| E shtune, 11.11.2023, 09:00 PM |
T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
AHMET
SELACI- NJË JETË E TËRË PËR SHQIPËRINË ETNIKE
(1894-
u likuidua më 19 shkurt 1947)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Patrioti
i madh, Ahmet Selaci, u lind në fshatin Selac të Shalës së Bajgorës, më 1894. U
lind në një familje që në ADN-në e tyre, gjysh e katragjysh e kishin
atdhetarin, burrërinë dhe besën. Pas kapitullimit të Jugosllavisë, në vitin
1941, duke e parë urtësinë, shkathtësinë e tij luftarake e organizative, Ahmet Selacin e zgjedhin kryetar të komunës
në Bare. Në këtë post qëndroi deri në fund të vitit 1944 dhe gjithashtu
udhëhoqi të gjitha luftimet që u zhvilluan në Kollashin, Shalë të Bajgorës,
Pazarit të Ri, Rozhajë, Tutin e deri në Bihor. Pas formimit dhe Kuvendit
themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit (16 shtator 1943), me angazhimin e
Ibrahim Lutfiut, Bedri Gjinajt e Asllan Boletinit, në tetor 1944 u mbajt një
Kuvend në fshatin Kovaçicë të Shalës, përveç që u përkrahën vendimet e
Komitetit Qendror të Lidhjes së Prizrenit, u morë qëndrimi që të formohen
grupe, çeta, njësi vullnetare, si dhe të bëhet mobilizimi i popullatës në disa
zona të Shalës e më gjerë. Ndikim të dukshëm në formimin e këtyre njësiteve
vullnetare duhet theksuar se patën: Ahmeti Selaci, Adem Voca dhe Ukshin
Kovaçica. Për përgatitjen dhe organizimin sa më të mirë të kësaj lufte dhe
qëndrese, përveç Kuvendit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe Kuvendit të
Kovaçicës, janë mbajtur edhe kuvende të tjera, si: Kuvendi i Bares (shtator
1944), Kuvendi i Vidishiqit (25 janar 1945), Kuvendi i Mrizishtës (mes
Kovaçicës dhe Vesekovcit) 11 gusht 1946 etj. Po ashtu ndikim të dukshëm gjatë
viteve 1941-1945 dhanë edhe këto personalitetet si: Ahmet Selaci, Bislim
Bajgora, Mehmet Rexhep-Selaci, Riza Rexhep Selaci, Imer Tahir Selaci, Bajram
Mehmet Selaci, Mursel Igrishta, Tafil Pajazit, Asllan Isufi, Faik Boletoni,
Ukshin Kovaçica, Adem Hetem Voca, Mulla Mustafa, Kadri Bistrica, Rexhep e Rifat
Dedia, Haradin Vidishiqi, Qerim Ibrahim Shupkovci, Shaban Mujani, e shumë të
tjerë.
Kuvendet
dhe kongreset e organizuara nga përfaqësues të nacionalizmës shqiptare, të
cilët aspiruan, punuan dhe luftuan për ta bërë Shqipërinë etnike ishin Kuvendi
i Drenicës, mbajtur më 20 nëntor 1944, në lokalet e Kuvendit Komunal në Polac,
Në të cilin kuvend formohet Brigada e Drenicës, si Lëvizje politike, ushtarake,
antifashiste, demokratike, shqiptare, për çlirim dhe bashkim kombëtar, si
bërthamë e Lëvizjes kombëtare për mbrojtjen e pavarësisë së plotë, lirisë dhe
integritetit të shtetit shqiptar. Komandant i brigadës së Drenicës emërohet
Shaban Polluzha, ndërsa për anëtarë të Shtabit të brigadës emërohen: Ahemt
Selaci, Miftar Bajraktari, Azem Aruçi, Sadik Lutani, Halil Haxhia, Mulla Ilaz
Broja, Ukë Sadiku, Zukë Xani, Rexhep Gjeli, Mulla Brahimi Polaci, Bajram
Dërguti, Jetullah Rezalla, Qazim Bajraktari, Hysen Bajraktari. Po në këtë
kuvend, Ahmet Selaci gradohet me gradën ushtarake të kolonelit. Po ashtu ai
ishte anëtar i Shtabit Suprem të Forcave Ushtarake që komandoheshin nga Shaban
Polluzha.
