| E diele, 29.10.2023, 07:58 PM |
A di Zoti shqip?
Terrori
turko-serb ndaj arbërorëve
Nga
Gani Mehmetaj
Perandoria
Osmane që e qeveriste këtë qytet (Pejën) më tërë Dardaninë jo vetëm nuk i mbronte fatkëqijtë, por
ankesat e tyre i kthente mbrapsht, duke deklaruar se nuk përzihej në punët e
brendshme të kishës. Ndërkaq ishin marrë vesh që priftërinjtë serbë të bënin
terror, kurse sundimtarët turq t’u ofronin më zemërgjerësi shqiptarëve vendës
të konvertoheshin në fenë myslimane, ose të mbeteshin bujkrobër të Patrikanës.
Kronisti
papnor tregon se si popullata shqiptare nisi të kthehet në fenë myslimane, që të
mbronte kokën e dinjitetin nga terrori i priftërinjve serbë, të cilët i solli
Turqia, megjithëse në Pejë e Dardani, nuk pati serbë. Kështu qeveritarët
otomanë luanin lojë të dyfishtë, në njërën anë nxisnin egërsinë e priftërinjve
pravosllavë, në anën tjetër u ofronin mbrojtje arbërorëve, nëse do të
ktheheshin në fenë myslimane. Ndërkaq, rugovasit, që e mbronin Patrikanën e
Pejës, nisën ta braktisin këtë kishë, duke u mbyllur në gëzhojën e tyre, ose u
tërhoqën në bjeshkët e mjegullta. Qyteti
me rrethinë iu nënshtruan terrorit të shkombëtarizimit e
konvertimit. Mijëra banorë ikën në
malësi, apo përtej detit si në kohën e Gjergj Kastriotit.
Gjendja
paraqitej e rëndë edhe në territoret e tjera etnike, ku pushtetin shpirtëror e
mori Patrikana e Stambollit dhe Qeveria turke, duke i detyruar shqiptarët të
dëgjonin predikimet e lutjet në gjuhë të huaj. Nisi shkombëtarizimi i
shqiptarëve ortodoksë ose kthimi i tyre i dhunshëm në myslimanë. Shqiptarët
katolikë e mbronin gjuhën e fenë prapa maleve të mjegullta, ose në qytetet e
fortifikuara, sepse në qytet edhe katolikët u konvertuan më dhunë në myslimanë.
Është
cinike farsa e historianëve serbë për kinse shpërnguljen e madhe të serbëve nga
Kosova në Panoni (Vojvodinën e sotme), që ishte tokë austriake. Sipas një inercie
edhe historianë të huaj, duke u përpjekur të mbajnë baraspeshë politike, i
referohen burimeve (stisjeve) serbe për shpërnguljet e paqena sllave. Kronistët
e kohës nuk e shënojnë asnjë serb në Kosovë, ashtu sikurse nuk e shënojnë asnjë
serb në Panoni. Përkundrazi, shkruajnë
për arbërorë të fisit të Kelmendit e të fiseve të tjera arbërore, që u
shpërngulën në ultësirat e Panonisë, (pinjollët e të cilëve ishin të pranishëm
deri në luftën e fundit kroate-serbe në këtë mes kufi). Fiset e shpërngulura iu
kundërvunë Perandorisë Osmane, luftën e
humbën, kështu që pësuan keq, meqë austriakët u mund nga kolera që e mbërtheu
ushtrinë austriake, të udhëhequr nga gjeneral Pikolomini.
Në
vend të Vjenës, aleate e shqiptarëve, Rusia po bëhej faktor gjithnjë e më i
fuqishëm në Gadishullin Ilirik përmes faktorit ortodoks pravosllav. Nga
presioni i Rusisë, e cila nisi të forcohej, duke e dëbuar Turqinë nga
territoret e pushtuara, pozita e shqiptarëve vështirësohej, sepse ishin në mes
dy të këqijave: të pranonin fenë myslimane, gjithnjë e më agresive, ose të
hidheshin në kthetrat e kishës pansllaviste, që e pronësoi popullatën
ortodokse, sepse gjuha shqipe, e vetmja gjuhë në Gadishullin Ilirik, ndalohej
edhe me fermanë të Sulltanit, edhe më qarkorët e Patrikanës së Konstantinopojës.
