| E diele, 29.10.2023, 08:59 PM |
T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
ETHEM
FERATI PREKAZI- “RROFTË KOSOVA, RROFTË SHQIPËRIA...”
(1913-
e varin me 23 qershor 1945)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Atdhetari
Ethem Ferati- Prekazi kishte lindur në Mitrovicë më 1913, në një familje të
madhe atdhetarësh. Babai i tij ishte Arif Prekazi, që kishte edhe dy djem të
tjerë Njaziun e Basriun dhe tri vajza: Hazbijen, Nazmijen dhe Naziren. Qysh si
fëmijë Ethemi u edukua me një taban kombëtar. Në qytetin e tij kreu shkollën
fillore, e që ishte një shkollë fetare në Mitrovicë. Shkollën e kreu me sukses
të shkëlqyeshëm, e më vonë mësimet i vazhdoi në Shkup, në Medresenë Kral
Aleksandri. Pas përfundimit të medresesë, kthehej në Mitrovicë dhe fillon të
punoi si tregtar në dyqanin e familjes së tij. Më 1941, Ethem Ferati u emërua
nënprefekt i Prefekturës së Mitrovicës e që në këtë post qëndroi deri më 1944.
Pozita në të cilën u emërua, i mundësoi që Ethemi i ri të ketë takime dhe të
njihet me shumë atdhetar të kohës, si me: Ramadan Rexhën, Ago Agaj, Ibrahim
Lutfiun, Bedri Gjinajn, Aqif Blytën, Ahmet Selacin, Pajazit Boletinin, Mehmet
Gradicën, Asllan Boletinin, Shaban Rexhën e shumë të tjerë. Në kohën kur u
arrestua nga bandat komuniste e çetnike, Ethem Ferati ishte i martuar me
Gjylsimen, grua fisnike, e bija e Ymer Ferit. Prapa la dy djem: Bedredinin dhe
Shemsedinin, që nuk i pa se si po rriten. Kur vendi ishte në rrezik, Ethemi iu
bashkua forcave vullnetare nga Drenica e
Shala duke iu përgjigjur me krenari zërit të atdheut për mbrojtjen e kufirit
verior të Kosovës nga sulmet çetnike. Më 16 shtator 1943, mori pjesë në Lidhjen
e Dytë të Prizrenit, duke i përkrahur vendimet e saja.
Me
kalimin e viteve gjatë Luftës së Dytë Botërore, situata përshkallëzohej dhe
sulmet shpeshtoheshin në këtë pjesë të Kosovës. Sipas Fazli Hajrizit, thuhej se
duke e parë rrezikun që iu kanosej popullatës të kësaj ane, më 1943, në fillim
të dhjetorit, prefekti i Mitrovicës, Ibrahim Lutfiu thërret një takim ku marinë
pjesë Shaban Mustafa, kryetar i Bashkisë, Ethem Ferati nënprefekt, Muhamed
Deda, myderriz, Ahmet Mustafa, hoxhë, Qazim Deda, tregtar (vëllai i Xhafer
Devës). Kjo mbledhje ishte e një rëndësie të veçantë, ngase u mor vendimi që
një delegacion i përbërë nga Ethem Ferati, Qazim Deva, Adem Voca dhe Vebi
Bajraktari do të udhëtoi për Tiranë, me qëllim
që të takohet me kryeministrin
Rexhep Mitrovica për të kërkua armë.
Në
prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore (1945), si gjithkund në Kosovë njashtu edhe në Mitrovicë, bandat kriminele serbe bënin kërdinë ndaj
popullatës së pafajshme shqiptare, se si qëllim suprem i tyre ishte realizimi i
planit makabër i Vasa Qubrilloviqit dhe shumë të tjerëve, ku thoshin se koha më e
përshtatshme për ti asgjësuar shqiptarët është periudha e luftës, kur askush
për asgjë nuk di dhe askush për asgjë nuk jep ndonjë llogari për krim.
