Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sabile Basha: Mehmet Bushi, matjani që luftoi për Shqipërinë Etnike

| E marte, 14.11.2023, 08:02 PM |


T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

MEHMET BUSHI, MATJANI QË LUFTOI PËR SHQIPËRINË ETNIKE

(1914- u pushkatua më 1947)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Oficeri e atdhetari Mehmet Bushi, ishte djali i Nezir Bushit dhe nënës Mine. Ishte i lindur në fshatin Dukagjin – Burrelë, në Shqipëri. Në kohë kur u arrestua jetonte në Tetovë. Ishte i moshës 33 vjeçare. Pas përfundimit të shkollës fillore dhe asaj të mesme në Shqipëri, ai shkoi në Romë për të studiuar në Akademin Ushtarake. Akademin e kishte përfunduar me sukses shumë të mirë. Me profesion ishte oficer, ndërsa në Tetovë ishte kryetar komune. Pas Luftës së Dytë Botërore por edhe para saj, problemi i Kosovës dhe i viseve të tjera të banuara nga shqiptarët, jo që nuk u zgjidh, por përkundrazi, atyre iu mohua çdo e drejt për të vetëvendosur, si rrugën e vetme për zgjidhjen përfundimtare të problemit kombëtar. Pakënaqësinë e vet populli i sapo okupuar e shprehi në forma e mënyra të ndryshme. Atdhetarët e dalluar në shumë pjesë të vendit revoltën e shprehen edhe me organizimin e kryengritjeve në shumë qytete të Kosovës. Të gjitha këto kryengritje pushteti i “ri” sllav, i shoi me gjak. Pas një terrori të paparë që u ushtrua mbi popullatën liridashëse, ai prej vitit 1945 e këndej u detyrua të gjejë forma të reja veprimi, rezistimi e reagimi për ta shprehur pakënaqësinë e vet. Qe i detyruar që nga një formë legale e shprehjes së pakënaqësisë të kalojë në ilegalitet. Por, për shkak të mbetjes së Kosovës me dhunë në kuadër të Serbisë shprehja e pakënaqësisë si formë institucionale e demokratike ishte rreptësisht e ndaluar. Ata që patën guximin të shprehnin revoltën lidhur me statusin e tillë të Kosovës, ndëshkoheshin rëndë. Atyre u mbeti vetëm edhe një mundësi: organizimi ilegal i Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare. Në bazë të këtij organizimi gjatë vitit 1945 u formuan dhe vepruan shumë organizata shqiptare ilegale-patriotike siç ishin:Organizata Nacional Demokratike Shqiptare që njëherë ishte vazhdimësi e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe shumë organizata të tjera më të vogla që vepronin në pjesë të ndryshme të tokave shqiptare që ishin okupuar nga ish-Jugosllavia.

Oficeri Mehmet Bushi këtë situat e përjetoi rëndë, andaj për të shprehur paknaqësin dhe për të arritur qëllim suprem të popullit shqiptar u angazhua në organizatën Nacional Demokratike Shqiptare. Ai fillimisht kishte rënë në kontakt me shumë figura të rëndësishme kombëtare si: Azem Maranen, Gjon Serreqin, Hamdi Berishën, Hysni Rudin, Halim Oranën, Hasan Bilalli dhe Qemal Skenderin. Në fillim të prill 1946, në Shkup kishte ardhur Gjon Sereçi, icili kishte mbajtur një takim të rendësishëm me Azem Maranën dhe Hasan Bilallin. Gjatë bisedës, ata kishin marr edhe disa vendime si: urgjentisht të formohen komitetet e rretheve, komunave, fshatrave e qyteteve të ONDSH-së. Por ajo që ishte më e rëndësishmja ishte vendimi për formimin e çetave ushtarake, të cilat do tëfunksiononin në kuadër të komiteteve regjionale etj. Duhet theksuar se Mehmet Bushi kishte pasur një takim të veçant me Azem Maranën e Hasan Bilallin, me të cilët kishte biseduar shtruar për qëllimet e organizatës dhe kërkesat e tija. Mehmeti në atë kohë jetonte në Tetovë. Në takimin Mehmet Bushi ka kërkuar nga dy bashkëbiseduesit që të punohet, në atë mënyrë që “të gjitha krahinat të cilët së paku 60% përbëhen nga shqiptarët” duhej t’i çliroheshin e të bashkoheshin me Shqipërinë. Gjithashtu i kishte njohtuar se gjatë qëndrimit të paradokohshëm të tij në Zagreb, ishte informuar se kroatët punonin për “Kroaci të pavarur”, ndërsa serbët për kthimin e Jugosllavisë së vjetër, prandaj, shprehet Bushi: “ne duhet të punojmë për çlirimine të gjitha trojeve dhe ba-shkangjitjen e tyre me Shqipërinë...”. Lidhur me këtë, ai mori për obligim të udhëtoj për Tetovë, Gostivar e Dibër, për ta hulumtuar situatën se a mund të punohet në këtë drejtim. Në fund u vendos që lidhjet e mëtutjeshme të tij me komitetin e Shkupit do të mbaheshin përmes Qemal Skënderi. Menjëherë pas këtyre dy takimeve, Azem Marana konvokoi mbledhje të jashtëzakonshme të organizatës, ku përveç tij morën pjesë edhe Hasan Bilalli, Qemal Skënderi dhe Mexhit Zyberi, në të cilën u soll vendimi për krijimin e komiteteve komunale dhe regjionale.

