| E merkure, 01.11.2023, 08:59 PM |
Zoti i myslimanëve nuk di shqip!
Nga
Gani Mehmetaj
Zoti
i myslimanëve nuk di shqip! Lutjet i kupton vetëm arabisht. As pas qindra
vjetësh, nuk e mësoi gjuhën tonë, ndërsa hoxhallarët na thonë se zoti i
myslimanëve e urren flamurin shqiptar, kombin tonë, Gjergj Kastriotin, Nënën
Terezë.
“Gjuha
shqipe është gjuhë e Perëndisë”, shkruanin të mrekulluar rilindësit e mëdhenj,
ndërsa përpiqeshin të shkëputeshin nga robëria pesëqind vjeçare osmane. Por,
hoxhallarët, Bashkësia Islame e Kosovës, me bashkësitë simotra në Shqipëri,
Maqedoni e Kosovën Lindore duan të na bindin se Zoti nuk di shqip. Sipas
islamikëve, Zoti (Allahu) e kupton vetëm gjuhën arabe, prandaj të gjitha
lutjet, ritualet dhe ceremonitë mortore bëhen në gjuhën arabe.
Kundër
bindjeve të ngulitura thellë në etnopsikologjinë shqiptare se filani është i
biri i filanit, hoxhallarët ditën e varrimit të vdekurin e thërrasin në emër të
nënës, duke ia vënë në dyshim atësinë! Në këtë mënyrë ata e përdhosin traditën
shqiptare. Emërtimet e festave fetare janë në gjuhën turke, por kurrsesi në
gjuhën shqipe. Kështu Festës së Flijimit abrahamaik ata i thonë turqisht Kurban
Bajram, ndërsa të gjithë shqiptarët besimtarë e jobesimtarë e përsërisin me
papagalli në të njëjtën mënyrë. Festës së madhe myslimane i thonë Fitër Bajram.
Dikur popullata këto dy festa i quante Bajrami i Madh dhe Bajrami i Vogël, pra
festa e madhe dhe festa e vogël.
Hoxhallarët
dhe kleri mysliman vazhdojnë të na fyejnë ndjenjat kombëtare, e fyejnë intelektin
tonë e krenarinë kombëtare, duke na bindur se gjuha shqipe është gjuhë e rendit
të dytë, është gjuha e mëkatit, prandaj nuk bën që lutjet fetare të bëhen në
gjuhën shqipe, por në gjuhën e beduinëve të shkretëtirës nga e morëm fenë.
Shqiptarët në një shkallë më të lartë të qytetërimit e imitojnë traditën fetare
të një qytetërimi që ende nuk ka dal nga mesjeta e hershme. Prandaj kjo fe e
josh pjesën më të paarsimuar të popullit, prandaj është joshëse për shtresat më
të varfra, që i kanë humbur të gjitha shpresat, ndërsa propagandistët fetarë të
islamit ua ofrojnë mundësinë të dalin në sipërfaqe, të bëhen “faktorë”, por
edhe të dalin nga varfëria, sepse pjesën dërmuese të tyre e paguajnë.
Jemi
i vetmi komb evropian, që lutjet fetare myslimane i themi në një gjuhë të huaj,
të cilën nuk e kupton askush nga popullata shqiptare, nuk e kuptojnë as pjesa
më e madhe e klerikëve. Është e kotë që kushtetutat në Shqipëri, Kosovë, në
Maqedoni apo Kosovën Lindore e sanksionojnë përdorimin e gjuhës shqipe, përderisa
nëpër xhami gjuha e vetme është gjuha arabe. Edhe mbishkrimet nëpër xhami janë
në gjuhën arabe, thuajse jemi në Arabi. Lutjet brenda korridoreve të xhamisë po
ashtu janë shkruar arabisht, megjithëse askush nga besimtarë nuk e kupton asnjë
shkronjë të kësaj gjuhe. Diskriminimi i gjuhës shqipe bëhet ditë me diell dhe
askush nuk reagon. Shpërfillja e shkronjave shqipe bëhet me qëllim, dhe askujt
nuk i bëhet vonë. Disa thonë se shumica e atyre që shkojnë në xhami janë
analfabetë apo gjysmanalfabetë, prandaj kot që ua vë mbishkrimet shqip, kur nuk
dinë t’i lexojnë as shqip, as arabisht, por megjithatë e kanë shumë më lehtë të
luten në gjuhën e nënës, sesa në gjuhë të huaj.
Njohësit
e gjuhës arabe tregojnë se si besimtarët shqiptarë kur luten në gjuhën arabe, e
shqiptojnë tmerrësisht keq këtë gjuhë, saqë në vend të lutjes drejtuar Zotit, u
del ndonjë blasfemi a fjalë e pistë, ndërsa ata nuk e kuptojnë se janë lutur
tmerrësisht gabim.
Naim
Frashëri dikur bëri përpjekje që lutjet fetare t’i përkthente shqip, në mënyrë
që të shkëputeshim nga ndikimi skllavërues oriental. Mirëpo, hoxhallarët e
shitur këto lutje nuk i vunë në përdorim, përkundrazi i denoncuan hoxhallarët
që predikonin shqip para okupatorëve turq e serbë. Rilindësi i madh synonte që shqiptarët myslimanë,
sidomos pjesa e paarsimuar të shkëputeshin nga skllavëria shpirtërore turke e
arabe, por një gjë të tillë nuk e duan ata që marrin para nga këto shtete.
Është
fakt i ditur se hoxhallarët kurrë nuk e kanë vënë flamurin shqiptar nëpër
xhami, kurrë nuk e kanë festuar ndonjë festë kombëtare shqiptare, por nuk kanë
ngurruar ta ngulin flamurin arab apo turk si për inat të popullatës shumicë
shqiptare, nuk kanë ngurruar ta madhërojnë ndonjë personalitet politik turk apo
arab (diktatorët e dikurshëm Naserin, Asadin, Sadatin, Gadafin, Mubarakun apo
sot Erdoganin).