Rol
të rëndësishëm në rezistencën shqiptare luanin edhe organizatat ilegale që
vepronin në atë kohë të cilat organizonin popullatën shqiptare në mbrojtje të
vendi, si: Organizata Nacional Demokratike Shqiptare, Besa Kombëtare,
Organizata Nr.2 e Ajet Gërgurit dhe disa të tjera më të vogla. Situata e
krijuar si brenda ashtu edhe jashtë kufijve ndikoi që organizata e NDSH-së të
mbante tri kongrese brenda një viti. Kongresi V, u thirr të mbahet më 25 korrik
1946 në malet e Lipovicës (Blinaj) në Drenicë, por për të humbur gjurmë nga
organet e sigurimit jugosllav lajmërohet se do të mbahet në Kozmaç. Në kongres
merrnin pjesë mbi 250 delegat ndaj edhe ishte më masivi në historinë e
ONDSH-së. Gjatë zhvillimeve të punimeve
në kongres, do të vijnë në kundërthënie dy rryma politike, të cilat artikulonin
mënyrat specifike të luftës. Rryma e parë përfaqësohej nga Osman Bunjaku, i
cili konsideronte se atdhetar është ai luftëtar që nuk e lëshon Kosovën, dhe
këtu zhvillon luftën; ndërsa rrymën e dytë e përfaqësonte Ajet Gërguri i cili
konsideronte se në vitet e pasluftës nuk kishte kushte për të zhvilluar luftën
në atdhe, prandaj duhet përgatitur për luftë nga jashtë dhe më përkrahjen e
forcave demokratike në mënyrë të organizuar të kthehen në atdhe për të vazhduar
rezistencën aktive.
Udhëheqës
i Kongresit ishte Ajet Gërguri, kryetar i ONDSH-së ishte zgjedhur pas vrasjes
së Prof. Ymer Berishës, kurse Gjon Sereçi sekretar i këtij kongresi. Në Kongres
morën pjesë mbi 100 vetë, ndër të cilët edhe Aziz Zhilivoda, Ahmet Selaci,
Ismet Boletin, Osman dhe Shaban Bunjaku, Feriz Bici, Ukshin Kovaçica, Shaban
Dobreva, Azem Bellaqevci etj. Ahmeti Selaci ishte pjesëmarrës i kongresit të V
të NDSH-së që u mbajt në Blinaj të Drenicës. E tërë puna që u bë për
organizimin e kongresit u bë nën mbikëqyrjen e kryetarit të komitetit të
NDSH-së të Komoranit, Sokol Ibrahim Haxhollit nga Zabeli i Poshtëm, që ishte i
kyçur në pushtetin e atëhershëm, si këshilltar i komunës së Komoranit. Për
mbrojtjen dhe sigurinë e delegatëve e pjesëmarrësve të tjerë, organizata
kishte angazhua Ahmet Selacin, që me
bashkëluftëtaret e vet, dhe me tërë armatimin që kishte, të marrin pjesë në
sigurimin e punëve të kongresit. Veç kësaj bashkëluftëtarët e Ahmet Selacit u
porositën që me vete të marrin ushqim për delegatët, gjë që e kryen me
kënaqësi.
Në
Kongresi, gjithashtu, u mor vendim që të formohet “Divizioni i Ibrit” i
Ushtrisë Kombëtare për Mbrojtjen e Kosovës dhe komandant u emërua Ahmet Selaci.
“Divizioni i Ibrit”, që udhëhiqej nga Ahmet Selaci, përbëhej prej pesë
regjimentesh dhe çdo regjiment kishte komandantin e vet. Komandant i
Regjimentit I- ishte emëruar Faik Boletini, i Regjimentit II- Osman Bunjaku, i
Regjimentit III- Ukshin Kovaçica, i regjimentit IV- Avdi Tashefci, i
Regjimentit V- Ilmi Zatriqi. Çdo regjiment kishte nga katër batalione, çdo
batalion kishte komandantin e vet.