Një aktivitet të bujshëm politik udhëheqja e NDSH-së e zhvilloi edhe gjatë muajit maj të vitit 1946. Ky aktivitet erdhi si rrjedhojë e ardhjes së Halim Oranës në Shkup dhe takimin e tij me Azem Maranën, Hasan Bilallin, Hysni Rudin dhe Qemal Skënderin. Orana i ka njoftuar bashkëbiseduesit për qëllimin e ardhjes së tij, i cili lidhej drejtpërdrejti me organizimin e një kongresi mbarëshqiptar, i paraparë të mbahej në Shkup, e në të cilin do të merrnin pjesë përfaqësues nga të gjitha krahinat shqiptare nën pushtimin jugosllav.

Kongresi  i II (IV) i  ONDSH-së u mbajt me 1 qershor, në qytetin e Shkupit. Situata politike kur u mbajt kongresi i dytë ishte edhe më e rëndë se ndërkohë u zbuluan dhe u arrestuan anëtarët e KQ të NDSH-së në Prizren, dhe njëherë kjo, edhe ishte shkaku që kushtëzoi që të merren masa paraprake, ngase në Kosovë ishte instaluar pushteti administrativo-ushtarak dhe çdo veprim ilegal ishte i vështirësuar, kjo ndikoi që, në çështjen e organizimit të merren masa urgjente. Sipas disa të dhënave me të cilat disponohet, në kongres morën pjesë vetëm 12 delegatë, sepse situata politike ishte shumë e rëndë dhe e tendosur. Çdo veprim apo lëvizje përcillej me dyshim nga organet e pushtetit. Megjithatë të pranishmit morën qëndrim që kongresi t’i zhvillojë punimet, sepse në të ardhmen askush nuk do të mund të prognozonte për përmirësimin e situatës politike në vend.

Nga ky kongres doli një udhëheqësi e re e NDSH-së. Kryetar u zgjodh patrioti dhe veprimtari i dalluar Halim Orana nga Gjilani, Qemajl Skenderi u zgjodh zëvendës-kryetar dhe Azem Morana, sekretar i organizatës, ndërsa anëtarë të KQ të NDSH-së u propozuan dhe u zgjodhën Hamdi Berisha, Mehmet Bushi, Hysen Rudi, Januz Balla, Mahmut Dumani, Hasan Bilalli, Haki Efendi Sermaxhaj, Osman Cani dhe Mitat Tershana. Kongresi gjatë punës që zhvilloi, miratoi një serë dokumentesh që më vonë patën një rëndësi të madhe historike. Delegatet me aklamacion miratuan “Skemën e organizimit” dhe “Programin e Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare”. Në kohën kur udhëheqja qendrore e NDSH-së ishte në vrullin e aktiviteteve politike, organizative dhe ushtarake, OZN-a ndiqte në hap punën e saj.

Më 22 korrik, në orët e mbrëmjes, policia maqedonase në Shkup arrestoi Azem Maranën, Hysni Rudin, Mahmut Dumanin, Spiro Theodosin dhe Xhavit Selimin. Në të njëjtën kohë në Tetovë u arrestuan: Mehmet Bushi, Nexhmedin Besimi, Jonuz Balla dhe Xhevair Vejseli, ndërsa në Dibër: Qeram Zllatku, Osman Cami dhe Gani bej Abdullau201. Bastisjet dhe arrestimet nuk do të përfundojnë me këtë, përkundrazi, ata vazhdojnë edhe më tej. Kështu, me 31 korrik në Shkup u arrestuan Galip Raufi dhe Sherif Aliti, një ditë më vonë në Bllacë të Shkupit arrestohet Xhemal Ferra, me 7 gusht Mexhit Zyberi, ndërsa me 12 gusht në Dibër arrestohet edhe Medat Tërshana

