Mendime
Fran Gjoka: Adoleshentët në kërkim të motiveve të reja
E enjte, 16.11.2023, 07:58 PM
Adoleshentët në kërkim të motiveve të reja
Nga
Fran Gjoka
Jeta në shkollat
shqiptare rrjedh dhe gjallëron përditë. Krahas përkushtimit të drejtuesve,
mësuesve dhe nxënësve për zbatimin e programeve dhe përvetësimin e dijeve, herë-herë ndodh diçka që qortohet nga
mësuesit. Disa nga adoleshentët
vijnë të papërgatitur në mësim, të tjerë kanë ardhur pa bërë detyrat ose
kanë “harruar” fletoret në shtëpi,
dikush nuk është i vëmendshëm dhe gjatë
orës së mësimit hedh vështrimin ëndërrimtar nga dritarja, dikush godet me një
shuk letre shokun në krah të tij, një tjetër shkarravit mbi tavolinë emrin e
sportistit apo këngëtarit të famshëm që ka për zemër etj. Pas mësimit këta
nxënës adoleshentë, gjithnjë të zhurmshëm dhe të hareshëm, duan edhe të luajnë
pakëz, të argëtohen, të bëjnë edhe ndonjë shaka, të tregojnë një anekdotë. Por,
diku ndodh edhe ndonjë grindje apo sherr i mprehtë, një zënkë që nis si me
shaka dhe shndërrohet padashur në një konflikt të rëndë dhe të rrezikshëm.
Madje ndonjëri nga jashtë oborrit të shkollës, kërkon të bëj të fortin, ai
dëshiron të dallohet nga të tjerët, të shfaqet origjinal në fjalët dhe në
veprimet e tij. Ai kërkon të
zbulojë rrugët që i duken të drejta për
të qenë sa më interesant në jetë, të tërheqë vëmendjen e të tjerëve drejt tij.
Pa këto zhurma të hareshme
nuk mund të kuptohet dot jeta e adoleshentëve. Nëse do t`i kthehemi realiteteve
të shkollës, pas emrit të çdo nxënësi, pas numrit rendor në regjistër, pas çdo
note, është një nxënës adoleshentë me botën e tij shpirtërore në formim, i
brishtë, që ka nevojë të orientohet, të nxitet e të mësojë, paçka se ai për
veten e tij thotë se “ i di të gjitha
dhe s`ka asgjë për të mësuar”. Por ai ndihet keq kur ndien indiferentizëm ndaj
tij, kur nuk e përfillin dhe nuk tregojnë interes për të. Ai ndihet keq kur nuk
di se ç`të bëj, kur nuk ka motive në jetë. Në kësi rastesh për adoleshentët,
një ditë nuk ndryshon nga një ditë tjetër, një muaj nuk ndryshon nga një muaj
tjetër: “Ah, gjithnjë të njëjtat gjëra!
Sa e mërzitshme është kjo jetë!”
Nxënësit adoleshentë
fillojnë e bëhen melankolikë, mbyllen në vetvete, bien në pesimizëm e gjer në
dëshpërim të thellë. Dhe ky është çasti më i rrezikshëm, sepse ata përpiqen të
gjejnë ngushëllim dhe zgjidhje, duke hedhur vështrimin nga rruga, që i tërheq
si “gjarpër i keq”.
Lexo po deshe hartimet e
çiltra të disa prej këtyre adoleshentëve. Aty ata rrëfehen, aty shprehin diçka
nga zjarri i shqetësimeve që i djeg përbrenda shpirtit, aty sheh se si ata
përpiqen e përpëliten pa mundur të gjejnë gjithnjë rrugët më të drejta të
jetës.
Shkolla,
jo vetë parandalon të keqen,
por ajo
edukon dhe motivon jetën e nxënësve të saj
Nuk them se këta adoleshentë
duhet të mbahen për dore. Jo. Këtë ata nuk e pranojnë, ndihen të fyer, por
gjithsesi, ata duhen orientuar, duhen ndihmuar të kapërcejnë gjendjen stresante
dhe të rënduar psikologjike. Ata duhen shkundur, duhen vënë në lëvizje, duhen
hedhur në veprim. Në shkollë është vendi ku duhet të edukohen ndjenja dhe të
nxiten ëndrra të bukura, është vend ku hedh shtat personaliteti i adoleshentit,
ku ai orientohet drejt së bukurës dhe së mirës, së drejtës dhe progresives. Shkolla ka rolin e saj të padiskutueshëm dhe
parësor në ndryshimin e gjendjeve dhe përsosjen e realitetit ku jetojmë. Është
forca e arsimit dhe e kulturës që
shpërndan mjegullën dhe errësirën, prapambetjen dhe injorancën, që i
kundërvihet së keqes dhe ligësisë, që mbron të drejtat e adoleshentëve nga
dhuna dhe arbitrariteti…Duke u ndodhur përballë vështirësive, duke ngritur
nivelin e punës së saj, shkolla të
përdorë edhe ajo “armët” e reja të kohës moderne për të qenë e aftë të fitojë mbi sfidat, dukuritë negative, të
ndikojë së bashku me shoqërinë dhe shtetin dhe të “ndërhyjnë’ bashkërisht që t`i shpëtojnë
adoleshentët nga e keqja, të vihet në krye të veprimeve të fuqishme humanitare.