Më
5 nëntor 1944, Mitrovica bombardohej nga forcat e koalicionit, Ethemi me shokë
me sa fuqi kishte iu ndihmoi popullatës. Shumë familje ikën nga Mitrovica duke
u strehuar në fshatrat për rrethe. Ethem Ferati me familje u strehua në fshatin
Rakinicë por posa kaloi në Mitrovicë u arrestua nga forcat e OZN-es. Fillimisht
e dërguan në burgun e Prishtinës e më vonë e sollën në kazermën ushtarake në
Mitrovicë. Gjatë arrestimit dhe gjatë kohës së kaluar në burg ndaj tij e të
tjerëve u ushtrua një dhunë e paparë çnjerëzore. I rrahën, i malltretuan, i
fyen dhe në fund pa kurrfarë hetuesije i nxorrën para gjyqit.
Andaj,
procesi gjyqësor, thënë ndryshe procesi jo gjyqësor, i cili u bë në formë të
grumbullimit të njerëzve më të devotshëm dhe më atdhetar të Mitrovicës dhe rrethinës më tepër i ngjante një plojës së
përgatitur më herët se sa një procesi të mirëfilltë gjyqësor. Duke e lexuar
librin (kujtime), të atdhetarit Ramadan
Rexhës, “Kujtimet e mija”, hasa në shumë të dhëna
lidhur me këtë, ku pjesëmarrës i këtij procesi ishte edhe vet autori i librit.
Por, ajo që më shtyri që të shkruaja ishte më tepër e dhëna se, autori në libër
thoshte se për këtë proces nuk ka asnjë të dhënë të dokumentuar dhe asnjë
shënim në arkivat tona. E tërë ngjarja mu duk provokuese dhe në një mënyrë isha
e dëshpëruar. Por, duke shfletuar disa të dhëna që i kisha grumbullua qysh më
herët për librin “Të burgosurit politik shqiptar në Kosovë 1945-1990”, kisha hasur edhe në një dosje që
flitet po për këtë proces. Dosja ishte: Vishi
Vojni Sud Jugosllovenske Armije, II Sud.
Br. 971/45, 12 juna 1945 god. Kjo dosje gjendet në Arkivin e
Kosovës. Kureshtja
mu shtua edhe më tepër kur gjeta edhe shumë të dhëna tjera biografike të vet të
akuzuarve që në një mënyrë e ndjeja veten të obliguar që të hulumtoja edhe më
tej që vetëm e vetëm e vërteta të dali në shesh.
Procesi
makabër gjyqësor i organizuar dhe i mbajtur në Mitrovicë, me gjasë ishte parapërgatitur shumë më herët.
Ishin bërë planet si dhe sa veta do të arrestoheshin, kur dhe kush do të
arrestohet, sa dhe si do të dënohen. U befasova kur në dosjen e tyre hasa hiq
më pak se emrat e njëmbëdhjetë (11) vetave, të cilët në një mënyrë ishin ajka e
atdhetarëve dhe e intelektualëve të
rrethit dhe qytetit të Mitrovicës.
Në
fleta të zbehura letre, që mezi
lexoheshin, hasa në 11 emra, që Gjykata
e Lartë Ushtarake e Jugosllavisë, kishte bërë vërtetimin
e dënimeve që i kishte shqiptuar më herët Gjykata Ushtarake në Mitrovicë. Bile-bile për disa të
akuzuar ndodhte edhe kjo, që rrallë herë ndodhte në gjykatat e tilla që në
hierarkinë më të lart, të shtohet numri i viteve të dënimit me burg apo me
vrasje- pushkatim. Gjykata e Lartë e Ushtrisë Jugosllave, në këtë rast jo vetëm
që nuk zvogëloi dënimet por edhe tri vetave (që më herët ishin të dënuar me nga
20 vjet burg), kjo gjykatë, ato vendime i hodhi poshtë dhe iu shqiptoi dënimin
me vdekje –pushkatim.
Në
shumë të dhëna kam hasur se këtë proces ndryshe e quanin edhe si “proces model”
të gjyqësisë që u aplikonte menjëherë pas përfundimit të LDB në Jugosllavi. Siç dihej këtij
procesi i kishte paraprirë një gjykim i llojit të veçantë, të cilin e kishin
organizuar më 18 maj 1945, në hotelin “Jadran” të Mitrovicës. Por, para se të
fillonte procesi gjyqësor, në një mënyrë në Kosovë kishte filluar gjuetia në njerëzit atdhetar
dhe ndaj të gjithë atyre në mënyrë të organizuar kishin filluar ndjekjet dhe
arrestimet e tyre gjithë andej ku jetonin dhe frymonin shqiptarët. Ata i
dënonin me gjyq, e pa të, në mënyrë të shpejt e të fshehtë duke i likuiduar si
mundeshin, vetëm e vetëm që të shuanin aspirimin e tyre shekullor ndaj atdheut
dhe lirisë.
