| E enjte, 26.10.2023, 07:56 PM |
Shqipëria dhe Kosova u bënë nga Albanologjia
(Fjalë
e mbajtur në konferencën për studimet albanologjike në Britani dhe në vendet e
Europës Veriore)
Nga Mehmet
Kraja - Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës
Të nderuar miq,
Ne tashmë kemi përpara programin e një
konference të re për studimet albanologjike, që është e pesta me radhë, pas
asaj për studimet albanologjike në vendet gjermanishtfolëse, ne Itali, në
Shtete e Bashkuara të Amerikës, në Francë dhe, së fundi, në Britani dhe në
vendet e Europës Veriore. Me këtë konferencë plotësohet harta e studimeve
albanologjike në botën perëndimore, e cila në të vërtetë është themeluese e
albanologjisë si shkencë dhe si dije gjuhësore dhe historike.
Më lejoni të them se, që nga Laibnici, më shumë
se tre shekuj më parë, rëndësia e studiuesve të huaj për albanologjinë, pra,
nuk ka reshtur asnjëherë. Të huajt, perëndimorët, ishin ata që vunë themelet e
albanologjisë si shkencë, kjo tashmë është e njohur nga të gjithë. Por duhet
thënë edhe një gjë më shumë se kaq. Studimet e tyre paraqiten të rëndësishme
edhe në një shtrirje kohore dhe tematike me të gjerë: përfshijnë edhe
dimensione historike, të etnogjenezës, madje kanë pasur dhe kanë rëndësi
kulturore, ndonjëherë edhe politike. Janë këta studiues, shumica syresh, që e
kanë afirmuar çështjen shqiptare në kushte të vështira të errësirës së plotë
studimore, informative dhe diturore që sundonte mbi Shqipërinë dhe Kosovën.
Ata që kanë dilema ende rreth përkatësisë
perëndimore të kombit tonë, edhe nga kjo foltore duhet t’iu themi se
Shqipërinë, të tillë siç e bënë, me toka të aneksuara dhe me sovranitet të
kufizuar për një kohë të gjatë, me përplasje të mëdha interesash të fuqive
vendimmarrëse, me konflikte të brendshme permanente; pra, të tillë siç ishte, e
bënë perëndimorët, pikërisht ata që u pajisen me ndjeshmëri për çështjen
shqiptare nga dijet albanologjike. Unë nuk them se të gjithë patën njohje
pozitive për çështjen shqiptare: ndonjëherë studimet e tyre janë luhatur
ndërmjet urrejtjes dhe përçmimit, herë të tjera kanë vuajtur nga
joobjektiviteti shkencor ose nga ndikimi i interesave politike të pretendentëve
të ndryshëm, por ne e dimë se ata, sido që të jetë, e meritojnë mirënjohjen
tonë.
Gjithashtu, atyre që ende mund të kenë dilema
rreth përkatësisë sonë perëndimore, po nga kjo foltore iu duhet thënë se shteti
i Kosovës, me të gjithë atributet e tij, me fondamentin historik, me
konstalacionin e tij shtetëror, është bërë dhe funksionon nën një përkujdesje
pothuajse atërore të Perëndimit, një përkujdesje që fillon nga ndalja e
gjenocidit dhe vazhdon ende deri në konsolidimin e tij institucional. Pra, janë
dijet albanologjie, të cilat jo vetëm kanë shërbyer si bazë të bërjes dhe
njohjes së identitetit, por më shumë se kaq, ato kanë shërbyer në plot raste si
nxitje për të respektuar dinjitetin e atyre që identifikohen me një identitet
të tillë.
Shqipëria dhe Kosova u bënë nga albanologjia, po
aq sa nga faktorët e tjerë politikë, historikë dhe ushtarakë.
Albanologjia përveç se dije, në Shqipëri dhe në
Kosovë ishte frymëzim, që nga fillimi!
Shqetësimi
për albanologjinë
Por tani dua të ngre një shqetësim tjetër para
jush, jo sepse i takon kësaj konference, por ngase në këtë vend janë të
mbledhur studiues me ndikim në punët e albanologjisë. Shqetësimi im lidhet me
trajtimin e studimeve albanologjike në Universitetin e Prishtinës. Pavarësisht
se albanologjia, që kur ekziston dega e gjuhës dhe e letërsisë, 60 vjet e më
shumë, i ka dhënë prestigj këtij Universiteti, sjellja UP-së ndaj albanologjisë
tani kufizohet me pabesi. Kjo situatë është bërë alarmante, meqë jemi në dijeni
se në të dy degët, në gjuhë dhe letërsi, pas dy afateve, sivjet nuk janë
regjistruar më shumë se nga 15 studentë, që është po aq pak, sa në ndonjë
katedër të albanologjisë në ndonjë vend të huaj. Nuk e di nëse e dini të gjithë
ose jo, por në degët e albanologjisë në Universitetin e Prishtinës nuk ka më
studime doktorale. Absurditeti më i madh është se këtyre dy degëve u është
njohur statusi i degëve studimore, jo mësimdhënesë, kurse më anë tjetër u është
mohuar e drejta e studimeve doktorale.
Si Akademi, bashkë me seksionin e gjuhës dhe
letërsisë, mendoj se kemi përgjegjësi që këtë situatë jo vetëm ta bëjmë të
ditur për opinionin e gjerë, por edhe ta identifikojmë si çështje me prioritet,
në kuadër të marrëdhënieve që kemi me Universitetin e Prishtinës.
https://www.facebook.com/mehmet.kraja