| E shtune, 04.11.2023, 08:58 PM |
DR. ELEZ BIBERAJ, IKONA E GAZETARISË DHE FJALËS SË LIRË NË ZËRIN E AMERIKËS DEL NË PENSION
Nga
Frank Shkreli
Po mbyllet një
kapitull i artë në historinë e gazetarisë së Zërit të Amerikës dhe një tjetër
po rifillon në jetën private të një gazetari shqiptaro-amerikan, i mirënjohur
tashmë për botën shqiptare dhe atë amerikane.
Dr. Elez Biberaj, ikona e gazetarisë amerikane dhe shqiptare -- për 43
vjetë në Zërin e Amerikës – njoftoi të hënën se po del në pension. Në një njoftim shpërndarë miqëve të vetë, Dr.
Elez Biberaj thotë se ka njoftuar kolegët e tij në Zërin e Amerikës se pas një
karriere 43-vjeçare, ka vendosur të dalë në pension në fund të këtij viti, më
31 dhjetor 2023. “Ka qënë privilegji dhe krenaria më e madhe e jetës time që
kam patur fatin të punoj për një organizatë kaq të jashtëzakonshme mediatike. Do
t’i jem përherë mirënjohës Zërit të Amerikës për mundësitë që më ka krijuar”,
shkruan ndër të tjera, Dr. Biberaj në njoftimin e tij. Ja njoftimi i plotë:
Mesazh Lamtumire me Rastin e Daljes në Pension
30 tetor 2023
Të nderuar miq dhe
kolegë,
Kam kënaqësinë
t’ju njoftoj, se pas një karriere 43 vjeçare me Zërin e Amerikës, kam vendosur
të dalë në pension më 31 dhjetor 2023. Ka qënë privilegji dhe krenaria më e
madhe e jetës time që kam patur fatin të punoj për një organizatë kaq të
jashtëzakonshme mediatike. Do t’i jem përherë mirënjohës Zërit të Amerikës për
mundësitë që më ka krijuar.
Misioni i Zërit të
Amerikës dhe ruajtja e standarteve më të larta të gazetarisë kanë qënë në
qendër të rrugëtimit tim profesional. Gjatë gjithë karrierës sime që shtrihet
në mbi katër dekada, gjatë gjashtë administratave presidenciale dhe me mbi
dhjetë drejtorë të Zërit të Amerikës, kam bërë përpjekjet maksimale për të
mbajtur lart vlerat që e kanë bërë Zërin e Amerikës një nga organizatat
mediatike më të njohura dhe të besueshme në botë. Unë kam patur privilegjin të
punoj në role të ndryshme, nga gazetar radioje në Shërbimin Shqip (1980-1982),
Analist për Çështjet Sovjetike dhe të Europës Lindore në Drejtorinë e Shtypit
të USIA (Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Informacionin) (1982-1986), Shef
i Shërbimit Shqip (1986-2004), Kryeredaktor i Drejtorisë së Euroazisë
(2004-2005), dhe së fundmi, që nga viti 2005, Drejtor i Drejtorisë së
Euroazisë. Kam shërbyer gjithashtu si Drejtor i Përkohshëm i Zërit të Amerikës
gjatë përiudhës qershor-dhjetor 2020.
Nuk mund të kisha
shpresuar për një karrierë më shpërblyese nga ana intelektuale dhe
profesionale. Zëri i Amerikës më krjoi mundësinë të ndjek nga afër disa nga
ngjarjet më gjurmëlënëse botërore, që nga Lufta e Ftohtë, përmbysja e
komunizmit dhe lindja e demokracisë në ish Bashkimin Sovjetik dhe Europën
Lindore, luftrat ballkanike, integrimin e vendeve të Europës Lindore në
institucionet Euro-Atlantike, kthimin e Rusisë në një sistem autoritar dhe së
fundmi, agresionin e saj mizor ndaj Ukrainës. Ndihem krenar dhe i privilegjuar
që kam punuar krahas shumë kolegëve të nderuar në përmbushjen e misionit fisnik
të Zërit të Amerikës, transmetimin e lajmit dhe informacionit të vërtetë dhe
objektiv për audiencën globale, përhapjen e vlerave demokratike dhe rrëfimin e
historisë së pashembullt të Amerikës. Ndihem tejet krenar për arritjet tona të
jashtëzakonshme.
Zhvillimet e
fundit në botë, përhapja e dezinformimit dhe keqinformimit, cënimi i lirisë së
shtypit, përparimi i shpejtë i teknologjisë, përdorimi gjithnjë e më i shpeshtë
i inteligjencës artificiale, e kanë ndryshuar rrënjësisht peizazhin botëror të
gazetarisë. Zëri i Amerikës vepron sot në një botë krejt të ndryshme, por
misioni i përhapjes së lirisë dhe demokracisë, dhe fuqizimi i audiencës me
lajme dhe informacione të vërteta, objektive dhe të balancuara, nuk ka qënë
kurrë më jetik.
