Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Dervishi: Shpronësime e burgosje pas 29 nëntorit 1944

| E merkure, 29.11.2023, 08:06 PM |


"Shpronësimet kanë qenë një histori më vete në atë kohë. Pra, ishte një gjë e zakonshme të bie të flije i pasur dhe të gdhiheshe i varfër. Shtyllat e telefonave ishin bërë vendi ku shpalleshin emrat e atyre që ishin shpronësuar nga shteti. Kam qenë në Qukaj të Shkodrës kur kam parë në një nga shtyllat e asaj lagjeje një si fletë të ngritur në shtyllë me emrat e atyre që duhej të paguanin dëmshpërblimet e luftës. Kështu thuhej në atë kohë. Kam mbetur i habitur kur kam parë në atë listë emrin e gjyshit tim Seit Hoxha. Kam vrapuar në shtëpi për t’i njohur, por ato sikur nuk u shqetësuan sepse kjo ishte bërë diçka e zakonshme në atë kohë. Kuptohet se pas këtij paralajmërimi të parë vinin burgosjet, torturat e kështu me radhë për të gjithë ata që kishin arritur me mendjen dhe punën e tyre të bëheshin të pasur. Dhe me të vërtetë, pas asaj shpalljeje që unë e lexova rastësisht filloi kalvari i pafund i familjes Hoxha. Katër prej tyre përfunduan nëpër burgje. Njëri, Ibrahimi, që kishte mbaruar studimet në Austri, nuk i rezistoi torturave dhe vdiq në burg. Nuk i di rrethanat, po për mua që e kam njohur atë burrë të rrallë edhe sot ndjej trishtim kur e kujtoj. Dajat e mi, të tre, i provuan burgjet e tmerrshme të atij pseudoshteti, po për fat dolën gjallë, por u detyruan të punojnë si punëtorë krahu për ndreqjen e rrugëve të qytetit të Shkodrës, pa u ankuar asnjëherë".

(Bahri Beci, “Një libër që nuk do doja ta shkruaja”, botim i ISKK, Tiranë 2013, faqe 164-165)