Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mihal Gjergji: Rrjedh Vjosa

| E diele, 22.10.2023, 10:27 AM |


Mihal Gjergji

RRJEDH VJOSA

Mbaj vesh, dëgjoj zëra...

e njerëz nuk ka!

Lumë fjalësh që s’di nga burojnë

Cila grua i tha?

Cila nimfë apo zanë ka jetuar dikur,

gjersa lotët i ktheu në lumë?

Janë grindur zotat, doemos

Po vajza s’bën gjumë!

Karficat e erës mbi fjangon e kaltër,

askush nuk guxon që t’ia prek

Harbuar rrjedh Vjosa, harbuar

dhe mbetet përherë virgjëreshë!

Dhimbjen e mban në gji Tepelena

(Seç ka një mallkim që nuk sos!)

E vrau bukuria vendin tim

Mos ndodhtë,

që Vjosa të mbytet në Vjosë!

Tepelenë, korrik 2020