| E hene, 20.11.2023, 09:01 PM |
At
Antonio Bellusci me plisin shekullor shqiptar
AT ANTONIO BELLUSCI, NJERIU I MADH I KOMBIT
“Në ballkonin tim
vazhdojnë të valëviten tre flamujt, shqiptar, kosovar, dhe ai Italian. Ndërsa
në bibliotekën time, portretet si ajo
e Skënderbeut, Aleksandërit,
Pirros, Adem Jasharit, për mua janë ndihmë,
burim force, e sensibilizimi që kjo Arbëri e arbëreshëve të jetë e
përjetshme e mos të vdes kurrë!” - At
Antonio Bellusci .
At Antono Belluscit i jepet nënshtetësia e Kosovës. Në ambient
solemn, dekretin e lexoi Vehbi Miftari, këshilltar në presidencën e Republikës
së Kosovës.
Nga
Hazir Mehmeti, Vjenë
Frasnita gjashtë
shekullore e ngulitur rrëzë Pollinit madhështor me historinë e saj sfidoi kohën
dhe rrebeshet e saj. Fati tragjik i një popullsie shqiptare në trevat e tyre
shekullore, në More dhe vise tjera të Gadishullit Ilirik, nuk mbaroi
asnjëherë. Përpjekja për mbijetesë
është e prekshme në çdo hap të Frasnitës dhe katundeve arbëreshe në Kalabri e
njohur me ngulimet arbëreshe gjatë shekujve.
Si duket, periudha më tragjike mbetet ajo pas vdekjes së Gjergj
Kastriotit – Skënderbeut. Gjuha, ritet, zakonet, vallet, këngët, afresket,
poezitë, përrallat, tregimet, mitet tregojnë gjurmë jete të vështirë në tokën e
humbur, por edhe krenarinë. Të gjitha
këto janë tregues të shpirtit arbëror i ruajtur me dashuri, mall e përkushtim
këtu e gjashtë shekuj. Ata që kanë
lexuar sado pak për arbëreshët dhe vijnë këtu së pari, e kuptojnë sa pak dinë
për Arbërinë dhe arbëreshët, historinë e tyre.
Në një projekt
seminari shkollash në Vjenë rreth gjuhëve amtare para tetëmbëdhjetë vjetëve
morëm hartën e gjuhëve në Evropë nga organizatori. U habita kur pashë shtrirjen
e gjuhës shqipe në Kalabri, Sicili dhe gjuhës arvanitase në viset epirote
të Çamërisë, Athinës dhe viseve jugore, sot greke . Lexova por s’mund të bindesha me idenë dhe
dëshirën e flaktë t’i shoh nga afër.
Tani udhëtim, im i gjashti me radhë, me grupin e Prof. Rexhep Rifatit,
vizituam dyzet e tre ngulime arbëreshe, më bindi se:
-Sa pak kemi
mësuar për arbëreshët në përgjithësi e veçanërisht për kontributin e madh të
tyre të madh në gjuhë, kulturë e historinë kombëtare.
-Sa tragjike ishte
pushtimi i viseve shqiptare nga perandoria osmani dhe pushtuesve tjerë, grekë e
serb.
-Sa të dobëta
ishin dhe janë përkujdesja e shtetit shqiptarë (tani edhe e Kosovës) ndaj një
pjese të kombit, arbëreshëve që luajtën rol të fuqishëm për Atdheun të tyre dhe
lirinë e tij.
Derisa perandoria
osmane shkatërronte çdo gjë materiale e shpirtërore, ndalonte mësimin dhe
fjalën shqipe, në Kalabri, Jeronim De Rada, mbante kongrese kushtuar gjuhës,
kulturës dhe artit shqiptar; derisa perandoria osmane hapte varrin për shqiptarë,
arbëreshët në Kalabri e Sicili botonin libra, organizonin kongrese, kurse
mësimi e shkolla për të mos vdekur gjuha shqipe; derisa në trevat shqiptare të
robëruara përdhosej figura e Skënderbeut, tempujve e shesheve, arbëreshët
thurnin vjersha, partitura operistike, fjalime e lutje vetëm në gjuhën
arbëreshe; derisa në trevat shqiptare rrënohej çdo gjurmë Kastrioti, arbëreshët
thurnin këngë e ngritën lapidar shesheve në përkujtim të madhështisë së Gjergj
Kastriotit – Skënderbeut. Krahasimet janë të shumta në çdo lami të jetës dhe
asnjëherë nuk arrin t’i mbarosh. Secili do të bindet sa tragjike ishte pushtimi
shekullor osman për gjuhën, kulturën dhe jetën e kombit.