Me mirënjohje të
thellë dua të falenderoj ekipin e përkushtuar e të palodhur në përmbushjen e
misioit të Drejtorisë së Euroazisë. Drejtimi i një grupi të tillë të talentuar
gazetarësh ka qënë një kënaqësi e veçantë. Po ashtu u jam mirënjohës miqve dhe
kolegëve në sektorët e tjerë të Zërit të Amerikës për përkrahjen e palëkundur.
Falenderime të
përzemërta kolegëve në postet e larta drejtuese dhe në të gjithë organizatën,
të cilët punuan ngushtë me mua gjatë periudhës gjashtë-mujore kur shërbeva si
Drejtor i Përkohshëm i Zërit të Amerikës në vitin 2020. Ishte një nder i
veçantë të qënit në krye të Zërit të Amerikës gjatë një prej periudhave më të
trazuara në historinë e tij. Ndihem shumë krenar, që përballë sulmeve të
pandërprera dhe frontale ndaj integritetit të Zërit të Amerikës, ne arritëm të
drejtonim me sukses në një labirinth jashtëzakonisht sfidues dhe të mbronim me
forcë pavarësinë tonë editoriale.
Më duhet ta
pranoj, se edhe pas 43 vitesh të mrekullueshme, nuk është e lehtë t’i thuash
lamtumirë Zërit të Amerikës. Por unë largohem me krenari të thellë dhe
mirënjohje të pakufishme për punën e madhe që kemi bërë dhe jam i sigurtë, që
ju do të vazhdoni të bëni. Zëri i Amerikës është bërë sot një organizatë
mediatike shumë e efektshme dhe e shkathët, duke prodhuar gazetari të cilësisë
së lartë. Shtrirja dhe ndikimi i Zërit të Amerikës nuk kanë qënë kurrë më të
mëdha se sot. Dhe përsa kohë që të mbetet i angazhuar ndaj vlerës së tij themelore
të nxitjes së lirisë e demokracisë dhe prodhimit të gazetarisë së pavarur të
bazuar në fakte, Zëri i Amerikës do të vazhdojë të jetë burim shprese dhe një
fener ndriçues i së vërtetës për miliona njerëz në mbarë botën.
Me respekt të thellë,
Dr. Elez Biberaj
Drejtor
Drejtoria e Euroazisë
Zëri i Amerikës
Dr. Elez Biberaj, ikona e
gazetarisë shqiptare dhe amerikane
-----------------------------------
Me
rastin e emrimit të Dr.Elez Biberaj në krye të Zërit të Amerikës, si Drejtor i
Përgjithshëm në detyrë i VOA-s, portali amerikan i lajmeve, VOX është shprehur
se “Z. Biberaj gëzon një reputacion shumë të mirë si një njeri serioz dhe
profesionist i disiplinuar. Ai është dhënë me gjithë shpirt ndaj
përhapjes së lirë të lajmeve dhe informacionit në vendet dhe kontinentet ku kjo
liri u mohohet njerëzve”, thuhej në komentin e portalit amerikan të lajmeve
VOX.
Por,
përkushtimi i Elez Biberaj ndaj lirisë së fjalës shkoi përtej vendeve dhe
kontinenteve ku mohohet përhapja e lirë e fjalës dhe lajmeve. Dr. Biberaj u
dallua edhe këtu në Shtetet e Bashkuara për mbrojtjen e lirisë së fjalës, madje
edhe aty mu në zemër të Zërit të Amerikës, gjatë periudhës kur ka shërbyer si Drejtor i Përkohshëm i
Zërit të Amerikës në vitin 2020. “Ishte një nder i veçantë të qënit në krye të
Zërit të Amerikës gjatë një prej periudhave më të trazuara në historinë e tij.
Ndihem shumë krenar, që përballë sulmeve të pandërprera dhe frontale ndaj
integritetit të Zërit të Amerikës, ne arritëm të drejtonim me sukses në një
labirinth jashtëzakonisht sfidues dhe të mbronim me forcë pavarësinë tonë
editorial”, shkruan Elezi në njoftimin e shpërndarë për të njoftuar daljen në
pension. Ishte kjo një periudhë e vështirë për Elezin si gazetar i karrierës
dhe si mbështetës i flakët dhe i patundur i lirisë së fjalës – por edhe për
Zërin e Amerikës si një ent mediatik me reputacion botëror. Krenar për Elez Biberaj që me urtësi por edhe
me trimëri, qendresë prej malësori dhe me besimin e tij të patundur në lirinë e
fjalës dhe të shtypit të lirë që na garanton të gjithëve Kushtetuta amerikane
-- Elez Biberaj, si Drejtor i përgjithëshëm i VOA-s, në vitin 2020 u përball me
sfidat që kishte përball dhe ia doli. Si përfundim, Zëri i Amerikës sot – në
pavaraësinë e tij editoriale -- është edhe më i fortë se kurrë më parë në
historinë e tij krenare prej 80-vitesh ekzistencë.
