Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Lufta me akrepat helmues, shkretëtirën dhe thikat arabe
E merkure, 15.11.2023, 07:57 PM
Lufta me akrepat helmues, shkretëtirën dhe thikat arabe
Fragment
nga romani "Muri i heshtjes"
Nga
Gani Mehmetaj
Dëgjuesit
e disiplinuar imagjinonin duna me rërë sa të shihte syri deri tutje në
horizont, ndërsa dielli përcëllonte. U dilnin parasysh burra të thekur nga
dielli, të fishkur me deve që ecnin si
të përgjumur, këngët e zvargura për nomadë, karvanë devesh e për shkretëtirë që
ta thante lëkurën si pergamenë. Dikur shkretëtirën e ngryste nata. Një hënë e
grimcuar e ndiqte prapa kolonën e beduinëve e të deveve. Në prapavijë të
beduinëve ishin ushtarët paqeruajtës.
Shkretëtira ishte planet tjetër që nuk i ngjasonte tokës.
-Dielli
u ba tmerr, nuk na hiqej qafe. Veshët të ushtonin, kurse zverku të mpihej-
tregonte ai për ditën me vapë të shkretëtirës.
–
Çadrat nuk na ndihmonin. Buzët na thaheshin, shkrumb na baheshin. Ujin e kishim
me pikatore. Dielli ishte mallkim, nuk ishte bekim.
Një
murmurimë e përshkoi dhomën.
-
Kur ecnim në patrullim, me dilte para sysh lumi i Drinit, pastaj Lumbardhi,
ujëvara në Grykë. Sa siklet kisha. Me dukej se pija aq shumë ujë, sa e shteroja
lumin. Por etja nuk me hiqej.
Pastaj
këndellej nga rrëfimi, që e përjetonte edhe një herë. Shihte ata që ia kishin
kapsallitur sytë.
-
Nga mashtrimi i diellit përvëlues, treteshe në ranë,- tregonte për shajninë, që
ata e dëgjonin për herë të parë.
-
Ec e ec, shkretëtira të largohej. Para sysh të dilnin burime uji. Vrapoje si i
marr, por ujë nuk kishte. Të largohej burimi. Iknin njerëzit, zhdukej tufa e
deveve me kalorësitë e tyre, që u shkoje pa vetëdije prapa. Shkretëtira të
përpinte. Po nuk të ndihmoi dikush, mbaroje.
Natën
tjetër fliste për akrepat e shkretëtirës.
-Akrepat
ishin tmerr. Me një pickim vdisje në vend. Duhej të ruheshin prej tyre, ndërsa
i ndeshje kudo: nën çadër, në rrugë, nën shtrat. Akrepat s’kishin nevojë për ujë.
Dëgjuesit
e disiplinuar e ndiqnin më vëmendje.
-Kund
pemë a shkurre nuk shihje sa të kapte syri. Shi kurrë nuk binte, verë as dimër.
-Pa-pa-pa!
- lëshonte pasthirrma habie ndonjëri.
-Ç’e paska mallkuar Zoti atë vend.
-Çka
bëjnë me pemë? Ku i marrin frytet?, -pyeste njëri nga mysafirët që kishte
ardhur të dëgjonte peripecitë e Zeqos.
-Në
shkretëtirë pemë nuk ka. Tek-tuk ndonjë shkurre si theret e gomarit të ne. Për
borën arabët nuk kishin ndëgju kurrë,-rrëfente Zeqo, i emocionuar.
Burrat
e gratë e dëgjonin më vëmendje. Njerëzit ia kapsallisnin sytë. Kushëriri i
mësuar me krahinën e tij që ujë kishte sa të duash, kur binin shirat përmbytej
vendi, atje për një pik uji vdisje.
-Kisha
mall të shihja një cukël re. Nuk pashë asnjëherë fushë të gjelbëruar.
-Po
arabët, ç’bënin?
-Aty
ku ishim ne, gratë na përftonin si hije, nuk ua shihnim fytyrat. Burrat ecnin
hijerëndë. Nuk e di pse por na shihnin me dyshim. Ishin të varfër e të zymtë.
Kalamajtë e tyre na silleshin nëpër këmbë të zbathur e të zhveshur.
