| E marte, 31.10.2023, 08:59 PM |
Kisha Ortodokse e Shqipërisë- legatë greke e ruse në shtetin shqiptar
Nga
Gani Mehmetaj
Kristofor
Kisi, martiri që u vra në rrethana të dyshimta në kohën e regjimit komunist të
Enver Hoxhës, ndërsa ishte shkencëtar i
shquar, thuhet se i dha shumë Kishës Ortodokse Shqiptare. Ai bëri bisedime me
Vatikanin për të krijuar një baraspeshë, sepse kishte presion nga Patrikana që
të pastronte Kishën Ortodokse Shqiptare nga rryma e Fan Nolit dhe Visarion
Xhuvanit.
Presionet
e Patrikanës e të kishës greke asnjëherë nuk kanë pushuar. Herë- herë ke përshtypjen sikur
selia peshkopale e Tiranës është bërë përfaqësi politike e Athinës më shumë sesa qendër shpirtërore e
shqiptarëve. Për emërimin e Janullatosit bëri trysni të paparë qeveria greke,
për caktimin e shumë rregullave po ashtu bëri presion shteti grek mbi shtetin
shqiptar.
Shtetarët
shqiptar i përkulen me servilizëm Janullatosit, edhe pse do te duhej që
Janullatosi t’u përkulej shtetarëve shqiptarë.
Presionet vazhdojnë me rrezik greqizimi të këtij institucioni shpirtëror
të shqiptarëve ortodoksë. Prandaj, pse
të mos shihet mundësia nga elita kombëtare ortodokse që ashtu sikurse
arbëreshët në Kalabri e Sicili e pranuan Uniatin e Vatikanit, edhe ata të
tërhiqen nga Patrikana e Stambollit dhe
të rreshtohen me Vatikanin, pa ndryshuar asgjë nga ritualet e shërbesës fetare
apo të rregullave kanunore. Ose: pse të
mos bëhet një Union i Kishave Ortodokse Shqiptare-Arbëreshe për t’iu kundërvënë
presionit politik të Athinës?
Kisha
Ortodokse e Shqipërisë, pas ardhjes së kryepeshkopit grek, sikur nuk është ajo
e para, Kisha e himnizuar e Fan Nolit. Nga ngjyrimi kombëtar ka rrëshqitur në
ngjyrimin politik, sepse atë nuk e ringjallën shqiptarët, por u ringjall me
ndihmën e Greqisë. I pari i Kishës Shqiptare, greku Janullatos, e shkeli
Kushtetutën e KOASH-it, sepse dihet fare mirë se kryepeshkopi duhet të jetë
shtetas shqiptar. E dyta, depërtimi i frymës greke dhe ardhja e peshkopit grek
u bë me shantazhe ndaj kreut shtetëror
të Tiranës, kështu që u bënë kompromise të dhimbshme me pasoja të
paparashikueshme. Është e vërtetë se Zoti u fliste shqip besimtarëve, mirëpo me
kohë nisi t’ia dridhte greqisht kryepeshkopi i saj në kryeqytetin e
shqiptarëve, apo bëheshin veprime që s’kishin të bënin fare me fenë, po me
politikën hegjemoniste greke. Godina e Kishës Ortodokse Shqiptare në qendër të
Tiranës ka ngjyrat e flamurit kombëtar grek, në vend se të ketë ngjyrat e
flamurit kombëtar shqiptar, sepse është ndërtuar në tokën shqiptare për
besimtarët shqiptarë. Shumica e kishave ortodokse që u ndërtuan Shqipëri pas
vitit 1992 bëhen sipas traditës greke, sepse ndërtohen me paratë e shtetit
grek.
Pas
këtij agresioni shpirtëror e politik sikur janë zyrtarizuar dy kisha ortodokse
shqiptare: Kisha Ortodokse Shqiptare e
Tiranës, me kryepeshkop Janullatosin dhe Kisha Ortodokse Shqiptare e Elbasanit
me Atë Nikollë Markun në krye të saj, që e lufton greqizmin e shkombëtarizimin.
Përderisa Kisha e Elbasanit me shumë kisha shqiptare në botë, duke nisur nga
kishat arbëreshe në Kalabri e deri tek ato në Amerikën Latine kanë flamurin
kombëtar e Gjergj Kastriotin, krahas kryqit si simbol të martirizimit, Kisha e
Tiranës këto simbole i hoqi qysh nga ardhja e Janullatosit. Me agresionin e
shprishjes kombëtare, po e shkretojnë altarin e Fan Nolit. Është për keqardhje, madje herë-herë të vjen
pështirosje kur dëgjon apo shikon në videoxhirime një grup intelektualësh, disa
prej të cilëve anëtarë të Akademisë së Shkencave e të Arteve të Shqipërisë se
si i bëjnë elozhe kryepeshkopit grek, si dikur i bënin elozhe diktatorit Enver
Hoxha. Ndonjëherë më bëhej, kur i shikoja në FB sikur ishin të njëjtët. Në vend
se të ngrenë zërin për vartësinë gjithnjë e më të madhe të një institucioni aq
të rëndësishëm për një pjesë të shqiptarëve, ata përpiqen të fshehin diellin me
shoshë dhe të mashtrojnë opinionin. Në polemikat që nisin herë pas here për (pa)vartësinë
e kësaj kishe, prapë disa prej polemikëve “ortodoksë” përpiqen të heqin qafe kundërshtarët në stilin: ti nuk je ortodoks, po mysliman, s’ke pse përzihesh në çështjet
tona të fesë! Kjo i bie sikur kur polemizohet për komunizmin, ndërsa komunistët
të të thonë: ti nuk je komunist, s’ke pse përzihesh në debate të tilla.
Ortodoksia
në Shqipëri nuk është pronë private e një grushti njerëzish, as tema të
ndaluara. Sidomos institucionet shpirtërore kur instrumentalizohen nga një
shtet tjetër, në këtë rast Greqia, nuk është vetëm çështje e një grushti
njerëzish, kryesisht mercenarë, por çështje e të gjithë shqiptarëve.
Kisha
me një vartësi të tillë shpejt mund të bëhet bombë me orë të kurdisur, ndërsa
pasoja do të kemi të gjithë.
Pavarësimi
i mirëfilltë i Kishës Autoqefale Shqiptare është fondamentale për shtetin e
pavarur shqiptar. Me pavarësimin e kishës ortodokse, që realisht është e varur
nga Athina, pavarësohet shteti shqiptar në veprimet e veta politike e
përcaktimin strategjik. Pavarësimi i Bashkësisë Myslimane të Shqipërisë është
hapi tjetër rrënjësor për t’iu shmangur tutelës së Turqisë, në dhjetëvjetëshin
e fundit tejet agresive në raport me Shqipërinë e shqiptarët. Qëndrimi i pa
dinjitetshëm i elitës politike e shtetërore të Tiranës, nuk e zbutë presionin e
tyre, përkundrazi vetëm sa e nxit.
Ndërkaq,
shteti shqiptar për shkak të presionit të Greqisë, përmes qarqeve kishtare
ortodokse në Tiranë, qëndron pezull. Kështu, herë duhet t’ua bëjë qejfin
grekëve, herë ua bënë qejfin turqve, duke goditur rëndë interesat strategjike
kombëtare e shtetërore. Praktika e qeveritarëve dhe elitës politike shqiptare
konsiston në faktin denigrues: një natë me Athinën, natën tjetër me Ankaranë.
Ilir
Meta, patriarku i Rusise dhe Janullatosi