| E shtune, 04.11.2023, 08:59 PM |
Në kishën katolike Zoti fliste shqip
Nga
Gani Mehmetaj
Në
kohën më të rëndë Turqia i tha Ibrahim Rugovës se kryeqytet e ka Beogradin.
Shtetet arabe mu si Turqia, ishin aleatë të Miloshevicit.
Kisha
Katolike e Dardanisë e hapi rrugën e Vatikanit. Ndërkaq, Papa Gjon Pali i Dytë
i çeli dyert e Evropës e të SHBA-ve.
Edhe
sikur të mos kishim qenë kurrë të krishterë, në shenj mirënjohje pse bota e
krishterë na shpëtoi nga gjenocidi, do të duhej të bëheshim të krishterë. Duhet
ta braktisim fenë e turkut që gati na shfarosi mu si Serbia.
Kisha
Katolike gjatë mesjetës ishte në një pozitë të vështirë në Gadishullin Ilirik,
sidomos në principatat shqiptare, ku luftonin për primat me Perandorinë e
Kishën Bizantine. Kalimet e arbëroreve nga riti katolik në ritin bizantin qenë
fenomene të shpeshta, varësisht nga presioni që ushtrohej mbi ta.
Me
ardhjen e hordhive otomane, fati i kishës ishte fati i kombit të persekutuar e
të gjymtuar. Kisha u zhbë dhe u ribë, u dobësua dhe u forcua, varësisht nga
rrebeshet e historisë. Besimtarët ikën për të shpëtuar kokën përtej detit, apo
në veri, në ultësirat e Panonisë, në perëndim: në Dalmaci, në tokat austriake,
pastaj u fortifikuan në malësi. Pra, popullata arbërore- shqiptare u
përgjysmua, në disa zona u shua fare. Megjithatë, gjatë tërë kohës në këtë
faltore Perëndia foli shqip, Kisha Katolike hapi edhe shkolla në gjuhën shqipe,
priftërinjtë mbajtën librat fetarë në gjuhën e popullit, shkruan kronika e
regjistruan dokumente, të cilat u bënë të çmuara për historinë kombëtare.
Elita
e kombit që e kaptoi Adriatikun, në pjesën më të madhe, u shkri në detin e
fiseve latine-italiane, u bënë personalitete të shquara të jetës publike,
fetare e kulturore të Italisë e Vatikanit, por një pjesë e tyre pikërisht falë
ndjenjës së theksuar kombëtare e zhvillimit të riteve e lutjeve në gjuhën
amtare, arritën ta ruajnë identitetin. Ishin këta arbëreshët e Kalabrisë që pas
pesëqind vjetësh e kujtonin atdheun e të parëve, kujtonin traditën e kulturën,
ruanin gjuhën e ritet fetare, ashtu sikurse i patën mësuar në dheun e të parëve.
Zoti atyre u foli arbërisht!
Kolosët
e kombit nga elita kishtare: Kronikat më të shumta për historinë
arbërore-shqiptare janë bërë nga priftërinjtë katolikë. Kleri i këtij riti e
kultivoi gjuhën shqipe në nivel akademik dhe e krijoi kulturën, e cila i
afrohej kulturës e gjuhës së popujve të qytetëruar evropianë, pavarësisht
faktit të dhimbshëm se bëhej në rrethana të jashtëzakonshme të pushtimit, të
luftërave të vazhdueshme e të përndjekjeve. Kisha Katolike Shqiptare në
gjashtëqind vjetët e fundit ishte shtylla e kombit jo vetëm pse të gjitha
dokumentet e gjuhës shqipe u referohen
shkrimeve apo lutjeve fetare të priftërinjve katolikë shqiptarë, jo vetëm pse
shkollat e para shqipe mbaheshin nga këto institucione fetare-kombëtare, jo
vetëm pse të gjitha relacionet e kronikat monumentale, librat, ditarët,
kujtimet janë shkruar për arbërorët e shqiptarët nga priftërinjtë vendës, por
edhe sepse kolosët e Rilindjes Kombëtare, të
kulturës e të gjuhës shqipe në 600-vjetët e fundit ishin të kësaj feje e përcaktimi kombëtar,
qysh nga Pal Engjëlli, apo edhe më herët.