Shqiptarët
ortodoksë, që u shuan në kombet e tjera janë kaptina më e dhimbshme e historisë
sonë, sepse dikur përbënin më shumë se gjysmën e popullatës në veri të
Shqipërisë deri në Nish dhe në jug deri në Peleponez. Nga konvertimi i arbërorëve
ortodoksë dolën pjesa dërmuese e shqiptarëve myslimanë. Natyrisht edhe
arbërorët katolikë, që jetonin në rrafsh apo që nuk iu qepën maleve, i detyruan
të ndërrojnë fenë. Ishim populli më
tragjik jo vetëm në Gadishullin Ilirik, por edhe në tërë Evropën. Nga Perëndimi
nuk patën asnjë ndihmë, nga Lindja na vinin goditje të njëpasnjëshme.
Qele-Kulla dhe flijimi i
shqiptarëve për pavarësinë e Serbisë
Pinjolli
i fisit të Kelmendit, arbërori Gjergj Pjetri (turqisht Karagjorgji, serbisht
Gjorgje Petroviq) , udhëhoqi kryengritjen e të krishterëve kundër Perandorisë
Osmane në territorin e sotëm të Serbisë. Për ta ndëshkuar kryeneçësinë e tij,
pushtuesit turq bënë hakmarrje të tmerrshme kundër shqiptarëve ortodoksë, kreu
i të cilëve e udhëhoqi këtë kryengritje, ndërsa bajraktari serb, Milosh
Obrenoviqi, një fshatar i pagdhendur që u pasurua në kohën e Turqisë, u lidh me
turq dhe ua ofroi kokën e Gjergj Pjetrit, për ta qetësuar zemërimin e
Perandorisë Osmane.
M.
Obrenoviqi me serbët e vet vranë në pabesi pinjollin e fisit të Kelmendit,
kokën e të cilit ua dorëzuan turqve dhe e hapën rrugën për autonomi, duke u
pavarësuar shkallë-shkallë.
Kështu
kryengritjen kundër Turqisë në Serbinë e sotme e nisën shqiptarët, e vazhduan
serbët me ndihmën e Rusisë, ndërsa e pësuan shqiptarët. Turqit bënë një masakër
të paparë në qytetin e Nishit, duke vrarë mijëra shqiptarë ortodoksë dhe duke
syrgjynosur mijëra të tjerë në Anadoll. Qele-Kulla, një pirg i tmerrit në
qytetin e vjetër të Nishit, me 952 kafka të murosura, u bë sinjal alarmi,
ndërsa Serbia e ndërtoi mitin e rezistencës me flijimet shqiptare.
Shqiptarët
e tjerë u kthyen në islam nga tmerri i terrorit turk, ose ia mbathën përtej
Danubit. Ndërkaq, arbërorët që kishin
mërguar në ultësirën e Panonisë, të qeverisur nga perandoria Austro-Hungareze
mbajtën fenë e të parëve, katolicizmin, mirëpo më kohë, sidomos në fund të
viteve të pesëdhjeta të shekullit të kaluar, u shkrinë në detin e hungarezëve e
të sllavëve katolik.
Më
shpalljen e pavarësisë së Serbisë, vala e shkombëtarizimit të shqiptarëve
ortodoksë arriti kulmin, sepse ata gjendeshin në mes të dy shpatave: të
vriteshin nga turqit, ose të kërkonin shpëtimin nga Rusia, e cila mori tutelën
mbi ortodoksët e Ballkanit. Brenda kryeqytetit të tyre, Beogradit, serbët vranë
të gjithë serbët e konvertuar në myslimanë, vranë edhe të gjithë myslimanët e
kombeve të tjera, i zhbinë 200 xhami dhe i fshinë të gjitha gjurmët pesëqind
vjeçare të sundimit turk. Nuk lanë asgjë nga trashëgimia e ndërtimi oriental.
Disa
dhjetëra vjet më vonë, ushtria serbe me ndihmën e bandave
kriminale-çetnikëve, nisi pastrimin
etnik të Sanxhakut të Nishit, duke vrarë, apo shpërngulur të gjithë shqiptarët
myslimanë (muhaxhirët). Në këtë territor shqiptar, mbeti vetëm një koloni jo e
madhe ortodokse, me mbiemrat e tyre apo me emërtimet e katundeve Arbanas,
Arnaut etj. , ndërsa përndiqeshin, sepse e flisnin gjuhën e vet.