Të
arrestuarit e këtij procesi ishin njerëz të ditur dhe të pasur të kësaj ane. Të
cilët kishin kontribuar dhe të cilët assesi nuk u pajtonin me situatën e
krijuar të riokupimit të Kosovës. Ishin ata, të cilët
asnjëherë nuk u pajtuan që Kosova të jetë vend i aneksuar nga Serbia e ish-Jugosllavia. Ishin të gjithë ata,
që kishin orientime properëndimore, se ideologjia komuniste për të gjithë ata
ishte e huaj dhe e papranueshme. Propagandonin, punonin dhe ishin me të madhe
për një demokraci të mirëfilltë perëndimore, ndërsa Kosovën e shihnin vetëm si pjesë të pandashme me
Shqipërinë, aty edhe ku e kishte vendin.
Në
data të ndryshme të pranverës së vitit 1945, dymbëdhjetë veta u arrestuan në
shtëpitë e tyre, në natën skëterrë, me tradhti duke i quajtur “armiq të
popullit”, për arsye se kërkonin dhe luftonin për një Shqipëri Etnike.
Për çështje siguria, arrestimin dhe
dënimin e tyre e mori për sipër që ta kryente Gjykata Ushtarake e
Mitrovicës. Procesin gjyqësor e
përgatiti Gjykata Ushtarake në Mitrovicë me trupin gjykues në përbërje: Mirko Peroviq, major nga Bllaca, ishte caktuar për kryetar,
Millosh Gjudoviq, gjykatës, (komandant i
rajonit), Hasan Çerkezi, (kapiten) dhe
porotnikët: Mustafë Xhabiri, Muharrem Alija, nga Mitrovica, ndërsa prokurori që
përfaqësonte aktakuzën, ishte Vllada Popoviqi, major nga Gjilani, djali i Tomë Popoviqit, që ishte në zë për
krimet dhe terrorin që kishte ushtrua ndaj shqiptarëve me qetat çetnike.
Për
këtë proces gjyqësor që ishte i pa pranueshëm për shqiptarët, udhëheqësit
ushtarak të APJ-së ishin përkujdesur që të jetë tejet spektakular, dhe që në
masat e gjera popullore, të futët frikë e tmerr dhe të mbahej gjatë në kujtesën
e tyre. Me kohë, qytetarët ishin njoftuar, (nëpër mes doboshit), për gjykimin e
“kriminelëve”. Masën e tubuar e njoftonin se në cilën ditë dhe në cilën orë do të
filloj gjykimi, por se, në të mund të merrnin pjesë edhe të gjithë ata të cilët
dinë diçka për krimet e personave që do dalin para gjyqit, thoshte tellalli i
qytetit. Në sallën e hotelit, ku ishte caktuar që të mbahej procesi gjyqësor,
kryesisht kishin zënë vend ndër të parët, ata, që kishin për të thënë diçka
kundër të akuzuarve, ose që ishin të angazhuar për të brohoritur në mënyrë të
dirigjuar “Të gjithë në litarë”. Ndërsa, një turmë tjetër deri më atëherë e
paparë serbësh, romësh, turqish e tek-tuk edhe ndonjë shqiptar, ishin
grumbulluar para sallës së hotelit dhe pritnin me padurim fillimin e procesit.
Më vonë, po kësaj mase të tubuar, iu
kishte drejtuar Ali Shukrija, duke i quajtur të burgosurit “kriminel lufte dhe
tradhtar të popullit”, duke shtuar se “ata që sot po përpiqeshin ta
shkatërronin “vëllazërim-bashkimin” e popujve të Jugosllavisë, ende nuk janë të
vetëdijshëm se sa i fortë është
komunizmi dhe pushteti jugosllav, dhe mu për këtë, sot, ky popull dhe ky gjyq i
popullit po i dënon dhe do ti dënojë...”, pas kësaj, masa “e ushtruar për
britma” lëshon fyerjet e para kundër të akuzuarve që pritnin dënimet veç kaherë
të caktuara.