Duhet
përmendet se, edhe pas përfundimit të LDB, organizatat ilegale të cilat filluan
të vepronin në Kosovë karakterizohen me programet e tyre që kryesisht kishin
mbështetje në kërkesat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Organizata e cila
veprimtarin e saj patriotike gjatë viteve 1945 e deri më 1956, ishte LNDSH-në.
Ajo, aktivitetin e saj e shtrinte në Kosovë dhe në pjesën Lindore të
Maqedonisë, duke u përcaktuar për luftë të armatosur kundër robërisë së re
jugosllave dhe formimit të një shteti shqiptar me territoret e veta. Kishte një
politik nacionale e demokratike pro-perëndimore, dhe kryesisht udhëhiqej nga
patriot dhe intelektual të shquar si Ymer Berisha, Halim Spahiu, Selman Riza,
Gjon Serreqi e shumë të tjerë. Programi
i saj ishte i përbërë prej pesë pikave të cilat kryekëput përputheshin me pikat
e LSHP.
Organizata
patriotike “Besa Kombëtare” u formua me 28 nëntor 1944, ne fshatin Abria e
Epërme të komunës së Skenderajt, ne ndërtesën e Shkollës fillore te këtij
fshati. Profesor Ymer Berisha, me shumë patriot dhe me shumë nxënës të Shkollës
Normale-Gjimnazit “Sami Frashëri” kishin ardhur nga Prishtina, për të
organizuar dhe mbajtur: Kuvendin e parë të organizatës “Besa Kombëtare”
Ky
Kuvend u mbajt si rrjedhojë e parapërgatitjeve të bëra qysh ne Mbledhjen
konstituive të 12 shtatorit 1943-ës, të
mbajtur në Pejë. Në Kuvendin e Drenicës, morën pjesë shumë delegatë të “Besës
Kombëtare” si dhe mysafirë e te ftuar, ne radhët e te cilëve dalloheshin :
Kolonel Sylejman Vuçitërna- Shkoza, tribuni Shaban Polluzha, Bislim Bajgora,
Ukshin Kovaçica, Ahmet Selaci, Adem Voca, Haradin Vidishiqi, Mulla Mustafë
Fazliu, Sherif Tërstena, Aziz Zhilivoda, Lahë Luboveci, Ismail Murtez Lushta,
Miftar Bajraktari, Mehmet Gradica, Ndue Përlleshi, Qazim Bajraktari i
Astrazubit, Zef Gjidoda me çetën e tij luftarake, Marije Shllaku, e cila edhe e
mbajti procesverbalin e këtij Kuvendi, si dhe mbajti një fjalim, Mehmet
Gradica, Ukë Sadiku me Çetën e tij i siguroi rojet për mbajtjen e këtij Kuvendi
pa pengesa. Aty ishin edhe Sadik Lutani, Rexhep Gjeli, Sadik Zeneli, Hamit
Emini – “Doktorri”, Alush Smajli – “Qerrataja”, Feriz Boja, Mulla Ilijaz Broja
e shumë të tjerë e sidomos përfaqësuesit e Drenicës së Epërme. Në Kuvend u
ftuan edhe mysafirë të tjerë, kështu që numri i pjesëmarrësve në këtë Kuvend
arriti ne 243 veta. Në këtë tubim të madh u vendos që të punohej për shkëputjen
e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nga Serbia dhe Jugosllavia; te
sabotohej çarmatimi i popullit shqiptar nga pushtuesit e rinj, e që do të
bashkohej me Ushtrinë e ardhshme kombëtare shqiptare. Këtu, në këtë Kuvend u
zgjodh edhe Kryesia e Organizatës “Besa Kombëtare”, me kryetar prof. Imer
Berishen, sekretar Ismail Ymer Thaçi nga Zakuti i Podujeves, si dhe u aprovua
një program i qartë kombëtar dhe u caktuan kahet e organizimit për shtrirjen
organizative te saj, sidomos ne radhët e rinisë kosovare
Shkuarja
e prof. Ymer Berishës nga Prishtina në Drenicë, kishte për qëllim zhvillimin e
aktivitetit politik e ushtarak në ato fshatra, por edhe aktivizimin e lidhjeve
të vjetra të luftës së përbashkët të Drenicës dhe anës se Rrafshit të
Dukagjinit, por edhe të Mitrovicës, Vushtrrisë, Shalës së Bajgorës dhe Llapi.
