| E enjte, 16.11.2023, 07:52 PM |
MOSNDËSHKIMI I KRIMIT NË BANJSKË, E BËNË PALË NË KRIME BE-NË ME SERBINË!
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
"Krimi i
pandëshkruar rrezikon të përsëritet". Dhe, kjo dëshmohet me dosjet e
jurisprudencës. Ngjarjës së përgjakshme të 24 shtatorit, i kanë paraprirë
provokimet, në vijimësi, të bandave serbe në veriun e Kosovës. Kronologjia e
ngjarjeve banditeske, nismon në shkurtin e viti 2000. Vrasja e një duzinë
shqiptarësh etnik, tej lumit Ibër dhe dëbimi i mijëra të tjerëve, nga vatrat e
tyre lindake, u bë në prezencën e KFOR-istëve francezë, me praninë edhe të
SHTAB-istëve të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Agim Çeku me shokë.
Dhe, të gjitha këto
krime u tejkaluan në heshtje, pa hetime, pa zbulime dhe pa asfarë ndëshkimi.
Arsyeja ishte dhe është e njohur: "Komandantët" pa ushtarë të LPK,
respektivisht, të PAN-it të sotëm, por me banda të fuqishme, u zhytën në krime
monstrume, gjatë dhe pas luftës. Thjeshtë, kidnapuan, burgosën, torturuan, deri
në vrasjen e shumë qindra shqiptarëve, kundërshtarë politikë. Ndërkombëtarët
dhe Serbia, nga provat faktike, hartuan dosjet penale, të cilat i përdorën dhe
vazhdojnë t`i përdorin si shantazh, për të përfituar favore të ndryshme Serbia,
madje deri në gadishmërinë për të dhënë pjesë nga territori i Kosovës.
Sulmi terrorist i
Serbisë agresore, me bandat e saj të specializuara, i 24 shtatorit, është
rrjedhojë logjike i lëshimeve të bëra Serbisë, përgjatë tej dy dekadave. Vrasja
e policit të Kosovës, Enver Zymeri, tashmë, Heroi i Kosovës, në Doganën e
veriut dhe bllokimi i policëve tjerë atje, i shpëtoi KFOR-i kroat, askush nuk
dha përgjegjësi, askush nuk u penalizua për krimin e bërë.
Barrikadat e përsëritura
të bandave serbe në veriun e Kosovës, me kohë-zgjatje deri një muaj, Policia e
Eulex-it dhe KFOR-i, edhe pse përsërisnin slloganin bajat, "jemi këtu për
të mbrojtur të drejtat e njëriut dhe lëvizjen e lirë të njerëzve".
Ndërkohë që edhe makinat e tyre ishin bllokuar dhe ata lëviznin në këmbë, në
rrugët mushkatore e dhiare! E turpshme, deri në pakufi!
Më 29 maj 2023, në
Zveçan, bandat serbe, me urdhër të Vuçiqit dhe Radoiçiqit, goditën me gurë,
stupca, e plumba kundër policisë, ushtarakëve të KFOR-it, gazetarëve, popullit
vendorë, duke turpëruar EULEX-in dhe KFOR-in!
"Të ndëshkohen
protestuesit e dhunshëm",- tha Borrell dhe ndërkombëtarët tjerë. Dhe, pas
3 apo 4 arrestimeve, po ky Borrell me shokë, reagoi, thekshëm e turpshëm, se
"qeveria e Kosovës po i provokon serbët!" Njëjtë vepruan
edhe për barrikadimet e rrugëve, kur thanë se "serbët kanë të drejtë të
vënë barrikada!" Dhe, për këmbët e amputuara, të dy ushtarëve të KFOR-it
hungarezë, nga plumbat e banditëve protestues serbë, pjesë e krimit të
drejtëpërdrejtë, krahas bandave serbe, janë edhe ndërkombëtarët ndërmjetësues,
të cilët, në vijimësi, ishin palë me Serbinë, duke i përligjur krimet e saj!