Grupi ynë nga
Rexhep Rifati, Jakup Reka, Faruk Tasholli, Xhevahire Tasholli, Diella Tasholli dhe unë, u bashkua me
vëllezërit frasnitas me të cilët ishte edhe Vehbi Miftari, këshilltar i
presidentes së Kosovës i cili kishte
ardhur me detyrë zyrtare. Të shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Frasnitës,
Angelo Katapano u gjendem në hapësirat e bashkisë. Kudo të përcillnin flamuj e
portrete të figurave kombëtare që nga Skënderbeu e deri tek Komandanti
Legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ademi Jashari. Çdo gjë e renditur
bukur me kujdes. Ambient mahnitës që fliste për dashurinë, ndjenjat dhe
respektin e madh ndaj kulturës dhe historisë kombëtare.
Në Frasnitë, gjithkund duket veprimtaria e familjes
Bellusci. Në ballkonin e shtëpisë shekullore
valëviteshin flamujt me shtizat e tyre dhe s’mund të largohesh pa bërë
foto në shkëlqimin e rrezeve mëngjesore që thyheshin këndeve e kthinave deri në
Bjeshkët e thepisura të Pollinit. Në
portën e hapur, si zakonisht, na priti
motra e At Belushit, Rina
Belushi. me zërin e këngën e saj të njohur, “Jepni dorën, o vëllezër!” -këngë
himni e cila të ngritë zemër e shpirt, të bënë tok me gurët e Kullës, Frasnitës
dhe Pollinin. Kisha lexura këngën, por
kur e dëgjoja më dukej tjetër, më e fuqishme, më melodike dhe shpirtërore. Kështu
është tradita e mikpritja arbëreshe, të pret me këngë dhe të jep dorën e zemrën
për bashkim dhe të përcjell me këngë.
At Bellusi, falënderoi për praninë dhe
respektin e treguar ndaj tij dhe arbëreshëve.
Mirë se keni ardhur!
Tommaso Belushi, vëllai më i ri i At Antonios dhe
Katarinës (Rinës), me zell kujdesej në mirëpritje të motrave e vëllezërve në
shtëpinë e tyre.Secili u prit dhe përqafua që në hyrje të bibliotekës. Dalja e
saj verilindore në hapin e parë, fillonte me kopshtin e bukur gjelbërimi i të cilit vazhdonte deri në
lartësitë e bjeshkës së Pollinit me pamje mahnitëse.
“Jemi né Frasnitë, tek kjo tokë e rrethuar nga malet e
Pollinit të bukur” – e filloi fjalën e saj Dr. Ornela Radovicka, drejtuese
e Qendrës Albanologjike pranë Bibliotekës
Bellusci \ Frascineto. “ Malet e
Pollinit të cilët me degët e tyre si
flatra në esmeraldë spërkatin me klorofilin e tyre këto troje ku arbëreshëve u
ra për fat të jetonin. Janë këtu 600 vjet me gjuhën e tyre dhe mallin për
trojet që lanë. Në Frasnitë bie në sy
rrugicat e ngushta, atavizma arkitekture në stilin e gjitonisë të cilat të përfshijnë emotivisht. Në mbrëmje, në këtë
qytezë nën gamën mbretërore të hënës ngjyrë blu zhytur në argjend do të ndjesh
siluetat e saj ku ende eshtrat shekullore mes valëve magmatike lëvizin
fosforeshente në këto shtëpitë shekullore prej guri, në udhët, sokakët, në
kisha, në këngë, në kostume, e ku thyen
rrezet ndër fasadat shekullore. Ç’do gjë këtu duket e qetë dhe pezull.