Shkolla s`ka vetëm detyrë t`i qortojë ata, por edhe t`u tregojë atyre rrugën e
duhur, rrugën e dijes dhe të zhvillimit,
t`u tregojë se “jeta nuk është fushë me lule”, por se ajo që në dukje shfaqet
si një “lumë i qetë”, në fakt është një “lumë i rrëmbyeshëm”, i cili
përballohet duke e mësuar mirë notin, duke u orientuar, duke iu shmangur
vërshimeve që të rrëmbejnë, “gjeratoreve” që të përthithin brenda tyre…
Talenti
nuk zhvillohet vetvetiu
E përbashkët është se, të
gjithë kemi qenë dikur nxënës dhe si të tillë nëpër vite bëjmë vlerësime dhe
shfaqim opinione për mësuesit tanë. Ata qëndrojnë në mendimet dhe përfytyrimet
tona si njerëz të afërt, kujtimet për ta na bëjnë që të ndjehemi mirë, na bëjnë
që të na vërshojnë emocione dhe mbresa të shumta, teksa malli dhe buzagazi na rrëshqet
ëmbël në fytyrat dhe në sytë tanë. Nuk e di pse ndodh kjo me mësuesit? Mbase ,
sepse të gjithë kemi marrë diçka prej tyre në formimin tonë, në shprehitë dhe
zakonet tona, diçka që fillon që nga mënyra se si përshëndetemi, sesi
respektojmë dhe duam njëri-tjetrin dhe jetën, nga mënyra se si nisim dhe
zhvillojmë një bisedë si zgjidhim një problem, si futemi në botën e mrekullueshme dhe të
mistershme të dijes…
Janë mësuesit të parët që kapin prirjet e nxënësve dhe kujdesen
vazhdimisht që ato të nxiten dhe të zhvillohen më tej. Se talenti nuk
zhvillohen vetvetiu, por kërkon një
mjedis përkrahës ashtu si fara, e cila
që të shndërrohet në bimë, kërkon kushte të caktuara klimateriko-tokësore,
kërkon shërbim, ngrohtësi e përkujdesje.
Të vihen
në lëvizje energjitë krijuese të adoleshentëve
Jo vetëm muaji i letërsisë,
por edhe çdo orë tjetër e mësimit duhet të bëhen nxitje për ata nxënës, të
cilët shfaqin prirje dhe ide krijuese. Të vihen në lëvizje energjitë krijuese
të adoleshentëve. Ato ekzistojnë, janë të fshehura dhe të strukura brenda tyre,
ato duhet të zgjohen, të vihen në lëvizje, të trokitet në to: “-Hej, djalosh, zgjohu! Mos fli gjumë! Jeta
është e bukur, shiko, hap sytë, hidhu edhe ti në vrullet dhe dallgët e jetës,
lëviz, përpiqu, mundohu, përleshu me të keqen, kapërce majën dhe ec përpara,
vazhdo ngjitjen , ke maja të tjera përpara për të kaluar. Tek përballimi i
këtyre vështirësive, te kapërcimi i tyre qëndron bukuria e jetës. Kështu, aftësitë, talentet e adoleshentëve nuk kalojnë si hije, pa u
ndjerë dhe pa u vënë re, pa mundur të
tregojnë aftësitë dhe talentin e tyre…Këtu , mësuesi është kultivuesi, është
regjisori më i mirë dhe më i talentuar. Janë të shumta fushat ku mund të veprohet,
ku mund t`u hapen horizonte adoleshentëve dhe jeta e tyre të motivohet, të
marrë vlerë dhe kuptim.