Ndërsa në Prishtinë kishte vënë lidhje edhe me Adem Gllavicën, ngaqë ai ishte
kryetar komiteti. Prof. Ymer Berisha në Prishtinë bëri përgatitjen e nevojshme:
siguroi armatim të nevojshëm dhe njerëz që do të shkonin në Drenicë.
Në
këto rrethana të okupimit, në Kosovë dhe në të gjitha territoret shqiptare
këndej kufirit, zbatohej një diktaturë e egër ushtarake e udhëhequr nga grupet
e komandove çetnikë si dhe komunistëve sllav. Sidomos, terrori e gjenocidi ndaj
popullatës së pafajshme shqiptare erdhi e u shtua pas vrasjes së Milladin
Popoviqit ( 13 mars 1945), i cili ishte një alibi i mirë, që OZNA haptas
justifikonte terrorin dhe likuidimin e intelektualëve e popullatën shqiptare.
Prijësit e Mbrojtjes Kombëtare dhe të njësiteve vullnetare shqiptare, të cilët
i kishin shpëtuar ndjekjes, bënin përpjekje të vazhdueshme në grumbullimin dhe
në konsolidimin politiko-ushtarak të forcave shqiptare për formimin e Ushtrisë
Demokratike Popullore Shqiptare. Nëpër mes kësaj patriotët synonin të bënin
lidhjen e të gjitha forcave antikomuniste, që më vonë do të shndërrohen në një
ushtri me karakter gjithëkombëtar shqiptar.
Pas
takimit që pati prof. Imer Berisha me Pashkë Bibën, më 20 korrik të vitit 1945,
në fshatin Vogovë, afër Gjakovës, aktiviteti që u zhvillua më vonë nga anëtarët
e lëvizjes ishte i pamohueshëm. Pas kthimit nga takimi profesori u takua me
mikun dhe shokun e idealit, Ukë Sadikun, që llogaritej se ishte njeriu më me
ndikim në ilegalen kosovare. Po në këtë takim u morën vesh që ata të dy të
përfaqësojnë grupet ilegale në tubimin, që u caktua të mbahet në shtator në
vendin Mirditë, në veri të Shqipërisë. Po aty u mor qëndrimi që të formojnë
organizatën politike, respektivisht të riorganizojnë punën në organizatën
ilegale-politike të NDSH-es. Pas kësaj mbledhjeje u dërguan korrierët, në çdo
grup ilegal që t’i dërgojnë përfaqësuesit në takimin që do të mbahet në
Dobërdol.
Në
këto rrethana të krijuara, momenti historik shtroi nevojën e domosdoshme për
mbajtjen e një Kuvendi të ilegales shqiptare, ku do të bëhej bashkimi i të
gjitha këtyre grupeve-lëvizjeve, me një qendër udhëheqëse ushtarako-politike
për veprime kombëtare-bashkimin e trojeve shqiptare. Nga një takim paraprak i
njësive udhëheqëse u caktua vendi- fshati Dobërdol, dhe data e mbajtjes 4-5
gusht 1945. Në bisedë me Ukë Sadikun, prof. Imer Berisha takimin ndërmjet
krerëve të ilegales e kishte caktuar për
muajin gusht të vitit 1945, në fshatin Dobërdol, në malet e Martin Pjetrit. Më
24 gusht filloi tubimi i madh i ilegales. Në të merrnin pjesë 19 grupe me
përcjellësit e tyre, ndër të cilët edhe përfaqësuesit prej Rozhaje dhe Pazarit
të Ri gjithsejtë 158 veta.
Aty
u takuan udhëheqësit siç ishin : Ukë Sadiku, Ahmet Selaci, Demë Ali Pozhari,
Ndue Përlleshi, Zef Gjin Doda, Zeqë Sokoli, Qazim Bajraktari, Shaban Sadik-
Rama, Sadik Lutani, Alush Smajli, Ferat Kotorri , Adem Shala, Njazi Alishani,
Zhukë Haxhia, Islam Tabaku, Rexhë Xhela, Mulla Ilazi, Biko Dresheviq ( i cili
me vete kishte sjell edhe katër të arratisur nga Sanxhaku ), dhe shumë të
tjerë.
