Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Dedaj: Rrugët e reja (të vjetra) shqiptare

| E premte, 17.11.2023, 08:58 PM |


RRUGËT E REJA (TË VJETRA) SHQIPTARE

NGA NDUE DEDAJ

E para ishte Rruga e Kombit, që e mori këtë emër ngaqë ndërlidhte Tiranën me Prishtinën, trojet shqiptare që i kishte ndarë një kufi politik aspak i drejtë, i vënë nga Fuqitë e Mëdha me 1913, që besoje se duhej të kishte rënë në vitin 1999. E nëse ndarja pati ndodhur me copëtim territoresh, bashkimi le të vijë përmes integrimit kulturor, ekonomik, turistik. Rrugët janë si enët e gjakut të tij, që nënkupton bashkëpunim të njëmendët të dy shteteve shqiptare. Nëse dogana në Morin rri pushim tre muajt e verës, pse të mos rrijë dhe nëntë muajt e tjerë të vitit?...

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti njoftoi për tri projekte rrugësh të reja me një investim mbi 200 milionë euro, hekurudhën Prishtinë – Durrës, rrugë Prizren - Tetovë, që do të kalojë përmes malit të Vërtopit dhe rrugën tjetër që do të lidhë Rrozhajën e Plavën me Deçanin e Pejën. Këto rrugë do të bëhen në bashkëpunim me tri qeveritë përkatëse, të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Ky është integrimi urban, që shkon në gjurmë të rrugëve të vjetra mbarëshqiptare, çka i bën dhe më konvencionalë kufijtë e shteteve ku banojnë shqiptarët. Njëherësh këto janë rrugë të vetë rajonit në Ballkanin perëndimor. Sa më shumë autostrada, aq më pak murana të përgjakura, si ajo e Kumanovës vite më parë, apo e Banjskës më 24 shtator të këtij viti.

Mirë që rrugët e reja do të fillojnë, po si i bëhet me ndonjë investim rruge të nisur prej shumë kohësh dhe që nuk ka shkuar as përgjysmë? Ishim në fillim të nëntorit në Mitrovicë dhe pamë se rruga drejt saj kishte ngecur, diku e shtruar me zhavor, diku disa qindmetra asfalt, duke tjetër e pagërmuar. Ka dhjetë a më shumë vite që (nuk)punohet në këtë rrugë e nuk dihet se kur do të përfundojë. Rruga ngjan si vetë fati i Mitrovicës, që ka njëzet e katër vite që nuk po stabilizohet. Po nëse problemi i kësaj të fundit nuk është vetëm kosovar, por dhe i ndërkombëtarëve, rruga është veçse përgjegjësi e qeverive të Kosovës. Kanë hipur e zbritur disa qeveri e rruga e Mitrovicës nuk ka pasur fat, si të jetë “mallkuar” për të mos u bërë, në një kohë që shteti i Kosovës duhet të dëshmojë vullnetin dhe zotësinë për ta çuar në fund.

Nuk është normale që punët ndër shqiptarë të shkojnë dy mirë e një keq...

Ura mbi Bunë, një projekt dyshtetëror

Ka do kohë që kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Malit të Zi Dritan Abazoviç kanë njoftuar se deri në vitin 2024 do të ndërtojnë së bashku një urë mbi lumin e Bunës, 310 metra të gjatë, e cila do të lidhë Ulqinin me Velipojën, duke shkurtuar rrugën prej 70 kilometrash mes tyre. Operatorët e turizmit e shohin si afrim të tregjeve turistike të Malit të Zi, Shqipërisë, Greqisë, Kosovës dhe më gjerë. I gjithë projekti do të kushtojë nëntë milionë euro dhe ndërtimi do të zgjasë rreth 18 muaj. Me ndërtimin e kësaj ure, Ulqini dhe Velipoja do të jenë vetëm pak kilometra larg. Këto dy zona së bashku kanë rreth 34 kilometra plazhe me rërë. Me ndërtimin e kësaj vepre të munguar prej kohësh, pritet një tjetër zhvillim në këtë rajon verilindor, ashtu siç ka ndodhur vitet e fundit në plazhet e Jonit. Projektet e domosdoshme ndërkufitare e nxjerrin nga “izolimi” lokal turizmin, qarkullimin e njerëzve dhe të mallrave, duke i dhënë një tjetër frymëmarrje jetës së banorëve, pavarësisht kombësisë. Ata, duke qenë në marrëdhënie të përditshme mes tyre, nuk venë më te njëri - tjetri si miq të largët. Një “urë” e tillë ndërkufitare zhvillimi ka nisur të hidhet në Alpet Shqiptare, drejt të cilave është ngjitur asfalti nga disa drejtime, janë ndërtuar bujtina e gjer fshatra turistikë, si në Vuthaj, Theth, Kelmend, Rugovë etj., ndërkohë që rrugët e reja të njoftuara nga Kurti veçsa e shtojnë këtë industri të re në bjeshkët tona, duke iu dhënë atyre një kuptim të ri të ekzistencës së tyre. Mbase, bash për këtë, Bjeshkët e Namuna kanë filluar të shihen si bjeshkë të bekuara...