Por
Zeqo i la pa mend burrat kur u tha: -Palestinezët ishin arabë.
-Si,
si?, -pyeti dikush i habitur. - Nuk janë palestinezë?
-Palestinë
është vendi, por banorët janë arabë, janë beduinë që kishin ardhur me ushtrinë
e Muhametit dikur.
Njerëzit
shihnin njëri-tjetri dhe nuk e kapnin. Radioja dhe televizioni ynë u thoshte
palestinezë, ata e quanin vetën arabë.
-
Dreqi i raft në fije kësaj pune, -tha dikush që ta përmbyllte debatin e mëtutjeshëm,
sepse donin ta dëgjonin Zeqon.
Zeqo
u bë protagonist i mbrëmjeve. Niste të tregonte copa të jetës së përditshme,
fliste për gratë e thekura nga dielli, që mbuloheshin me shami të zeza në atë
vapë, për burrat e tyre që thyenin në gurore copëra mermeri a shtroja për
kalldrëme. Shtëpitë i kishin pa kulm dhe pa dritare, ose dritare të ngushta që
s’mund të futej as macja.
-Disa
jetonin nën çadra, -rrëfente ai.
-Qenkan
si arixhinjtë tonë,-ia priti dikush.
Kur
i shteronin këto tema që nuk i kishin dëgjuar më parë, nisnin të zbërthenin
politikën. Më shumë flisnin për Egjiptin, për arabët, më pak dinin për
Izraelin. Aty e kuptuan për herë të parë se kryetari i Egjiptit, Naseri, e kishte rrëzuar nga froni
mbretin Faruk. Ndërkaq, mbreti i Egjiptit paska qenë shqiptar, tregonin pastaj
njëri pas tjetrit burrat. E morën inate
Naserin. Dikush që dinte më shumë
tregonte për të parët e mbretit Faruk që flisnin si ne. Në Pallatin Mbretëror
flisnin shqip, e plotësoi një tjetër. Ju lumtë, tha dikush: shkuan, luftuan dhe
e morën Egjiptin. Ua nxorën nga dora Turqisë.
-
Naserin e ndihmuan rusët, -tregonte Bardhi.
-E
rrezuan nga pushteti mbretin shqiptar, e dëbuan nga vendi dhe e armiqësuan
Egjiptin më të gjithë, me Amerikën, me Anglinë, Francën, me Italinë.
-Naseri
u bë mik me Titon,
Nuk
e përjashtonin mundësinë që në rrëzimin e mbretit Faruk të kishte gisht edhe ky
i yni, ndërsa mendonin për Titon, por emrin nuk ia thoshin.
Prapë
i ktheheshin mbarimit të luftës së Dytë , kur Izlami, kushëriri ynë ballist
para se të shkonte në Australi zbarkoi në Aleksandri. I kishin thënë se atje
kishte shqiptarë të moçëm.
Derisa
ata flisnin dikush u përpoq t'u tregonte se në Misir-Egjipt kishin jetuar
shkrimtarët shqiptarë, kishin pasur shoqatat e tyre, kishin shkruar libra, që i
mësonim në shkollë. Andon Zako Çajupi aty jetoi dhe vdiq, Thimi Mitko. Deshi
t’ua rendiste koloninë e shqiptarëve në zë. Por ata flisnin për kohën e luftës,
kush nuk kujtohej për shkrimtarë. Dy herë e përmenden një Andon tjetër nga
Korça që ia kishte mbathur nga komunistët me Izlamin.
Bisedat
ktheheshin në kohën e pas Luftës së Dytë.
-U
nis Izlami nga Selaniku me Andonin e Korçës, ballist, - vazhdonte dikush
rrëfimin për ikjen e madhe të pasluftës. Zbritën nga anija në Aleksandri. Ndanë
mendjen të nguliteshin në Misir, sikurse i thoshte gjyshja dhe shkrimtarët e
Rilindjes Egjiptit. Mirëpo, e ndjen se këtu ishte rrëmujë, se nuk ishte vendi
në ditë të mira, edhe pse thuhej se mbreti Faruk do t'u ndihmonte shqiptarëve të
ikur nga komunizmi e Jugosllavia. Vazhduan tutje në Singapor deri në Sidnej.