Në
mënyrë solemne Kuvendin e hapi Ukë Sadiku. Ai i përshëndeti të pranishmit dhe
prezantoi prof. Imer Berishën si iniciator ideor të lëvizjes dhe krijues i
organizatës “Besa Kombëtare”, dhe pikërisht për situatën politike foli vetë
profesori. Ai tha para të pranishmëve se “Situata politike është shumë e rëndë
dhe me ndihmën e aleatëve priten ndryshime të mëdha, por theksoi se , ne duhet
të jemi të gatshëm që në momentin e duhur të marrim pushtetin”. U kërkua që edhe
në terren të bëjmë mobilizimin e duhur të masave, dhe të jenë të gatshëm për
aksione konkrete. Kuvendi i Dobërdoli zgjati dy ditë, procesmbajtëse e këtij
tubimi kaq të madh e kaq të rëndësishëm ishte Marie Shllaku, shkodrane. Gjatë
tërë kohës tubimi ishte i siguruar shumë mirë, sepse e ruanin luftëtarë të
spikatur, njëherë edhe tërë fshati bënte roje, por dalloheshin Smajl Hajdari,
Halil Sadria, Zef Përlleshi, Martin Pjetri dhe luftëtar të tjerë të Ukë Sadikut
dhe Ndue Përlleshit. Kuvendi pasi zgjodhi udhëheqësit ushtarak, mori vendim që
të sulmohen njësitë e “UNÇ” në Drenicë dhe në minierën e Trepçës, ku ishin
inkorporuar forcat çetnike pas rehabilitimit të tyre. Kjo luftë ishte një
goditje e rëndë për armikun. Në këtë kuvend u mor edhe qëndrimi që të formohet
organizata politiko-ushtarake, patriotike ilegale “Besa Kombëtare”, e cila do
të udhëhiqet nga kryesia e përbërë prej
12 vetave. Ahmet Selaci u zgjodh anëtar i Kryesisë së Organizatës ilegale “Besa
Kombëtare” dhe njëkohësisht ishte anëtarë i Kryesisë së KNDSH-së për Shalë që
vepronte në ilegalitet nën komandën e prof. Ymer Berishës. Kuvendi zgjodhi Ukë Sadikun udhëheqës të sektorit ushtarak,
ndërsa prof. Ymer Berisha u caktua udhëheqës i sektorit politik. Të dy këta
ishin anëtarë të rrethit të ngushtë të Shtabit Udhëheqës të organizatës.
Ishte
hera e parë që në radhët e grupeve ilegale patriotike u emëruan komisarët. Kjo
ishte edhe një garanci se grupet do të aktivizohen dhe do të veprojnë edhe më
tepër në teren sipas direktivave të udhëheqësish qendrore. Përveç këtyre në
kuvend u zgjodhën edhe udhëheqësit e sektorëve sipas parimit territorial, duke
mos lënë pa emëruar edhe aty, pos udhëheqësve ushtarak edhe udhëheqësit
politikë. Meqenëse Kosova dhe Dukagjini u ndan në 12 sektorë dhe u emëruan 12 komandantë dhe po
aq komisarë politikë për të pasur autoritet edhe më të madh në fushën
ushtarako-politike dhe për të qenë më afër popullit, ky grup u quajt “12
këshilltarët”. Pas kryerjes së kuvendit, grupet u larguan njëra pas tjetrës, pa
pasur as më të voglin problem. Të gjithë delegatët u shpërndan me përshtypjet
më të mira, posaçërisht ndjenin një simpati dhe një besim të madh ndaj profesor
Ymer Berishës.