Aksi i ri Elbasan - Qafë Thanë dhe një urë e “Egnatia”- s në Peqin

Nuk mund të kuptohen rrugët e reja pa ato antike, që lidhnin vende, popuj dhe perandori. Kur të përfundojë Rruga e Arbërit, turistët do të zbulojnë Urën e Vashës mbi lumin Mat si një hirushe të fshehur, në rrugën e vjetër që dikur lidhte Tiranën me Dibrën e Madhe e Shkupin. “Egnatia” që përshkonte tokën dhe detet nga Perëndimi në Lindje ishte kryefjala urbane dhe për ne. Gjurma e saj është dhe te një urë në Peqin, ku dhe sot e kësaj dite kalojnë njerëz mbi të dhe ndoshta jo të gjithë e dinë se po shkelin mbi një thesar antik. Është ndër monumentet më të lashta të Elbasanit, pasi rrallë qëllon që të kemi sot mure romake urash, kështjellash apo kalldrëm të vetë “Egnatia”-s. Ajo urë mund të duket një gjë e vogël, e shpërfillur nga koha moderne, që po ngrë kudo me shpejtësi grataçiela, mbi themele betoni dhe jo si një shtresëzim urbanistik mijëravjeçar. Pamë një mësues veteran peqinas, Aliun, të bënte apel përmes ekranit për ta shpëtuar urën që kishte pësuar plasaritje gjithandej. Teksa jemi ngritur në këmbë për të shpëtuar Urën e Zogut mbi Mat që dhe pak e mbush njëqind vjeç. Një urë e vjetër, në kuadrin e një rruge të re, është si një margaritar që shndrit të shkuarën. Dhe rruga e re kësaj ane është aksi Elbasan - Qafë Thanë i Korridorit 8, ku, sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, punimet po ecin me ritme të kënaqshme. Rruga shkon përgjatë Shkumbinit, andej nga kanë shkuar rrugët e mëparshme dhe hekurudha. Janë hapur disa kilometra trase e re, është bërë mbrojtja lumore, është ndërtuar mbikalimi i madh, i cili shërben për kalimin e rrugës ekzistuese të Xibrakës në rrugën e re që po ndërtohet. Pjesa shqiptare e këtij korridori ballkanik - europian fillon nga Durrësi dhe përfundon në pikën doganore në Rrajcë të Librazhdit, ku do të dilet nga Shqipëria e hyhet në Maqedoni. Janë 110 km rrugë për të ndërtuar brenda katër viteve, deri në vitin 2027. Do të jetë një rrugë interurbane me katër korsi, që do t’iu vijë në ndihmë Elbasanit dhe Korçës për zhvillimin e turizmit, duke shkurtuar ndjeshëm kohën e udhëtimit, thonë autoritetet vendore të këtyre rajoneve, që dikur përshkoheshin nga “Egnatia”.

Por... ka më shumë se dhjetë vjet që ka nisur rruga Dibër – Librazhd, që shihej si autostrada turistike verilindore dhe është lënë në mes!? Thonë se u sakrifikua për “rilindjen urbane”. Sido që të jetë, një rrugë e lënë në “udhë” e bën përgjegjës shtetin para të sotmes dhe të nesërmes.

Rruga e Lurës duhet të paraprihet nga ajo Rrëshen - Burrel

Në Mirditë të gjithë presin që rruga nga Rrësheni në Perlat të bëhet e kalueshme sa më parë, pasi prej aty ajo lidhet me rrugën e Lurës në ndërtim e sipër, që sipas banorëve nuk po ecën me ritme të kënaqshme. Duhet thënë se ky segment është gjysma e rrugës Rrëshen - Burrel, rreth 30 kilometra e gjatë, ndërtuar para 12 vitesh, por e dëmtuar aq rëndë sa është bërë thuajse e pakalueshme. Diku nuk është punuar në parametra gjatë ndërtimit, diku ka qenë formacioni i tokës i lëvizshëm, diku tjetër është dëmtuar nga mjetet e rënda të transportimit të kromit, që mbartet nga Bulqiza; pak rëndësi kanë këto në këtë rast, problemi është se nesër rruga e Lurës nuk do të ketë hyrje, as nga Mirdita, nga ku lidhet me Rrugën e Kombit e as nga Burreli, nga ku lidhet me Rrugën e Arbërit.

Sa për dijeni të lexuesit, rruga e re (e vjetër) Rrëshen - Burrel nuk lidh vetëm këto dy qytete, por dhe Dibrën. Ajo ishte njëra nga rrugët e vjetra shqiptare, që qe këputur në Urakë, nga liqeni i Ulzës, nga fundi i viteve ’50, për t’u rikthyer në identitet pak vite më parë.