Them “pezull”,
sepse këtu asgjë nuk është definitive; gjurmët e identitetit akoma frymojnë;
Gjuha arbërore edhe pse zhdukje akoma dikush e flet, kostumi arbëresh gjithë ar thuret ende dhe vishet në festa, si dhe
ruhet riti bizantin i destinuar për mos humbur.... Në këto rreshta nuk
po zgjatem tek puna e madhe dhe në kontributin e At Belluscit si studiues,
hulumtues, kërkues apo si autor i 20 veprave të tij, nuk do të përqendrohem as
si themelues i revistës “Lidhja”, apo si fondator i një prej Bibliotekave
arbëreshe më të rëndësishme në Itali, Si edhe një Qendre Albanologjike, por do të fokusohem në vëllazërinë e AT Belluscit
me popullin vëlla shqiptar të
Kosovës”.
Ajo me zë bindës,
por edhe e emocionuar dha një vështrim të thuktë rreth aktiviteteve dhe
lidhjeve të At Antonio Belushit me Kosovën dhe figura kombëtare të njohura Martin Camaj, Pjetro Janura, Profesor Renci
Nesimi, Profesor Shefqet Pllana. Latif Berisha, Mark Kresniqin, Prof. Isak
Shema, vëllezërit Bytyqi. Ai kujton
miqësinë me poetin e madh Ali Podrimja dhe fjalët që ai i tha për te pak para
se të vdiste. “I dashur Bellusci, jemi në dijeni se çfarë keni bërë për
gjuhën shqipe e gjakun arbëror. Jeni miku më i madh i shqiptarëve. Juve ju
çelet dera e shtëpisë së çdo shqiptari edhe në gjysmën e natës” Kujtimet e
tij janë freskëta për moshën e tij tetëdhjetë e nëntë vjeçare të cilën e feston
sot. Jo vetëm që kujton emrin, por kujton në detaje takimin dhe bisedën me te,
veprimtarinë dhe origjinën. Kolosi i
madh, albanologu Idriz Ajeti, të cilin At Antonio Bellusci e njohu nga
afër. Nga Kosova kujton shumë
personalitet gjatë udhëtimeve të tij në Amerikë, Europë dhe trojet shqiptare,
ku veçon seminaret e gjuhës shqipe në Universitetin e Prishtinës si vijues i
rregullt që nga viti 1980 deri me mbylljen e Universitetit na pushtuesit
serb. Esat Mekuli, veprimtar e atdhetar
i madh i cili do shprehet “këndova edhe kur m’ishte ndalu”, e cila eklipson
gjithë aktivitetin e tij, - thotë me saktësi studiuesja Ornela Radovicka..
Murat Isakun, të cilin e takoi disa herë në Kosovë duke lidhur miqësi dhe u
njohje me verat e tij.
Disa të tjerë që
ai kujton janë Edita Tahirin, duke cilësuar si intelektuale e nivelit të lartë,
njëra nga aktivitet e njohur për pavarësinë e Kosovës dhe interesimin e saj të
thellë për botën arbëreshe e cila për veprimtarinë e At Bellusci-t shkruan: “Bellusci-n e kam
personalisht mik, por më shumë se kaq e kam një idhull, që dëshmoi se kombi
shqiptarë edhe atëherë kur detyrohemi t’i braktisë tokat e veta shqiptare është
i fortë që të mbrojë, të ruajë dhe forcon identitetin kombëtar”.
Në ditëlindjen e tetëdhjetë e nëntë, At
Bellusci kujton të gjithë ata që ai i
takoi në rrugën e tij prej njeriu atdhetar dhe besnik, në rrugën e tij të
lavdishme me mund e penë.
