| E hene, 16.10.2023, 07:59 PM |
SHQIPËRIA DHE BULLGARIA MUNDIN RUSINË NË ORGANIZATËN E KOMBEVE TË BASHKUARA!
Nga
Frank Shkreli
Ka
kohë që Rusia po zhvillonte një fushatë
serioze në radhët e diplomatëve ndërkombëtarë në Nju Jork për t’u kthyer
në Këshillin e Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut – pasi
antarësimi i Moskës në këte ent të OKB-ës ishte anulluar, vitin e kaluar, si
shkak për invadimin e Ukrainës nga Rusia. Por, megjithë ato përpjekje
skandaloze të Kremlinit, të martën që kaloi, një shumicë e vendeve anëtare të
Organizatës së Kombeve të Bashkuara i dërguan një mesazh të fortë – në nivel
ndërkombëtar -- regjimit të Putinit. Rusia humbi në mënyrë dërmuese në votimin
që u zhvillua në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të martën e kaluar. Një
shumicë vendesh i thanë “njet” Moskës duke refuzuar të votonin regjimin rus të
Putinit si anëtar të Këshillit të Drejtave të Njeriut të OKB-së, për shkak të
invadimit të Ukrainës nga Rusia.
Si
përfundim, duke filluar nga 1 Janari i vitit 2024, përfaqësues të Evropës
Lindore në këtë Këshill do të jenë Shqipëria dhe Bullgaria, dy vende të kësaj
zone gjeografike, që siguruan më shumë vota se Rusia në Asamblenë e
Përgjithëshme të OKB-së. Sipas burimeve të OKB-së, në votimin e fshehtë të
vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme, të martën që kaloi, Shqipëria
siguroi 123 vota ndërsa Bullgaria mori 160 vota për antarësim në Këshillin e të
Drejtave të Njeriut të OKB-së, kundrejt Rusisë e cila -- megjithë përpjekjet
lobiste -- siguroi vetëm 83 vota nga vendet anëtare të OKB-së. Pa dyshim se kjo votë kundër antarësimit të
Rusisë, nga shumica e 193 vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithme në Nju
Jork, pasqyron moskënaqësinë, me pushtimin e vazhdueshëm të Ukrainës nga Rusia
-- të një shumice dërmuese të vendeve të botës.
Antarësimi
i Rusisë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së është anulluar prillin
e vitit të kaloi, menjëherë, pas invadimit të Ukrainës nga Rusia putiniste.
Ambasadori i Polonisë pranë OKB-së, Krzysztof Szczerski u citua të ketë
komentuar votimin e fshehtë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kundër
antarësimit të Rusisë në këtë Këshill me vota dërmuese, si diçka që nuk mund të
ndodhte ndryshe, duke marrë parasysh vazhdimin e invadimit rus të Ukrainës.
Ndërkaq
edhe organizata jo qeveritare mbrojtëse e të drejtave të njeriut, me qendër në
Nju Jork -- Human Rights Watch – reagoi, nepërmjet një zëdhënsi (Louis
Charbonneau), duke u shprehur në lidhje me refuzimin e vendeve anëtare të
OKB-së për të votuar në favor të Rusisë, “Shtetet anëtare të OKB-së i dërguan
autoriteteve ruse një sinjal të fortë: se nuk ka vend në Këshillin e OKB-së për
të Drejtat e Njeriut – për një qeveri që është përgjegjëse për një numër të
madh krime lufte, si dhe për krime kundër njerëzimit.” Ndërkaq, agresioni rus në Ukrainë vazhdon,
ndërsa një numër hetimesh të organizatave ndërkombëtare kanë akuzuar Moskën për
abuzime dhe shkelje të drejtave të njeriut. Madje, Gjykata Ndrëkombëtare e
Krimeve ka lëshuar një urdhër për arrestimin e Presidentit rus, Vladimir Putin,
pikërisht, në lidhje me akuzat për deportimin e fëmijve ukrainas nga Ukraina në
Rusi.
Sidoqoftë,
tani dihet se janë Shqipëria dhe Bulgaria që do të përfaqësojnë (zonën gjeografike), vendet e Evropës Lindore, në
Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, për periudhën 2024-2026.
Këshilli
i të Drejtave të Njeriut i OKB-së është enti kryesor i Organizatës së Kombeve
të Bashkuara, përgjegjëse për të mbrojtur dhe për të avancuar liritë themelore
të njeriut, në nivel botëror. Si i tillë, ky ent që përbëhet nga 47 vende
anëtare të OKB-së që zgjedhen me votë të fshehtë nga shumica e vendeve anëtare
të Asamblesë së Përgjithshme -- është themeluar në vitin 2006.
Gjatë
historisë së saj, Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe entet e saj ka patur
mbështetsit por edhe kritikët e saj. Një prej kritikëve të OKB-së ka qenë
ish-Presidenti i Shteteve te Bashkuara, Ronald Reagan i cili e akuzonte
organizatën botërore si një vend-strehim për regjimet diktatoriale të botës dhe
për shkelësit dhe abuzuesit e të drejtave bazë të njeriut. Një, ku kriminelët
dhe abuzuesit e të drejtave të njeriut, mbikqyrin shkelsit e këtyre të drejtave
dhe kriminelët e tjerë, ëshrë një shprehje që përdoret shpesh nga kritikët e
këtij wnti të Kombeve të Bashkuara!
Njëri
prej këtyre diktatorëve sot konsiderohet edhe Vladimir Putini i Rusisë i cili
donte që vendi tij – megjithëse i akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër
njerzimit -- të gjente strehim edhe njëherë si anëtare, në një nga entet e të
drejtave të njeriut të OKB-së, duke u përballur me Shqipërinë dhe Bullgarinë,
si përfaqsuese të Evropës Lindore. Vota e pjesës dërmuese të përfaqsuesve të
botës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, tregoi
se lobimi i Kremlinit për të siguruar antarësimin në Këshillin e OKB-së për të
Drejtat e Njeriut, dështoi, në garën e Rusisë përball Shqipërisë dhe
Bullgarisë. Në garën me Rusinë, me votë fshehtë, fituan Shqipëria dhe
Bullgaria, për një mandat 3-vjeçar, si përfaqsuese të Evropës Lindore në
Këshillin e të drejtave të Njeriut to OKB-së!
Vendet
dhe diktatorët që abuzojnë dhe shkelin të drejtat e njeriut dhe që kryejnë
krime lufte dhe krime kundër njerzimit nuk duhet nuk duhet kurrë të jenë anëtar
të një enti që pretendon se mbron të drejtat universal të njeriut – qoftë ai
ent edhe Këshilli i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e
Njeriut – misioni i të cilit është mbrojtja dhe promovimi i këtyre të drejtave
të njeriut në nivel botëror nga abuzimet e regjimeve dhe diktatorëve sknadalozë
të kësaj bote !