Është fat në fatkeqësi,
që sulmi i organizuar terrorist në Banjskë, më 24 shtator, përfundoi vetëm me
vrasjen e rreshterit policor, Afrim Bnjaku, tani, Hero i Kosovës dhe plagosjen
e dy kolegëve të tij, duke pasur parasysh gamën e armatimit dhe shumësinë e
banditëve. Dhe, kjo falë burrave dhe djemëve trima e profesionistë të Policisë
të Kosovës, të cilët kanë një përkushtim atdhetar e heroik në mbrojtjen e
Atdheut-Kosovë.
Heshtja ogurzezë e
terrorit në Banjskë, është qyqarllëk!
"Pas sulmit
terrorist të 24 shtatorit, gjithçka do të jetë ndryshe",- paralajmëron
kryeministri Albin Kurti. Dhe, vërtet, duhet të ngulmohet, për të ndryshuar, në
formë dhe përmbajtje, dialogu dhe raporti Kosovë-Serbi. Tashmë, Serbia
"është zënë me pelë për dore",- thotë populli kur fajësia është
lëndore. Andaj, urojmë që Kurti ta mbajë fjalën, duke filluar nga heqja nga
agjenda e dialogut të -Asociacionit- të stisur, të shpikur dhe shpalljen e
paligjshme të -Listës Serbe"-.
Penalizimi i bandës së
porositur nga Beogradi zyrtar, është i shumëfishtë:
Thyerja e kufirit dhe
shkelja e sovranitetit shtetëror;
Posedimi i armatimit
numerikë dhe special;
Bllokimi i rrugëve
rajonale dhe lokale";
Sulmi ndaj Policisë së
Kosovës, për rrjedhojë një i vrarë dhe dy të plagosur;
Përdorimi i Manastirit
të Banjskës, për strehim dhe barrikadim luftimi;
Terrorizimi i popullatës
vendore....
Për rrjedhojë, situata
aktuale në Kosovë dhe raportet Kosovë-Serbi, pas sulmit terrorist në Manastirin
e Banjskës, janë të acaruara skajshëm, gjë që vështirësojnë edhe më shumë
normalizimin në mes të dy shteteve tona. Me pranimin e Millan Radoiçiq
se, gjoja, ai, krye në vete dhe pa dijeninë e Beogradit dhe presidentit Vuçiq,
ka organizuar sulmin terrorist ndaj shtetit të Kosovës, pretendon ta shfajëson
Serbinë. Dhe, kjo gënjeshtër bëhet në koordinim me Beogradin zyrtar.
Kërkesa këmbëngulëse e
Qeverisë së Kosovës, për sanksionimin e Serbisë, po anashkalohet me arsyetimin
se "janë duke hetuar rastin!" Në fakt, ka pak interesim, për ta
ndëshkuar Serbinë. Ndërkohë, Vuçiq, për ta amortizuar krimin e rëndë terrorist,
ka urdhëruar Listën Serbe të kërkojë zgjedhje në 4 (katër) komunat e veriut të
Kosovës, duke mos përmendur kushtet e mëparshme.
Qeveria Kurti, pas aktit
kriminal e terrorist, nuk ka gadishmëri për ta filluar dialogun, pa disa kushte
paraprake. Madje, është e pakënaqur nga ndërmjetësuesit aktual, të cilët i
konsideron, skajmërisht, të njëanshëm dhe dështakë. Ndërkohë, paradoksalisht,
BE-ja dhe SHBA ngulmojnë se "ata janë të denjë, për ta vazhduar detyrën e
ndërmjetësuesit profesionalisht të dialogut, por edhe parimisht e
moralisht!"
