| E merkure, 25.10.2023, 06:04 PM |
Orë letrare në shkollën jo publike “Kampionët” Vlorë
Me
magjinë e përrallave “Gjiganti dhe Xhuxhi” nga letërsia për fëmijë e
shkrimtares Vilhelme Vranari
Nga
Rudina Alimerko
Nuk na bie shpesh rasti të dëgjojmë nga
fëmijët vlerësime, kritika, debate për vepra të shkruara enkas
për ta, që u përshtaten veçorive psikologjike të moshës së tyre. Është bukur
kur para syve të shpaloset një botë e pasur artistike plot emocion,
ndjenja fëmijnore, me një fantazi të zhvilluar për atë moshë që kërkon të dijë
gjithçka, brenda së cilës gjendet magjikja, e cila shfaqet mes përmasave të një
fëmijërie të dëlirë, të një pafajësie engjëllore që të bënë për vete. Rrallë
herë na ndodh që të dëgjojmë arsyetime dhe vlerësime nga goja dhe mendja e asaj
moshe të dëlirë e të pafajshme fëmijënore, por e pastër si uji i burimit.
Ndoshta ndikon te të rriturit ajo dëshira e pabesueshme e tyre, gjë që të lë
përshtypjen se janë të etur për dije. Kështu ishte për mua ajo orë
letrare mjaft e këndshme, e cila i kaloi caqet e orës akademike...
por pa e kuptuar vazhdoi plot 90 minuta.
U ndodhëm tok me nxënësit e klasës së
pestë të shkollës jo publike “Kampionët “ në qytetin e Vlorës ditën e mërkurrë,
më 8 shkurt 2012.
Jashtë bënte shumë ftohtë, por aty brenda në
klasë, dimri sikur e kishte të ndaluar të futej. Mes një mjedisi të
ngrohtë e gazmor, duartrokitjet e fëmijëve, buzëqeshjet dhe cicërimat e tyre si
tufat e zogjëve në fluturim, nuk reshtnin. Për ata dukej si një ditë feste
përrallore. Kështu ndodh kur organizohet bukur, thjesht e njëkohësisht kur
plotësohen dëshirat e tyre fëmijënore.
Shkrimtarja u afrua dhe i përshëndeti të
gjithë nxënësit. Në sytë e tyre kishte gëzim. Për ta ishte një orë e
veçantë, ku nxënësit, veç mësueses, kishin pranë tyre edhe një njeri të
njohur që më parë, “nënën” dhe “gjyshen” e atyre përrallave të bukura që kishin
lexuar.
Kishin rastin të bashkëbisedonin me të, të
shprehnin mendimet e tyre, ta pyesnin për ndonjë gjë që i kishin bërë të
mendoheshin. Në atë mjedis arsimor dhe kulturor ndihej që tek gjithsecili
kishte emocion. Të gjithë donin të flisnin njëherësh...
Dhe kështu nisi pakuptuar, fare natyrshëm ora letrare. Një nxënëse faqekuqe filloi të lexonte poezinë në fund të librit “Gjiganti dhe Xhuxhi”:
“Mësoj ta dua gjuhën
time.
Ti, o gjuhë e vjetër
shqipe,
me gjak Ilirije më
rrite...
me ëmbëlsi qumështi
më ngjize,
ti, e shtrenjta, nëna ime...!”
Dukej që edhe autorja jonë u emocionua nga
këto vargje që ajo i kishte shkruar në kopertinën e librit të dytë të
ciklit me “Përrallat e Vendit Blu”, përmbledhje e titulluar “Gjiganti
dhe Xhuxhi”. Kjo poezi në vetvete përciell tek lexuesit e vegjël, një
mesazh të madh, dashurinë për gjuhën e ëmbël shqipe, gjuhën e mëmës.
Në këtë libër përfshihen pesë përralla, që janë
vazhdimësi e librit të parë "Kuçedra dhe Dragoi". Të dy librat,
në formë imagjinare, shtjellojnë historinë e lavdishme të popullit shqiptar,
duke dhënë ngjarje, fakte dhe tradita të të parëve tanë. Mbi të
gjitha, këto përralla ndikojnë tek lexuesi duke edukuar
dashurinë për Atdheun, për gjuhën e bukur shqipe, për të parët tanë ilirë dhe
përpjekjet e tyre për liri.
