| E enjte, 08.01.2009, 08:17 PM |
Hej, në muajin Mars, t’ vitit Nëntëdhjetë,
Mbarë Kosovën çka na e gjet,
Dhunë pas dhune e krim pas krimi –
Fëmijët tanë na i mori helmimi!
Me sy t’ etshëm kah dituria,
N’ çerdhe t’ dritës u nisën fëmija .
N’ vend të dijës dhe edukimit –
Thithën pluhurin e helmimit ?!
Hej, fëmijët tanë, t’ shëndoshë si molla –
Na i helmuan nëpër shkolla!
Vjellje, lot e dhembje koke –
Porsi lulet , bien për toke!
Se armiku s’ bënë hajgare –
Ka bë plan të na qet fare!
Të na ndajë n’ baza kombëtare ,
Mos me hatër , hiq pa çare !
Hej, ndanë konviktet studentore,
Ndanë fabrikat dhe punëtorët ,
Kudo mbjellin armiqësi ,
Mbjellin kob e mbjellin zi !
Kanë bërë plan t’ na i mbyllin sytë –
T’ shkojmë në shkolla n’ ndërrim të dytë !
N’ ndërrim të dytë e n’ ndërrim të tretë –
Të punojnë siç kanë qejf vet!
Hej, dora e fshehur e armikut –
Solli helmin e rrezikut,
Me metodat më mizore ,
Zbatoi n’ fëmijë, n’ qendrat shkollore !
N’ Podujevë e në Vushtrri,
N’ Ferizaj, Gjakovë, Prizren,
N’ Pejë, Gjilan e Kamenicë ,
N’ Deçan, Klinë e Mitrovicë...
Hej, në mbarë truallin kosovar ,
Kah ka pas nxënësi shqiptarë !...
Kështu ka ndodhë veç n’ Palestinë –
I erdh radha edhe n’ Prishtinë !
N’ vend të luleve të pranverës –
Na erdh helmi n’ prag të derës !
N’ vend të notave në ditar –
Shtrihen nxënësit në spital !
Hej, por ky vend gjithmonë ka burra –
Bartin t’ sëmurët me vetura .
Punojnë mjekët, kurrë nuk ndalen ,
Japin ndihma nëpër spitale .
Qitet helmi përmbi fëmijë –
Kërkojnë ndihma përmbi shtatë mijë !
N’ luftë me jetën – ndihmë të parë ,
Milicia - n’ rrugë duke i ndalë !
Hej, t’ gjitha rrugët ua bllokojnë ,
Rrahin, shajnë e arrestojnë .
Edhe mjekët humanitarë –
Nëpër burgje i kanë marrë !
N’ kënde t’ rrugëve – armiqtë vëzhgojnë-
Thonë se :”Filma po xhirojnë!”...
Reporterët prej ekranit –
Lajmërojnë:”Festival të Kanit!”...
Hej, dora e zezë, që helmin vuri –
Thotë:”Artistë nga Holivudi”!
Disa t’ verbër nga Udhëheqësia –
Bëhen “ekspert” nga mjekësia ,
Japin lajmet me nxitim ,
Diagnozën:”SIMULIM”!
Porse, bota vet po flet –
S’ mund t’ aktrojnë mbi shtatë mijë vetë!
Hej, s’ ju plotësua dëshira krejt –
Për t’ hedhë helmin mbi studentë!
Ai, që hedh helmin mbi fëmijë –
Dorë fashiste e zemërzi !
Kush na e bëri – na e dimë krejt ,
Historia do t’ qet !
Do t’ turpërohet para botës ,
Për këtë krim që iu bë Kosovës !
Hej, me këso krimesh mizorike –
S’ hapën rrugët demokratike !
Me këso krimesh ndaj Kosovës –
Nuk mund t’ hyhet n’ dyer t’ Evropës !
Sepse dhuna dhe terrori
Shumë viktima n’ Kosovë mori !
Por mbarë bota e civilizuar –
Hej, gjithmonë ka për t’ i gjykuar !
*****
Këtë këngë, autori e ka thurë, kënduar, incizuar dhe publikuar në vitin 1990.
Po e njëjta këngë është botuar në librin e po këtij autori:”Mallëngjime e ushtima” faqe 160, botuar në Prishtinë, më 1993.
REZISTENCA ARSIMORE
Hej, moj Serbi, mos t’ qofshim falë –
Shkollat shqipe , s’ mund t’ na i ndalë!
Shqip lexojmë , shkruajmë e flasim –
Nuk ka forcë që t’ na e merr lapsin !
Refreni:
Arsimtarë, o arsimtarë –
N’ ballë të nxënësve si pishtarë ,
U treguat solidarë ,
Veç për dritë t’ popullit shqiptarë!
Hej, plan – programet serbomadhe –
Nuk kanë vend n’ shkollat shqiptare !
Gjithë shqiptarët mendjehollë –
Çdo shtëpi e kanë bërë shkollë !
Refreni:
Arsimtarë, o arsimtarë ...etj.
Hej, kot e ke , ti, moj Serbi ,
Ti mbyllë një – hapen njëmijë !
Hapen dyer , hapen dritare –
Çdo shtëpi lind abetare !
Refreni:
Arsimtarë, o arsimtarë...etj.
*****
Këtë këngë, autori e thuri , e kompozoi dhe e jetësoi me nxënësit e vet, nëpër të gjitha shkollat, ku punonte si arsimtar i Kulturës Muzikore në Gjilan, që nga fillimi i viteve të 90-ta.
Kënga është botuar edhe në librat e autorit:”Mallëngjime e ushtima”-Prishtinë, më 1993 dhe në “Shtojzovallet e Gollakut” – Prishtinë, më 2005.