Ngutia e Asociacionit të
mos imponohet nga gjeopolitika konfliktuoze
Natyrshëm, shpërthimi i
konfliktit, deri në luftë të armatosur në mes të Palestinës dhe Izraelit, me
provokimin e përgjakshëm të organizatës terroriste "Hamas", mund ta
largojë vëmendjen e ndërkombëtarëve për konfliktin në, vazhdimësi,
Kosovë-Serbi. Megjithatë, BE-ja dhe SHBA, kanë paralajmëruar angazhimin e tyre
të mëtejshëm, madje, të intensifikuar, siç është pritja e afërme të emisarëve
të shteteve të Quintit dhe të SHBA-së, në Kosovë dhe Serbi.
Thirrja e tyre, ende pa
shkarkuar në Ballkan, është se dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë, pa
alternativë, për t`i përmbushur marrëveshjet e diskutuara në Bruksel dhe Ohër,
duke mos dëgjuar zërat e shtuar të Kosovës, se "nuk mund të vazhdohet me
"avazin" e vjetër, sikur nuk ka ndodhur asgjë më 24 shtator, në
veriun e Kosovës, respektivisht, në Banjskë!"
Ekziston dyshimi i
bazuar se krahas Rusisë, edhe Serbia ka hisën e vet në luftën aktuale në mes
Palestinës dhe Izraelit. Është njoftuar se grupet terroriste të Hamasit,
vazhdojnë të përdorin raketat e prodhuara dhe të dërguara nga Serbia. Miqësia e
Palestinës me Serbinë, daton e hershme. Kur Sllobodan Millosheviq, ishte
shpallur terrorist nga bota demokratike, klerikët othodokës të Palestinës e
ftuan atë për Krishtlindjet e tyre. Qeveria izraelite reagoi dhe kërcënoi se
"nëse Millosheviq merr guximin për të ardhur në Palestinë, do ta
arrestojmë si kriminel".
Ndërkohë, ambasadorët
dhe zyrtarët tjerë të lartë të Palestinës, si argatë dhe tellallë të Rusisë dhe
të Serbisë, në çdo rast janë përkrah Serbisë dhe kundër Kosovës, edhe pse
shqiptarët, dikur, koxha ndjenja dhimbje e simpatie kanë investuar për ate, në
veçanti, dhe botën arabe, në përgjithësi.
BE-ja dhe ndërkombëtarët
tjerë, fillimisht, i dhanë mbështetje pa rezerva Izraelit, për goditjen e rëndë
që mori nga Hamasi terrorist, me arsyetimin se Izraeli "ka të drejtë të
mbrohet", që nënkupton përgjigjen ushtarake, hakmarrëse. Por, tani që
përmasat e kundër-përgjigjës, janë të vrazhdëta dhe po marrin edhe jetë të
civilëve të pafajshëm, bota demokratike, përfshi edhe BE-në, po apelojnë për
përmbajtje. Dilema është se luftimi i grupeve terroriste të Hamasit, është i
vështirë, në mos i pamundur, pa viktima civile, sepse terroristët i përdorin si
mburojë.
Edhe pse zëdhënësi i
Forcave të Armatosura të Izraelit thotë se "nuk godasim civilët", dhe
kjo dëshmohet me thirrjen paralajmëruese, për zhvendosjen e popullatës në jug
të Gazës. Por kjo është, skajshëm, e zorshme, sepse bëhet fjalë për tej dy
milionë njerëzve. Përflitet se Izraeli vështirë e kapërdinë goditjen fatale, me
shumë qindra të vrarë, të masakruar, të marrë peng dhe më dëme enorme. Siç
duket, nuk do të mjaftohet vetëm me Gazën, por pretendon edhe përfshirjen e
Bregut Perëndimor. Dhe, kjo do të jetë fatale për Palestinën dhe me gjerë.
Sidoqoftë, përfundimi i
këtij konflikti të pakohshëm dhe fort të dëmshëm, për Ukrainën dhe Kosovën,
njëherësh, urojmë të përfundojë sa më parë. Natyrshëm, do të ishte i
mirëpritur, qoftë për dy vendet në konflikt si dhe botën mbarë.