| E marte, 07.11.2023, 08:56 PM |
Alfabet
Nga
Edison Ypi
A
- Sirenë alarmi e ngulur fort me dy këmbë në tokë dhe e përforcuar në mes, që
gris qiellin me klithma, britma, ulurima, viktima. Shpikësi i Alfabetit, ai që
shpiku këtë vegël ortografike uluritëse kaq të vlefshme për shqiptarët dhe
Botën, ishte arab, por arab kurbetli shqiptar, matjan, dibran, çam, skraparlli,
gjirokastrit, etj.
B
- Harqet e sipërme dhe të poshtme të Femrës pa të cilat shqiptarit dhe
meshkujve të botës uji nuk iu pihet, jeta nuk u duhet. I lumtë kavajsit të
Irakut për këtë dizajn të paçmuar në shërbim të shkruesve dhe lexuesve të mbarë
rrokullisë sonë të mjerë mes Universit të pafundëm.
C
- Rreth i hapur si gojë, ku po hyre, dhe po u mbyll, mbetesh brenda, të
coptojnë dhëmbët, të shtyn poshtë gurrmazi, të lëngëzon stomaku, të shtrydh zorra,
të 10 bytha. Një përqafim të merituar gjirokastritit të Palestinës për
agregatin grafologjik që shpiku.
D
- Dizajn mediokër shoqëruar me audio të mbytur por të domosdoshme që vjen nga
shekujt e etjes dhe urisë së gjyshërve. Marokini nga Kuksi punoi si duhet.
E
- Kokrrën lozonjare të ullirit që lodron e livadhis mbi pjatë, vjen e bën zap
vetëm ky pirun me 3 dhëmbë. Të gradohet Major me ceremoni në majë të Tomorrit
skraparlliu i Jemenit që punoi me devotshmëri të lartë në shërbim të njerzimit
në zonën operative Çorovodë - Laskovik.
F
- Flamur i grisur dhe i ndotur për të mundësuar ndërtimin e shtëpisë pa leje
duke dëshmuar patriotizëm të skajshëm përmes valavitjes së një rrecke kuq e zi
mbi çati. Çami nga Xhibuti dëshmoi kreativitet.
G
- Google kapadai, megaloman, zevzek, që po ta pyesësh të përgjigjet shumë më
tepër se të duhet. Ose Gomar i urtë e i bindur që po ngeci në baltë mos e
nxirr, lere të ngordhi. Mirditori i Mauritanisë nuk gaboi kur shpiku këtë
simbol.
H
- Tezgë për të vendosur mbi 'të sa herë të lypset kalamanin e çvarrosur vdekur
në rrethana banale, për ti bërë sadokpak publicitet vetes. Peqinsi somalez diti
çfarë bëri në shërbim të perfeksionizmit postum.
i
- Pushkë e gjatë dhe plumb i ndezur që sapo ka dalë nga gryka e zezë. Cilësitë
shqiptareske si dashuria, xhelozia, hakmarrja, dënimi i merituar, janë të
gjitha aty. Krutani i Libanit e ka myt.
J
- Tepër e yndyrshme. Nuk duhet përdorur veçse kur është e paevitueshme.
S'kuptohet si i ka punu mendja lezhjanit arabik që e ideoi dhe ekzekutoi këtë
grremç.
K
- komunist, komunizëm, komandant, komisar, katunar, krimb, kërrmë. Mos e ngacmo
se vjen erë. Labi i arabizuar e ka qa'.
L
- Shatë për prashitje. Inspiruese për bujqësinë dhe kurbetlinjtë e penduar që
s'duan të rrinë në fund të Botës, por as guxojnë të kthehen në vatrat e
braktisura ku balta është më e ëmbël se llokumja. Një urra për Përmetarin
patriot nga Aleksandria.
M
- I vetmi tingull që shqiptohet me gojë mbyllur dhe pa lëvizur gjuhën që me anë
të shembullit personal të fton dhe të këshillon të nxjerrësh sa më pak
broçkulla nga goja ehe nga truri. Kolonjari me banim në Egjipt duartrokitjen e
ka hak.
N
- Motër neutrale jo fort serioze e M-së për raste kur duhet me kujtu se pa pak
hajgare nuk shtyhet jeta. Një dolli' me raki Boboshtice për korçarin e Kairos.
O
- Diell që ndriçon dhe ngroh botën, inspiron Poetët, motivon shkrimtarët,
stimulon mendimtarët. Këtë veç një hoxhë Kavaje me banim në Jordani e bën.
P
- Vegla riprodhuese e Femrës që me thellësitë e veta ka frymëzuar dhe do
frymëzojë artistët e të gjitha kohrave. I lumtë qefliut leskoviqar nga Damaskut
që e dizenjoi veglën qiellore, dhe një falenderim për sjelljen e arapkave në
Luginën e Vjosës për të kënaqur epshet e Bejlerëve të zonës.
Q
- Fjalë e pisët në publik, por jo në privat. Dibrani tunizin punoi mirë.
R
- Ta çon mendjen vrik te Roskoveci i punës, bollëkut, klimës, fushave me serra,
kodrave me vreshta dhe ullinj. Shpirt njeriu arabi myzeqar që e shpiku.
S
- Asocion gjëra të pakëndshme: Spiun, sapun, sëpatë, surrat, sovjetik, sulltan
etj. Për elbasanlliun saudit që e shpiku 1 milionë jeshile janë pak.
T
- Tyrielë me dorezën lart. Mjet efikas për tua çpuar nja një mijë herë kokën ca
shejtanbudallejve që Shqipërinë europiane duan ta paraqesin aziatike. Gjeniun
poradecar kurbetli në Jerusalem që e shpiku s'kemi aq flori ta shpërblejmë sa e
meriton
U
- Patkoi i kalit, Fatit, mbarësisë, qefit, harkut të fundbotshëm nga kërthiza
te kurrizi. Qefli i madh do ketë qënë tunisiani pi Shkodre që e ideoi.
V
- Nga Viktoria në fjetore, nga fjetorja në hale, nga halja në shetitore, nga
shetitorja në pedonale, nga pedonalja në lungomare, laçjani i Aleksandrisë e ka
kry më së miri punën e vet.
X
- Nuk e di si mund të spjegohet ky misteriozitet në Alfabet. Kush e di le ta
thotë. Kontributorët shpërblehen secili me nga një distinktiv llamarine Noc
Rrok kapur në xhepin e xhaketës.
Y
- Hinkë ortografike që e merr lëngun nga lart të gjërë dhe e pshurr teposhtë të
ngushtë. Irakeni nga Puka shpikës i kësaj hinke të paçmuar e meriton medaljen e
lartë "Kurbetliu i Kurrkundit" që do ja japi Sulltani i Bahreinit me
dorën e vet.
Z
- Zukamë, zevzek, zorraxhi, etj. Me këtë tingull onomatopeik, shpikësi në
fjalë, mallakastrioti kurbertli në Somali, meriton ovacione të stuhishme dhe
ngritje në këmbë për disa minuta.
W
- Ska tingull të vetin ky simbol zuzar. Mirë bëri Shqipja që e shpalli Non
Grata. Ky bastard meriton vetëm ta thyesh copa-copa ta përdorësh për dru zjarri
të ngrohesh në dimër. Dinaku nga Sudani me prejardhje nga Rrogozhina meriton të
gjitha lëvdatat që me këtë budallallëk bëri një kryevepër.