Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edmond Shallvari: Dy poezi

| E marte, 06.01.2009, 08:42 PM |


Edmond Shallvari

 

Takuar...

 

Takuar kemi qënë mijra vjet më parë

Gladiatorë fatkeqë dhe fatmirë njëkohësisht

Rrethuar ulërimash spektatorësh të pafaj

Që vrasjen tonë urdhëronin me gisht.

 

Të gjymtuarit, të mjerët, të pafajshmit e fajshëm

Skllavërinë e vetvetes, skllavëronin marrëzisht

Arenave të kohës kërkonin që shpatën

T'ja ngulnim njeri-tjetrit, nga i uluri gisht.

 

Takuar kemi qënë, si sot e kujtoj

Kohët e ngjashme kanë mbetur sërish

E njëjta arenë, i njëjti spektator

Na vret dhe rivret, nga i njëjti gisht.

 

Takuar do jemi në vazhdim shekujsh

Me kohët e ngjashme, do tallemi o mik

Spartakë të penës kemi për të mbetur

Derisa të drejtohet, i përkuluri gisht!

 

Antistatukuo!

 

As qiell, as tokë, as ditë, as natë

Shikimi devijon ekzistencën e universit

Konfiguracion i një materie amalgamë

Pjellë hibride nga mitra e parajsferrit.

 

As tingull, as zë, as zhurmë, as heshtje

Dëgjimi devijon meloditë e botës

Boshllëk shurdhues nga lindja në vdekje

Simfoni pa orkestër e qeshqarjes së kohës.

 

As para, as prapa, as ec, as ndal

Hapat devijojnë trajektoren në hapësirë

Nuk di në ka ndodhur shpërthimi i madh

Veç di që në ndodhtë, do jetë më i mirë.