Sipas
Ramadan Rexhës “ora tetë të mëngjesit kishte filluar procesi gjyqësor, dhe masa
e tubuar me të madhe kishte brohoritur: “Smrt-kolac-konopac”( “vdekje, në hu,
në litar”). Nga të gjitha fshatrat për rreth e më larg, kishin ngarendur serbët
që të shohin, se si pushteti “popullor”, po i dënon “armiqtë e popullit”.
Salla e hotelit ishte
shumë e vogël për ti zënë të tërë ata, që kishin ardhur me urdhër të udbashve
nga fshatrat e ndryshme për rreth, vetëm e vetëm që ta bënin këtë proces
gjyqësor sa më “madhështor”.
Para
trupit gjykuese, dolën njëri pas tjetrit të akuzuarit shqiptar, që të gjithë të
prangosur në duar dhe këmbë, por, që të gjithë ishin krenar dhe të patrembur.
Ishte elita e popullit të Mitrovicës e rrethinës, që dënohej pa fakte e argumente:
1. Ethem Ferati, nënprefekt i
Mitrovicës, 2. Xhevdet Bajrami, 3. Osman Solidi, tregtar, 4. Tefik
Bekteshi, adjutant i Pajazit
Boletinit, 5. Musa Çollaku, tregtar, 6. Shaban Mustafa, kryetar i Bashkisë së
Mitrovicës. 7. Ramadan Rexha, Komisar i Batalionit
IV të Brigadës së Drenicës, 8. Abdyl Zhubi, shef i logjistikës së
regjimentit të Kosovës, nga Mitrovica, 9. Nebih Hoda-Kuçi, udhëheqës financiar në
nënprefekturën e Vushtrrisë nga Vushtrria, 10. Hamdi Gashi, nënprefekt i Nënprefekturës
së Vushtrrisë nga Skenderaj, 11. Bahri Abdyrrahmani, tregtar nga Pazari i Ri, dhe 12. Todor Cvetkoviq, mjek i punëtorëve të
Trepçës.
Me
sa i kujtohet, njërit nga të akuzuarit e këtij procesi, Ramadan Rexhës, ai thotë se Prokurori ushtarak, majori Vlada
Popoviqi, me një gjysmë letre të vetme në dorë, iu drejtohej të akuzuarve duke
iu lexuar aktakuzën. Të pandehurit nuk patën as mundësin më të vogël që të
reagonin apo të pajtohen me të. Trupi gjykues u tërhoq për tu kthye pas 15
minutash në sallë, dhe iu shqiptoi dënimet të akuzuarve. Në këtë proces gjyqësor katër veta u dënuan
me vdekje pushkatim, dy veta me nga 20 vjet burg, tre veta me nga 15 vjet burg
të rëndë dhe dy veta me nga 10 vjet burg. Ndërsa vetëm një u lirua që të
mbrohet në liri.
Pa
tjetër duhet përmendur se me këtë grup ishin arrestua edhe Idriz Rexha dhe atdhetari i njohur Bedri Gjinaj. Porse, për këta dy, udbashët, më herët ishin
përkujdesur që ti nxirrnin nga birucat e burgut, dhe në mënyrën më misterioze
ti likuidonin, e sot nuk dihet as për varret e tyre.
Sipas
një dokumenti që e disponon Arkivi i Kosovës, të cilën e kishte
lëshuar Gjykata e Lartë Ushtarake Jugosllave thuhej se disa të akuzuarve që iu kishte shqiptua
dënimi, më herët me 20 vjet burg, ajo këtë dënim iu ngriti në dënimin me
vdekje-pushkatim. Këtë e dëshmon edhe Ramadan Rexha, kur thotë se me 22
qershor 1945, në ora 15, kryetari i trupit gjykues, Mirko Peroviq bashkë me gardianin iu ofrua derës ku ishim
vendosur të dënuarit prej 10-20 vjet burg, aty, ai e hap derën dhe na njoftoi
se Gjykata e Lartë Ushtarake e Jugosllavisë, personave me dënime
kohore siç ishte: Hamdi Gashi, Xhevdet Bajrami dhe Musa Çollaku iu shndërrohet në dënimin nga 20 vjet burg, me
vdekje-pushkatim. Menjëherë gardianët, ata të tre i morën dhe i vendosën në
qelit ku ishin shokët e tjerë që ishin të dënuar me vdekje. Ishin shtatë veta
që prisnin vdekjen. Ishin shtatë veta që prisnin momentin më të trishtuar që të
përshëndeteshin me familjet e tyre për të fundit herë. Ata, ishin të njoftuar
se, që nesër do të kryhet ekzekutimi (23 qershor 1945), në ora 10 të ditës.