Gjyqi i Qarkut në qytetin e Shkupit me përbërje: kryetar Panta Marina anëtarë?porotë Tekia Aliti, Vesel Limani, me proçesmbajtësin Borçe Cvetkovskin në veprën penale numri penal 8/47 kundër 19 të akuzuarve: Qemal Iskënderi Alim, Azem Idriz Marana, Mexhit Haki Zyberi, Mahmut Hysen Dumani, Hysni Muharrem Rudi, Mehmet Nazim Bushi, Jonuz Imer Balla, Dr. Qeram Muhamet Zllatku, Osman Ahmet Cami, Medat Mustafa Tërshana, Gani?Bej Mehmed Abdullau, Spiro Harilla Theodosi, Hajdar Kurtish Jashari, Mulla Hajdari, Xhemal Fazli Kasami, Sherif Mehmet Aliti, Xhavit Abdulla Selimi, Galip Mustafa Rauf, Hasan Hamzë Bilalli dhe Nazmi Emin Azemi, të gjithë në burgun hetues për shkak vtë eprës penale sipas nenit 3 pika 1, 2, 4, 7, 8, 9 dhe 14 lidhur me nenin 2 nga ligji për vërtetim dhe ndryshim dhe plotësim të Ligjit për vepra penale kundër popullit dhe shtetit mbështetur në aktakuzën e Prokurorit Publik të Republikës Popullore të Maqedonisë, Nikolla Vrazhallski, numër 1/47 nga data 11.I. 1947 gjatë mbajtjes së seancave të mbyllura dhe të hapura në ditët 26, 27, 28, 29, 30, 31 janar dhe 1, 3 dhe 4 shkurt 1947, në të cilat Prokurori Publik i RP të Maqedonisë Nikolla Vrazhallski kërkoi që të gjithë të akuzuarit të shpallen si fajtorë dhe të marrin dënimet e merituara. Gjykata e Qarkut në Shkup me 7 shkurt, 1947 i shqiptoi dënimet  me Vdekje- pushkatim: Azem Maranës, Hysni Rudit dhe Mehmet Bushit.

Ushtaraku atdhetar, Mehmet Bushi nga gjykata akuzohej se: 1. në tetor të vitit 1945, kur vihet në dijeni nga Muhamet Jakupi për ekzistencën e organizatës antipopullore, me qëllimet e lartpërmendura, u bë anëtar i saj dhe gjatë shkuarjes në Shkup u lidh me Azem Maranën, Qemal Iskënderin, anëtarë të KQ të organizatës në Shkup nga të cilët mori detyrën e formimit komitetin e rrethit në Tetovë, detyrë të cilëy menjëherë e kreu në mbledhjen e radhës në fshatin Reçicë e Madhe. Në komitetin për Tetovë dhe rrethin e Tetovës janë përfshië këta anëtarë: Nexhmedin Sezair Besimi, Etem Tahiri kryetar i këshillit popullor të rrethit të Tetovës etj..2. Deri në demobilizimin nga brigada, në pranverën e vitit 1946 përsëri u kthye në Shkup ku u takua me Azem Maranën, i cili në emër të Komitetit Qendror të organizatës e urdhëroi të formonte komitetin të ri të rrethit sepse i pari nuk pati treguar aktivitet. Në komitetin e ri u përfshinë këta anëtarë: Jonuz Balla, Nexhmedin Sezair Besimi dhe Xhevair Vesel Hoxha, të cilët i akuzuari Bushi i sqaroi se çfarë qëllimesh ka organizata, i udhëzoi për metodën e punës, për formimin e tresheve dhe për krijimin e çetave të armatosura. Anëtarët e sapozgjedhur bënë edhe betiminpara tij për lojalitetin ndaj organizatës. 3. Për propagandimin e parimeve të organizatës si dhe për përforcimin e saj, i akuzuari Bushi përpiloi një afishe në të cilën paraiti qëllimet dhe detyrat e organizatës, metodën e luftës si dhe betimin që duhej të bënte secili anëtar i organizatës, në të cilin, përveç tjerash, dënohet me vdekje çdo anëtar i cili do ta tradhtonte organizatën. Si i deleguar i KQ të organizatës udhëhoqi punën e komitetit në Tetovë dhe personalisht shkoi nëpër fshatra për të punuar në zgjerimin e organizatës duke bërë për vete elementët me bindje të njejta armiqësorë ndaj RFPJ. 4. Përveç kësaj, i akuzuari Mehmet Bushi është fajtor edhe për shkak se në vitin 1944 u fut në formacionin e armatosur në shërbim të okupatorit dhe u bë komandant i zonës balliste të Tetovës dhe duke bashkëpunuar me banditin e mirënjohur Xhemë Hasa.

Komisioni pasi konstatoi se të dënuarit me vdekje Azem Marana, Hysni Rudi dhe Mehmet Bushi janë njoftuar për ekzekutimin e dënimit me vdekje, se janë njoftuar familjet e tyre dhe se gjithçka është shkuar sipas procedurës ligjore, urdhëroi që të dënuarit me vdekje të dërgohen në vend të caktuar për pushkatim. Pas kësaj të dënuarit menjëherë qenë dërguar dhe shoku prokurori publik të gjith të dënuarve ua dha fjalën përfundimtare, pasi të gjithë u shprehën u shkua në realizimin e dënimit me vdekje pushkatim ndaj të treve. Pas 15 minutave nga pushkatimi, mjeku konstatoi se personat kanë vdekur, komisioni urdhëroi që personat të varrosen në vendin e caktuar për atë qëllim. Me këtë u mbarua në ora 23 në datën 19.V. të vitit 1947.