| E shtune, 18.11.2023, 08:52 PM |
Në ditën e dytë të Panairit të Librit “Tirana 2023”
-
Problem, qasja drejt letërsisë së huaj duke krijuar më pak hapësire për autorët
vendas.
-
Panairi i librit bën bashkë, lexues, krijues, përkhyes, gazetar, kritik letrar
të të gjitha trevave shqipfolëse.
-
Duket sikur kanë lënë mënjanë për pak kohë botën e internetit dhe i janë
rikthyer leximit.
-
Librat më të shitur nga shtëpitë Botuese “Bota Shqiptare”, “Morava”, “Argeta
LMG”
Nga
Albert Z. ZHOLI
Dita e dytë e panairit të librit sipas botuesve ka rezultuar i
suksesshëm. Sipas tyre theksohet se numri i vizitorëve që në orët e para
të mëngjesit ishte i kënaqshëm çka e vërtetojnë këtë fakt. Por risia qëndron
tek pjesëmarrja apo rritja e vizitorëve të rinj. Në dy panairet e fundit
ndryshe nga 20 panaire më parë numri i të rinjve që e vizitojnë dhe blejnë
libra është rritur ndjeshëm. Disi e papritur kjo…Pra edhe në këtë panair sipas
botuesve rinia është grupmosha, e cila ka rritur vëmëndjen ndaj librit. Duket
sikur ata kanë lënë mënjanë për pak kohë botën e internetit dhe i janë rikthyer
leximit pasi sipas tyre Panairi i duket event shumë i rëndësishëm. Ky interesim
ka përbrenda dhe një fakt tjetër: Dashamirësit e librit gjatë këtij panairi
kanë mundësi të takojnë edhe autorët e tyre të preferuar dhe një mundësi për të
marrë kështu një autograf me emrin e tyre. Uljet e çmimeve që kanë bërë
shtëpitë botuese janë ato çfarë tërheqin më shumë edhe vëmendjen e lexuesve.
Shqetësimi me studentët
Në ditën e dytë të panairit në diskutim me studentë botuesit kanë
ngritur shqetësimin për rekomandimin në shkolla të autorëve të huaj dhe shumë
pak vendas. Nga ana tjetër duke u fokusuar në zhvillimin e teknologjisë, u
theksua se mbetet edhe një mënyrë e mirë për të përzgjedhur librat e duhur.
Organizatorët e panairit të librit kanë diskutuar me studentët mbi leximin dhe
botimet e reja. Një nga problemet e konstatuara është edhe qasja në arsim drejt
letërsisë së huaj duke krijuar më pak hapësirë për autorët vendas.
Thuhet: lexohet pak…
Vitet e fundit thuhet se lexohet gjithmonë dhe më pak. Madje
theksohet se teknologjia e ka zëvëndësuar ndjeshëm librin. Por jo të gjithë
botuesit ndajnë të njëtin mendim! Botuesja, Rita Petro ishte e ftuar në
emisionin ‘’Ora e Betit’’ ku u diskutua për panairin e librit dhe sa lexojnë
shqiptarët. Petro u shpreh se nëse shqiptarët nuk do lexonin fare, atëherë nuk
do bëheshin kaq shumë libra. ‘’Nëse nuk do lexonin fare shqiptarët, ne nuk do
bënim kaq shumë libra njëherë. Edhe shtëpitë botuese të vogla fare botojnë
libra. Unë mendoj se çdo libër ka lexuesin e vet.
Specifika
Ky Panair ka të veçantë se rrit më shumë bashkëpunimin
ndërshqiptarë. Krijuesit dhe lexuesit e librit shqip nga Shqipëria, Kosova,
Maqedonia e Verit, Mali i Zi sjellin përvojat e tyre duke shkëmbyer
mendime, ide, bashkëpunime, shohin arritjet dhe të metat për të qenë sa më
pranë lexuesit të çdo moshe. Thjesht ky Panair i librit bën bashkë, lexues,
krijues, përkhyes, gazetar, kritik letrar në një garë të bukur mes njëri
tjetrit.
Panairi do të shoqërohet me gjithashtu nga një sërë aktivitetesh
promovuese, ndërsa në 18 nëntor do të ndahen edhe 4 çmimet e përvitshme, të
përzgjedhura nga juria. Festa e librit tashmë është kthyer në traditë ku
dashamirësit e librit frekuentojnë ambientet e Pallatit të Kongreseve. Për të
gjithë lexuesit e rregullt, ky panair është një nga eventet më të rëndësishëm
dhe një nga ngjarjet më të mëdha për gamën e madhe të shtëpive botuese dhe për
numrin e madh të titujve. Libra të zhanreve të ndryshëm kanë zënë vend në
95 stendat e shtëpive botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe
Mali i Zi, në pritje të lexuesve pa dallim moshe. Por, ky panair po ofron më
shumë se kaq. Mjaft të ftuar, përkthyes, autorë vendas dhe të huaj do të bëhen pjesë
e tij për të rrëfyer rreth veprave që përfaqësojnë. Dyert e panairit do të jenë
të çelura deri në 19 nëntor, duke iu ofruar kështu lexuesve besnikë dhe të rinj
qindra tituj librash nga autorë shqiptarë dhe të huaj, me çmime të ulura nga 10
deri në 30%. Motoja e Panairit “Tirana 2023” është “Libri na bashkon të
gjithëve”!. Një moto që ngjall një emocion për rëndësinë e librit.
Librat më të shitur nga shtëpitë Botuese “Bota
Shqiptare”, “Morava”, “Argeta LMG”
“Argeta LMG”
-Magjia e mendimeve të mëdha”
Botimet “Morava”
“Gruaja e doktorit”-roman
“Bota Shqiptare”
“Atje ku fillon qielli”-roman