Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: A di Zoti shqip - Ungjillorët flisnin shqip nga fillimi
E diele, 05.11.2023, 08:57 PM
A di Zoti shqip: Ungjillorët (Protestantët) flisnin shqip nga fillimi
Nga
Gani Mehmetaj
Lëvizja
protestante në Shqipëri që nga fillimi e ka ndjekur në hap Lëvizjen Kombëtare
Shqiptare (Rilindjen). “Kur Perandoria Turke ndaloi plotësisht qarkullimin e
librave në gjuhën shqipe, drita e vetme në atë errësirë që qarkullimi i
Ungjilli të përkthyer në gjuhën shqipe” (7. Memli Krasniqi: Shoqëria Biblike
Britanike për të huajt dhe bektashizmi (1814-197), Instituti Albanologjik
Prishtinë, 2013, faqe 289).
Sipas
studiuesit M. Krasniqi “Robert Pinkerton, shkruan se pjesa dërmuese e
shqiptarëve janë të krishterë, të cilët i takojnë ritit greko-bizantin,
ndërkaq, shërbimet fetare kryhen në gjuhën greke, gjuhë kjo e pakuptueshme jo
vetëm për masat popullore, por edhe për priftërinjtë e tyre” . (8. Po aty, faqe
98).
Viti
2016 shënon 200-vjetorin e lëvizjes
protestante të shqiptarët (9. Mr. David Young: Lëvizja protestante midis
shqiptarëve 1908-1991”, Shtëpia Botuese TENDA, Prishtinë, 2011). Kisha Protestante, e cila ndër shqiptarë
erdhi në shekullit XIX, në frymën e rilindësve, me përkthime të biblës në
gjuhën shqipe, u foli besimtarëve e jobesimtarëve në gjuhën shqipe, në kohën
kur në Jug të Shqipërisë, fjala shqipe mallkohej nga kisha greke, ndërsa në
Veri ndiqej nga administrata osmane.
Themelues
i kishës protestante ishte Gjerasim Qiriazi nga Manastiri. Në këtë frymë
“familja Qiriazi në Korçë hapi
gjithashtu me 1891 Shkollën e parë shqipe për vajza” (10. Po aty, faqe 21).
Sipas
D. Young Shoqëria Biblike Britanike filloi punën mes shqiptarëve me 1816 për të
përkthyer biblën. Ky aksion bëhej në kohën kur në tërë Perandorinë turke, gjuha
shqipe ishte e ndaluar, ndërsa lejoheshin të gjitha gjuhet e tjera. Përkthimin
e biblës për nevojat e besimtarëve protestantë shqiptar e bëri Konstantin
Kristoforidhi.
Në
Kongresin e Manastirit protestantët shqiptarë patën ndikim të madh. Kështu,
shkruan D. Young, komuniteti i protestantëve, i themeluar nga Gjerasim
Qiriazi jo vetëm që ishte i përfaqësuar
vet në Kongres, por ishte aktiv madje në zemrën e lëvizjes patriotike për një
formë shkrimi të pranuar kombëtarisht (
11. D. Young: Lëvizje protestante midis shqiptarëve, faqe 43).
Sakrificat
e protestantëve për përhapjen e fjalës shqipe ishin të mëdha. Ndiqeshin nga
zaptuesit turq, nga trupat pushtuese greke, nga trupat pushtuese serbe.
Kisha
Protestante Shqiptare me misionarët
anglo-amerikanë që në fillim të organizimit angazhoi një plejadë të
intelektualëve vendës, të cilët kishin një erudicion për lakmi. Ata morën pjesë
në organizimin e Kongresit të Manastirit për alfabetin shqip, dhanë kontributin
e tyre në përhapjen e fjalës shqipe përmes revistave e librave. Paraqitja e
kësaj faltoreje ishte një freski e rizgjim i vetëdijes kombëtare shqiptare, që
përkoi në kohën e Rilindjes kombëtare . Përhapësit e protestanizmit vazhduan në
frymën e rilindësve, madje disa syresh u bënë prijatarë në shumë segmente.
Konstantin
Kristoforidhi, me Biblën që e përktheu për nevojat e kësaj kishte, u shërbeu
edhe besimtarëve ortodoksë. Gjerasim Qiriazi ishte ndër organizatorët e
Kongresit të Manastirit, motrat Qiriazi u shquan me tërë familjen jo vetëm për
fjalën e Zotit në gjuhën shqipe, por u shquan edhe me frymën kombëtare që e
përçonin te secili besimtar. Ato mbeten në histori me mësimin shqip qe e
përhapën te fëmijët e të rriturit shqiptarë gjithandej. Petro Nino Luarasi e shumë të tjerë dhanë
kontributin e tyre kombëtar e shpirtëror.
Kisha
Protestante në Kosovë e përhapi këtë frymë edhe në kohën e komunizmit në
ish-Jugosllavi. Në vitet nëntëdhjetë pastorët protestantë vendës e të huaj, u
qëndruan pranë besimtarëve e popullatës shqiptare me mbështetje morale, ndihma
materiale e sensibilizim të opinionit ndërkombëtar në kohën dramatike. Ata
ndihmonin popullatën moralisht që ta përballonin egërsinë, por njëkohësisht
dëshmonin pastaj nëpër institucione ndërkombëtare për dhunën që ushtrohej ndaj
shqiptarëve.
“Kur
më shikoi një polic serb me vërejtje e urrejtje, me t’u futur në autobusin që
qarkullonte në linjën Prizren-Prishtinë, për herë të parë e ndjeva veten
shqiptar: të rrezikuar e të përbuzur”, tregon në kujtimet e veta prifti
protestant e shkrimtari nga Holanda për kohën e dhunës së shfrenuar serbe
kundër shqiptarëve.
Kjo
frymë puro shqiptare, vazhdoi edhe pas luftës krahas ndihmave materiale,
mbështetjes e përkujdesjes për bonjakët, të pastrehët dhe nevojtarët. Por ajo
është me rëndësi te protestantët: gjuha
shqipe është gjuhë e Perëndisë.
Pastori
(bariu) i ungjillorëve sa herë i përcjell delegacionet e huaja që kanë ndihmuar
një kohë më të gjatë Kosovën (ndërsa kjo kishë ka dhënë ndihma të
jashtëzakonshme për popullatën e varfër, pa pompë e pa kushtëzime) ua dhuron
nga një simbol kombëtar apo shtetëror të Kosovës. Herë ia dhuron tërë
delegacionit nga një plis tradicional shqiptar, me bluzë ku shkruan “Kosova”, herë
ua dhuron nga një flamur të shtetit të Kosovës dhe herë simbolin antik të
Prishtinës.
Kisha
Protestante e Prishtinës është i vetmi institucion, që e feston festën
tradicionale shqiptare “Darka e Lamës”, të nisur nga presidenti Ibrahim Rugova.
Kisha
protestante ka arritur ta ruaj gjuhën shqipe, duke e kultivuar nëpër mesha edhe
jashtë territorit të Shqipërisë e të Kosovës. Në Greqi ku kanë emigruar një
milion shqiptarë, vetëm Kisha protestante fjalën e Zotit e predikon në gjuhën
shqipe, duke ftuar predikues nga Kosova e Shqipëria.