Priftërinjtë-kolos
të kombit tonë: Marin Barleti, Marin Biçikemi, Gjon Buzuku, Frang Bardhi,
Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Gjon Nikollë Kazazi, Shtjefën Gjeçovi, Ndre
Mjeda, Gjergj Fishta, apo edhe më vonë
deri te martirët e kombit e të fesë: priftërinjtë që u vranë e u persekutuan
nga komunizmi i egër.
Fjala
shqipe në lutje, rituale e në predikime ishte ajo që e përcaktoi qartë
shqiptarësinë e kësaj kishe, krahas angazhimit të jashtëzakonshëm të klerit
katolik që të merren me çështje kombëtare. Ishte kreu katolik shqiptar që
organizoi e kërkoi mbështetje apo udhëhoqi kryengritjet shqiptare kundër
pushtuesit-Perandorisë Osmane; ishte kreu i klerit katolik që u shqua me
këmbënguljen e vet që të mbajë gjallë frymën kombëtare e të formojë shtetin
shqiptar, ashtu sikurse që ishte kreu i priftërinjve katolikë ata që e
përgatitën Pavarësinë e shtetit shqiptar, të ndihmuar pastaj nga rilindësit
tjerë.
Në
periudhën e komunizmit Kisha Katolike mori goditje fatale. Në Shqipëri u shua
fare, kurse në Kosovë vepronte, por gjithnjë me druajtje e frikë, sepse fushata
jugosllave, përkatësisht serbe kundër Kishës Katolike e Vatikanit ishte e egër.
Megjithatë
kisha u fliste besimtarëve në emër të Zotit shqip edhe në kohën e terrorit më
të egër. Asnjëherë nuk reshti së predikuari shqip, asnjëherë nuk dërdëlliti në
ndonjë gjuhë tjetër.
Në
fillim të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, Kisha Katolike Shqiptare
në Dardani sërish mori rolin e prijësit,
duke e sensibilizuar çështjen e Kosovës në diplomacinë ndërkombëtare si në
kohën e rilindësve, duke i pajtuar bashkëkombësit e të dyja besimeve fetare në
pajtimin e gjaqeve. Në këtë nismë ftoi edhe klerin mysliman, ndërsa nuk qenë të
paktë klerikët patriotë që e kuptuan dhe e dëgjuan zërin e kombit.
Fryma
e re, mbështetëse e Vatikanit me Papa Gjon Palin e Dytë ishte kaptina më e ndritshme për
çështjen shqiptare në fund të shekullit XX. Kjo frymë megjithëse në planin
ndërkombëtar u shfrytëzua në masë të madhe nga elita politike, në planin e
brendshëm kisha katolike nuk e shfrytëzoi përcaktimin e popullatës që t’ia
hiqte asaj bragashët e së kaluarës, as zhguallin oriental. Asnjëherë nuk e kam
kuptuar arsyen e kësaj indolence, ndërsa mund ta shfrytëzonin euforinë e përgjithshme
dhe simpatinë e intelektuale që e ka gëzuar gjithmonë kjo kishë, pikërisht për
orientimin e theksuar kombëtar që pati ky institucion shpirtëror.
Më
ka mbetur në kujtesë një ceremoni në përvjetorin e Nënë Terezës, që u mbajt në
Katedralen e Prishtinës para disa vjetësh, kur Ipeshkvi i Dardanisë, i
drejtohet të deleguarit të Papës, që
kishte ardhur në këtë ngjarje me rëndësi: “Jua dhuroj djepin ku është përkundur
Nënë Tereza”, ndërsa në duar mbante djepin tradicional të Veriut shqiptar me
shqiponjën dykrenore, të skalitur në krye, në të cilin ishim përkundur breza të
tërë, në atë tip djepi me kishte përkundur nëna edhe mua. Duke ia dhuruar flamurin kombëtar Ipeshkvi i thotë: ”Jua fal
flamurin kombëtar, që ishte flamuri i Nënë Terezës”. Krejt në fund kur ia
paraqet në mënyrë ceremoniale dhuratën e tretë qeleshen (plisin), i drejtohet:
“Këtë plis shqiptar e barti me mburrje babai i Nënë Terezës”. Kështu,
përfaqësuesi i Papës, por edhe qindra zyrtarë të lartë të trupit diplomatik e
institucioneve ndërkombëtare patën një orë të historisë kombëtare shqiptare, që
nuk e kishin dëgjuar as në katedrat akademike as nuk e kishin lexuar në librat
e historisë.