Elez
Biberaj ka doktoraturën (PHD) në Shkencat Politike nga Universiteti Columbia në
Nju Jork dhe është autor i katër librave, përfshirë, “Shqipëria në Tranzicion:
Rruga e Vështirë Drejt Demokracisë, 1990-2010.” Ai ka doktoraturën (PHD)
në Shkencat Politike nga Universiteti Columbia në Nju Jork dhe është autor i
katër librave, përfshirë, “Shqipëria në Tranzicion: Rruga e Vështirë Drejt
Demokracisë, 1990-2010”.
Kryeqendra
e Zërit të Amerikës në Washington DC dhe “shtëpia” e dytë e Elez Biberajt për
43-vite – prej këtu kumbonte zëri i Elez Biberaj drejtuar trojeve shqiptare
Dr. Biberaj njihet si ekspert në fushën e transmetimeve radio-televizive ndërkombëtare, gazetar i shquar, autor librash dhe artikujsh të shumtë akademikë në median e shkruar amerikane, ndër të tjera fushë edhe si njohës i mirë i çështjeve të Ballkanit, Shqipërisë, Kosovës dhe Rusisë. Gjatë karrierës së tij të gjatë, Dr. Biberaj ka vizituar shpesh shtetet dhe zonat ku fliten gjuhët në të cilat transmeton Zëri i Amerikës programet e veta, veçanërisht në Evropë, Rusi e gjetkë. Si njëri prej “vëzhguesve dhe analistëve më të respektuar të botës për zhvillimet e periudhës komuniste dhe paskomuniste në Shqipëri dhe në Kosovë.”, siç e ka cilësuar atë miku ynë i përbashkët Profesor Nikola Pano, dhe si eskpert i njohur gjatë karrierës së tij në Washington, Dr. Biberaj është ftuar shpesh për të folur nga pikëpamja e një eksperti — për situatat në zonën e Euro-Azisë, në Ballkanin Perëndimor dhe mbi Rusinë – qoftë nga ente të ndryshme të qeverisë federale amerikane, qoftë nga organizata mediatike, jo-qeveritare dhe akademike. Përveç posteve të tjera me rëndësi, me emërimin e tij në postin e Drejtorit të Përgjithshëm në detyrë të Zërit të Amerikës, Dr. Biberaj ka arritur – kulmin e karrierës së tij të shkëlqyer, një sukses ky për të cilin ai vet dhe familja e tij janë krenarë, por edhe të gjithë ne që e njohim dhe punuam me të, përfshir edhe autorin e këtyre rreshtave modestë – si një shok i ngushtë, mik i familjes dhe bashkpuntorë i pa ndarë në rrugëtimin e përbashkët e të gjatë prej gjysëm shekulli në përpjekjet për liri e demokraci, jo vetëm në trojet tona shqiptare, por edhe anë e mbanë botës. Kur Zotit Biberaj i qe besuar një përgjegjësi e madhe nga ana e qeverisë së Shteteve të Bashkuara në vitin 2020, duke e njohur shumë mirë Elez Biberajn, aftësitë, përgatitjen, përvojën dhe përkushtimin e tij ndaj VOA-s, kushtimit të tij ndaj së Vërtetës–respektit të tij për dëgjuesit, shikuesit, lexuesit si dhe ndaj misionit të Zërit të Amerikës. Mision ky i përcaktuar me ligj nga Kongresi Amerikan, për të raportuar të Vërtetën anë e mbanë botës, në kohë të mira dhe në kohë të vështira. Qofshin lajme të mira ose të këqia — do tu themi të vërtetën — ishte dhe mbnetet motoja e VOA-s, ç’prej fillimit. Një moto të cilën Z. Biberaj e ka zbatuar me përpikëmëri të një profesionisti të rrallë në gazetarinë shqiptare dhe amerikane. Me atë rast, isha shprehur në një shkrim se, “Unë jam i bindur se autoritetet amerikane, nuk mund të kishin gjetur njeri më të përshtatshëm, më të përsosur, më të aftë dhe më të zotin për këtë detyrë që i kanë besuar, sidomos në këtë kohë dhe nën këto rrethana në këtë vend dhe në botë”, se Dr. Elez Biberaj”.
