjentinas Gilermo Martinez (Guillermo Martínez, 1962- ); të poetit
argjentinas Leopold Lugones (Leopoldo Lugones, 1874-1938); të
shkrimtarit peruan Santiago Ronkaliolo (Santiago Rafael Roncagliolo
Lohmann, 1975- ); të Lilian Her dhe të shkrimtarit
argjentinas Cesar Aira (César Aira, 1962- ). Krijimet artistike të tyre
shquhen për autenticitetin, për labirintet gjuhësore stilistike dhe për temat
plot gjallëri. Janë pjesë e universit letrar të rrallë, të një pjese të
planetit tonë tronditës, që sot e kësaj dite nuk është hulumtuar sa duhet.
* * *
Tregimi spanjoll dhe
hispanoamerikan i mileniumit të ri – Zëvendësimi i realizmit magjik me realizmin virtual shënon
fillimin e një epoke të re të letërsisë bashkëkohore në të cilën e tërë zona ku
flitet gjuha spanjolle, si një hapësirë pa kufij, tani manifestohet edhe me
praninë e teknologjive të reja në letërsinë bashkëkohore, e pikërisht nga
perspektiva e tjetërsimit, emocioneve, apokalipsit, absurdit, luftës për
identitet.
Në fokus të interesimit të tregimit
bashkëkohor hispanoamerikan dhe spanjoll ndodhet pikërisht njëra prej
preokupimeve të Kohës së re, e ky është ekspansioni i botëve digjitale, i atyre
dukurive të teknologjive moderne të cilat në mënyrë eksplicite apo tërthorazi
ndikojnë në vetëdijen dhe në jetën e njeriut bashkëkohor.
Në shumë tregime të autorëve
hispanoamerikanë të kohës së sotme teknologjitë e reja paraqiten si motiv,
simbol, shenjë apo detaj kalimthi në mendimet, në ëndrrat, në ankthet, në
imagjinatën ose në jetën e përditshme të autorëve bashkëkohorë të zonës
spanjolle të të folurit. Pasuria e madhe
e tregimit hispanoamerikan dhe spanjoll dhe llojllojshmëria e tij manifestohet
në veprat e shkrimtarëve dhe të shkrimtareve të Meksikës, të Argjentinës, të
Perusë, të Kilit, të Bolivisë, të Kolumbisë, të Republikës Dominikane, të
Guatemalës, të Spanjës – të lindur midis viteve 1958 dhe 1983.
Nëpërmjet pasazheve narrative
autentike të papërsëritshme të shkruara me dorën e sensibiliteteve
bashkëkohore, tregimi hispanoamerikan, drejtpërsëdrejti apo tërthorazi shtron
pyetjen nëse njeriu bashkëkohor vërtet jeton në librin e quajtur “Google”
apo ende është i vetëdijshëm dhe i brengosur për partnerët, farefisin, fëmijët,
dashnorët, dashnoret, e sidomos për frikët reale dhe virtuale.
Jeta digjitale është libër i çmueshëm
nga dy pikëpamje: në një anë, i kombinon tekstet nga Spanja dhe nga shumë vende
të Amerikës Latine, pa vendosur midis tyre kufij. Në anën tjetër, rrënon disa
stereotipa që kanë të bëjnë me tematikën dhe stilin, tradicionalisht të
pranishme në letërsitë në gjuhën spanjolle, duke vënë dukje kësisoj
llojllojshmërinë e madhe midis autorëve që janë të pranishëm në panoramën e zonës
ku flitet gjuha spanjolle.
* * *
Duhet theksuar se letërsinë e
Amerikës Jugore, krahas veprave të shkrimtarit argjentinas Horhe Luis Borhes
(Jorge Luis Borges, 1899-1986) apo të shkrimtarit dhe eseistit
meksikan Karlos Fuentes (Carlos Fuentes, 1928-2012), e kanë shënuar
sidomos romanet: “Qyteti dhe qentë” (La ciudad y los perros, 1963)
i shkrimtarit dhe eseistit peruan, laureat i çmimit “Nobel” - Mario Vargas
Llosa (1936- ). Ky është romani i dytë i Llosas. Ka qenë aq i popullarizuar
dhe me ndikim saqë autorit ia ka sjellë nofkën “arsye dhe ndërgjegje e
Perusë”.