Gjysma e
shqiptarëve u shpërngulën nga toka e tyre nga vuajtjet e robërisë në regjimet
serbo-sllave dhe në Shqipëri diktatura kriminale komuniste. Ai në kujtimet e tij thotë edhe këtë: “Mëmën
Shqipëri nuk e vizitonim dot.” Ai me
respekt kujton Vëllezërit Bytyçi, kosovarë të diasporës në Nju Jork për
zemërgjerësinë e tyre dhe atdhedashurinë e tyre. Bajram Vehbiun, Gamberaj Sinan, gazetarë nga Prishtina, të cilët kanë dhënë
më të mirën e mundshme në revistën
“Iliria” në Nju Jork. Djaloshi, Gjeto
Sinishtaj, nga trevat shqiptare në Mal i Zi.
Ai kujton edhe njerëzit e thjeshtë: “Por unë në këtë revistë shkrova
edhe për njerëzit e thjeshtë , përmend këtu kosovarin Tahir Kerrnaja, i
varfër në ekstrem, i cili gjithë jetën
ia kushtoi Kosovës. Kujton me respekt të lartë Baba Rexhepin dhe shoqërinë
bektashiane në Amerikë. Ekrem Bardhën e
shumë tjerë që nuk do harrohen kurrë.
At Antonio Bellusci, ishte anëtar nderi
në Lobin shqiptar-Amerikan për Çështjen e Kosovës. Me respekt kujton Josef
Diogard-in për kontributin e madh të tij Lobit.. për Kosovën. Mes tjerash
thotë: “Dioguardi në rolin e tij si kryetar
ishte i mendimit që pjesëmarrja
të konsiderohej tre paleshe, d.m.th. përfaqësues tre shteteve:
Unë si Arbëresh i Italisë, Diaspora në Amerikë, dhe Kosova,(sepse nga Shqipëria
e regjimit nuk kishte asnjë përfaqësuese. Ishin vitet 1989) prandaj këto tre
forca, për Kongresin Amerikan do të
thoshte shumë”.
Nga Presidenti i
Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në Ditën e Lidhjes së Prizrenit, me
10 qershor 2003, At Antonio Bellusci-t i ndahet dekorata “Medalja e Artë e
Lidhjes së Prizrenit”. Dr. Ibrahim Rugova me këtë rast thotë:
“I dorëzoj ketë Medalje Nderi Z.
Bellusci, për veprimtari të shumëfishte kulturore dhe politike për arbëreshët e
Italisë dhe për Kosovën. Për kontributin e dhënë në fushën e studimeve të
kulturës, jetës dhe letërsisë arbëreshë në Itali, si edhe për përkrahjen për lëvizjen demokratike të Kosovës për liri
e pavarësi.” “E doja Kosovën, u
dashurova me të. Kosova me tepër se sa
Shqipëria na kishte hapur dyert ne arbëreshëve. Çështjen e Kosovës e ndjeja
si detyrim moral vëllazëror” , thotë At Antonio Bellusci.
Njeriu vizionar
vepron që të bëjë vepra të vlefshme për gjenerata. I tillë është At Antonio
Bellusci. Ai themeloi Qendrën e Studimeve
Albanologjike gjysmë shekulli më parë (1970) e cila mbanë lidhje me shqiptarët
kudo që gjenden në botë. Ky sukses
vazhdoi me themelimin e revistën e tij LIDHJA
(1980), e cila do bëhet zjarri dhe drita e botës arbëreshe në një Arbëri
të madhe të bashkuar. Zëri dhe fjala e saj do ngërthen në vete me gjithë
hapësirat ku frymojnë shqiptarët në kontinent dhe përtej oqeaneve. Tani e gjysmë shekulli, që nga mosha
studentore, dallohet me udhëtimet e tij dhe veprat kushtuar vëllezërve
arbëresh, miku i madh, Prof. Rexhep Rifati. Ai është lidhur mish e shpirt me
tokën arbërore, mallin e lashtë të tyre.
Kjo u jetësua me kamerën e tij në film dhe penën e tij të flakëruar në
letër. Vepra, “Arbëreshët – fotosintezë e shpirtit tim”, pasuroj bibliotekat në
gjithë kontinentin me foto e tekst në
tri gjuhë. Rexhep Rifati, uroi
nënshtetësinë e re dhe ditëlindjen e tetëdhjetë e nëntë. Në fjalën e rastit, Ornela Radovicka për
Rexhep Rifatin shtoi: “Miku ynë Rexhep Rifati, i pa përtuar ka sfiduar edhe
orën biologjike, i pa lodhur dhe i gjendur në çdo kohë, ka krijuar ura midis
botës arbërore dhe asaj Kosovare në Diasporë”.