Natyrisht jo paternalizëm,
jo diktim i ideve, por nxitje , krijim i një atmosfere dhe kushteve të
përshtatshme që adoleshentët të zgjedhin vetë më të mirën, më interesanten dhe
më të bukurën për ta dhe të veprojnë. Atyre nuk mund t`u mohohet zhvillimi i
natyrshëm i jetës. Nuk u duhet “vrarë” fëmijëria dhe rinia, ata duhet ta
jetojnë jetën natyrshëm, pa sforco e mundim, nuk duhet t`u diktohet se çfarë duhet të bëjnë
dhe çfarë s`duhet të bëjnë, por t`u tregohet e mira dhe e keqja, e bukura dhe e
shëmtuara nëpërmjet veprimeve, ndodhive, debateve, ballafaqimeve… Ata duhen
nxitur , duhen hedhur në veprim me forcën e fjalës, të ideve, të mendimit të mençur. Në kujtesën e nxënësve mbahet mend
mësuesi që i nxiti, që u ngjalli besim, që u hapi horizonte të reja për një drejtim të caktuar, zbuloi dhe nxiti pasionin që ata mbanin të fshehur
në shpirt e zemër, ata kanë mall dhe respekt, sepse i dedikojnë mësuesit të
tyre deri edhe të ardhmen…
Ja sesi si shprehet një
nxënëse për mësuesin e saj të letërsisë:”Të zhvillosh orën e mësimit të
letërsisë, do të thotë të udhëtosh në botën e rikrijuar nga ne me petkun e
fantazisë .Të fluturosh në lartësitë më të mëdha marramëndëse, të jeshë i
lumtur, të ndjesh freskinë e ujërave të
lumenjve, të luleve të bukura, të kapesh realen. Nuk është vetëm një ëndërr,
është thjeshtë një orë e nxitur nga mësuesi që shfrytëzon thellësitë e moshët
sonë për të na strukur në gjirin e letërsisë e në tërë suktat e shehta të
mrekullueshme të saj. Dhe, të gjitha
këto, do të doja t’i mblidhja, t’i lidhja
në fjongo dhe t’ia dhuroja mësuesit tim”.
Dhe në qëndër ka qënë dhe
mbetet figura e nderuar e mësuesit, e
këtij udhërrëfyesi të shkëlqyer të dijes
dhe përparimit. Prandaj dhe mësuesi mbetet gjatë gjithë jetës i fiksuar në
mëndjen dhe kujtesën e nxënësve.
Me aftësi, takt e durim,
mësuesit dijnë “t`i marrin” fëmijët dhe nxënësit e tyre ashtu si janë dhe
punojnë pa rreshtur e pa u lodhur për
skalitjen e mendjes së tyre, për pajisjen me dije të thella mbi botën dhe
shoqërinë njerëzore.
Mësuesi
dhe roli i tij i pazëvendësueshëm
Ndaj shkollës jemi të
ndjeshëm dhe i detyrohemi të gjithë, prandaj t’i afrohemi shkollës, jo vetëm
kur na therret drejtori apo mësuesi kujdestar për fëmijën që është mbetës,
rrezikohet të përjashtohet për shkak të mungesave të shumta, por të jemi atje
sa herë që shkolla ka probleme dhe gjera për të zgjidhur. Sikurse, drejtoria e
shkollës, mësuesit i kanë të gjitha
hapësirat e nevojshme që t`u drejtohen hapur dhe pa droje prindërve të nxënësve, specialistëve ,
njerëzve të artit e të kulturës, biznesmenëve. Ata ndihen të nderuar dhe të
obliguar kur drejtoria e shkollës, apo
dhe vetë nxënësit i ftojnë për takime dhe bashkëbisedime dhe kërkojnë ndihmën e tyre. Duke ndihmuar
shkollën, ndihmojmë fëmijët ,të sotmen dhe të ardhmen e tyre.
Shumë mësues kanë qenë të
suksesshëm sepse me taktin, kulturën pedagogjike dhe horizontin e gjerë kanë
arritur të zgjojnë ide, energji, pasione dhe
dëshira tek adoleshentët. Ata e kanë bërë këtë duke u treguar të
durueshëm e zemërgjërë, duke u qëndruar
pranë nxënësve, ashtu si fëmijëve te tyre, duke zbuluar hap pas hapi prirjet e
nxënësve, duke i nxitur ata, duke i ndihmuar që të motivojnë jetën e tyre, duke
u “mjekuar” gjendjet stresante e, sidomos duke zgjuar te nxënësit adoleshentë
shpresa dhe besime të reja për jetën dhe të ardhmen. Mësuesi i mirë ka rastin
që me nxënësit adoleshentë, të tregojë edhe ai vetveten, aftësitë dhe përgatitjet
e tija, jo vetëm profesionale, por edhe ato pedagogjike, sociale e
psikologjike. Ka më shumë vlerë një mësues, që është edhe psikolog e sociolog
çdo orë dhe çdo ditë mësimore me nxënësit, sesa disa tema social-psikologjike
që programohen herëpashere në planet e drejtorisë apo të mësuesit kujdestar.
Mësuesi i mirë dhe me
përgatitje të plotë, është një aset, një vlerë e jashtëzakonshme e shoqërisë,
sikurse një mësues i papërgatitur, është një antivlerë. Kjo ndodh sepse mësuesi
është pasqyrë për nxënësin, është një model që ai e imiton në jetë, edhe dijet
dhe kulturën e tij, edhe pamjen dhe
zakonet e huqet e tij. Nuk them se ndodh si me ujin që merr formën e shishes,
por gjithsesi nxënësi adoleshentë merr shumë nga mësuesi i tij, sikurse dhe nga
shokët, por dhe nga prindërit dhe shoqëria në tërësi.