Pra,
nuk mund të thuhet se priftërinjtë katolikë nuk e ndoqën rrugën tradicionale të
kolosëve të mëparshëm për ndriçimin e mendjes e të vetëdijes kombëtare, por
kreu i kësaj kishe në Kosovë e në Shqipëri
kishte mundësi të bëhej ledh i pakalueshëm kundër depërtimit të frymës
antishqiptare të Lindjes. Popullata e të dyja besimeve fetare pati shumë besim
te Kisha Katolike, ajo e pati edhe besimin e pjesës dërmuese të jobesimtarëve,
ndërsa kësaj popullate dikush duhej t’i printe ashtu si i priu Pjetër Bogdani e
Pjetër Budi. Po ashtu as sot e kësaj dite nuk e kam të qartë pse u shua shoqata
bamirëse “Nënë Tereza”, e cila bëri punë
aq të madhe para vitit 1999, madje edhe pas luftës, duke mos i diskriminuar
asnjërin në baza fetare, përkundrazi i trajtonte të gjithë nevojtarët në mënyrë
të njëjtë. Shuarjen e kësaj shoqate me rëndësi historike e shfrytëzuan shoqatat
radikale islamike, të cilat mbinë si kërpudhat pas shiut, duke ia ndryshuar
konfiguracionit shpirtëror popullatës dardane, duke e idiotizuar një pjesë të
kësaj popullate të varfër.
Ndihma
e Papa Gjon Palit në Pavarësinë e Kosovës dhe miqësia tradicionale e prijësit e
presidentit historik, Ibrahim Rugova, me Papën, e shtuan edhe më shumë
simpatinë e përgjithshme. Njëkohësisht botës i dëshmuan se nuk jemi ashtu
sikurse na paraqiste Serbia.
Në
mileniumin e tretë megjithëse ka dyndje të madhe të besimtarëve shqiptarë në
këtë kishë (pagëzimet e shqiptarëve kurrsesi nuk mund të quhen konvertime,
sepse asnjëri prej tyre nuk e praktikoi më parë asnjë besim fetar, prandaj s’ka
si të quhen myslimanë as të krishterë), ka rrudhje të Kishës Katolike në Shkup,
dikur qendrën e Ipeshkëvisë
Shqiptare, qytetin e Budit e Bogdanit, selinë e Dardanisë deri në
shekullin XX.
Zoti
u fliste shqip besimtarëve në Shkup që nga Antika, mirëpo sipas informatave më
të fundit në Shkup Zoti e ka braktisur gjuhën shqipe dhe u flet besimtarëve në
gjuhën maqedonase! Për ironi sllavët
maqedonas janë ortodoksë. Është tepër vështirë, që të mos themi e pamundur të
gjesh një të tillë për be që është i besimit katolik. Se ku e gjetën këtë
prift, i cili ua predikon fjalën e Zotit, në qytetin e Nënë Terezës, nuk e di.
Ku mbetën shqiptarët katolikë, po ashtu është e paqartë. Ndërkaq, bërthama e
aristokracia e qytetit të Shkupit ishte e shqiptarëve katolikë që nga lagjja e
Nënë Terezës e më gjerë.
Fryma
e Papa Gjon Palit të Dytë sikur e braktisi Vatikanin, sidomos kjo frymë që e
ndihmoi çështjen shqiptare, mbase faji është te ne që nuk e nxorëm një
personalitet tjetër të nivelit të Ibrahim Rugovës, i cili do të bashkëbisedonte me Papën, do ta bënte mik e aleat. Në Kosovë
të pafuqishëm të rizgjojnë vëmendjen e Vatikanit si dikur kur ishte gjallë
Rugova, qarkullon barsoleta se, nëse nuk
do të arrijmë së shpejti ta krijojmë një personalitet të nivelit të Rugovës,
atëherë do ta nxjerrim edhe një Papë shqiptar, prijës të botës katolike, i cili
do të na ndihmojë të dalim nga bataku në të cilin kemi rënë kryekëput me fajin
tonë.
Por
në këtë tërheqje të Kishës Katolike në zhguallin e vet, në kundërshtim me
frymën e viteve nëntëdhjetë, nuk përjashtohet as mallkimi historik i vijës së
Teodosit. Ndërkaq, ne duhet të bëjmë përpjekje ta thyejmë vijën e Teodosit, që
tash ka bërë aleancë me myslimanizmin.