Nepërmjet
misionit të Zërit të Amerikës ndaj të së Vërtetës, lirisë, demokracisë dhe të
drejtave bazë të njeriut, Dr Elez Biberaj ia kushtoi 43 vite të jetës së tij në
shërbim të lirisë së shtypit. Në çdo fushë veprimi, Dr. Elez Biberaj dhe
familja e tij dallohen për dashurinë për Shqipërinë, e sidomos për Kosovën dhe
për shqiptarët kudo, por ata dallohen gjithashtu edhe për dashurinë ndaj vendit
që i ka marrë në strehim – Shtetet e Bashkuara të Amerikës – në Amerikën tonë
të dashur ku të gjithë ne gjetëm demokracinë dhe lirinë që kërkonim, realizimin
e vërtetë të “ëndrrës amerikane” dhe mundësitë për të shkuar përpara, në
fushë-veprimet e preferuara tona si shqiptarë dhe shqiptaro-amerikanë.
Për
veprimtarinë e tij shembullore pranë Zërit të Amerikës gjatë dekadave, Dr. Elez
Biberaj është dekoruar dhe shpërblyer nga Zëri i Amerikës si dhe nga Tirana dhe
Prishtina zyrtare për punën e tij në mbështetje të demokratizimit të
Shqipërisë, e sidomos për përpjekjet e tija historike për sigurimin e të
drejtave të shqiptarëve të Kosovës, përpjekjet këto që më në fund çuan në
çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Dr. Biberaj ka luajtur një një rol të veçant
ndër vite dhe është dalluar për punën e
tij të palodhshme në forcimin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe
Kombit shqiptar. Elez Biberaj i ka pranuar gjithmonë me përvujtëni
shpërblimet dhe dekoratat e ndryshme gjatë viteve, duke falënderuar gjithmonë
bashkpuntorët e tij për suksesin që të gjithë së bashku kanë arritur gjatë
viteve. Mbi të gjitha, ai është treguar mirënjohës ndaj Zërit të Amerikës që i
ka ofruar mundësinë të arrijë nivelet më të larta të këti enti mediatik me famë
botërore, si “Një bir i denjë i Shqipërisë”, siç e pat cilësuar me një rast
Elezin, ish-Drejtori i Përgjithëshëm i VOA’s, Z. David Ensor.
Elezit,
kolegut dhe mikut tim të ngushtë prej 5-dekadash, me të cilin kam patur nderin
dhe privilegjin të punoja dhe të bashkpunoja gjatë viteve, në kohë të mira e në
periudha të vështira -- – i uroj pensionim të mbarë. Vetëm mbaje mend mik e koleg i dashur: Në
këtë jetë nuk ka as fillime as mbarime, por ka tranzicione -- nga një kapitul i
jetës në tjetrin, nga një mision të jetës në tjetrin. Misioni nuk ka mbaruar. REMEMBER:
THE MISSION GOES ON, MY FRIEND!
Dr. Elez Biberaj
në zyrën e tij në Washington –si Drejtor për Euro-Azinë
Dr.
Elez Biberaj – Nderi i Tropojës – Gjithmonë krenar për vendlindjen dhe Atdheun
e të parëve
Autori
me Dr Elez Biberaj, ikonën e gazetarisë shqiptare dhe më gjërë, gjatë viteve të
shërbimit tonë të përbashkët në Zërin e Amerikës. Foto në zyrën e Shërbimit
shqip të Zërit të Amerikës, në mesin e viteve të 1990-ave.
Me kolegun dhe
mikun tim të ngushtë prej më shumë se gjysëm shekulli, Drejtorin e VOA-s për
Euro-Azinë, Dr. Elez Biberaj, gjithmonë kënaqësi për të kujtuar vitet më të
mira të jetës tonë dhe veprimtarisë profesionale në Zërin e Amerikës. Foto
(Prill, 2023) në Zërin e Amerikës, para njoftimit të daljes në pension nga Elez
Biberaj.
Mikrofoni i Zërit
të Amerikës – simboli i fjalës së lirë për 8 dekada – 43 vite prej të cilave ia
ka kushtuar edhe Elez Biberaj: lirisë së fjalës, mbrojtjes së të drejtave të
njeriut, dinjitetit njerëzor, lirisë dhe demokracisë. Dikur nepërmjet valëve
radiofonike të Zërit të Amerikës e deri më sot me mënyrat më moderne digjitale
të shpërndarjes së informacionit të lirë, përfshirë TV, për vendet dhe
kontinentet ku gazetaria e lirë shkelet dhe abuzohet nga autokratët dhe
diktatorët e kësaj bote të shekullit XXI.