| E hene, 06.11.2023, 08:55 PM |
Liria për të besuar është gjithashtu liri nga besimi
Nga
Aurel Dasareti, USA, ekspert i
shkencave ushtarake-psikologjike
Në
politikë dhe fe, çdo gjë mund të shfrytëzohet. Ajo që nuk mund të përdoret mund
të keqpërdoret. Pa kontradikta, nuk ka përparim. Tërheqja dhe zmbrapsja,
mendimi dhe veprimi, dashuria dhe urrejtja janë të nevojshme për ekzistencën
njerëzore. Por çdo gjë ka homologun e saj. E vërteta qëndron diku mes
kontrasteve.
***
Një
pengesë kryesore në rrugën drejt realizimit të idealeve patriotike, demokratike
dhe iluministe të Rilindjes ishin fetë, që iu imponuan shqiptarëve nga
pushtuesit e huaj. Institucionet fetare dhe kleri reaksionar bënin lodrën e
pushtuesit të fuqive imperialiste e shoviniste. Mjaft rilindës, si dijetarë,
nuk ishin të dhënë pas fesë. Nga ana tjetër, si politikanë, ata e shihnin se
ndasitë fetare u shërbenin armiqve. Prandaj ishin kundër keqpërdorimit të fesë.
Pashko Vasa hodhi parullën e famshme: “Feja e shqyptarit asht Shqyptaria”,
në të cilën u shpreh në formën më të prerë kombëtare qëndrimi i rilindësve ndaj
fesë. Ai goditi si përçarës “kishat e xhamiat”.
Thjeshtë,
për rilindësit: Liria për të besuar ishte gjithashtu liri për të mos besuar.
Disa prej tyre ishin besimtarë, disa jobesimtarë. Por pavarësisht nga këto
ndryshime, në një gjë bashkoheshin rilindësit: ata e vinin Kombësinë mbi
Fenë. Pra, të gjithë, pa përjashtim, pavarësisht disa ndarjeve, kanë qenë
shqiptarë më parë.
Karakteristikë
për ta qe një tolerancë fetare e madhe. Kjo i shpuri që, në programet e tyre
politike për ardhmërinë e atdheut, të ishin për ndarjen e kishës e xhamisë nga
shteti dhe të shkollës nga feja, siç kërkonte Sami Frashëri.
Puna e
tyre e palodhur ishte për përhapjen e dritës së diturisë, të arsimit e
shkencës. Ata mendonin se, pa dituri, nuk mund të vihej në jetë as edhe një
prej ëndrrave të tyre, të fitohej apo të gëzohej liria, të shpëtohej vendi prej
kaq të këqijave. Programet e tyre ishin të një mendjeje: ata synonin një vend
të qytetëruar, që do të delte nga errësira mesjetare në dritë. Arsimit e
kulturës i jepnin rëndësi në kuptim të përgjithshëm shoqëror, po sidomos duke i
vlerësuar si armë të zgjimit të ndërgjegjes kombëtare, si mjete të domosdoshme
për t`i siguruar popullit një të nesërme të lumtur.
Dhe ne,
pasardhësit e tyre, tani si komb i arsimuar e qytetëruar, nuk duhet të
tolerojmë propagandën e disa minjve të kanalizimeve, mercenarëve e
antikombëtarëve (qoftë politikanë, gazetarë, analistë, priftërinj të krishterë
apo hoxhallarë) që të na bëjnë budallenj trushpëlar.
Askush nuk lind si besimtar (fetar). Askush nuk
lind si mysliman. Askush nuk lind si katolik. Askush nuk lind si ortodoks.
Feja është një bindje personale, dhe rreshtohet
shumë prapa Kombësisë. Personi mund të besoj në një fe - ose të mos besoj fare.
Shkombëtarizimi
(denacionalizimi) i një Kombi është shumë më i rrezikshëm se okupimi i atij
Kombi. Në trojet shqiptare
kjo direkt bëhet nga keqpërdorimi i fesë ortodokse dhe myslimane. Pas çdo
pushtimi, herët a vonë do të vijë çlirimi, kurse denacionalizimi është një
proces që do të zgjasë përgjithmonë nëse nuk i kundërpërgjigjemi me njohuri, të
vërtetën, drejtësinë por edhe forcën.
Aktivitetet
fetare, sipas ligjit, janë vetëm çështje private/personale dhe lejohen të
funksionojnë vetëm brenda 4 mureve shtëpiake dhe në “Shtëpinë e Zotit”. Mjerisht
shumica e këtyre janë shndërruar në “Shtëpi të Dreqit” ku
ekstremistët islamik dhe ortodoks, të paguar nga Shërbimet Sekrete të huaja
(armiqësore) bëjnë tru shpëlarjen e anëtarëve, tjetërsimin e tyre në grek,
turk, arab, sllavo-ortodoks. Duhet ndaluar rreptësishtë politizimin
(antikombëtar) të fesë në tokat arbërore. Duhet të ndalohet rreptësishtë
financimi i xhamive dhe kishave nga të huajt.
Neutraliteti
fetar në shkolla, rrugë, institucionet shtetërore dhe komunale nuk nënkupton
mungesën e vlerave fetare, por theksin në vlerat e përbashkëta përkundër
dallimeve të natyrës fetare.
Çelësat
për dritën janë në errësirë. Drita që ju nevojitet ekziston, shqiptarët duhet
ta kërkojnë dhe zbulojnë. Por disa duan të jenë në errësirë. Aty e gjejnë
sigurinë, për të mos u parë. Dhe meqenëse nuk e shohin njëri-tjetrin, humbasin,
bien në grackën e tyre.
Sa më e
madhe të jetë fuqia, aq më e rrezikshme është keqpërdorimi.