Këtu bën pjesë romani kult “Shkolla
e vogël” (Rayela, 1963) i shkrimtarit dhe eseistit
argjentinas Hulio Kortasar (Hulio Kortázar, Ixelles, Belgjikë, 1914 –
Paris, 1984) Njihet me pseudonimin Julio
Demis. Në vitin 1951 shkon në Paris ku jeton deri në fund të jetës. Në
vitet ’60 të shekullit XX u solidarizua me revolucionin kuban, i
ndoqi trazirat shoqërore në Amerikën Latine dhe nga fundi i jetës u entuziazmua
me lëvizjen sandiniste në Nikaragua. Disa kritikë e përfshinë në
radhët e “neofantastikëve”. Romani “Shkolla e vogël” (Rayela, 1963)
është antiroman eksperimental në manirin e kolazhit. Është një krijim
artistik i çuditshëm që mund të lexohet në disa mënyra. Protagonistët e tij, në
kërkim të një jete autentike, ikin nga konformizmi dhe gjejnë
strehim në pasivitet, si i vetmi reagim ndaj botës kaotike. Me
këtë vepër Hulio Kortasari u ngjit në majat e letërsisë botërore. Poeti kilian Pablo
Neruda (emri i vërtetë Neftali Ricardo Reyes Basoalto, 1904-1973) thotë: “Ata
të cilët nuk i kanë lexuar veprat e Kortasarit vuajnë nga një sëmundje serioze,
e padukshme”. Neruda e mori pseudonimin në moshën 16-vjeçare sipas
shkrimtarit çek Jan Neruda (1834-1891)
Duhet përmendur romanin legjendar “Njëqind
vjet vetmi” (Cien anos de soledad, 1967) të shkrimtarit të famshëm
kolumbian Gabriel Garsia Markez ((Gabriel
José de la Concordia García Márquez, 1927-2014). Në vitin 1982, Markezi mori çmimin “Nobel” për letërsi.
Sapo u botua romani, autori fitoi famë botërore. Markezi e futi botën në realizmin
magjik ku realiteti dhe mitet ndërthuren dhe qëndrojnë
pranë njëri-tjetrit.
Vlen të përmendet edhe romani “Forca
dhe fama” (The Power and the Glory, 1940) i shkrimtarit anglez Greem
Grin (Graham Greene, 1904-1991). Në këtë vepër autori paraqet Meksikën. Në
këtë roman, bota e përplasjeve të gangsterëve është paraqitur në mënyrë jo të
rëndomtë, nga këndvështrimi i një kleriku.
Për shkak të një numri të madh
historish autobiografike, romani “Ditari i motoçiklistit” (The Motorcycle
Diaries, 1993) i revolucionarit marksist, argjentinasit Ernesto
Çe Gevara (Ernesto “Che” Guevara, Rosario, Argjentinë, 1928 – La Higuera,
Bolivi, 1967), sapo u botua ngjalli një interesim të madh. Brezat që e
respektonin personalitetin dhe veprën e Çe Gevarës, këtë roman e ngritën lartë
duke i dhënë edhe status kulti.
Duhet cekur edhe përmbledhjen e eseve
“Labirinti i vetmisë” (El laberinto de la soledad, 1950)
të poetit dhe eseistit meksikan, laureat i çmimit “Nobel” - Oktavio Paz (Octavio Paz, 1914-1998)). Me këtë përmbledhje, kah mesi i shekullit XX autori i
saj ushtroi një ndikim të jashtëzakonshëm mbi inteligjencien meksikane.
Karakteri universal i kësaj vepre i solli autori famë botërore, kështu që
rëndësia e saj i kapërceu kufijtë e Meksikës.
Këtij grupi autorësh i bashkëngjitet
edhe shkrimtarja kiliane Isabel Alende (1942-
) me veprën “Shtëpia e shpirtrave”
(La casa de los espíritus, 1982). Me veprën letrare të vet, ajo u
paraqit para publikut në vitet ’80 të shekullit XX. Deri atëherë ishte një
gazetare e panjohur. Me sagën familjare brilante e cila ngërthen në vete shumë
më tepër se aq, fillimisht tronditi skenën letrare kiliane, e më pas edhe atë
botërore.
Për “Alkimistin” (O Alquimista, 1988)
e shkrimtarit brazilian Paulo Kueljo (Paulo Coelho, 1947- ) debatohet me
dekada, por ndikimi i këtij romani dhe vendi i tij në kulturën e popullarizuar,
është i pakontestueshëm. Kjo është vepra më e përkthyer e një shkrimtari të
gjallë. Kritika letrare e përshkruan atë si “himn për shpresën, për ëndrrat,
për ardhmërinë dhe për dashurinë” të krijuar me një gjuhë tejet simbolike e
cila “nuk i flet arsyes sonë, por zemrës sonë”.