Buqeta me lule e
përgatitur për ditëlindje nga zonjusha, Diella Tasholli e shoqëruar nga
prindërit e saj Xhevahire e Faruk Tasholli.
I emocionuar, sa nuk mund të
përmbahet as nga lotët, At Antonio kërkoi që Diella të lexon vargjet kushtuar
atij nga i ati i saj Faruk Tasholli. Ashtu siç di poeti të thurë vargje, di dhe tekstin e fjalëve: “Faleminderit At, Antonio! Ju jeni në qiell,
as në tokë e as në parajsë. Nga qielli ju ndrini rrugën tonë. Gjithë njerëzit
jetojnë, luftojnë e punojnë për parajsën. Unë ty nuk të shoh as në tokë, as në
parajsë, të shoh në qiell. Ti je ndërgjegjja e shqiptarëve dhe na shikon nga
qielli. Tani e dyzet vjet Ti e mbanë të ndezur ndërgjegjen time nga ai yll që
je në qiell, yll je dhe jam i lumtur e krenar që kam një vëlla shumë të madh.
Unë sot parajsën e gjeta këtu mes
arbëreshëve. U ktheva në kohën e Skënderbeut, për juve dhe gjithë arbëreshëve
këtu”
Nga Amerika e
largët kishte ardhur Isaf Bytyqi, në fjalën e tij urimi tha: “Jam shumë i
kënaqur që sot jemi këtu për këtë festë, ditëlindjen e Zotit At Antonio
Bellusci. E patëm fatin e jetës me e njohur dhe ta kem mik i cili na frymëzoi në Amerikë me fjalët dhe
veprën e tij. Ai na dha kurajë që ne t’i vazhdojmë demonstratat qysh nga viti
1968 e tutje.
Prezantimi im
(autori i shkrimit), se jam nga Drenica ai i emocionuar para të pranishmëve e vazhdoi sqarimin. Oh,
Drenica, oh Drenica! Dhe në italisht, për ata që nuk e kuptonin arbërishten, ai
shpjegoj, se Drenica është një vend malor me banorët e saj malësorë trima që
kanë luftuar kundër pushtuesve serb. Ai foli për Familjen Jashari e cila luftoi
dhe qëndroi pa u trembur kundër forcave pushtuese serbe të cilët vranë tërë
familjen, mes tyre pleq, gra e fëmijë. Familja Jashari është vendi i
pelegrinazhit për të gjithë shqiptarët. Prekazit Legjendar me Kullat e
Jasharajve të stolisura me pesëdhjetë e gjashtë lapidarë nga një familje. Ai
këtë madhështi pelegrinazhi e përjetoj me mikun e tij, albanologun, Robert
Elsie, para disa vitesh.
Nga e merr atë
forcë për të shkruar gjithë këto vepra? – pyeti At Bellusci. Për mua ishte
vlerësim i punës sime, pasi At Bellusci i vlerësonte veprat e mia tani pjesë e
bibliotekës së tij shekullore. U ndjeva krenar, kurse përgjigja qëndronte në
libra rafteve.
Frasnita
(Frascineto) është fshat me histori të lashtë arbëreshe nga i cili dolën figura
me rëndësi jo vetëm për Arbërinë e arbëreshët, por për gjithë kombin. Në
shekullin tonë pa dyshim, se Prof. Dr. Antonio Bellusci është figura më e madhe të cilin me të drejtë
e krahasojnë me Fan Nolin. Po, At Antonio Bellusci është pasardhësi i vërtetë i
Fan Nolit me veprën e tij si hulumtues, shkrimtar, përkthyes, veprimtar,
aktivitet politike, filozofinë e tij, vizionar. Vërtetë, Burrë i madh i kombit.
Urime Ditëlindja e
89-të!
E trashëgofshi
nënshtetësinë e Republikës së Kosovës!