Është
për tu habitur, se në këtë proces gjyqësor, nuk pati mbrojtës, nuk pati
dëshmitar, nuk u mbajt procesi verbal. Nuk kishte edhe as një të vetmen provë
që vërtetonte fajin e tyre. Mund të themi se sigurisht, edhe është e vërtet se të pandehurit ishin dënuar shumë
më herët, ndoshta ende pa u zënë, ngase një fshatar dëshmonte më vonë, se
varrezat e të akuzuarve ishin të hapura shumë ditë më herët se sa të mbahej
procesi gjyqësor. Nga këto të dhëna, mund të konkludojmë se i tërë procesi
gjyqësor ishte vetëm një lloj farse që më vonë u përcoll dhe u aplikua shumë
shpesh në proceset gjyqësore që u organizonin ndaj shqiptarëve, e që më së
shumti erdhi në shprehje pas vitit 1981, kur gjykatësit, dënimet i nxirrnin të
gatshme nga sirtarët e tavolinave.
Në
ato rrethana e kushte që u mbajt procesi gjyqësor për atdhetarët e Mitrovicës, për të lajmëruar familjaret, ishte tej mase e
vështirë. Megjithatë, thuhej se, Ethem
Prekazi ia kishte dhënë një unazë Osmanit të Shaban
Çopës, dhe e kishte porositur
që të shkonte në shtëpinë e tij, dhe të lajmëronte babin- Arif Prekazin. Burrat, nuk do të
ishin burra në zë poçes ligështohen para fatkeqësive, thoshte Arif Prekazi, i
cili ishte një atdhetar dhe një burrë në zë, posa merë lajmin për dënimin e të
birit me shokë. Ai, porosit 7 palë kostume të reja për ta, këpucë e plisa të
bardh dhe iu sjell të gjithëve, sa që të nesërmen kur dalin për të hipur në
kamion, i cili ishte sjell enkas për bartjen e tyre deri në vendin e
ekzekutimit, Ali Shukriu befasohet nga veshja e tyre solemne, kur i
shef, i mllefosur bërtet “Po ju a në dasmë po i qoni”. Ndërsa Rasim Çerkezi, një tjetër eksponent i
pushtetit, njërit nga të burgosurit nga prapa ia heqë plisin dhe ia gjuan për
tokë. Por, kur tenton t’ia marr edhe Tefik Bekteshit, ai e pështynë dhe e shtyn me tërë forcën që kishte, por një
partizan që e përcillte kordonin e të dënuarve iu mblodhi të gjithëve plisat
dhe iu shkeli para syve, duke u çjerrë sa mundke “ju jeni tradhtar”. Edhe pse ishin
të dënuar me vdekje, posa hipën në kamionë, nga ata ushtoi kënga për Kosovën dhe për Shqipërinë. Ethem Prekazi, njëri ndër më
oratorët, iu drejtua masës së tubuar, duke iu thënë se “Ne, nuk jemi tradhtar,
tradhtarët dhe kriminelët janë këta që vrasin e presin çdo gjë që është
shqiptare”, duke e drejtuar gishtin nga UDB-ashët.
Udbashët
u trazuan nga frika, urdhëruan që menjëherë të nisen kamionët. Kamionët
dhembshëm morën rrugën në të majtë në lindje të qytetit, dhe pasi kaluan Urën e
Sitnicës, u ndalën tek një
bregore e vogël, afër varrezave të serbëve. Edhe sot kujtojnë fshatarët e
Shupkovcit me dhembje, se si ata i rendojnë
njërin pran tjetrin dhe i varin në shtyllat e përgatitura më herët, dhe
që të shtatë i varin në litarë. Por, para se të binin në litarë, edhe njëherë
si bubullimë u dëgjua thirrja e tyre “Rroftë Kosova, Rroftë Shqipëria...” dhe ranë në
tokën-nënë për të cilën kishin flijuar edhe jetën. Krismat e pushkëve jo vetëm
që thyen heshtjen e asaj dite qershori, por
ata edhe njëherë bënë aktin më makabër ndaj atdhetarëve që nuk luftuan
vetëm për vete por, për tërë shqiptarin.