Për kushëririn Izlam flisnin aventura si në filma. Ai ishte burrë i regjur nga
luftërat e vuajtjet. Tokat e reja dhe aventurat e reja e joshnin. Izlami ua nxiste imagjinatën, i bënte të
fantazonin për aventura si në filma: kalorësi me një kalë shale, me një tufë
lopësh në fushën e paanë. Kangurët kërcenin prapa gëmushave. Australia ishte
kontinenti ku Gjini fantazonte të jetonte. Një kërcim kanguri e trembte në
gjumë.
Natën
tjetër kur po tregonte kushëriri Zeqo, për zbarkimin e tyre në Zarë, dikush u
kujtua se atje kishte shqiptarë të rinj e të moçëm. Të moçmeve u thonë arbnesh.
-Ka
shumë arbnesh që janë bërë të njohur në Kroaci, -tha Bardhi, që ishte më i
informuar. -Më kanë pritur si mbret. Ishin të përmalluar.
Sekush
nga ta kujtonte ndonjë detaj nga Zara, abreshet dhe përjetimet e përmalluara me
ta.
Por
imagjinata e Gjinit merrte krah mbretëritë. Dikur shqiptarët kishim dy mbretër,
dy shtete dhe dy mbretëri. Por që i shprishi Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia.
Mbretit Zog ia ndaluan kthimin komunistët shqiptarë që ishin të lidhur me
Jugosllavinë dhe Bashkimin Sovjetik. Mbretin Faruk e rrëzoi nga froni i
Egjiptit Bashkimi Sovjetik e Jugosllavia.
Kishte
lexuar diku se në oborrin mbretëror kishte jetuar një princeshë.
-
Grua më të bukur, nuk kishte në faqe të dheut, -tregonin bashkëkohanikët e saj.
Princesha
e bukur, Fevzie, ishte bija më e madhe e Mbretit Fuat të Egjiptit, nisen ta
shprishnin biografinë e familjes mbretërore.
Athua
ku ishte?
Thonë
se mbreti Zog, qëndroi disa kohë në pallatin e mbretit të Egjiptit, por kur pa
se ai i kishte punët piskë, u kthye në Francë.
Prapë
në pas darkat nisnin të sajonin gjeostrategjinë e fuqive të Mëdha. Mbretin Zog,
Franca e Britania e Madhe donin ta bënin mbret të Sirisë e të Mbretërisë së
Bashkuar Arabe, meqë arabët nuk merreshin vesh në mes veti se kush duhej të
bëhej mbret i tyre. Sheikët e princërit arab pretendonin se janë pasardhës të
profetit Muhamet. "Secili arab ishte Muhamet ne veti", tregonte
Bardhi. Prandaj në këtë mosmarrëveshje arabësh duhej të ndërhynte një mbret
shqiptar. Por prapë si në filmat më të këqinjtë e shtini dorën Bashkimi
Sovjetik dhe ua prishi planet Francës e Anglisë, e prishi punën që të bëhej
edhe një mbret shqiptar.
Sa
dëshironte të jetonte në një mbretëri shqiptare, me pallate, princesha të
bukura, kalorës e shpatarë idhnak, fantazonte Gjini ëndërrimtar. E shihte në
ëndërr princeshën Fevzie. I faniteshin luftërat: kalorësit shqiptarë që
luftonin kundër beduinëve në shkretëtirë. Dy ushtri egërshane në luftë për jetë
a vdekje. Në gjumë i shfaqeshin britmat e kalorësve shqiptarë: “Bjeruni
burra!”. Dhe klithmat e luftëtarëve beduinë: “Allahu ekber”. Re pluhuri e
mbulonin shkretëtirën nga periferia e Kairos deri në Xheda. Vapë. Dielli piqte.
Gjaku dhe djerset shkonin rreke. Kur lodheshin luftëtarët, dielli fshihej prapa
dunave. Në muzgun e parë shkretëtira shtrihej në pafundësi. Një këngë e zvargur
e pushtonte horizontin: kënga vajtonte herë shqip luftëtarët e rënë për tokat e
huaja, herë arabisht luftëtarët beduinë që me emrin e Allahut në gojë vdisnin.
Ishte diçka që të pikëllonte. Ishte një botë e mistershme, e huaj dhe e
panjohur.