Mësuesja u kërkon fëmijëve që të thonë titullin e
veprës, shkrimtarin, gjithë bashkëpunëtorët si redaktorin, ilustruesin dhe
emrin e Shtëpisë Botuese.
Dhe kështu bukur, magjishëm dhe këndshëm filloi
bashkëbisedimi…Nxënësit ishin kureshtar për gjithçka, ndaj nuk përtonin të
pyesnin. Ndërsa shkrimtarja Vilhelme Vranari përgjigjet me emocion, pasion,
dëshirë, sepse ajo i do shumë fëmijët. Është një dashuri e veçantë që
përshfaqet dhe në fillim të përrallës, Nëna Vili tregon... Por
në këtë orë të gëzueshme letrare, ndodhi edhe e kundërta, kur shkrimtarja pyet dhe
nxënësit përgjigjen... Ashtu sikurse ndodh në elektrizimin me
influencë, tani po ndihesha edhe unë e emocionuar tek
shihja nxënësit që flisnin me tërë atë pasion për çdo
përrallë, ngjarje, histori... A thua sikur këta fëmijë i njihnin dhe kishin
luftuar bashkë me heronjtë e tyre?! Qënie të tilla si Lubia
e pangopur me emrin”Llufa” apo
Gjiganti, Shtriga, Dragoi…Hyjnesha Buna e të tjerë
personazhe të librit, që të bëjnë të mrekullohesh me botën e këtyre
përrallave, duke fluturuar e shëtitur në vende të papara, a duke
u ndeshur me qenie të panjohura mitologjike.
Mësuese Marga ndërhyri me një pyetje, drejtuar
sidomos çamarokëve të klasës: “Secili nga ju do të më thotë se kujt
personazhi të përrallave kërkon t'i ngjajë?”
Çuditërisht sipas tipit, secili zgjodhi t'i ngjante
personazhit që i kishte lënë më shumë vragë në ndërgjegjen e tij.
Të bënte përshtypje komunikimi mjaft i
përzemërt midis fëmijëve dhe znj. Vilhelme kur diskutonin për vlerat që
mbart ky libër me një gjuhë të pasur letrare, që i tërheq lexuesit e
moshës së njomë.
Përveç kesaj, nxënësit lexues nuk lënë pa
u ndalur edhe te pyetjet “A bisedojmë pak?” të aparatit
pedagogjik. Janë pyetje drejtuar fëmijëve për bashkëbisedim dhe ata kanë
dëshirë të flasin dhe t’i trajtojnë të gjitha… E bukura ishte kur ata duke e
vënë veten në rolin e shkrimtarit apo të mësuesit, pyesnin njëri-tjetrin.
Aftësia e tyre për t'i thithur gjërat ashtu siç e kërkon libri, të befasonte,
por më tepër të mahniste.
Në fund autorja saktësoi e formuloi
bukur mesazhin e çdo përralle.
Si një mësuese me përvojë dhe shkrimtare
që e njeh mirë botën e fëmijëve, Vranari i ka kushtuar rëndësi
dhe fjalorit për secilën përrallë, duke u pëeqëndruar më shumë
te shpjegimi i fjalëve dhe i emrave të panjohur për lexuesit e
asaj moshe së cilës u adresohen ato krijime…
Dalengadalë kjo orë mbaroi pakuptuar. Nxënësit
falenderonin autoren për përrallat kaq të bukura dhe nuk harruan të pyesnin:
-Nëna Vili, do të shkruash më përralla?
- Fëmijë, prisni pak kohë. Nëna Vili më parë
do t’ia kallëzojë Princeshës Bi dhe pastaj do t’ua
tregojë edhe juve librin me përralla që do të vijë më pas…
Kur mbaroi ajo veprimtari e këndshme dhe shlodhëse,
m’u ndërmendën fjalët e poetit tonë shqiptar nga Kosova Vehbi Kikaj që
thotë: “Vetëm kur del para fëmijëve, shkrimtari e sheh veten si në
pasqyrë.” Dhe tani, pas këtij ballafaqimi të çiltër e të
mrekullueshëm, shkrimtar dhe fëmijë, i dhashë plotësisht të drejtë poetit
Kikaj...
Faleminderit znj. Vranari, faleminderit fëmijë për
kënaqësinë që më dhuruat sot!
Mirë u takofshim
në libra të tjerë!
Rudina Alimerko,
Pedagoge në universitein “I.Qemali”
Vlorë, 8.2.2012