Duke
iu frikua se ndoshta ndonjëri nga ata, kishte ngelur gjallë, partizania Dara
Neradoviq, të gjithëve iu shkrepi edhe
nga një plumb, nga afër, në kokë, duke iu thënë: “Epo tani, këndoni për Kosovën”.
Do të elaboroja me pakë
fjalë vendimin e Gjykatës së Lart Ushtarake të Armatës Jugosllave, i cili
thoshte se “Këshilli pran Shtabit Gjeneral , e shikoi dhe e mori në shqyrtim
lëndën e gjykatës ushtarake në Mitrovicë nga data e 18 majit 1945, lëndët me nr. 323,
314, 355, 372, 322, 270, 349, 377, 318, 316, 329 dhe 315/45, lëndën penale
kundër të akuzuarve : Osman Ibrahimit, i quajtur “Solid”,
tregtar nga Prishtina; Ethem Ferati, nënprefekt në
Mitrovicë, përndryshe tregtar; Tefik Bekteshi, toger në Mitrovicë,
Todor Cvetkoviq, mjek Topolqan, Prilep, Hamit Gashi, shef në Vushtrri, Abdyl Zhubi, kamerier nga Gjakova, Xhevdet Bajrami, komandant xhandarmerie
në stacionin e Mitrovicës, Musa Qollaku, tregtar nga Novi
Pazari, Ramadan Rexha, administrator nga
Mitrovica, Nebi Hoda, shef i drejtorisë
tatimore në Suharekë, Bahri Abdyrrahmani, tregtar nga Novi
Pazari. Nga pjesa e aktgjykimit që ka të bëjë me këta persona:
1.
I akuzuari Osman Ibrahimi, i quajtur “Solidi”,, i cili në bazë të nenit 13 e 14
të Urdhëresës për Gjykatat ushtarake, si kriminel lufte dhe armik i popullit i
është shqiptuar dënimi me vdekje- pushkatim , për tërë kohën me humbje të të
drejtave morale dhe me konfiskimin e pasurisë, Gjykata e Lart Ushtarake ia
vërtetoi dënimin në tërësi, si tërësisht të drejtë.
2.
I akuzuari i dytë Ethem Ferati, i cili në bazë të nenit
13 e 14 të Urdhëresës për Gjykata Ushtarake për krime lufte dhe kundër
popullit, ishte i dënuar me vdekje-pushkatim. Gjatë kohë me humbje të të
drejtave morale dhe konfiskimin e pasurisë. Gjykata e Lartë Ushtarake në
Mitrovicë ia vërteton dënimin me vdekje dhe mendon se
është i drejt.
3.
I akuzuari Tefik Bekteshi, i cili në bazë të
nenit 13 e 14 të Urdhëresës për Gjykatat Ushtarake dënohet si armik i popullit
me vdekje-pushkatim dhe duke i humbur të gjitha të drejta morale dhe materiale
për kohë të pacaktuar duke iu vërtetuar dënimi si meritor dhe drejt ndaj këtij
të akuzuari.
4.
I akuzuari i katërt, Todor Cvetkovski, i cili në bazë të
nenit 13 e 14 iu shqiptua dënimi me vdekje-pushkatim në bazë të urdhëresës të
gjykatave ushtarake, duke e cilësuar si armik të popullit dhe kriminel lufte.
Gjykata në fjalë e miraton dënimin e dhënë për të akuzuarin dhe humbjen e të
gjitha të drejtave morale e politike të tij.
5.
I akuzuari Hamdi Gashi, i cili në bazë të
nenit13 e 14 të Urdhëresës për Gjykata Ushtarake,i shqiptohet dënimi me burg të
përjetshëm dhe me humbjen e të gjitha të drejtave morale e materiale të tij. Sa
i përket dënimit Gjykata e Lartë Ushtarake, dënimin e shqiptuar nga burgu i
përjetshëm e ngrit në atë me vdekje- pushkatim.
Në
këtë pjesë gjykata e Lartë Ushtarake, në arsyetimin përse vije deri te rritja e
dënimit, arsyetohet gjëja se Hamdi Gashi ka bërë shumë më tepër krime duke i likuiduar
dhe detyruar popullatën serbe që të shpërngulën nga Kosova.
6.