Brezi
i ri nisi të fliste sllavisht, një sllavishte të zvetënuar, e cila edhe sot e
kësaj dite dallon dukshëm nga sllavishtja serbe që ndërtohet mbi një sintaksë
tjetër (sa do të dilte interesante po të bëheshin reportazhe nga televizioni me
banorët e Nishit të sotëm, të cilët dikur flisnin shqip, ashtu sikurse në Ohër,
në të njëjtën periudhë kohore. Sa do të
kontribuonin historianët po të nisnin ndriçimin e kësaj periudhe dhe anketimet
me banorët e sotëm të kësaj hapësire).
Shumë
banorë të territorit të Nishit e vinin në pah se janë ortodoksë, madje edhe në
fund të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, por asnjëherë nuk e thoshin
se janë serbë, disa u shmangeshin përgjigjeve se cilit komb i takonin, sepse
druanin, kurse të tjerët flisnin në mënyrë të papërcaktuar. Pjesa dërmuese e
popullatës fshatare në territore të tëra të Serbisë deklarohen ortodoksë, por e
shpërfillin përkatësinë kombëtare. Është çështje e mungesës së vetëdijes
kombëtare? Ose nxirrte krye një përkatësi tjetër kombëtare e ndrydhur?
Asnjëherë nuk është studiuar ky fenomen në kohën e ish-Jugosllavisë. Kjo ishte
edhe më e theksuar ndër “serbët” e Kosovës.
Sllavishtja
me sintaksë shqipe flitet edhe sot e kësaj dite nga ortodoksët e Kosovës, një e
folme me të cilën në Beograd tallen, duke i quajtur “shqiptarë”
“bashkëkombësit” e tyre nga Kosova. Shqiptarët e fundit ortodoksë vendës, ishin
në rrethin e Pejës, Deçanit, Istogut, Vitisë e Gjilanit. Ata mbiemrave
shqiptarë, ua shtuan mbaresat “iq”, apo
“viç”, ashtu sikurse i patën edhe shqiptarët myslimanë e katolikë në kohën e
terrorit serb.
Shala,
Gashi, Berisha, Lajçi, Dashi, Palbardhi,
Kastrati, Pjetri etj. me mbaresat sllave ishin mbiemrat tipikë jo vetëm në
Rrafshin e Dukagjinit, por edhe në Serbi e Mal të Zi. Pjesë të popullatës
ortodokse të sllavizuar ka ende në katundet e Dukagjinit (Pejë: Sigë,
Brestovik, Bjellopojë etj. apo të Komunës së Istogut: Zhakovë, në disa katunde
të Drenicës etj ).
Asnjëri
prej tyre nuk e mohonte në vitet e shtatëdhjetë të shekullit të kaluar se të
parët e tij flisnin shqip një ose dy breza para tyre, d.m.th. flisnin shqip
deri në vitet njëzet të shekullit të kaluar, kur u përmbyll faza e fundit e
shkombëtarizimit, e udhëhequr nga shteti.
Nuk
kanë kaluar më shumë se 100 vjet nga periudha e shkombëtarizimit të shqiptarëve
ortodoksë në Kosovë (shkjenimit), apo 150 vjet nga koha tragjike e shuarjes së
bashkëkombësve tanë në Serbinë e sotme dhe ne nuk e kemi asnjë dokument të
publikuar për tragjedinë e tyre, as për proceset e asimilimit. Nuk kemi bërë
asnjë përpjekje të ndriçojmë këtë periudhë, ndërsa është çelësi i kapërcimeve
të mëdha.
Kujtesën
e kemi aq të shkurtër, sa as emërtimet e shumicës së katundeve, lumenjve e
rretheve në Kosovë, Maqedoni e në
territoret etnike nuk i mbajmë në mend si ishin në gjuhën shqipe, para vitit
1923-25, kur i sllavizoi gjeografi i shtetit serb, Jovan Cvijiq. Shumicën e
katundeve i quajmë edhe sot sipas gjeografit shkombëtarizues.
Është
interesante qasja e Piro Prifti, në shkrimin: “ E vërteta e ndarjes fetare nga
arbër në shqiptarë dhe shkaqet që ndanë shqiptarët në shumë shtete”. Është një
qasje që meriton vëmendje. (6. Telegrafi.com: “Kështu, nën presionin turk, i
cili zbatoi strategjinë e posaçme anti-arbëresho-epirote, në fund të shekullit
XVII- fillim shekullit XVIII, ndodhi dhe ndarja tragjike shpirtërore e fetare e
popullsisë që fliste shqip me të gjitha pasojat që ndihen e dhe sot për shkak
të dyzimit fetar dhe tradicional”).