Dëmtimi i këtij aksi të rëndësishëm ka prekur veç të tjerash disa resorte turistike në Tarazh, Perlat, Bruç etj. Banorët dhe biznesmenët e agroturizmit e ngrënë përditë zërin, kurse Bashkia e Mirditës ka kërkuar të rishikohet projekti i rrugës së Lurës, duke i shtuar dhe segmentin rreth 15 km nga Rrësheni deri në Perlat-Epër. Edhe donatorët austriakë që po ndërtojnë fshatin e ri turistik të Trangës (Selitë) i janë bashkuar këtij shqetësimi të banorëve, duke iu drejtuar me anë të një letre të hapur qeverisë dhe Kryeministrit. Mund të thuhet se kjo rrugë është bërë një dekadë më parë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe ka plot rrugë të tjera që nuk janë bërë asnjëherë.

Kjo është e vërtetë, ama jemi para faktit që nuk ka zgjidhje tjetër pos ribërjes së saj, në atë masë që të gjykohet nga ekspertët, pasi tashmë ajo është e lidhur pazgjidhshmërisht me rrugën e Lurës. Ministria e Infrastrukturës duhet ta inspektojë këtë rrugësa më parë, që nesër kur të shkohet për të prerë shiritin e asaj të Lurës, të mos vemi deri te shiriti nëpër një rrugë të “bombarduar”, pasi të paktën turistët që mezi presin të vërshojnë drejt “shtatë liqeneve” nuk do të na ndjekin pas. Ata nuk do të vijnë deri aty me helikopter, që pastaj t’i lumturohen asfaltit...

A do të ketë një herë të dytë “Udha e Madhe” Shkodër – Orosh – Prizren?

Dikur quhej Udha e Madhe. Një rrugë sa historike, aq dhe turistike, nëse do të ndërtohej. Vizitat do të fillonin në kalanë e Kastrit në Vig, që studiuesit e lidhin me emrin e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut (siç shkruante Hahn-i kah mesi i shekullit XIX), për t’u lidhur në Ungrej (Fusha e Mirë) me krahun e rrugës që vjen nga Lezha (i asfaltuar) e për të vijuar pastaj të dyja degëzimet në një (pa asfalt), nëpër Kalor - Bukmirë - Rruga e Kombit.

Kjo është njëra nga dy rrugët kryesore me të cilat lidhej Shkodra me Kosovën, krahas rrugës nga Puka e Fushë - Arrësi. Kohët e fundit për këtë rrugë e ka ngritur zërin dhe dega e Unionit “Mirdita” në Shkodër. Për ata që e kanë shkelur është një rrugë përgjithësisht e rrafshët, thuajse fushore, që do të krijonte një tjetër zhvillim në fshatrat e luginës së Gjadrit etj. Për të qenë të saktë, në rastin e një projekti të ndërtimit të kësaj rruge, jo gjithçka do të niste nga fillimi, pasi 11 km të saj, nga Laçi i Vaut të Dejës deri në Fushë Pëllumb, janë të përfunduara e asfaltuara.

E dimë se Shqipëria vazhdon të jetë e “etur” për rrugë, por nuk bën që disa zona relativisht afër qendrave të mëdha të lihen të vdekura për nga infrastruktura. Zona e ulët nga Vau i Dejës në Kashnjet është aq e përshtatshme për zhvillimin e pemëtarisë, vreshtarisë, bletarisë, blegtorisë etj.

Nëntëdhjetë vjet më parë Mitrush Kuteli ngrinte problemin se nuk njihen malësitë sa duhet nga shqiptarët që rrojnë në qytete dhe zona të ulëta. “Përtej maleve zgjaten të tjera male dhe midis tyre janë vëllezër, të cilët fatkeqësisht as i njohim e as i dimë. Koha me karvanin e brengave të ndryshme, mungesa e mjeteve të udhëtimit na kanë futur frymën e egër të një individializmi egoist... Njohim vise të huaja si asnjë tjetër popull, por për malet tona nuk kemi përveçse dijeninë e një ushëtime legjende”, shkruante ai nga Bukureshti, kur po u paraqiste lexuesve librin “Përmes Mirditës në dimër” të autorit Stavro Frashëri. Sigurisht nuk është i njëjti kontekst social si atëherë, ama ka gjasë që me braktisjen masive të malësive jemi kthyer prapë atje te “ushtima e legjendës”. Mirëpo si mund të vijë integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, pa dalë nga legjenda?...

Nëse qeveritarët do ta vinin dorën në zemër ashtu si Kuteli, kur planifikojnë buxhetet e përvitshme, jo më të pesëvjeçarëve, do t’i gjejnë fondet për rrugët e reja, nëpër gjurmët e vjetra...