Organizata
politike-patriotike “Besa Kombëtare” gjatë veprimtarisë së vet arriti të ketë
një strukturë organizative, që i përshtatej kushteve dhe rrethanave në të cilat
vepronte. Përveç Shtabit Udhëheqës që ishte i përbërë prej 12 vetash, në
kuadrin e saj në mënyrë aktive vepronin edhe katër grupe: Roja besnike;
Urdhërdhënësit; Atentatorët dhe Dora pastruese ose dorë-vrasësit. Qëndrimi
ishte që këto grupe të vepronin edhe në shtabet e sektorëve, që ishin të
përfshirë në 16 rrethe. Për rrethin e Prizrenit udhëheqës politik u caktua
Njazi Alishani, ndërsa udhëheqës ushtarak u caktua Ali Riza, kapiten; Në Gjakovë
u caktua Mehmet Agë Rashkoci, udhëheqës ushtarak- Demë Ali Pozhari; Në Rahovec
u caktuan Alush Ismaili dhe Qazim Bajraktari; Në Pejë u caktuan Zef Gjin Doda
dhe Ndue Përlleshi; Në Rugovë u caktuan Islam Tabaku dhe Zhukë Haxhia: në Istog
Azem Shala dhe Feriz Bojaj; Në Drenicë u caktua Mulla Ilazi dhe SadikLutani; Në
Suharekë u caktuan Sali Rama dhe Mehmet Sherifi; Për Sanxhak u caktuan Sadik
Radovci dhe Bik Dreshoviqi; Për Prishtinë u caktuan Ismail Gorani dhe Luan
Gashi; Për Mitrovicë, Vushtrri, dhe Podujevë u caktuan Ahmet Selaci, ndërsa për
Ferizaj, Gjilan dhe Kaçanik u caktua Adem Gllavica.
Vlen
të cekët se puna që bëhej në terren organet e OZN-es nuk kishin njohuri,
ndonëse vijimisht gjurmonin grupe të shumta dhe kishin një numër të madh
spiunësh në terren, që i kishin angazhuar për zbulimin e tyre.
Qëllimet
e gjithë rezistencës shqiptare, ishin
dhe mbetën uniteti në organizim dhe në veprim, mirëpo rrethanat politike
impononin një aktivitet të veçantë të grupeve. Për hir se mundësia e
bashkëveprimit ishte e pamundshme, edhe pse qëllimi suprem i të gjitha
organizatave ishte bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare, për të krijuar një
Shqipëri Etnike. Qëllimi i tërë ilegales ishte që masat e gjera popullore të
përfshihen në grupet e rezistencës. Programet e të gjitha organizatave ilegale
ishin vetëm një, pra programi kombëtar pa ngjyrime ideologjike.
Ilegalja
shqiptare përveç lidhjeve që mbante me misione të huaja në Tiranë e vende të tjera, ato ishin edhe më të
shpeshta me grupet e brendshme, e personalitete të dalluara kombëtare. Se sa i
rëndësishëm ishte Ahmet Selaci për rezistencën shqiptare, e dëshmon letra e
Prof Ymer Berishës që i dërgon Ahmet Selacit. Ja çfarë i shkruan profesori: “
Organizata jonë “Besa Kombëtare” është
interesuar me kohë të njohë të gjithë shqiptarët e mirë andej e këndej dhe ty
të kam çmuar si një patriot të vyeshëm dhe trim të rrallë për luftërat që ke
bërë në Shalë të Bajgorës kundër armiqve të kombit shqiptarë... Merru vesh me
bashkëpunëtorët e tu të tjerë dhe na njofto me shkrim sa luftëtarë, në rast
lufte mund të dalin me armë në dorë në qarkun dhe në komunën tënde, sepse këtë
do ta dijë kuvendi i parisë nga Shqipëri e Vjetër”
Atdhetari
Ahmet Selaci ishte luftëtar i vendosur dhe besnik i betimit të dhënë për
ribërjen e Shqipërisë Etnike. Pas një rezistence të fortë me forcat ushtarake
jugosllave dhe të OZN-es, u likuidua në malet e Bistricës së Shalës, më 19
shkurt 1947, bashkë me Bajram Selacin, Imer Tahirin, Mehmet Selacin, Isuf
Boletinin dhe Faik Boletinin. Pas vrasjes, trupat e të vrarëve u ekspozuan nga
ana e pushtetit jugosllav për disa ditë, te Ura e Ibrit, në Mitrovicë. Edhe sot
nuk dihet varri i tyre.