I akuzuari Abdyl Zhubi, i cili në bazë të
nenit 13 e 14 të Urdhëresës të Gjykatave Ushtarake për krime lufte dhe armiq të
popullit, Abdyl Zhubit i shqiptoi dënimin prej 20 vitesh burg të
rëndë dhe me humbje të drejtash morale dhe konfiskim të pasurisë deri në 70%.
Gjykata në fjalë e miratoi këtë dënim.
7.
I akuzuari Xhevdet Bajrami, i cili në bazë të
nenit 13 e 14 të Urdhëresës për Gjykata Ushtarake kundër armiqve të popullit dhe krimeve të
luftës, të akuzuarit i shqipton dënimin prej 15 vitesh burg të rënd dhe 10 vite
të humbjes së lirive morale dhe konfiskim të pasurisë deri në 60%. Por Gjykata
e Lart Ushtarake nuk pajtohet me këtë dënim andaj Xhevdet Bajramit i shqipton
dënimin me vdekje-pushkatim dhe humbje të përjetshme të lirive morale e
materiale të tij.
Për
shqiptimin e këtij dënimi, Gjykata e Lartë Ushtarake jep këtë arsyetim gjëja se
Xhevdeti vije nga Tirana me detyrë të caktuar për të organizuar
xhandarmërinë kundër serbëve të kësaj ane. Xhevdet Bajrami akuzohej edhe për raportet e mira e miqësore
që kishte me atdhetarin Ibrahim Lutfiun dhe Ali
Dragën duke i përkrahur të gjitha organizatat ilegale
që vepronin kundër “vëllazërim-bashkimit” dhe sistemit të sapo instaluar
komunist në Jugosllavi.
8.
I akuzuari Musa Qollaku, i cili në bazë të
nenit 13 e 14 të Urdhëresës për Gjykata Ushtarake për armik të popullit dhe
kriminel lufte. Atij iu shqiptua dënimi prej 15 vitesh burg, por këto argumente
gjykata e Lart Ushtarake nuk i mori parasysh ngase dënimi i shqiptuar nga
shkalla e parë iu duk i vogël, andaj, ajo mori qëndrimin që Musa Qollakut ti
shqiptoj dënimin shumë më të madh, prej 15 vitesh burg në atë me vdekje-
pushkatim, ngase, arsyeton gjykatësi, se Ai ishte njeri shumë i rrezikshëm, që
për nga rangu, radhitej menjëherë pas Xhafer Devës, Ibrahim Lutfiut dhe
Ethem Feratit.
9.
I akuzuari i nëntë, Ramadan Rexha, në bazë të nenit 13 e
14 të Urdhëresës për Gjykata Ushtarake për kriminel lufte dhe armiq të
popullit, atij i shqiptojnë dënimin prej 15 vitesh burg të rëndë dhe me humbje
të drejtave morale dhe konfiskim të pasurisë deri në 60%. Këtë dënim, Gjykata e
Lartë Ushtarake e miraton në tërësi.
10.
I akuzuari Nebi Hoda, i cili në bazë të
nenit 13 e 14 të Urdhëresës për Gjykatat Ushtarake, e dënon me 10 vite burg të
rënd duke ia hequr për 5 vite të drejtat morale dhe konfiskimin e pasurisë deri
në 60%, duke ia miratuar në tërësi këtë dënim edhe kjo gjykatë.
11.
I akuzuari i 11, ishte Bahri Abdyrrahmani i cili në bazë të nenit 13 e 14 të Urdhëresës
për Gjykata Ushtarake i shqipton dënimin
prej 10 viteve burg të rëndë, dhe për 5 vite të humbjes së lirive morale dhe
konfiskim të pasurisë deri në 60%. Gjykata në tërësi e miraton dënimin.
12.
I akuzuari i fundit ishte Shaban Mustafa, të cilin gjykata të
vetmin e liron nga aktakuza, si të pafajshëm.
Në
fund të dokumentit shkruan se Kryetar i gjyqit (nënshkrimi i palexueshëm) dhe
duket se është origjinal. I vetmi nënshkrim në dokument është ai i
sekretarit Aleksander Nedelkoviq, po edhe ky shkrim mezi lexohet.
Të
tillë ishin dhe mbetën atdhetaret e mëdhenj të Mitrovicës. Amaneti i fundit i
tyre ishte dhe mbeti për gjeneratat e ardhshme që të luftonin për Shqipërinë
Etnike.